Kryemadhi në SYRI.net: Manjanin nuk e shitëm, Rama e shkarkoi. Kanabisi ...

Kryemadhi në SYRI.net: Manjanin nuk e shitëm, Rama e shkarkoi. Kanabisi ...

18:29, 21/11/2017
A+ Aa A-

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar sot në studion e lajmeve të Syri.net, largimin e Ylli Manjanit nga posti i ish-ministrit të Drejtësisë.

E pyetur nga moderatori, Alen Xhelili rreth kësaj çështjeje, Kryemadhi tha se LSI, nuk e shiti Manjanin.

Alen Xhelili: Një nga çështjet më kryesore të ditës pas kanabisit, tanimë i pranuar edhe nga kryeministri i cili i dërgoi një letër kryeministrave të vendeve të BE-së, ku i kërkonte ndihmën e tyre për të përballuar situatën.  Gjithashtu ka plasur skandali i përgjimeve. Ju keni informacione  apo i ka vetëm PD sepse ata po reagojnë?

Kryemadhi: Ne si klasë politike, nuk mund ta bazojmë luftën tonë politike tek përgjimet. Ne duam ta bazojmë luftën tonë tek programet që ofrojmë për qytetarët. Mendoj që shqiptarët mund të jenë të interesuar për të dëgjuar se çfarë diskuton Monika në telefon se është pak intrigues, por në fund të ditës qëllimi ynë është se çfarë do i çojmë fëmijëve për t’i ushqyer në shtëpi dhe e ardhmja e tyre e ndërtuar në këtë vend. Ajo çfarë dua të them është që problemi ynë më i madh që kemi sot është problemi i kriminalizimit të institucioneve tona dhe kjo më duket demagogji nga z. Rama që kërkon ndihmë nga institucionet ndërkombëtare. Gjëja e parë që mund të bëjë z. Rama është të japë dorëheqjen dhe të largohet. Është një demagogji që ai bën. Ai për marrëdhënie me publikun është shumë i mirë. Ai ka arritur t’i gënjejë shqiptarët në gjithë këto vite, duke treguar që është njeriu i duhur për Shqipërinë. Por në fakt ky është njeriu i duhur për krimin e organizuar, për të zaptuar institucionet e shtetit shqiptar, që nuk ka bërë vaki në asnjë vend.

Alen Xhelili: Por kur këto i thoshte Ylli Manjani si nënkryetar i LSI-së, ju e shitët atë apo jo?

Kryemadhi: Jo ne nuk e shitëm. Z. Manjani u shkarkua nga z. Rama.

Alen Xhelili: Dhe ju e pranuat.

Krymadhi: Unë nuk e kam pranuar personalisht. Sigurisht që LSI do të merrte vendimet shumicës. Unë isha pakicë. Kam votuar kundër shkarkimit. Nuk kam asnjë lloj kompleksi në këtë drejtim. Unë e kam thënë dhe do ta them gjithmonë që në momentin që ai zotëri shkarkoi z. Manjani, LSI duhet të ishim larguar nga qeveria, edhe pse ai i kishte votat në Grupin e Partisë Demokratike. Këtë e dinë shumë mirë edhe vetë deputetët e PD-së. Ata e dinë më mirë se ne që edhe po të largoheshim ne nga qeveria Rama i kishte votat për të bërë qeverinë tjetër.

Alen Xhelili: Është kjo arsyeja pse nuk u largua LSI-a?

Kryemadhi: Ky ishte një moment i një zgjidhjeje momentale që e morën në atë kohë drejtuesit e LSI-së. Unë nuk kam qenë asnjëherë në asnjë nga takimet që është bërë mes PS-së dhe LSI-së.

Alen Xhelili: Keni refuzuar apo...?

Kryemadhi: Po kam refuzuar. Nuk kam dashur asnjëherë të përfshihem në bisedat që janë bërë me ta për shkak se e dija shumë mirë sjelljen e tyre. Janë jo korrekt në marrëveshje dhe e dyta kanë problemet e tyre që sot pak nga pak po iu dalin si me pikatore. Kështu që kjo është një gjë që ju mund ta shikoni në atë këndvështrim atë që thatë për z. Manjani ndërkohë që unë e shikoj si një reagim që Partia Socialiste donte t’i mbyllte gojën dikujt që kërkonte ndërhyrjen e ushtrisë për ç’kanabizimin e Shqipërisë. Dhe në fakt ne sot kemi një Shqipëri jo vetëm të kanabizuar, por një Shqipëri të drogëzuar. Kanabisi tashmë është bërë sikur të ishte misër dhe presh në bahçe. Sot është bërë çështje shumë e rëndësishme ajo e drogave të rënda, të cilat 2.4% të fëmijëve të shqiptarëve kryesisht pijnë kokainë. Pra janë gati 70 mijë të rinj që pinë kokainë. Nuk po flas më për drogat e tjera të rënda, të cilat janë prezentë në shkollat tona, një gjë shumë e rëndë për shoqërinë shqiptare. Sot ne e kemi shumë të vështirë të gjejmë njerëz sepse njerëz me pak tru që kanë ngelur në Shqipëri po paketojnë plaçkat dhe po ikin për një jetë më të mirë. Ne çdo ditë e më shumë po u shkatërrojmë çdo mundësi shqiptarëve.

Alen Xhelili: Po diskutohet këto ditë çështja e Kryeprokurorit të ri. Nëse zgjidhet ai me shumicë të thjeshtë mendoni se kjo do të ulë ‘gjakrat’ midis prokurorisë dhe qeverisë për disa nga çështjet që po diskutohen?

Kryemadhi: Rama me grupin e tij ka gati 3-4 vite, që kur e filloi ta promovonte reformën në drejtësi, e bëri Prokurorinë si një institucion që tregonte hapur që donte ta kapte dhe ta kishte një instrument në dorën e tij për të bërë veprimet e veta politike apo për të vazhduar lojën e tij politike. Kështu që edhe Prokurori i Përgjithshëm është një element por unë nuk mendoj që ka një rëndësi. Çdo ditë e më shumë që ai kërkon ta marrë me dhunë këtë institucion tregon që ai ka akoma frikë dhe ndihet i frikësuar nga ajo që do t’i vijë më pas. Sigurisht që ai i di shumë më mirë se ne çfarë ka bërë sepse ai është krijuesi i të gjithë kësaj skeme kriminale në Shqipëri. Kështu që ai e di se çfarë e pret. Ne sigurisht që jemi të qetë në jetën tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco