Bardhyl Londo: Si e gjeta Berishën duke lexuar fshehurazi Dostojevskin

Bardhyl Londo: Si e gjeta Berishën duke lexuar fshehurazi Dostojevskin

19:32, 09/12/2017
A+ Aa A-

Bardhyl Londo, shkrimtari i njohur, ish-deputet i PD-së hedh dritë mbi shumë ngjarje zinxhir, të cilat sipas tij çuan në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Londo në një intervistë për  “Gazeta Shqiptare” tha se lëvizja e dhjetorit ishte veçse kurorëzimi i një përgatitjeje të gjatë nga intelektualë të ndryshëm, të cilët jo rastësisht më vonë, në dhjetor të ’90-ës u identifikuan si ‘pardesytë e bardha’.

Bardhyl Londo, në atë periudhë kryeredaktor i gazetës “Drita”, tregon për njohjen e parë me doktorin Sali Berisha tek reparti ushtarak i ‘Rrapit të Trishit’, takimet e mëvonshme në Bibliotekën Kombëtare dhe bashkëpunimi i gjatë me të në PD.

Si e mbani mend fillimin e lëvizjes së dhjetorit dhe kur iu bashkuat asaj?

Fillimi i lëvizjes së dhjetorit nuk besoj se ka ndonjë datë fikse. Duhet të kthehemi shumë prapa në histori dhe të kujtojmë gjithçka që përgatit atë. Dhe këtu nuk është fjala thjesht për dhjetorin, nëntorin apo tetorin. Bëhet fjalë për një kohë shumë më të gjatë. Dhjetori ishte kurorëzimi i shpërthimit të kësaj lëvizjeje, e cila kishte muaj që përgatitej, qoftë edhe në mënyrë të paorganizuar. Sidoqoftë, ka një shenjë: intelektualët që u morën me organizimin e lëvizjes së dhjetorit, nuk e di si, pse, qysh dhe nga, mbanin zakonisht pardesy të bardha. Aq shumë u bë e modës kjo ngjyrë pardesysh, sa dikush e quajti në mënyrë figurative, por edhe të goditur “Dhjetori i pardesyve të bardha”. Kur iu bashkova? Atëherë, me humor thoshim, “po punojmë me dy turne”. Arsyeja ishte e thjeshtë: mbaronim sa më shpejt punën në gazetë dhe pastaj deri vonë rrinim në Qyteti Studenti, i cili në ato kohë ishte ‘Meka’ dhe ‘Jeruzalemi’ i shqiptarëve.

Si jeni njohur me z.Berisha dhe protagonistët e tjerë të lëvizjes?

Pothuajse të gjithë i kisha takuar dhe njohur prej kohësh. Me zotin Berisha jemi takuar në rrethana që nuk harrohen lehtë, tek reparti ushtarak i ‘Rrapit të Trishit’, Berisha mjek i porsadiplomuar dhe unë ende student. Meqë kisha dy net që nuk më zinte gjumi, u drejtova në çadrën e infermierisë. Mjeku kishte ulur kokën me flokët e qethura shkurt mbi një libër dhe ishte përqendruar aq shumë sa nuk e ngrinte kokën fare. Prita disa sekonda dhe u kollita për t’i tërhequr vëmendje. Ai ngriti kokën dhe më pyeti si e kisha punën. Pagjumësia, i thashë. Mirë – më tha dhe më dha dy hapa. Njërën pije këtu, tjetrën në kapanon. Pastaj u zhyt përsëri në faqet e librit. Unë, mosbesues, nuk lëviza vendit. Doktori u shkëput nga libri dhe më pyeti pse nuk ikja. Do më thuash të vërtetën – i thashë – do të më zërë vërtetë gjumi, apo m’i dhe hapat vetëm për efekt psikologjik? Ai u ngrit në këmbë dhe me një ton krejt të ndryshëm nga i pari, më tha: ‘Po ti e shikon që është ora gati tre e mëngjesit dhe unë nuk fle dot për vete”? Përfitova nga fakti që u ngrit më këmbë dhe i hodha një sy librit, ishte Dostojevski. Nuk më kujtohet në ç’gjuhë, por me siguri në rusisht. Shqip jo e jo, sepse ishte i ndaluar dhe nuk ishte përkthyer fare. Berisha ishte lexues i rregullt dhe i vëmendshëm i gazetës “Drita”. Jo rrallë të dielave në mëngjes pinim kafe tek Pesëmbëdhjetëkatëshi, siç i thoshim atëherë hotel “Tiranës” dhe kur shkoja unë, ai e kishte mbaruar gazetën dhe më bënte “analizën” e hollësishme. Ishte shumë kërkues, por kishte të drejtë në ato që kërkonte dhe që ne nuk mund t’i realizonim për arsye që dihen. /GSH.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Bardhi09/12/2017 19:45

Tek rep usht rrapi i treshit, na e sqaro tek cili repart, pse ju aty, cdonit ju se bashku, ai mjek ti student!!!Aty kane qene vetem reparte ushtarake per ushtare dhe kurre per studente e mjeke; kush behej i semure cohej urgjent ne spit ushtarak; prandaj ose sqarohu mire ose mos GENJE!

Shto koment

Denonco