Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Narcos-Xibraka, Olsi Rama në krye të bandës?

Grupi Parlamentar personal, i Edi Ramës

Grupi Parlamentar personal, i Edi Ramës

Nga Poli Hoxha - 30/08/2017

Në ndryshimet e fundit që i janë bërë Statutit të Partisë Socialiste, poste të rëndësishme si ata të ministrave, cilësohen si të papajtueshëm me detyrën e deputetit. Në mandatin e shkuar ky “ligj” partiak u zbatua me rigorozitet nga Edi Rama, me përjashtim të rastit të Fatmir Xhafës.

Ditët e fundit është përhapur një lajm nga media pranë kryeministrit, sipas të cilit Rama këtë herë nuk ka ndërmend që t`u kërkojë apo detyrojë ministrat që zgjodhi vetë, të dorëzojnë mandatet siç bëri në Shtatorin e vitit 2013.

Deri më sot kjo strategji e re e Ramës është analizuar, si një “lojë emrash”; kush digjet nga lista në pritje, etj. Është thënë, se ai duke mos e pritur që rezultati i zgjedhjeve të 25 Qershorit do të ishte kaq i thellë nuk është menduar shumë, për përzgjedhjen e emrave që vendosi  poshtë vijës që parashikonte maksimumin e mandateve në çdo Qark; veçanërisht në Tiranë. Dhe sot duket se nuk i do në parlament, por jo se ka me ata ndonjë gjë personale.

Deri këtu gjithçka duket në rregull; nuk do të ishte ndonjë tragjedi e madhe në këtë parlament të ri ku çfarë nuk gjen, nëse do të mungonte Milena Harito apo Elio Hyska. Çështja është më e thellë dhe shumë më e rrezikshme. Bëhet fjalë për mënyrën e funksionimit të pushtetit më të rëndësishëm dhe rolin kontrolluese, që i jep Kushtetuta.

Shqipëria është në mënyrën e qeverisjes, një Republikë ( e pastër) Parlamentare. Parlamenti është pushteti kryesor, që ka rol dhe detyra thelbësore për mirëmbajtjen e demokracisë. Një nga funksionet më kryesore të parlamentit është; Kontrolli.

“Funksioni i kontrollit është një nga gurët e themelit të demokracisë. Kontrolli i parlamentit bën që ekzekutivi të përgjigjet për veprimet e tij dhe të garantojë zbatimin efikas të politikave të tij. Kontrolli i ekzekutivit prej parlamentit është një tregues i qeverisjes së mirë. Përveç funksionit legjislativ, nëpërmjet kontrollit, parlamenti garanton ekuilibrin e pushteteve dhe afirmon rolin e tij si mbrojtës i interesave të popullit”, shkruhet në Kushtetutë.

Por si do të jetë situata në Parlamentin e ri, nëse Edi Rama vendos që ministrat e përzgjedhur personalisht, ti ketë edhe deputetë?

Nga 15 pjesëtarë të kabinetit të ri ku përfshihet edhe vetë kryeministri së bashku me zëvendëskryeministren Mesi, trembëdhjetë, do të mbajnë në këtë mandat përveç postit të lartë qeverisës, edhe të drejtën e votës në parlament.

Aktualisht Partia Socialiste ka një shumicë prej 74 mandatesh, kur nevojiten vetëm 71 vota, për të miratuar shumicën e ligjeve, vendimet e qeverisë etj.

Nuk ka nevojë që të jesh shumë i aftë në matematikë, për të bërë një llogari të thjeshtë. Trembëdhjetë anëtarët e qeverisë “Rama II”, në fakt janë njëkohësisht edhe një “Grup Parlamentar” më vete; madje çelësi i shumicës. Pra Partia Socialiste si institucion, në seancën që mblidhet mëngjesin e 9 Shtatorit do të ketë vetëm 61 deputetë.

Edhe duke e marrë si të mirëqenë që opozita është gjithmonë kundër ligjeve dhe vendimeve të dyshimta që çon në Kuvend qeveria, fuqia kontrolluese dhe bllokuese e legjislativit kundrejt Ekzekutivit, në këtë rast praktikisht bëhet teje e vështirë.

Besoj ju kujtohen “3 votat e arta” të Ilir Metës në fillim të mandatit të dytë të qeverisë Berisha, që bën “revolucion të paparë” edhe në qeverisje edhe në legjislativ. Aq shumë u përçudnua sistemi demokratik në ato katër vite, sa që dukej sikur edhe vetë Berisha mezi priste të ikte“ me vrap” nga pushteti, që e kishte rimarrë me aq shumë sakrifica në vitin 2005.

Tani në një mënyrë më të sofistikuar, në këtë rol do të kemi gati të gjithë qeverinë, e cila njëkohësisht do të ketë edhe paketën kontrolluese në parlament të numrit magjik 71. Me pak fjalë vetë do të bëjnë buxhete, projektligje, VKM-ra, Koncesione e Injeksione financiare si “Programi 1 miliard” dhe vetë do ti ligjërojnë, edhe nëse ndonjë deputet (apo grup) brenda radhëve të socialistëve është kundër.

Në pamje të parë e gjitha kjo duket sikur qëndron mbi një absurditet, pasi Grupi Parlamentar socialist, kryetari i partisë, kryeministri dhe qeveria janë një. Por nuk është kështu në çdo rast; buxheti i shtetit, shpërndarja e financave nëpër Qarqe, koncesionet etj, shpesh bien ndesh me interesat e deputetëve dhe votuesve që përfaqësojnë, edhe brenda llojit.

Me këtë skemë që po përdor Edi Rama, 13 vota të tyre bëhen nul; autoriteti i gjithë deputetëve socialistë bie dhe qeveria do të jetë e blinduar dhe arrogante në seancat parlamentare, kur duhet që të ndodhte ndryshe; të ishte e brishtë dhe e frikësuar për çdo veprim të dyshimtë të saj, edhe përpara deputetëve të vet. Të paktën kështu funksionon, në çdo vend normal demokratik, por edhe “bibla” e Republikës sonë këtë thekson.

 “Parlamentet duhet të mbrojnë të drejtat e qytetarëve duke kontrolluar politikat dhe duke shqyrtuar abuzimet eventuale të pushtetit, sjelljet arbitrare dhe jo të ligjshme ose antikushtetuese nga ana e qeverisë”, shkruhet e zeza mbi të bardhë, në Kushtetutë.

Por a do të mund të ketë fuqi ky parlament ta ushtrojë lehtë këtë detyrë të rëndësishme kundrejt Ekzekutivit, kur aty brenda vetë Qeveria, ose më saktë personalisht Edi Rama, ka një “Grup Parlamentar” të fuqishëm me 13 vota?!

Edi Rama di çfarë bën, prandaj mos prisni surpriza. A e dëgjua gjë gjatë fushatës elektorale, t`u thoshte shqiptarëve; jepjani Timonin Partisë Socialiste?!

Jo, e kërkoi për veten, prandaj rehatohuni në sedilje dhe zgjohuni vetëm atëherë kur atij ti mbushet mendja, të frenojë buzë greminës...

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

niko30/08/2017 21:49

rama eshte nje fatkeqsi e madhe

Shto koment

Denonco