Rinovimi i urrejtjes së vjetër

Rinovimi i urrejtjes së vjetër

Nga Marion Smith - 24/08/2017

Dy fantazma nga ditët më të errëta të shekullit të kaluar dolën sërish mes kaosit të Charlottesville. Krahas simboleve naziste të shfaqur hapur gjatë mitingut “Bashkoni të djathtën”, u shfaq edhe drapri e çekani komunist, tundur në ajër nga protestuesit anti-fashistë. Shumë njerëz kanë dënuar me të drejtë neonazistët dhe aleatët e tyre të Ku Klux Klanit që kryenin procesione Riefenstahl-eske, me pishtarë të ndezur, nëpër rrugët tona, por asnjë fjalë nuk është thënë për neomarksistët dhe shokët anarshistë që hidhnin tulla dhe molotov, duke refuzuar të njohin historinë e gjatë të komunizmit me totalitarizmin, racizmit e vdekjet.

Duke u rreshtuar përballë njëri-tjetrit në publik, me shkopinj golfi e bejsbolli në duar, ekstremistë e majtë e të djathtë janë një kopje e frikshme e armiqve më të mëdhenj historikë të vendit tonë. Në fillimet e tyre respektive, në vitet 1910 e 1930, si komunistët në Rusi, ashtu edhe nacional-socialistët në Gjermani, ishin thjesht grupe të vegjël në vendet e tyre. Por ata u bënë më të zhurmshmit, më të organizuarit dhe më të dhunshmit.

Si këtë javë 78 vjet më parë, Reich-u i Tretë i Adolf Hitlerit dhe BRSS i Josif Visarionoviç Stalinit nisën së bashku Luftën II Botërore, duke nënshkruar Paktin e Mossulmimit. Pas bisedimeve midis ministrit të jashtëm sovjetik Vjaçeslav Molotov dhe ministrit të jashtëm gjerman Joachim von Ribbentrop, dy regjimet ranë dakord të pushtonin Evropën, duke e ndarë përgjysmë. Fashizmi dhe komunizmi ndezën një konflikt që do të merrte miliona jetë, duke marshuar sup më sup drejt luftës.

Brenda pak ditëve nga nënshkrimi i Paktit Molotov-Ribbentrop, armatat e Hitlerit pushtuan Poloninë. Gjatë muajve që pasuan, Stalini pushtoi Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumania dhe gjysmën e mbetur të Polonisë së shpartalluar. Për pothuajse dy vjet, SS-të nazistë dhe NKVD-ja sovjetike (paraardhësja e po aq të frikshmes KBG) bashkëpunuan ngushtë. Policia sekrete sovjetike, për shembull, kapte hebrenjtë gjermanë që ishin arratisur në BS dhe ua dorëzonte esesëve.

Pastaj, më 1941, Hitleri e shkeli paktin dhe sulmoi Bashkimin Sovjetik. Kur lufta mbaroi, regjimi nazist ishte shkatërruar, por perandoria sovjetike vazhdoi të jetonte, e fuqizuar nga dominimi në Evropën Lindore. Partizanët që kishin luftuar kundër nazistëve në pyjet e Balltikut i kthyen armët kundër Ushtrisë së Kuqe. Ndërsa bashkëpunëtorët e fashizmit mbushën ngadalë hapësirat në aparatet e sigurisë në shtetet e reja të Bllokut të Lindjes.

Edhe në fundin e viteve ’80, shumë në Perëndim prisnin që Bashkimi Sovjetik, pavarësisht dobësisë së dukshme, do të jetonte pafundësisht. Megjithatë, refugjatë nga Lituania, Estonia, Letonia, Poloni dhe vende të tjera “të pushtuara” nisën të organizonin protesta më 23 gusht, përvejtori i Paktit Molotov-Ribbentrop, duke e quajtur atë Dita e Shiritit të Zi. Ata i treguan botës se Stalini kishte qenë në të vërtetë armik i paqes në Luftën II Botërore. Ata u kërkuan me ngulm amerikanëve t’i kundërviheshin Bashkimit Sovjetik që kontrollonte pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Më 23 gusht 1989, në mes të revolucionit në perandorinë sovjetike, rreth dy milionë njerëz bashkuan duart duke formuar një zinxhir njerëzor që përshkoi për 600 kilometra Estoninë, Letoninë e Lituaninë, në formë proteste kundër ndikimit të komunizmit. Kjo ngjarje, e njohur si Rruga e Balltikut, ishte një simbol i fuqishëm i rezistencës paqësore popullore kundër totalitarizmit. Diçka më tepër se dy vjet më pas, më 6 shtator 1991, shtetet balltike shpallën pavarësinë dhe më 25 dhjetor 1991 Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari.

Për fat të keq, më tepër se dy dekada më pas, të këqijat e komunizmit sovjetik dhe roli kritik i Stalinit në Bosht (aleanca Gjermani, Itali, Japoni) është harruar. Në Rusi, Stalini po shihet në rritje si hero kombëtar, një opinion që shkon paralel me rritjen e Partisë Komuniste në Duma (parlamenti rus), dhe është inkurajuar edhe më tepër nga vetë partia e Vladimir Putinit, Rusia e Bashkuar.

Dita e Shiritit të Zi mbetet e rëndësishme sepse nxjerr lakuriq faktin që fashistët dhe komunistët vazhdojnë të përdorin të njëjtat taktika për të demonizuar, izoluar dhe shtypur kundërshtarët. Lënia në harresë e historisë, kultura e ankimit dhe dhuna politike përbëjnë një koktejl të helmatisur. Është përgjegjësi e çdo ameriani të studiojë të kaluarën – ta studiojë seriozisht – dhe të mbajë fort gjithçka që është e nevojshme për të garantuar “liri e drejtësi për të gjithë”.

Mangësia e edukimit historik bazë në shkollat publike – kombinuar me zëvendësimin e studimeve për të drejtat dhe detyrat e qytetarit me politika identiteti përçarëse – ka mbrujtur cinizmin, duke e bërë brezin e milenialëve cinik dhe larg projektit demokratik. Kjo shpjegon, pjesërisht, pse moshat nën 30 vjeç kanë shumë më tepër prirje të angazhohen në protesta se sa të votojnë, të marrin pjesë në revolucione paqësore në qendrat e votimit, siç dëshironin Themeluesit e vendit. Për këtë arsye, është kritike të kujtosh se nazizmi dhe komunizmi sovjetik janë dy anët e të njëjtës monedhë totalitare.

Marrë nga The Washington Times-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco