Meritokracia tejkalon 'identitetin' fetar

Meritokracia tejkalon 'identitetin' fetar

Nga Namir Lapardhaja - 23/08/2017

(Replikë miqësore me prof. Afrim Krasniqin)

“Për sa kohë që vendi i një njeriu në shoqëri vazhdon të varet nga përkatësia e tij ndaj këtij apo atij komuniteti, i zgjatet jeta një sistemi pervers që veçse thellon ndarjet; nëse kërkojmë t’i zvogëlojmë pabarazitë, padrejtësitë, tensionet raciale, etnike, fetare apo të tjera, i vetmi qëllim i arsyeshëm, i vetmi qëllim që të nderon, është që të punohet që çdo qytetar të trajtohet si një qytetar me të drejta të plota, cilatdo qofshin përkatësitë e tij.”

Kështu shprehet Amin Maalof, një shkrimtar dhe mendimtar i krishterë libanez, i cili në vitin 1976 është shpërngulur në Francë dhe që prej atëherë frëngjishtja është bërë gjuha e tij, ndërsa Franca shteti i tij.

Natyrshëm që rasti i ndasive të tilla, qofshin raciale, etnike apo fetare, nuk është rasti i Shqipërisë, ngase ky vend ka probleme të tjera, mjaft të mëdha, në fakt, por, fatmirësisht, asnjë prej tyre.

Mirëpo, Maalof mund të na vijë në ndihmë për të parë raste të tjera, ku ndasitë fetare kanë shërbyer për të fragmentarizuar dhe parcelizuar shtetin dhe institucionet shtetërore.

Në librin e tij “Identitete vrastare”, ai ndalet tek shembulli i Libanit, ku u gjet një formulë që në zgjedhje të shmangej përballja e një kandidati të krishterë me një kandidat mysliman, me qëllim që komunitetet përkatëse të mos mbështilleshin vetvetiu rreth “birit të tyre”.

Pra, u mendua që zonat të ndaheshin në mënyrë të atillë që të mos përplaseshin asnjëherë dy komunitete, por dy kandidatë që i përkasin të njëjtit komunitet.

Por kjo formulë, sipas Maalof, shumë shpejt nxorri në pah një mori defektesh, sepse kur morën ta vinin në jetë në të gjitha nivelet e pushtetit, që nga Presidenca e Republikës, deri në Parlament apo në administratë, ndodhi që çdo post i rëndësishëm u bë “pronë” e një komuniteti të vetëm.

Në këtë kuptim, midis dy kandidatëve për një funksion, nuk zgjidhej më i zoti, por ai, komuniteti i të cilit “kishte të drejtën” mbi atë post.

Këtë parantezë të gjatë e bëra për të dalë tek studimi i Institutit të Studimeve Politike të prof. Afrim Krasniqit lidhur me përkatësinë fetare të deputetëve të rinj të Kuvendit të Shqipërisë.

Personalisht kam respekt dhe jam lexues i rregullt i të gjithë analizave të prof. Krasniqit lidhur me politikën shqiptare, madje mendoj se, për shkak të metodologjisë së tij të punës, eksperiencës së gjatë, pjesëmarrjes aktive dhe formimit të tij, mirë do të ishte që liderët e partive politike në Shqipëri, herë pas here, edhe të lexonin, edhe të konsultoheshin, me ato që ai shkruan dhe alternativat që ai propozon.

Rasti i fundit i marrë në shqyrtim, pikë së pari, nuk është një studim që nxjerr në pah diçka nëpërmjet analizës apo deduksionit,  por thjesht evidenton në mënyrë mekanike diçka që në thellësinë e saj është individuale dhe i përket botës së brendshme, rrjedhimisht evidentimi apo përcaktimi që dikush i përket këtij apo atij besimi, në terma të tjerë, është thjesht abuziv.

Përtej kësaj, ky evidentim nuk ka lidhje me cilësinë dhe produktin e Parlamentit të ri të Shqipërisë. Ka pasur studime të tjera ISP-ja, të cilat kanë qenë mjaft të vlefshme, të cilat kanë evidentuar arsimimin, ekperiencat dhe historikun jetësor të deputetëve të rinj të këtij institucioni.

Së treti, shteti shqiptar, ashtu siç e parashikon Kushtetuta, është laik, i baraslarguar dhe i barabartë me të gjitha besimet fetare, ashtu siç i trajton të njëjtë dhe të barabartë edhe individët me përkatësi të ndryshme fetare.

Nuk ka asnjë pikë në ligjin themeltar të shtetit, i cili evidenton apo i jep përparësi një besimi mbi një tjetër, apo një feje mbi një tjetër.

Me ndonjë përjashtim të rrallë, ne e dimë mjaft mirë që shumica e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, përveçse emrave dhe, ndofta, traditave familjare, të ngelura ashtu qysh prej qëkuri, janë, së paku, të pavëmendshëm dhe të painteresuar mbi besimet dhe fetë përsa i përket doktrinës dhe filozofisë së tyre. Jam plotësisht i bindur se mbi 90% e tyre janë tërësisht profan në këtë drejtim.

Ajo që mendoj është se ky diskur për një shoqëri si kjo e jona, në mos i gabuar, është i panevojshëm. Kjo jo vetëm se besimi është çështje thellësisht individuale dhe vetjake, por, mbi të gjitha, sepse në kushtet e një shoqërie që ka mjaft probleme të tjera, ky diskutim është tërësisht i pavlerë.

Demokracia e ka zgjidhur këtë dilemë duke i ofruar të gjithëve të njëjtat mundësi, pavarësisht asaj që besojnë dhe që praktikojnë, dhe parcelizimi ose nxjerrja në pah e identitetit fetar në një shoqëri e cila në shumicën e saj është profane është i pavlerë.

Ky diskutim mund të bëhet i dëmshëm kur pjesë të margjinalizuara të besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri, mund ta ndiejnë veten të kompleksuar dhe të shtypur përballë besimeve dhe komuniteteve të tjera, që ja... “paskan edhe shumicën në Parlament”, ndërkohë që një shqetësim i tillë është krejtësisht i pavërtetë dhe i pavlerë.

Ajo që mund të them është se diskutimi mbi përkatësitë fetare të pushtetarëve tanë duken të kota dhe të pavlera, ndërsa zgjedhja në bazë të përkatësive fetare e posteve administrative, politike dhe partiake, dhe jo në bazë të meritokracisë, vlerave dhe formimit, është rrugë pa krye dhe e rrezikshme, për të cilën Shqipëria nuk ka nevojë.

Si përfundim, ajo që vlen për ligjvënësit e rinj është se sa të aftë do të jenë ata të jenë të drejtë dhe të vërtetë në ato që do të artikulojnë, se sa do të mbrojnë interesin publik në ato që do të propozojnë dhe në ato që do të votojnë, se sa të aftë do të jenë për të qenë vetvetja dhe të mos marrin huqet dhe gjestikulacionet e shefit të radhës, se sa të aftë do të jenë në implementimin dhe votimin e reformave të mëdha për të cilat ka nevojë ky vend etj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Adnani25/08/2017 15:57

Shkrim aspak i nevojshem. "Shkruaj per te shkruar", osé thjeshte te te dale emri.

Shto koment

Denonco