Prek Cali, partizanët dhe Rilindja

Prek Cali, partizanët dhe Rilindja

Nga Ismet Jaku - 18/09/2017

Në debatin e hapur rreth prishjes së kullës së Prek Calit, po evidentohen rryma e qëndrime nga më të ndryshmet. Pikësëpari pretendimi i pushtetit se ajo është ndërtuar pa leje, është një rast unikal i shprehjes së absurditetit ekstrem. Kjo ndërtesë, është ndërtuar së paku 100 vjet përpara, dhe pas vrasjes së pronarit të saj, më 1945, pushteti komunist i atëhershëm, e përdori për nevojat e veta shtetërore për disa dekada. Natyrisht ajo ishte amortizuar nga koha dhe përdorimi dhe nuk ishte më e re, por absurdi qëndron në faktin se kur e ka ndërtuar atë Prek Cali, të paktën 100 vjet përpara, ku duhej ta gjente kryetarin e Bashkisë së krijuar 100 vjet më vonë për t’i kërkuar leje ndërtimi?

Ky debat solli dhe propozimin se ajo duhej të restaurohej nga shteti dhe të shpallej një muze, për faktin se pronari i saj, i nderuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, është një figurë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare. Reagimet e forta dhe ulëritëse kundërshtuese që u çfaqen, theksonin se mirë ia bënë që e fshinë nga faqja e dheut atë objekt, pasi Prek Cali kishte qenë tradhëtar, kishte luftuar kundër partizanëve dhe kishte vrarë 36 prej tyre.

Gjithkush ka të drejte të pyesë: ç’deshën ata 36 "partizanë" tek Prek Cali? Po shkruaj në thonjëza "partizanë", se në atë kohë Shqipëria ishte çliruar, gjermanët kishin ikur, dhe prandaj pse duheshin më partizanët, të cilët e kishin kryer punën e tyre? Kundër kujt kishin për të luftuar tashmë "partizanët"? Logjikisht, ata shkuan atje, (në Tamarë), për të luftuar kundër tamarasve, kelmendasve, në një kohë që këta te fundit ishin në shtëpitë e tyre, dhe prandaj, këta me Prek Calin u mbrojtën nga sulmi i tyre.

Me këtë rast, padashur apologjetët e komunistëve tregojnë edhe një fakt: me sa duket gjithë fryrja e "luftës së madhe" që paskeshin bërë komunistët kundër pushtuesve, nuk ka qenë veçse një gjoja luftë, ndoshta duke iu qëlluar nga distanca praparojave të formacioneve armike kur këta tërhiqeshin. Këtë e pohojnë vetë kur thone se humbjet e Batalionit të I-rë të Brigadës së I-rë, pra te formacionit më elitë të ushtrisë partizane, në Luftën e Tamarës, ishin më të rëndat që kishte pësuar ky formacion ndonjëherë. A mos vallë forcat e Prek Calit ishin më të stërvitura dhe më elitare se ushtria gjermane, apo kishin armatime më të sofistikuara se ushtria gjermane? Sigurisht që jo. Ato ishin forca vullnetare, me armatim fare të thjeshtë, nga një pushkë të trashëguar kushedi sa kohë me parë, por ata vullnetarë ishin njerëz trima, që po mbronin vatrat e tyre nga shkelja me dhunë, që ishte poshtërim.

Lufta në Kelmend vazhdoi për më shumë se një muaj. Pas thyerjes së turpshme në Tamarë, e gjithë Brigada e I-rë mori pjesë në veprime luftarake kundër Prek Calit dhe kelmendasve, por pa sukses. Është e turpshme nga ana e kësaj ushtrie, që pretendonte se i kishte mundur gjermanët dhe e kishte çliruar vendin, që për të thyer qëndresën e një grushti malësorësh, të kërkonte ndihmë nga ushtria “motër” partizane e Jugosllavisë, dhe përmes rrethimit të dobësonte qëndresën e tyre, duke i privuar nga mundësia e furnizimit me ujë e ushqime, dhe duke i vënë para mundësisë së mbarimit të municioneve.

Në këtë situatë, Prek Cali, ai burrë fisnik, që e kishte kaluar jetën duke luftuar për të mbrojtur vendin e tij nga pushtimet, mori një vendim. Ai vendosi të negociojë. Këtë vendim ai nuk e mori për veten e tij, pasi ai edhe i vjetër, ishte i fortë, por e bëri për të mbrojtur jetën e të rinjve kelmendas qe ishin së bashku me të, prandaj kushti i tij ishte që t’u falej jeta këtyre djemve dhe ai dorëzohej. Ky ishte një veprim normal për kushtet në të cilat ndodhej. Kur vetë Mehmet Shehu i premtoi që do t’u falej jeta të gjithëve, përfshirë Prek Calin, ai pranoi të dorëzohej. Shumë të tjerë përpara tij, gjeneralë të fuqishëm, apo kryekomandantë ushtrish, kishin bërë marrëveshje të ngjashme. Negociata dhe marrëveshje në mes ndërluftuesve janë bërë gjithmonë. Madje edhe në luftën e lashtë të Trojës ka patur një marrëveshje, kur Priami i kërkoi armëpushim Akilit deri sa të varroste Hektorin. Ai besonte në kodin e nderit të luftëtarit.

Por nga ta dinte i shkreti Prek Cal se negociuesi Mehmet Shehu nuk njihte kod nderi? Nga ta dinte ai se fjala e dhënë e këtyre komunistëve ishte vetëm një mashtrim?

Dihet pjesa tjetër e historisë. Prek Cali së bashku me 25 të tjerë u pushkatuan. Familjet e tyre u shkatërruan, u internuan. Por ky ishte vetëm preludi. Gjatë 45 vjetëve që pasuan, këta “partizanë” ushtruan pushtetin e tyre “të fituar me grykën e pushkës”, pra me dhunë, njësoj, duke bërë mijëra pushkatime, burgosje, internime. Ata asgjësuan të gjithë elitën kombëtare patriotike, shoqërore, intelektuale dhe pasardhësit e tyre, duke bërë saktësisht një gjenocid të elitave. Këta “partizanë” gjatë 45 vjetëve rrinin me kosë në dorë duke prerë kokën e kujtdo që shquhej në cilëndo fushë, pasi e perceptonin si rrezik për kastën e tyre dhe të pasardhësve të tyre. Këta “partizanë” gjatë 45 vjetëve bënë krimin makabër të shpëlarjes së trurit të të gjithë stokut kombëtar, duke mbjellur ideologjinë e tyre, duke lartësuar mediokritetin e tyre dhe duke përbaltur e duke shpifur për të gjitha figurat shtetformuese, atdhetare, shoqërore, intelektuale që nuk i inkuadronin dot në kuadrin e ngushtë të mediokritetit të tyre ideologjik, politik, shoqëror e ekonomik të ngritur në kult fals.

Tani po përjetojmë një akt të ri të kësaj farse tragjike. Rilindja në pushtet, që do të thotë “partizanët” e rilindur, po vazhdon me të njëjtat klishe, me të njëjtat skema, si pas 29 nëntorit 1944. Ne mos me pushkatime nga shteti, pasi ka frikë, me pushkatime përmes bandave të krimit, “për larje hesapesh” thonë deklaratat e policisë; në mos me internime, me detyrim të qytetarëve për t’u larguar nga vendi për shkak të mungesës së burimeve të jetesës, në mos me terrorin fizik të kërcënimit të jetës, me terrorin ekonomik të kërcënimit të jetesës, përmes zhytjes në varfëri të thellë e duke vrarë shpresën në mënyrë sistematike.

Përveç këtyre, kjo “rilindje e partizanëve” po vazhdon njësoj si partizanët origjinalë, me përbaltjen e figurave, me shpëlarjen e trurit. Ata origjinalët e vranë Prek Calin dhe qindra të tjerë dhe i shpallën reaksionarë, armiq, tradhtarë, këta “të rilindurit” po e rivrasin Prek Calin dhe qindra të tjerë dhe po i rishpallin njësoj reaksionarë, armiq, tradhtarë. Partizanët origjinalë patën deklaruar se historia e vërtetë e Shqipërisë kishte filluar me ardhjen e tyre në pushtet më 1944, me “grykën e pushkës”, gjë që ishte e vërtetë se si erdhën, se çdo gjë dhe çdokush para tyre kishte qenë pa vlerë, reaksionar, anadollak, tradhtar. “Partizanët e rilindur” deklarojnë se demokracia e vërtetë dhe bërja e shtetit fillon me ardhjen e tyre në timon, përmes votës së popullit, gjë që nuk është e vërtetë se si erdhën, pasi këta erdhën me tufat e parave të krimit, dhe po ashtu shpallin se çdokush para tyre në këtë çerek shekulli të fundit ka qenë pa vlerë, i korruptuar, tradhëtar.

Ata të parët arritën shumë rezultate në shpëlarjen e trurit, vrasjen e shpresës dhe mbajtjen e popullit nën thundrën e diktaturës. Këta të tanishmit duket se po vazhdojnë me shpëlarjen e mëtejshme të trurit, fatkeqësisht me një farë suksesi, siç duket nga shumë reagime në debatet publicistike, po e vrasin përditë shpresën, po synojnë instalimin e pushtetit të krimokraturës.

Unë mendoj se nuk do të arrijnë të kenë suksesin e atyre të parëve, sepse ka mjaftueshëm forca që do t’i ndalojnë për ta bërë këtë gjë, njerëzit e ndershëm të këtij vendi, njerëzit e thjeshtë të emancipuar, elita e vërtetë që do të përballet me pseudoelitën sahanlepirëse dhe atë dogmatike arkaike.

*Marrë nga FB e autorit

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Free19/09/2017 16:58

Fakti kryesor eshte kush ishin ata njetez we prishen kullen fhe pse ligji nuk vepron? Lereni historine pak menjane dhe shikoni faktin se sty po shkaterrohet nje prone qe ka vlera kulturore. Kullen e prishi Toma i cili rreku i pari per ta rindertu.

malesor18/09/2017 16:51

Hani m... hani se u ka ardhe koha.
Ato troje Jane mbojte me gjak .
Shkije , turq , skane mujte me I nenshtru , po ju jeni turpi i shqipnis, ka prap djem nanash qe i dalin zot ,

or ti na18/09/2017 12:55

Ajo shtepi nuk ka tapi, prek cali ka jetu qiraxhi e se ka pague qirane e ka qene debitor ma shume se sa vlera e shtepise,nipi i tij duhet me pagu detyrimet e papaguara dhe te paraqesi tapine e gjyshin e masandej ta mari kullen e barit!!! Prek cali ka qene nje malsor i pabese , kryqali sic jane shumeca e tyree per qeto mos e gucni ma qet cashtje. Ai e ka merritua plumbin n bith.

Negativo gjuzi18/09/2017 11:19

Koment i shkelqyer analize shkencore e vlefshme historike optimizem qe mungon ne shkrishkrimet kritike qaramane

e urime

MBF18/09/2017 11:16

Prek Cali ka edhe nip shyqyr, quhet Tom Doshi, Ky burre trim ti pret vesht per nji fjale e jo koken per nji kulle. Koritja asht shume e madhe, hakun e Prek Calit e mori Enver Hoxha duke vra Mehmet Shehin, Tani i mbetet Tomes te mari hakun e kulles, ai trim do ta baje se s'ban. Duhet edhe nji rapsod te kendoje bemat e Saliut, Tomes dhe bajlozit me dy koka Edi e Gramoz.

Shto koment

Denonco