Ambasadorja Yu tek Qato: Disa kompani kineze po përballen me probleme këtu

Ambasadorja Yu tek Qato: Disa kompani kineze po përballen me probleme këtu

13:11, 17/10/2017
A+ Aa A-

Ambasadorja kineze në Shqipëri Jiang Yu u takua në Tiranë me ministren e shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes të Shqipërisë, Sonila Qato. Të dyja palët shkëmbyen mendime për ruajtjen e interesave të ligjshme të kompanive kineze në Shqipëri dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik-tregtare ndërmjet dy vendeve. Në takimin e zhvilluar dje ishte i pranishëm edhe këshilltari ekonomik e tregtar i Ambasadës kineze në Shqipëri Lian Gang, njofton Radio e Jashtme e Kinës.

Ambasadorja Jiang u shpreh se, në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit të "Bashkëpunimit 16+1" mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendore e Lindore, si edhe me përpjekjet e përbashkëta të dy palëve, bashkëpunimi ekonomiko-tregtare kino-shqiptar ka hyrë në periudhën e re të zhvillimit të qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të shpejtë. Tani, kompanitë kineze që kanë bërë investime të mëdha në Shqipëri, kanë siguruar afro 1500 vende pune për punonjësit vendorë. Investimet kryesore kineze janë bërë në sektorët e naftës, minierave, telekomunikacionit, përpunimit etj., dhe arrijnë në mbi 700 milionë dollarë. Investimet kineze në Shqipëri jo vetëm kanë dhënë një kontribut ekonomik e shoqëror për sa i përket punësimit, taksave etj., por edhe kanë forcuar bashkëpunimin dypalësh në teknologji, menaxhim etj., duke sjellë përfitime të ndërsjellë.

 

Ambasadorja Jiang Yu vuri në dukje gjithashtu se disa kompani kineze në Shqipëri janë përballur me vështirësi dhe probleme. Pala kineze dëshiron të mbajë qëndrim të sinqertë dhe pragmatik për të forcuar komunikimin dhe bashkërendimin me palën shqiptare, për të zgjidhur si duhet këto probleme.

Kina shpreson se pala shqiptare do të marrë masa efektive për t'u ofruar investitorëve më shumë përkrahje me politika, duke krijuar një mjedis biznesi të barabartë, të drejtë dhe transparent, i cili mund të garantojë në praktikë interesat e ligjshme të kompanive të huaja në Shqipëri dhe të ruajë prirjen e mirë të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar kino-shqiptar.

Znj. Sonila Qato u shpreh nga ana e saj se posti i ministrit të shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është një post i sapokrijuar në qeverinë e re të Shqipërisë. Detyrat kryesore të këtij posti përfshijnë pranimin e ankesave administrative nga kompanitë, duke përfshirë edhe ato të huaja, rritjen e transparencës së politikave dhe të cilësisë së shërbimeve publike dhe ruajtjen e interesave të ligjshme të kompanive. Sipas saj, krijimi i këtij posti është një masë e rëndësishme për garantimin e realizimit të objektivave të zhvillimit dhe planeve të qeverisë në katër vjetët e ardhshëm, duke shfaqur vendosmërinë e qeverisë së re shqiptare për të rregulluar tregun, për të përmirësuar marrëdhënien mes qeverisë e ndërmarrjeve, për të mbrojtur pronën, për të tërhequr investimet e huaja dhe nxitur zhvillimin e shpejtë ekonomik. (Xu Guang/Artan Goga)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco