Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Narcos-Xibraka, Olsi Rama në krye të bandës?

Kryemadhi në Kuvend: Ky buxhet i shërben vetëm Ramës dhe oligarkëve të tij

Kryemadhi në Kuvend: Ky buxhet i shërben vetëm Ramës dhe oligarkëve të tij

09:46, 17/11/2017
A+ Aa A-

“Ky Kryeministër po synon të krijojë kartel-trojkën e krimit të organizuar, qeverisë dhe oligarkisë”. Ky ishte thelbi i fjalës së kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi të mbajtur në parlament, gjatë diskutimeve për buxhetin e Shqipërisë për vitin 2018.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit:

I nderuar Kryetar, të nderuar kolegë deputetë, që në fillim, më duhet ta them se nuk jam e surprizuar që projektbuxheti i 2018-s do të ishte një dokument i hartuar dhe “sponsorizuar” nga interesat e pakicës oligarkike të 1% të shqiptarëve, në kurriz të 99% të qytetarëve të ndershëm. Çdo i madh dhe i vogël në këtë vend e di se një mazhorancë që tjetërson vullnetin e shqiptarëve, tjetërson votën e tyre, siç bëri dhe u faktua në zgjedhjet e 25 qershorit, nuk e ka për turp - madje ua ka borxh “mercenarëve” të krimit të organizuar dhe oligarkëve – që të abuzoj me paratë e taksapaguesve shqiptarë përmes “taksava-gradaçelë”, apo “koncesioneve gjakpirëse”, sikurse është së fundmi “skema më inovative piramidale” e ashtuquajtura “projekti 1 miliard”, apo siç është në fakt “gropa financiare 1 miliard euro”. Për të qenë e sinqertë, ky projektbuxhet nuk mund të ishte më i mirë sesa “fletushka” e programit qeverisës, 2 muaj më parë. Nuk kisha asnjë pritshmëri se buxheti i vitit të ardhshëm do të ishte një “instrument zhvillimi ekonomik dhe social” për vendin, kur vetë programi qeverisës i kësaj mazhorance nuk kishte asnjë vizion, asnjë strategji, asnjë plan ekonomik se si të shpëtojë “nga skllavëria e varfërisë” qindra-mijëra shqiptarë, që mezi mbyllin muajin, apo shumë të tjerë që, fatkeqësisht, humbasin edhe jetën për të fituar bukën e gojës së familjeve te tyre. Në fakt edhe me projektbuxhetin e vitit 2018 qartësisht konfirmohet se Kryeministri ka vetëm një “recetë ekonomike” në mendjen e tij, të cilën e ka filluar ta vë në zbatim… - “Terapinë e shokut ekonomik për të gjithë shqiptarët” - përmes thellimit të varfërisë, të pabarazisë ekonomike mes të pasurve dhe të varfërve, të polarizimit social, të papunësisë masive – për t’i përdorur si instrumente frike dhe nënshtrimi të vullnetit të qytetarëve shqiptarë, me qëllimin final që “vota të kthehet në një kupon, që blihet çdo 4 vjet”.

Rritja e taksave

Të nderuar kolegë, si mund të jetë ky një buxhet për qytetarët kur rrit taksat për 99% të shqiptarëve dhe i ul për 1% të oligarkëve? Vetë INSTAT-i i Kryeministrit nuk mund ta fshihte faktin e trishtueshëm që mbi 90% e shqiptarëve konsumojnë më pak, sepse të ardhurat reale kanë rënë të paktën me 10%, për shkak të inflacionit dhe mos rritjes së pagave dhe pensioneve. Çfarë morali ka kjo mazhorancë t’ju flasë shqiptarëve për rritje ekonomike, kur nuk parashikon rritje pagash dhe pensionesh, por u bën “peshqesh” rritje taksash dhe tatimesh, në një kohë kur vetëm çmimet mesatarisht në këto vite janë rritur të paktën 10%. Si mund t’i konsideroj shqiptarët kaq naivë kjo qeveri, kur parashikon që edhe tatimin mbi të ardhurat dytësore (p.sh., qira, honorare etj.), ta rrisë nga 15% në 23%? Për çfarë qeverisje të majtë, për çfarë qeverisje socialdemokrate flet kjo mazhorancë, kur kërkon të 3-fishojë taksën e pronës së banesës për çdo familje shqiptare, pavarësisht nëse është në proces legalizimi, apo nuk ka marrë hipotekën e shtëpisë, ndërkohë që taksën e infrastrukturës për hotelet me 5 yje të oligarkëve të pushteti do ta bëjë ZERO! Këtë masë do ta kishte zili edhe qeveria më radikale e ekstremit të djathtë! Për këtë çështje, ne si LSI kemi zyrtarizuar qëndrimin tonë edhe me depozitimin në Kuvend të amendamentit përkatës: Taksë ZERO për banesën e parë për çdo individ apo familje shqiptare!

TVSH për bizneset

A mund të votohet një buxhet që përfshin befas për herë të parë në skemën e TVSH-së 20% mbi 80 mijë biznese të vogla, duke rritur çmimet, duke falimentuar shumicën e tyre dhe duke nxjerrë në rruge si të papunë qindra-mijëra qytetarë të ndershëm, ndërkohë që nga ana tjetër ul TVSH-në 6% për hotelet me 5 yje të klientëve të qeverisë? Prandaj ne jemi kundër vendimit të qeverisë për ta ulur pragun e TVSH-së, në 2 milionë lekë. LSI propozon në amendamentin e 2-të saj, që pragu përjashtues i TVSH-së të mbetet në nivelin e 5 milionë lekëve të reja si xhiro vjetore për biznesin e vogël. A ka paradoks më të dhimbshëm sesa fakti që çdo qytetar shqiptar, madje edhe ata që janë me ndihmë ekonomike, apo pensionistët, paguajnë 20% TVSH për ujin, bukën, vajin, miellin, sheqerin etj., të ushqimeve bazike, ndërkohë që klientët pasanik do të paguajnë vetëm 6% TVSH në resortet luksoze të miqve të qeverisë? A mund të na thotë Kryeministri - nëse jo ai se në fakt nuk i vë faj se aq di… por të paktën a mund të na thotë ministri i Ekonomisë dhe Financave sa është TVSH-ja për ushqimet bazë të shportës në Itali, në Spanjë apo në vendet e tjera të zhvilluara të BE-së? Nëse as ministri nuk e di, po ua them unë që është 4% në Itali dhe Spanjë! Prandaj, ne kemi propozuar si amendament të 3-të, që TVSH për ushqimet bazë të shportës të ulet nga 20% në 5%, si një masë më impakt direkt në uljen e çmimeve me rreth 15% dhe rritjen e konsumit, sidomos për të varfrit dhe shtresën e mesme! Si mund të votojmë për këtë buxhet kur fondi i ndihmës ekonomike për mbi 80 mijë familje, për mbi 320 mijë qytetarë, është vetëm 40 milionë euro, më pak se gjysma e një koncesioni në shëndetësi!?

Luftë varfërisë

Si mund të pretendojmë se kurojmë plagën më të madhe të shoqërisë tonë, atë të varfërisë, kur japim një lëmoshë vetëm 1 euro në ditë për familje, ndërkohë që pragu i varfërisë ekstreme sipas standardeve të Bankës Botërore, është 2 dollarë për person në ditë? LSI ka alternativën e saj me “Programin Kundër Varfërisë” si garanci për të ardhurat bazike. Nëse kjo qeveri i kursen shqiptarëve 2 koncesione, si ato që ka dhënë për shëndetësinë, të paktën mbi 80 mijë familje, mbi 320 mijë të varfër, pra rreth 14% e popullsisë mund të lirohet nga “prangat e varfërisë absolute”. Kjo është financiarisht e mundur dhe realiste për buxhetin e një qeverie të përgjegjshme! Pra, propozimi ynë si LSI është për një ndryshim rrënjësor të skemës aktuale të “lëmoshës ekonomike”, për t’ju dhënë një shans dhe një dorë këtyre familjeve që të mbijetojnë. Konkretisht, propozojmë që Fondi i Ndihmës Ekonomike të shkojë nga rreth 0.4% e PBB-së në rreth 2% e saj, pra rreth 200 milionë euro në vit. Kjo do të thotë që mbi 80 mijë familje me mesatarisht 4 anëtarë do t’ju jepet nga qeveria rreth 240 $ në muaj për çdo familje, pra 2$ në ditë për çdo të varfër të këtij vendi për të kapërcyer pragun e varfërisë absolute. Kjo skemë e ndihmës ekonomike do të jetë e mundur maksimumi për 2 vjet për këto familje, sepse ne besojmë se gjatë kësaj periudhe atyre do t’ju jepet një shans për t’u futur në tregun e punës duke e kushtëzuar me trajnimet dhe kualifikimet përkatëse profesionale.

Buxheti i oligarkëve

Të nderuar kolegë deputetë, qeveria po na fton të votojmë buxhetin e koncesioneve për oligarkët dhe e lëmoshës për të varfrit! Çdo qytetar që po na ndjek duhet ta kuptoj mirë që kjo mazhorancë me projektin “1 miliard euro” kërkon të fundosë një herë e mirë ekonominë shqiptare, kërkon të pastrojë paratë e drogës dhe hashashit dhe të rrisë borxhin publik në nivele të frikshme që do ta paguajmë shumë shtrenjtë të gjithë ne së bashku dhe gjeneratat e ardhshme. Por ajo çfarë është më kërcënuese dhe rrezik kombëtar për fatet e këtij vendi është fakti që për herë të parë ky Kryeministër po synon të krijojë “kartel-trojkën e 1) krimit të organizuar – 2) qeverisë –3) dhe oligarkisë për të shtënë në dorë çdo aset publik të këtij vendi, për të gllabëruar çdo pasuri shtetërore e mbetur akoma pa u zhvatur dhe për të krijuar një “ sistem plutokratik – ku një grusht oligarkësh qeverisin një popull të tërë”. Ne si opozitë kemi përgjegjësinë e madhe kombëtare që instalimin e “regjimit plutokratik të oligarkisë” në Shqipëri nuk duhet ta lejojmë! Ne nuk do të lejojmë që Kryeministri dhe qeveritarët të mbushin arkat me para dhe të ikin nga Shqipëria, ndërsa qytetarëve shqiptarë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të paguajnë malet me borxhe. A e dinë shqiptarët se 10 kompani të mëdha, përfshirë disa kompani shtetërore si OSSHEE dhe KESH kanë aktualisht mbi 400 milionë euro detyrime të papaguara ndaj buxhetit të shtetit që ky Kryeministër kërkon t’jua falë, ndërkohë që për qytetarët kërkon sahat edhe për ujin e pisët të pusit, përndryshe i kërcënon me burg? Si mund te jetë ky shteti që duam? Si mund te jetë kjo Shqipëria që duam? Dhe pyetja më kryesore që unë kam për shqiptarët që po na ndjekin “A është projekt-buxheti i 2018-s, një buxhet për qytetarët, dhe mbi të gjitha një zgjidhje për hallet e tyre? Jo, absolutisht jo! Askush nuk e beson! Madje as deputetët e mazhorancës këtu në sallë. Sepse të gjithë e kuptojnë që ky është vetëm buxheti personal i Edi Ramës dhe shokëve të tij oligarkë. Ju faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco