Tryeza, Kokëdhima u bën thirrje partive parlamentare të opozitës, ta braktisin parlamentin

Tryeza, Kokëdhima u bën thirrje partive parlamentare të opozitës, ta braktisin parlamentin

12:48, 18/10/2017
A+ Aa A-

Edhe pse ka qene një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama dhe ish-deputet i mazhorancës aktuale, Koço Kokëdhima, si përfaqësues i partisë “Zgjidhja” në tryezën e opozitës së bashkuar ka bërë thirrje radikale, për rrëzimin e shumicës të dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit. Në fjalën e tij Kokëdhima ka theksuar, se tashmë ka fakte të mjaftueshme se krimi dhe droga ka blerë votat, me të cilat mburret e mban pushtetin, Edi Rama. Sipas tij kjo shumicë në parlament është ilegjitime dhe partitë e opozitë, duhet ta braktisin atë.

“I ftoj partitë parlamentare ta braktisin parlamentin e parave të drogës dhe të luftojnë së bashku me opozitën jo parlamentare dhe qytetarët e Shqipërisë, për këto objektiva madhore”, ka bërë thirrje Kokëdhima gjatë fjalës së tij në tryezë.

Fjala e plotë e kryetarit të ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, në tryezën e frontit opozitar

Të nderuar pjesëmarrës!

Tryeza jonë e frontit të bashkuar opozitar mblidhet në një nga momentet më të vështira të historisë së shtetit tonë që nga mbarimi i luftës së dytë botërore. Shqiptarët brenda dhe jashtë kufive shtetërorë ndihen sot të tronditur dhe të tradhëtuar nga qeveria e tyre. Shpreh besimin se pjesëtarët e kësaj tryeze do të dinë të ngrihen mbi interesat e ngushta partiake dhe do të venë mbi gjithçka, interesat e larta të vendit duke marrë përgjegjësitë e duhura për të sotmen dhe të ardhmen e popullit tonë dhe të brezave që vinë.

Saimir Tahiri është një kriminel që ka punuar për llogari të Edi Ramës. Rama është autori i vetëm i projektit kriminal të kanabizimit të Shqipërisë. Është shefi i kartelit të marijuanës dhe përfituesi kryesor i të ardhurave të tij. Ai e refuzoi projektin e ZGJIDHJA-s për ngritjen e ekonomisë kombëtare legale të kanabisit vetëm për t’i hapur rrugë projektit të tij mafioz. Forcat politike në Shqipëri nuk i kuptuan tendencat e tregjeve botërore e rajonale dhe prirjet kulturore të shoqërive të sotme për marijuanën. Ato nuk ngritën projekte politike si fqinjët tanë dhe shtetet e tjera në Europë e Amerikë, por i lejuan Edi Ramës ta kthente Shqipërinë në parajsën e mafies. Të gjitha vendet e tjera e shporrën këtë mafie dhe bëjnë biznes shumë fitimprurës për shtetet dhe shoqëritë e tyre me kanabisin.

Tahiri është vegël e verbër dhe e urdhëruar e Ramës. Ai i përdori gjithë dosjet e mijëra njerëzve të implikuar me shkelje penale në këtë aktivitet kriminal për të ndikuar vullnetin e zgjedhësve në 25 qershor. Tahiri shërbeu si banka dhe sekseri i Kryeministrit për të korruptuar deputetët e partive të tjera dhe të partisë së tij që të votonin planin për kapjen e drejtësisë dhe të reformës së saj, për të financuar gjithë intrigat dhe intrigantët në shërbim të pushtetit të Ramës, pagoi dhe rekrutoi deputetë nga të gjitha krahët për të kapërcyer rrezikun e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë në korrikun e vitit 2016, pagoi disa parti që u përdorën kundër rezistencës së opozitës dhe të forcave që kërkonin reformimin e zgjedhjeve në mars-prill-maj të vitit 2017. Pagoi e bleu gazetarë, opinionistë, media, diplomatë, shoqëri civile, komisionerë, numërues, kandidatë për deputetë, kundërshtarë e të pashpresë, vota e karta identiteti, parti dhe vëzhguesë, miq e armiq, të fortë e kriminelë etj.

Përgjimet e Habilajve treguan se sa para kanë destinuar ata çdo javë për blerjen e zgjedhjeve. Janë shumë banda të drogës si kjo e Habilajve që kontrollohen nga Rama e Tahiri. Rama i bleu zgjedhjet e 25 qershorit me miliardat e drogës dhe korrupsionit. ZGJIDHJA kishte aq të drejtë kur e ftoi popullin të bojkotonte 25 qershorin ose t’i bënte fletët e votimit të pavlefshme duke u vendosur atyre një Z të madhe. Ja pse gabuan partitë shqiptare, diplomatët e huaj dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështetën Ramën për zgjedhjet në 25 qershor.

Rama ka uzurpuar partinë, qeverisjen dhe institucionet e shtetit, ka instaluar sundimin e plotë të oligarkisë së krimit, drogës dhe korrupsionit. Edhe në të kaluarën politika ka bashkëpunuar e flirtuar me krimin, por asnjëherë më parë mafia e drogës dhe bandat kriminale nuk kanë arritur të kontrollojnë qeverinë, parlamentin dhe institucionet e shtetit si tani. Rama e Tahiri i kthyen shefat e policisë në punëtorë krahu të brigadave të trafikantëve, ndërsa drejtorët e policisë në magazinjerë e sekserë të tyre. Të gjithë këta shefa e drejtorë u emëruan personalisht nga Rama dhe jo nga Tahiri. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë më e turpëruar se sot. Rama ka kriminalizuar çdo qelizë të politikës dhe shoqërisë shqiptare, ka blerë mediat dhe me paratë e buxhetit ju bën lavazh truri shqiptarëve të varfër që jetojnë nën dhunën dhe terrorin e bandave kriminale, ka shkatërruar besimin e popullit, administratën, liritë politike dhe ekonomike, nderin, reputacionin dhe interesat e larta të shtetit tonë, ka cenuar rëndë sigurinë, rendin juridik dhe marrëdhëniet me fqinjët, ka kompromentuar perspektivën dhe integrimin europian të Shqipërisë, ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e shqiptarëve dhe interesat strategjike të shtetit dhe kombit tonë në rajon dhe në botë.

Saimir Tahiri si shefi i "policisë që duam", si simboli i qeverisë “Rama”, si ministri i brendshëm më jetëgjatë dhe një nga dy "princat trashëgimtarë të Rilindjes" nuk mund të hetohet e gjykohet me Edi Ramën kryeministër. Dorëheqja e Edi Ramës është e domosdoshme për të krijuar kushtet minimale që drejtësisë t’i hapet rruga të hetojë Tahirin dhe Ramën. Rama duhet të vendoset nën hetim. Pa largimin e këtij kryeministri, nuk mund të ketë hetim, të vërtetë dhe drejtësi.

ZGJIDHJA nuk pret që Rama të bëjë vetë dorëheqje.  Fronti i madh i opozitës me popullin, inteligjencën dhe shoqërinë civile do ta detyrojë atë të largohet. Lufta për rikthimin e besimit të qytetarëve te forca e tyre, te shteti, drejtësia, ligji dhe demokracia është gjëja më e rëndësishme që na ka mbetur të bëjmë.

Produktet e zgjedhjeve të blera nga mafia e drogës në 25 qershor janë ilegjitime. ZGJIDHJA propozon që zgjedhjet e reja të mbahen të parakohshme dhe detyrimisht pas reformës zgjedhore. Reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ajo nuk mund të bëhet në dëm të partive të reja, të lirisë së konkurencës apo si rezultat i pazareve mes partive të vjetra.  Reforma zgjedhore duhet t’i çlirojë zgjedhjet nga partitë. Zgjedhjet duhet të administrohen nga një administratë shtetërore. Reforma zgjedhore të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së dhe të implementohet gjatë vitit 2018.

Fronti i bashkuar i opozitës do të koordinojë luftën opozitare dhe lëvizjen popullore për largimin e Edi Ramës nga kryeministër, në pastrimin e qeverisë, policisë dhe institucioneve nga kriminelët e drogës dhe të korruptuarit, do mbështesë zgjedhjen e një qeverie të re me një kryeministër të paimplikuar në krime e korrupsion, do të investohet në realizimin e reformës zgjedhore dhe në përgatitjen e zgjedhjeve të reja vendore e qendrore me standarde të larta si në të gjitha vendet e tjera të demokracive perëndimore. Aktiviteti politik i partive të frontit të bashkuar, përfshi axhenda e tyre parlamentare do të duhesh të kushtëzohesh kryesisht në funksion të këtyre objektivave. I ftoj partitë parlamentare ta braktisin parlamentin e parave të drogës dhe të luftojnë së bashku me opozitën jo parlamentare dhe qytetarët e Shqipërisë për këto objektiva madhore. Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco