Çështja Tahiri, opozita e indinjuar, qeveria pret prova

Çështja Tahiri, opozita e indinjuar, qeveria pret prova

08:26, 21/10/2017
A+ Aa A-

Shtyrjen e mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetet për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, opozita e sheh si sulm ndaj drejtësisë. Këshilli mblidhet sërish të shtunën.

Përgjimet katërvjeçare të hetuesve italianë dhe goditja e grupit të narkotrafikut me emrin Habilaj kanë vënë në shënjestër ish-ministrin e Brendshëm, deputetin aktual socialist, Sajmir Tahiri. Prokuroria e Krimeve të rënda kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit socialist, për t'i hapur rrugë hetimeve. Kjo çështje ka ndezur debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në Tiranë. Të shtunën Këshilli i Mandateve mblidhet sërish për të vendosur për heqjen ose jo të imunitetit të Tahirit.

Pas shtyrjes së mbledhjes ishte kryetarja e LSI-së në opozitë, Monika Kryemadhi, ajo që i bëri thirrje kryeministrit Rama të heqë dorë nga sulmet ndaj drejtësisë. Ajo u shpreh për mbledhjen e së premtes që u zhvillua për heqjen e imunitetit se „duhej të ishte më e shkurtra në historinë e parlamentarizmit."

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi shtyrjen e mbledhjes si përpjekje për të fituar kohë. „Përgjimet tregojnë qartë, se Tahiri merrte shuma të mëdha parash për mbrojtjen që i ofronte kësaj bande", ka thënë Basha duke sulmuar kryeministrin. „Me Ramën nuk mund të ketë drejtësi".

Përplasje mazhorancë-opozitë

Mbledhja në Këshillin e Mandatave të premten u shoqërua nga përplasje të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Deputeti socialist, Bledar Çuçi e cilësoi farsë këtë kërkesë të ardhur nga prokuroria. „Por jemi këtu për të respektuar procedurat parlamentare", tha ai. Ndërsa deputeti demokrat, Enkeled Alibeaj u kundërpërgjigj duke e cilësuar qëndrimin e deputetëve socialistë si „alibi të radhës për pandëshkueshmërinë." „Po vendosni ta shtyni. Zoti kryetar po shkelni procedurën."

Kryeministri Rama kërkoi provat deri në fund për ish-ministrin e tij. Në rrjetet sociale ai shkroi se „deri këtu…muhabet pazari nga 72 orë çorbë në kazanet e krimit politikës medias! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi PROVAT #Derinëfund”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco