Pse shqiptarët nuk ‘kërcejnë’ më?!...

Pse shqiptarët nuk ‘kërcejnë’ më?!...

Nga Bledian Koka - 05/09/2017

Pak ditë më parë një mik i mençur më foli për një teori që se kisha dëgjuar ndonjëherë. Quhej  Teoria e Pafuqisë (The theory of helplessness), e elaboruar nga një shkencëtar i quajtur Martin Seligman.

Në eksperimentet e tij, Seligman kishte zbuluar se një kafshë (konkretisht një qen) që përballej në mënyrë të përsëritur me goditje elektrike (pa patur mundësinë që ta evitonte) një herë që i jepej mundësia të kërcente për tu arratisur nga kafazi, ai nuk e shfrytëzonte. Me pak fjalë, qeni ishte mësuar me faktin se situata ishte e paevitueshme dhe kjo nuk varej aspak nga reagimi i vet, dhe si pasojë edhe pse kishte mundësinë të kërcente për të shpëtuar, ai nuk e bënte një gjë të tillë.

Më pas këtë model eksperimenti, Seligman e aplikoi edhe tek njerëzit. Disa studentë u vendosën në një dhomë në të cilën ishte prezente një zhurmë që i jepte bezdi subjekteve të studimit. Studentët mundoheshin të rrotullonin mekanizma ose shtypnin pulsantë, por zhurma nuk pushonte. Më pas të njëjtët studentë u vendosën në një dhomë tjetër ku ishte e pranishme e njëjta zhurmë shurdhuese, e cila kësaj here ishte e mundur që të kontrollohej përmes një mekanizmi. Por gjithësesi studentët-kavie, prireshin të mos provonin që ta ndërprisnin zhurmën, duke qenë se në dhomën e parë ata kishin krijuar bindjen se situata nuk është në dorën e tyre për tu përmirësuar.

Me pak fjale Teoria e Pafuqisë i referohet situatave në të cilat besojmë, mendojmë apo e marrim të mirëqenë që nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar. Për këtë arsye ne priremi ashtu si edhe qentë që të mos tentojmë më.

Ky është dhe momenti në të cilën gjenden shqiptarët.

Për 26 vjet, duket se ne i kemi provuar të gjitha mënyrat për ti shpëtuar një ambjenti ku elektroshoku ndaj nesh është politika, dhe ne jemi kaviet. Kemi provuar të emigrojmë si në 1991-shin, të migrojmë brenda vendit si nga 1991 e deri më sot, të shkatërrojmë si në 1997-ën, të sulmojmë si në 1998-ën, të ndryshojmë klasën politike si në 97-ën, 2005-ën e më pas në 2013-ën.

Por në 25 Qershor të 2017-ës, thjeshtë reshtëm se reaguri. U mësuam, u dorëzuam, pushuam së besuari se mund të ndryshojmë diçka dhe si përfundim fitoi ajo, politika e mbrapshtë.

Pak a shumë si në shembujt e mësipërm, ne u mësuam me goditjet e njëpasnjëshme shokuese që qeveria i jep individit të pamundur e të pambrojtur përmes taksave represive, përmes aksioneve shkatërrimtare, përmes mungesës së rendit ku jeta vlen pak më shumë se hiç. Po ashtu si në rastin e studentëve kavie, ne u mësuam me zhurmën që vjen përmes propagandës së qeverisë dhe vetë kryeministrit.

Është e pamundur që ti ta shmganësh këtë propagandë shurdhuese të cilën kur e fik në televizion të del në radio, kur e mbyll në radio të kërcen në gazetë, kur e gris në gazetë të shfaqet në Facebook, dhe kur i mbyll të gjitha të del lugat dhe në ëndërr. Për këtë arsye ne kemi vendosur të mos reagojmë më si shoqëri. Ai eksperiment të cilin Martin Seligman e zbuloi rastësisht këtu e 60 vjet më parë, shqiptarët e përjetuan në pavetëdije për 26 vjet me radhe.

Sot fytyra e shoqërisë shqiptare është përfundimi i Teorisë së Pafuqisë. Jo e një qeni në kafaz, e as e disa studentëve në një dhomë me zhurmë shurdhuese, por të një populli kavie mu në tokën e tyre. Në 25 Qershor shqiptarët e dorëzuar ashtu si edhe qeni në kafaz, vendosën të mos “kërcenin” më, sepse në vetëdijen e tyre kjo nuk është zgjidhje për stërmundimin e tyre që zgjat prej 2 dekadash e gjysëm.

Ata mesa duket u mësuan si me propagandën shurdhuese të Edi Ramës, ashtu edhe me heshtjen vrastare të Lulzim Bashës, ultratingujt e të cilit për të qenë të vërtetë, do të çmendnin edhe qenin më të dorëzuar.

   

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

edvin07/09/2017 15:25

Fabula e juaj i afrohet perralles ruse me cobanin, i cili mashtroi dhe u tall me fshatin dy here,duke kerkuar ndihme kunder ujqerve qe gjoja i sulmuan tufen.Heren e trete,kur ujqerit rane vertete mbi tufen e tij ne kullose,fshati nuk pjerdhi me thirrjet per ndihme te mashtruesit .
Ketu perfundonte perralla me coban,si puna e Kryetareve te Partive tona.
PS.Kush DELE shpetoi nga ujqerit,perfundoi ne thertore...

gici06/09/2017 14:50

Fabulen e ke zgjedhur te bukur or Bledian ; i ke ra pikes per kete pune .
Por ti se pari , je vete nje nga ata qe zhurmon disa here gjate dites ne nje media kombetare or miku im .
Nderkohe une te rekomandoj te pyesesh disa prej analisteve " te çmuar " qe tash jane kthyer te shplodhur nga pushimet e veres dhe jane mjeshtra te nivelit XXL sa i takon perdorimit te ultratingujve ne politiken e sotme shqiptare ...??!!

Shto koment

Denonco