Përse shqiptarët po emigrojnë…?

Përse shqiptarët po emigrojnë…?

Nga Nga Kastriot Islami - 07/09/2017

Në zgjedhjet e vitit 2017, rreth 9 % e zgjedhësve ose 143 mijë prej tyre i kanë braktisur zgjedhjet/politikën/partitë politike. Ndërkohë që partia kryesore qeverisëse është “rrudhur” për shkak të keqqeverisjes të lidhur me korrupsionin, krimin e narkotrafiqet, opozita është “rrudhur” gati 9 herë më shumë se qeverisja, si pasojë e një strategjie të qeverisjes autoritare për të eliminuar opozitën dhe çdo kundërshtar politik por edhe sepse zgjedhësit s’e konsiderojnë ende opozitën një alternativë shprese apo alternimi të gjendjes së padurueshme të krijuar nga qeverisja.

Shqipëria nuk është vend demokratik madje demokracia e brishtë e problematike shqiptare ka bërë gjatë viteve të fundit hapa regresi duke ja lënë vendin një regjimi të interesave të korrupsionit, oligarkisë, krimit dhe narkotrafiqeve. Këtë e dinë dhe ndjejnë mbi kurrizin e tyre të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetojnë nën apo në pragun e varfërisë por edhe ata që kanë një gjendje të pranueshme ekonomike-sociale. Të gjithë duan të emigrojnë sepse e shikojnë veten të pamundur për të reaguar ndaj një regjimi autoritar-oligarkik dhe të paaftë për ta ndryshuar atë.

Për herë të parë në këto dy dekada të tranzicionit demokratik shqiptarët nuk i shikojnë më as partnerët ndërkombëtarë si burim shprese, sepse duke i dhëë prioritet stabilokracinë ndaj demokracisë kanë mbyllur sytë përballë korrupsionit qeveritar, kanë dështuar betejën për të goditur krimin e lidhur me kupolën e shtetit dhe kanë heshtur ndaj narkotrafiqeve të drejtuara nga qeveria.

Përmbledhtas mund të thuhet se arsyet e dëshpërimit të qytetarëve shqiptarë janë kryesisht të brendshme, lidhen me politikën dhe trashëgiminë e tyre, por edhe qëndrimi i partnerëve ndërkombëtarë ndaj të cilëve shqiptarët kanë pasur pritshmëri të lartë ka pasur ndikimin e vet. Qytetarët shqiptarë në masën rreth 60 % duan të braktisin vendin për shkak të keqqeverisjes nga maxhoranca dhe dobësisë/paaftësisë së opozitës për të ndryshuar gjendjen.

Shqiptarët ndjejnë se partnerët ndërkombëtarë nuk janë më burim shprese për ta sepse ata

i) ose kanë heshtur përballë korrupsionit të pashembullt qeveritar për të mos thënë që ndonjë

prej tyre mund të jetë edhe ndotur nga paratë e korrupsionit të qeverisjes;

ii) ose kanë mbyllur sytë ndaj kultivimit masiv të kanabisit që e kanë shndërruar Shqipërinë në

vendin e parë në Europë për prodhimin dhe trafikimin e nakrotrafikëve,

iii) ose kanë dështuar përballë rezistencës së qeverisë për të mbrojtur individët me rekorde

kriminale e banditët që kanë kapur kupolën e shtetit

iv) ose kanë heshtur ndaj të gjithë skemës së blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve që çuan në tjetërsimin e rezultatit zgjedhor në 2015, në zgjedhjet e pjesshme dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 2017.

Mesa duket, ndryshe nga pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, e ndoshta edhe për shkak të naivitetit të tyre, po rezulton se tek shumë përfaqësues të vendeve të rëndësishme partnere mbizotëron arsyetimi se “stabilokracia është prioritare ndaj demokracisë” jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjithë vendet e rajonit dhe se “demokracia është një bimë vështirësisht e rritshme e që kërkon shumë kohë në këtë zonë”, dhe për rrjedhojë kanë preferuar të mbështesin qeverisjet autoritare-oligarkike e të korruptuara apo strongman të Ballkanit për të mbajtur brënda “rrethit sanitar” qytetarët e tyre.

Kjo e ka bërë gjendjen të padurueshme dhe ata kanë gjetur si zgjedhje të vetme të emigrojnë. Kjo ndoshta nuk është zgjidhja adekuate por ata nuk arrijnë të gjejnë një tjetër në këto kushte…

/SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment