Basha nderon themeluesit dhe drejtuesit e PD

Basha nderon themeluesit dhe drejtuesit e PD

18:27, 11/12/2017
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përkujtuar themeluesit dhe drejtuesit e PD-së ndër vite, në një fjalim të mbajtur në 27 vjetorin e themelimit të PD-së.

“Përkujtojnë me mall ata që si kemi mes nesh, Hazem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnori, Arben Broci, Ali Spahia, Sokol Olldashi, Ferdinand Pone. Mirënjohje për themeluesit e PD-së, Eduard Selami, Genc Rulin, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Tritan Shehu, Genc Pollo, Aleksander Meksi e të tjerë. Mirënjohje për liderin historik Sali Berisha, pa të cilin PD s’do kishte shpirtin dhe forcën që ka pasur”, u shpreh ai.

Fjala e plotë e Bashës

Të dashur demokrate dhe demokratë,

Shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik,

Miq dhe të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në këtë takim tradicional të ditëlindjes së Partisë Demokratike.

Njeherësh të uroj me gjithë zemër, një për një, themeluesit, anëtarët dhe mbështetësit e saj, brenda dhe jashtë vendit: Gëzuar 27 vjetorin e Partisë Demokratike të Shqipërisë! Gëzuar ditën e lindjes së pluralizmit politik!

Ky është një përvjetor i trefishtë i tre ngjarjeve të mëdha historike, të cilat ndanë në dysh kohën e Shqipërisë: në njërën anë diktatura komuniste gjysëmshekullore, që përfundoi në koshin e historisë si kujtimi më i keq i brezave, në anën tjetër demokracia perëndimore që filloi epokën e saj të re.

Këto tre ngjarje janë Lëvizja Studentore e dhjetorit 1990, fitorja e pluralizmit politik si arritja më  e madhe e saj, themelimi po atë mbrëmje, në 11 dhjetor 1990,  i Partisë  Demokratike nga një grup studentësh dhe intelektualësh me Azem Hajdarin në ballë.  

Të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën, këto tre ngjarje qëndrojnë dhe lartësohen cdo vit si përmendorja më e bukur dhe më madhështore e demokracisë së re shqiptare.

Ne mblidhemi çdo dhjetor për të kujtuar gjenezën e kësaj historie të madhe, për të nderuar protagonistët e saj -studentë, intelektualë, njerëz të thjeshtë - për t’u frymëzuar nga shembulli i tyre, për të reflektuar për rrugën që kemi bërë, për t’u rinisur me energji të reja.

Rëndësia e një Lëvizje apo një Partie përcaktohet nga produkti që sjell për vendin dhe njerëzit. 

Lëvizja e Dhjetorit dhe Partia Demokratike që lindi prej saj kanë prodhuar Shqipërinë e lirë, Shqipërinë Perëndimore.

Demokratët, nga i pari tek i fundit, kanë të drejtë të krenohen për këtë.

Krenarë për historinë.

Të përgjegjshëm për të sotmen dhe të nesërmen.

Të dashur miq,

Ky dhjetor i 27të vjetorit tonë është dhe nuk është si gjithë të tjerët

Është si të tjerët sepse na mbledh për të evokuar sërish,  plot respekt,  themelimin dhe themeluesit e PD-së, epizmin dhe idealizmin e spikatur të asaj kohe, sfidat dhe arritjet e mëdha  të forcës sonë politike ndër vite.

Ky dhjetor është si të tjerët kur perkujtojmë plot mall, nderim e mirënjohje ata që nuk i kemi më mes nesh:

Është Azem Hajdari, prijësi i Lëvizjes Studentore dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike të porsathemeluar. 

Janë themeluesit e Partisë Demokratike, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, Arben Broci dhe Ali Spahia;

Është Sokol Olldashi, është Ferdinand Pone, janë emra të tjerë demokratësh të shquar dhe demokratësh të thjeshtë që nuk rrojnë më. Partia Demokratike i ka e do t’i ketë ata gjithmonë në librin e saj të ndritur të kujtesës dhe të shembujve frymëzues.

Ky dhjetor është si të tjerët sepse ne sot si përherë nderojmë studentët dhe pedagogët e Dhjetorit kudo që ata janë, në Shqipëri apo kudo në botë. Patia Demokratike është bija e guximit dhe shpirtit tuaj të lirë.

Respekt dhe mirënjohje të veçantë do të ketë përherë për ata që ju prinë demokratëve në momentet e para, për Aleksandër Meksin, Arben Imamin, Neritan Cekën, Eduard Selamin, Genc Rulin, Preç Zogajn, Besnik Mustafajn, Tritan Shehun, Genc Pollon e të tjerë që nuk mundem t’i përmend dot të gjithë.

Nderimi dhe mirënjohja më e madhe e çdo demokrati do të jetë përherë për liderin e saj historik Sali Berishën, pa të cilin Partia Demokratike nuk do kishte shpirtin dhe forcën që ka patur përherë.

Por nga ana tjetër, ky dhjetor nuk është si gjithë të tjerët sepse vjen në vitin e krimit të madh zgjedhor të 25 qershorit, pasojat e të cilit janë një dënim i madh për qytetarët shqiptarë në radhë të parë, për demokracinë tonë.  Pastaj edhe për PD dhe opozitën.

Ky ishte një regres i jashtëzakonshëm, një kthim prapa që kërkon nga ne reflektime, vendime dhe veprime të matura por të vendosura.

Dhe ne e kemi vullnetin, i kemi mundësitë ta bëjmë ketë. Po e bëjmë këtë çdo ditë. Historia na ndihmon.

Gjatë 27 viteve të jetës së saj, PD ka përjetuar ulje dhe ngritje, ka qenë në pushtet dhe në opozitë, ka marrë  goditje dhe plagë, ka fituar respekt dhe nderim brenda e jashtë vendit, ka shkruar historinë e integrimit euroatlantik të Shqipërisë, por është  përballur ndërkaq me skenarë që kanë synuar deri eliminimin e saj nga skena politike; ka njohur diversitetin jetëdhënës të mendimit të lirë e të përgjegjshëm,  por edhe përplasje dhe konflikte të brendshme, të pashmangshme  herë-herë  për vetë natyrën e politikës; ka njohur ndarje dhe bashkime, ka njohur humbje dhe fitore, tronditje dhe lavdi.

Por PD gjithmonë është kthyer përherë tek vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

Nga çdo vështirësi, nga çdo rrëzim, ajo është ngritur më e fortë.

Sepse forca jonë buron nga idealet dhe idetë ku ne besojmë dhe për të cilat luftojmë.

Partia Demokratike është ajo që ka mbajtur me vendosmëri, që nga dita e parë e lindjes e deri sot, busullën perëndimore, euroatlantike dhe europiane të Shqipërisë.

Ne jemi të lumtur që sot, edhe  forcat e tjera politike  në vend deklarohen në këtë kurs historik për fatin e vendit tonë,  por si pararendës dhe si protagonistë,  ne demokratët jemi këtu për të qenë garantët dhe për të mos rreshtur së shërbyeri, brez pas brezi,  idealin dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.

Euroatlantizmi i shkrirë natyrshëm me vizionin dhe ndjenjat tona kombëtare është pasaporta, është identiteti ynë politik!

Pavarësisht sfidave, PD  ka ditur, ka mundur dhe ia ka dalë të mbetet e madhe, ia ka dalë të ngrihet nga hiri, ia ka dalë të qëndrojë forca kryesore e qendrës së djathtë, ia ka dalë  të riniset në Fillime të reja, në Nisje të reja, ia ka dalë të afirmohet si Alternativa e vetme e pushtetit të së majtës socialiste, ia ka dalë të  qeverisë me sukses, të sjellë zhvillim dhe integrim real, si asnjë forcë tjetër në  vend.

E gjithë kjo, sepse PD ka ditur të reflektojë kur koha dhe rezultatet kanë kërkuar reflektim;

sepse ka vendosur gjthmonë të parin interesin e vendit dhe ka qëndruar me vendosmëri në beteja ballore, të drejta  e demokratike;

sepse ka ditur të ndërtojë vazhdimisht vizionin e ri  të së ardhmes;

sepse ka patur vetëdijen e forcës së bashkimit dhe ka ditur të bashkohet.

Reflektimi, Vizioni, Bashkimi dhe Beteja na kanë mbajtur dhe na kanë vënë në krye. Kjo është historia.

Reflektimi, Vizioni, Bashkimi dhe Beteja do të na çojnë në fitore.

Kjo është e sotmja, kjo është e nesërmja jonë e sigurt dhe e afërt! Dua që ky lajm të ushtojë fort në zemrën tuaj, të çdo demokrati, dhe të çdo qytetari shqiptar.

Viti që po mbaron ka qenë një nga vitet tona të vështira kur Shqipëria rrezikonte të robërohej nga krimi. Por ne u ngritëm, ne zgjodhëm që të përballemi me të. Dhe ju të gjithë e dini se kjo nuk ishte përballje e lehtë. Në fillim nuk na besuan, shumë e mbyllën gojën, të tjerë nuk guxuan të na bashkohen. Rrezikuam dhe sakrifikuam politikisht, morëm kosto si parti dhe si individë, por ne prapë qëndruam!

Dhe sot, pak muaj pas zgjedhjeve, përpjekjet tona po japin rezultat dhe shqiptarët po e kuptojnë drejtësinë dhe vetëmohimin e betejës që ne bëmë dhe po na japim vlerësimin dhe mbështetjen që meritojmë.

Ky është fillimi i shpërbërjes së strukturës kriminale, të shpërbëres së genjeshtrës së madhe mbi të cilin qëndron narko-qeveria në pushtet.    

Kjo qeveri solli disa rekorde të zeza për vendin, por katër  prej tyre nuk i  ka parë historia e asnjë vendi në Europë dhe në botë: Promovimi me vetëdije i individëve me rekorde kriminale në parlament dhe në funksione të larta publike,  kanabizimi masiv i territorit kombëtar nga bandat në ortakëri me qeverinë, angazhimi i bandave si struktura elelektorale të  Partisë Socialiste me detyrën për të blerë vota me  paratë e drogës e korrupsionit dhe për të dhunuar zgjedhësit, blerja masive e votës në zgjedhjet e 25 qershorit.

Këto rekorde pohojnë pa asnjë ekuivok ilegjitimitetin e të ashtuquajtures fitore të narko-pushtetit në zgjedhjet e 25 qershorit, për rrjedhim, ilegjitimitetin e parlamentit dhe të qeverisë. Këto janë faktet. Shpërbërja e gënjeshtres dhe e së keqes që ka nisur nuk mund të kthehet më prapa. Shpërbërja vetëm do të përshpejtohet në javët dhe muajt në vijim.

Nuk mund të ndodhë ndryshe. Ortakët e krimit në pushtet dhe pushtetit në krim kanë ngecur në kënetën e tyre. 

Të dashur miq,

Rrallë ka ndodhur që denoncimet në kohë reale të opozitës të aferave kriminale dhe korruptive të vërtetohen një për një, deri në hollësi, emër për emër, nga shpërthimi i skandaleve dhe dalja në dritë e të vërtetës më vonë. 

Dhe do të vazhdojë të na dalin fjalët. Pa asnjë firo, ashtu siç i kemi thënë e vijojmë t’i themi. Keni për ta parë.

Sot, në dritën e fakteve, shumica dërrmuese e shqiptarëve realistë thonë: Po, PD-së i dolën fjalët. Kjo qenka e vërteta.

Për këtë ju duhet të ndiheni të gjithë krenarë sepse secili prej jush, dhe ne të gjithë bashkë e kemi nisur dhe luftuar bashkë këtë betejë!

Kjo do të thotë se Partia Demokratike ka kryer para vendit detyrën e saj si opozitë me integritet të lartë moral dhe politik.

Sigurisht që ne do të kishim dashur që kriminalizmi dhe kanabizimi të luftoheshin e të ndaleshin në kohë, pa u bërë kapicë siç u bënë; kemi luftuar dhe kemi dëshiruar përnjimend që këto droga, krimi dhe paratë e pista të mos prishnin një festë të popullit të lirë, siç janë zgjedhjet.

Për këtë arsye ne pranuam draftmarrëveshjen për zgjedhjet, që partneri ynë strategjik, SHBA, u propozoi shumicës dhe opozitës shqiptare.

Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilin u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt.

Politika nuk është e pistë apo hileqare në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis e të paskrupullt atë, thoshte Vasllav Havel. Politika hakmerret një ditë ndaj tyre. Kjo është një ligjësi e hekurt.

Partia Demokratike nuk bleu vota dhe nuk angazhoi kriminelë.

Forca jonë, besimi ynë, sot më shumë se kurrë janë alternativa, programi, gara dhe bashkimi.

Ne do të fitojmë duke qëndruar fort në truallin e vlerave që janë provuar si fitimtare në jetën e kombeve të lira dhe në historinë tonë gjithashtu.

Ndaj sot dua të ftoj cdo demokrate dhe demokrat, krenarë për vlerat që na bashkojnë, i vetëdijshëm për përgjegjësitë që më takojnë, që të punojmë të gjithë bashkë për Partinë Demokratike, bijën dhe luftëtaren e paepur të Lirisë dhe Demokracisë. 

Në themel të këtij projekti le të vendosim parimet e demokracisë, transparencës, vendim-marrjes gjithëpërfshirëse, llogaridhënies si parimet që do të udhëheqin partinë tonë.

Le të mbështetemi tek frymëzimi dhe idealizmi që e solli atë në jetë, si parti e njerëzve, parti e intelektualëve, e të përndjekurve, e të rinjve dhe e idealistëve që besojnë tek liria, demokracia, dinjiteti njerëzor. E të gjithë atyre që e duan Shqipërinë vërtet si Europa. 

Sot Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë që ne demokratët të fortë, kurajozë dhe të pakompromis me të keqen të plotësojmë misionin dhe destinin tonë hyjnor dhe historik.

Të dashur miq

Ora më e errët është ajo para agimit. Kështu ishte 27 vite më parë. Kështu është edhe sot.

Pikërisht sot kur shpresa duket e vrarë si asnjëherë tjetër ne deklarojmë me përgjegjësi bindjen tonë se fundi i të keqes është më afër se kurrë dhe se një ardhme e re po troket për qytetarët tanë.

Le të jetë kjo ditë e 27 vjetorit tonë, dita e një vendimi  të madh në zemrën e çdo demokrati dhe demokrate për tu  bashkuar, për të guxuar për të punuar si asnjeherë tjetër për këtë ditë të re. 

Gëzuar ditëlindjen e 27 të Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco