Gerta qau pak

Gerta qau pak

Nga Edison Ypi - 03/10/2017

Gerta qau pak. Gerta duhej të qante shumë. Gerta duhej të mbushte një Fan me lot, një Mirditë me klithma, një Shqipëri me ulurima.

Gerta qau pak për një fukara një ditë me shi anës udhës nga një fshat i Gorës që dridhej i tëri nga të ftohtit mbledhur krruspull me këpucë të shqyera ca rrecka në trup. Desha ti jepja ndonjë gjë për të veshur a mbathur, gërmova bagazhin, por skisha. Kur kalova pas një muaji me ca gjëra me vete, nuk e pashë. Më thanë se e kishin gjetur me trupin plot me miza pesë ditë pasi kishte vdekur.

Gerta qau pak ose aspak për një plak të sëmurë pa asnjë ndihmë mjekësore mbetur fillkat në një katund të Ishmit brenda një barrake për ibret mes shurrave dhe bajgave të bagëtive. Pas ca muajsh, vetëm kur vunë re që s’po dilte nga “shtëpia”, edhe atë e kishin gjetur të kalbur pasi kishte vdekur.

Gerta nuk qau bollshëm për mijëra fshatarë nëpër katunde pa asnjë dhëmb në gojë ngaqë dhëmbët nuk i përdorin, dhëmbët nuk u duhen.

Gerta nuk qau mjaftueshëm për qindra e qindra vajza fshatare që e vrasin kohën duke çapëlyer sytë. Njërin sy në televizor duke parë telenovela me turq të rruar e të krruar të veshur bukur që dashurohen e tradhëtohen në një mijë mënyra. Me tjetrin sy shohin nga dritarja katundin ku thrret qameti me baltra dhe rrecka. Këto vajza për të cilat Gerta qau pak, presin sa u vjen koha apo mosha, vijnë në Tiranë bëjnë ndonjë shkollë. Pas shkollës nuk gjejnë punë. Për të mos u kthyer te lemeritë e fshatit të baltës dhe telenovelave, mbushin motelet, bëhen kurva.

Gerta nuk qau sa duhej për qindra fshatarë që duan të punojnë, kanë energji, pasion, ambicje, dëshirë për tu pasuruar, marrin kredi, nisin të punojnë. Por ngaqë nuk gjejnë asnjë mbështetje, pas pak mbeten si zhaba në zall, dhe falimentojnë. Vjen banka ua merr të gjitha. Mbeten me gisht në gojë më fukarenj se ç’ishin.

Gerta nuk lëshoi asnjë pikë lot për fshatra ku gjithkend që të pyesësh të thotë se ka dy vëllezër, tre kushurinj, katër komshinj, shtatë bashkfshatarë, në burg, për arësye që nuk i di as dreqi.

Gerta nuk qau për Çartallozin në Strelcë. Atë fantastikun që e kalon jetën duke numëruar dhe kqyrur me kujdes rrathët e trungjeve të prera të lisave shekullorë për ta mësuar me saktësi se çfarë moti ka bërë në filan vit para pesqint vjetësh. Çartallozi për të cilin Gerta nuk qau ngrohet pranë zjarrit me trungje arre ku përmes flakëve të zjarrit sheh të kaluarën, njerëzit, ngjarjet. Bërtet e uluret Çartallozi për pyjet që po sharrohen. Askush s’ja vë veshin.

Gerta nuk qau sa duhet për fshatarë iniciatorë që ngrenë lokale me pije dhe gatime bio që po ti hash e pish jeton jo më pak se 100 vjet. Në vendet ku ata i ngrenë këto lokale ka gjithçka, edhe rrugë. Por meqënse rruga nuk është e asfaltuar, bythpambukët e qyteteve nuk kalojnë andejpari por ndjekin asfaltin ku hanë e pinë lëtyra gastronomike. Kështu ndodh që vizionari i bio-lokalit për të cilin Gerta nuk qau, vret miza, derisa një ditë të bukur kur mizat i ka vrarë të gjitha, lokalin e mbyll.

Gerta nuk qau për plot nëna me të zeza që enden të vetmuara kalldrëmeve të katundeve sepse djemtë u janë vrarë në ndërlikime të pafundme me bandat e trafiqeve dhe drogës.

Gerta qau për të qarë, por jo si të vjen të qash nëpër katunde të braktisura ku ata që kanë mbetur çfaqen si fantazma, më të humbur, më të çorientuar, më të shashtisur se lëkurëkuqtë e parë që takoi Kolombi.

Gerta nuk qau si dhe sa të vjen të qash kur kalon nëpër ca katunde, ke ngatrruar rrugën, i bje bories në fillim ngadalë, pastaj sa çmend dynjanë, të gjithë të ndjekin që prapa dritares, por nga frika e ndonjë të papriture askush nuk del në oborr të pyesi; O njeri, si e ke hallin ?

Gerta do duhej të kishte qarë sadopak edhe për faktin se në shumicën e fshatrave tanë ka shkollë dhe xhami por nuk bëhet fjalë për libra, filma, gazeta, televizor.

Gerta nuk derdhi asnjë kokërr loti për fuoristradat e hashashit që terrorizojnë katundet më llahtarshëm se GAZ-at 69 të kurvit.

Gerta nuk u dedikoi asnjë pikë lot ca zagarëve që pasi ikin nga fshati në Tiranë, Itali, Gjermani, Amerikë, etj, prej andej nuk i qajnë hallin fshatit të braktisur e lanetosur, por i thurin hosana natyrës së bukur, ajrit të pastër, lavdive historike me luftra dhe heronj të stisur.

Asnjë pikë loti nuk lëshoi Gerta për hordhinë e “intelektualëve” tiranas që nuk kanë qënë kurrë prapa Dajtit, pogradecarë që nuk kanë shkelur kurrë në Mokër, shkodranë që Pukën dhe Fush Arrzin nuk i kanë parë kurrë me sy.

Duhej të kishte qarë pak Gerta edhe për banorë të fshatrave kufitarë me Maqedoninë ku pa u lëvizur qerpiku të thonë se Struga ndodhet në Kosovë.

Ypi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Naimi04/10/2017 20:46

Respekt per zgjedhjen e Gertes , qendrojne ato qe tha , edhe pse te sterthena e te sternjohura porv vetem " la sapienza" nuk kishte te fjala qe mbajti Gerta

Gerti04/10/2017 12:45

Gerta qau me skenar te Edi Rames, nje AQthina Mile e kohes sone, e stisur aq bukur nga Rama dhe Ruci. Na mangjellien, na moren ne qafe. Po kujt ia bejne keto marifete, kur e dime te gjithe se jane marifete te tyre? O Gerta, te perdoren politikisht si u deshi qejfi, por turp per Ty qe re ne dore te tyre dhe bere si deshen ata.

zaho03/10/2017 18:52

Qau, qau, qau! Por nje fjale per ate qe ben te qaje gjithe vendin nuk e thua or mik! " qente lehin karvani i shkaterrimit vazhdon" Ke gje per t thene se ç'duhet te beje opozita qe te largoje kete mortje,

Ajo03/10/2017 11:31

Z. Ypi, Gerta qau qe te mallengjente komunistin Ruci dhe gjithe ate popull naiv qe u shkri se qari bashke me Gerten por nuk ngre as gishtin te kerkoje asnje te drejte. Gerta qau per llogari te Rames per ti treguar Shqiperise se si Berisha e la pa pune kete “ intelekuale” te shquar qe nuk” shitet” tek politika e te shkolluar ne Rome te rrise dhi, a thua se Rama i saj i dashur e mori pushtetin dje.
Gerta eshte Pal Vata apo Lenka Cuko e diteve tona.
Rama qe as di, as do te qeverise, pasi brodhi qytet me qytet, e fshat me fshat per tu dukur se qeveris me popullin ( tamam si Enveri) tani do na mbushe foltoren e Kuvendit me Gerta per te terhequr vemendjen nga skandalet dhe rrenimi i metejshem i ekonomise se vendit.

Shto koment

Denonco