Iniciativë çmontuese e disa përpjekjeve për manipulim

Iniciativë çmontuese e disa përpjekjeve për manipulim

Nga Sokol Shameti - 29/09/2016

E gjithë retorika mbrojtëse e kryetarit të plehërave bazohet mbi disa të pavërteta, gjysmë të vërteta dhe devijime të qëllimshme tek të vërteta të tjera pa lidhje me ato që na interesojnë.

Së pari, justifikimi i kryetarit të plehërave për të mbrojtur vendimin e tij të përmbytjes së Shqipërisë me plehëra është se ligjin po e shajnë ata që nuk e njohin, sharlatanët, profiterët politikë, etj.

Pyetja që lind këtu është: meqenëse vihet re kjo panjohuri e madhe përreth këtij ligji, atëherë pse nuk është publikuar dhe shtruar për debat kombëtar ky ligj përpara se të miratohej? Pse u kufizua aksesi në të vetëm tek një grusht ligjvënësish të një parlamenti i cili nuk është se shquhet në historinë parlamentare shqiptare si më dinjitozi dhe ai më me integritet? Si dhe, nëse janë sharlatanë ata që po kundërshtojnë ligjin, atëherë kush është profesionist? Ed Shalësi që ka punuar vetëm në bankë dhe kompani sigurimesh, apo Ed Rama që ka mbaruar për pikturë? Apo ta vazhdojmë listën? Kush është profiteri politik këtu?

Argumenti i dytë i kryesponsorit është se miratimi i këtij ligji vjen si nevojë e “industrisë” ricikluese në Shqipëri, e cila punëson mbi 30 mijë vetë dhe ka investuar mbi 130 milionë euro por ka ngecur për shkak të mungesës së lëndës së parë.

Pyetja që mbetet pa përgjigje këtu është: mbi cilat të dhëna, studim apo analizë është arritur në përfundimin se “industria” ricikluese është në vështirësi? Sa domethënëse është kjo e ashtuquajtur “industri” për Shqipërinë? Nga cilat fabrika përbëhet ajo? Kush është pronari i secilës dhe sa është numri i saktë i të punësuarve të secilës (që të besojmë atë totalin prej 30 mijë të punësuarish)? Kush e përpiloi analizën nga e cila ju dolët në përfundimin se midis një “industrie” që po falimentoka (sipas pikëpamjes së saj) dhe një mjedisi dhe shëndeti popullor që gjithështu po falimenton (sipas bindjes së të gjithëve), duhet mbrojtur interesi i të parëve?

Argumenti i tretë mbrojtës i kryetarit të plehërave është se plehërat që po sjell ai në Shqipëri quhen “mbetje të gjelbërta” dhe se ato nuk do digjen por vetëm do përpunohen pa krijuar asnjë lloj ndotjeje e kësisoj do riciklohen duke u shndërruar në diçka të ripërdorshme.

Pyetja e këtushme është: Seriozisht? Seriozisht duhet ta hamë “listën e gjelbër të mbetjeve” për “mbetje të gjelbërta”? A e di se me sa dënohet mashtrimi publik? Apo në valën e demaskimit të sharlatanëve që përhapin panik, kryetari i plehërave nuk ka patur kohë të verifikojë se Lista e gjelbër e mbetjeve sipas direktivës së BE-së përfshin edhe goma, vajra, kimikate, bateri të ezauruara, solucione, acide etj? Ndërsa ato që ai quan “mbetje të gjelbërta” përkufizohen si: “Green waste is biodegradable waste that can be composed of garden or park waste, such as grass or flower cuttings and hedge trimmings, as well as domestic and commercial food waste”.

Pra kryetari i plehërave duhet të ndajë mendjen: ose të pranojë se acidi i baterive dhe vajrat lubrifikantë rrjedhin nga lulet, ose të pranojë se bari i thatë dhe ashklat e drurit janë vetëm goma të djegura dhe hi qymyri të veshura me kamuflazh.

Si përfundim, argumenti mbrojtës i kryetarit të plehërave për aktin skandaloz të rikthimit të një ligji të cilin vetë ai e kishte kundërshtuar gjatë kohës së opozitës është se tani kohërat kanë ndryshuar. Se Shqipëria e tanishme është ku e ku krahasuar me atë të para tre viteve kur të gjithë e kishim kokën nën satër nga mungesa e shtetit, kontrollit mbi territorin, korrupsioni i zyrtarëve dhe arbitrariteti i tyre.

Tani, interpretimi i këtij pretendimi mbetet shumë subjektiv dhe këtu hyjnë në lojë shumë ndjesi personale dhe perceptime private. Mirëpo ashtu sikurse kjo vlen për secilin prej nesh, e njëjta mund të thuhet edhe për vetë kryetarin e plehërave i cili duke qenë krijesë njerëzore dhe jo një i dërguar hyjnor, vuan nga po e njëjta mangësi. Ai është po aq subjekt ndjesish personale, perceptimesh individuale dhe konflikti interesi sa gjithësecili prej nesh.

Për kryetarin e kaluar të plehërave, shteti i ndërtuar prej tij ishte ai më i miri, më i forti, më i organizuari dhe më i dobishmi për qytetarët. Për kryetarin e ri të plehërave këto janë gjepura, sepse shteti i vërtetë që ka këto cilësi është ky i tiji.

Çfarë u mbetet qytetarëve është të mos marrin seriozisht asnjë prej këtyre dyqanxhinjve që ngrejnë në qiell dhe lajkatojnë secili dyqanin e vet duke nxirë, mallkuar e groposur atë të konkurrentit. Derisa një autoritet i jashtëm dhe i pavarur të mos vendosë se nga anon e vërteta.

Dhe ky autoritet jashtë tyre, mbi ta dhe i pavarur prej tyre, je ti.

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco