Kryeministër në çekuilibër!

Kryeministër në çekuilibër!

Nga Enver Bytyçi - 18/08/2017

Ekuilibri është raport midis sasisë dhe cilësisë. Kualiteti lidhet me aftësitë, talentin, trajnimin, kuantiteti me masën si volum. Ekuilibri është gjithnjë rezultat logjik dhe logjizmi është përherë produkt i disa principeve të pranuara nga shoqëria.

Në këto dy-tri fjali u përpoqa të përmbledh idenë e ekuilibrit, si një domosdoshmëri për harmoninë shoqërore. Por me keqardhje vërej se kryeministri i Shqipërisë, zoti Rama, e ka humbur ekuilibrin, e ka kaluar masën, është shndërruar në një lider çekuilibrues në politikat e brendshme dhe ato rajonale e të jashtme në përgjithësi. Kjo ndodh se ne kemi një kryeministër pa parime, pa asnjë lloj principi. Në emër të liberalizmit ai i ka fshirë të gjithë kufijtë e sjelljes së tij formale e joformale.

Brenda vendit ka prishur ekuilibrin që krijon ligji e shteti me qytetarin. Shteti për të është një sllogan, që shërben si maskë e si propagandë. Sepse shteti praktikisht është vetë Edi Rama. Ai vret, pret e falë kë të dojë e si të dojë! Ai planifikon fonde, investime e shpenzime sipas dëshirës së tij personale, madje në shkelje të kushtetutës amendon dhe buxhetin e shtetit pa pyetur për parlamentin. Ai përcakton kush duhet dënuar e kush duhet falur, kush duhet persekutuar e diskriminuar e kush duhet të favorizohet me tendera, para publike e gjithçka tjetër.

Çdo lider është i prirur të vendosë autoritetin e tij personal mbi ligjin dhe interesat e shtetit, por prishja e ekuilibrit shtet-lider, shtet-qytetar si në këtë qeverisje zor që të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar.

Më e rrezikshmja ndër të gjitha është prishja e ekuilibrit rajonal.Të vetmit udhëheqës të rajonit të Ballkanit Perendimor që luftojnë për të krijuar politikisht e ekonomikisht një Jugosllavi të Re janë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç. Asnjë lider tjetër ballkanik nuk është kaq entuziast sa këta të dy. Vuçiç është legjitim dhe në hullinë e ekuilibrit të vet gjeopolitik në këtë rrugë. Ndërsa Rama ka prishur edhe atë ekuilibër të krijuar rastësisht apo qëllimisht të pasviteve 1960, të cilin e kishte krijuar diktatura komuniste. Eshtë adresuar te përvoja e viteve të para të Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria dhe Jugosllavia gati u bashkuan në një shtet federativ.

Marrëdhëniet e ngusta Rama-Vuçiç kanë shkuar përtej pritshmërive të sponsorëve të kësaj lidhjeje. Fuqi të Mëdha dhe shtete të rëndësishme e me kontribut të jashtëzakonshëm për ekzistëncën e kombit shqiptar kanë filluar të tronditen nga ajo çfarë po ndodh në marrëdhëniet Tiranë-Beograd. Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë dje deklaroi se për SHBA-të kufiri i Kosovës është përcaktuar në vitin 2008, dmth kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës, duke i dhënë përgjigje kështu deklaratave të Beogradit për ndryshimin e kufijve të Serbisë me Kosovën. Ndërsa Edi Rama i sponsorizuar nga qarqe të tjera ndërkombëtare gati sa nuk u shpreh solidar për të lehtësuar dhimbjet e mikut të tij, Aleksandrit, dhe për të bërë kurban për këtë një pjesë të territorit të Kosovës.

Kjo sjellje çekuilibruese, e cila do të hapte kutinë e pandorës dhe do të sillte një konflikt të ri në Ballkan, ka shkaktuar kokëdhimbje të mëdha në Perëndim. Dhe natyrshëm shqetësimi vjen nga prishja e ekuilibrave, një politikë kjo qorre, e cila e çon Shqipërinë drejt një pasigurie totale.

Liderët shqiptarë të mëparshëm kanë patur difektet, sukseset e mossukseset e tyre në këto 27 vite postkomunizëm, por asnjëri prej tyre nuk ka guxuar të prishë harmoninë e sjelljes në parim në asnjanësi të Shqipërisë me vendet fqinjë. Sigurisht që asnjëri prej tyre, në kushte shumë më të pafavorshme, nuk ka mundur të shmangë të gjitha konfliktet, por çakordimin diplomatik të kësisoj e ka realizuar vetëm kryeministri i sotëm dhe kjo ka ndodhur thjesht për atë se kemi një kryeministër pa masë, pa ekuilibër, pa parime, pa norma, pa rregulla, të shfrenuar në të gjita pikëpamjet.

 Kemi gjithashtu kryeministrin që meritojmë, kryeministrin e atleteve, por jo të parimeve, kryeministrin e xhinseve në samite me protokoll, por jo edhe kryeministrin e ekuilibruar. Kemi kryeministrin e batutave pa fund, por jo edhe kryeministrin serioz që shqetësohet seriozisht për fatin e kombit të vet e të qytetarëve të tij. Kemi kryeministrin urdhrave për ndëshkime kolektive si në kohën e Mehmet Shehut, por jo edhe kryeministrin që krijon harmoni midis shtetit e qytetarit, midis ligjit dhe shkelësit të tij.

Nuk kemi parë gjë akoma!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ke dhe emerin Enver, pa le!19/08/2017 01:09

O Bytyc, Mehmet Shehu nuk jepte dot urdhera per denime kolektive, se nuk e linte Partia, atehre kishte xhaxhai bixhak; apo e ngateron me Saliun dhe Ramen qe ata jane edhe partia, edhe kryeminister, edhe mbret! Ma merr mendia se e ke te degjuar e jo te jetuar periudhen kur ka qene Mehmet Shehu kryeminister, dukesh se duhet t'i kesh buzet ende me qumesh si ne vitet qe kerkon te hiqesh se di gjthcka.

Fotaq18/08/2017 16:33

Z.Bytuci,perpjekja qe ju beni per ti spjeguar kryeministrit te Shqiperise se c'eshte ekuilibri,ju shkon dem.Ai nuk e kupton e ska per ta kuptuar ndonjehere.A e dini forminin e tij?Eshte i pa arsimuar.Shkolla qe ka mbaruar eshte instituti i arteve 2 vjecar ne komunizem.

Shto koment

Denonco