Lulzim Basha, e ka një plan!

Lulzim Basha, e ka një plan!

Nga Poli Hoxha - 16/08/2017

A e ka një plan Lulzim Basha, për të ardhmen e Partisë Demokratike? Për të ardhur në pushtet dhe për të rrëzuar klanin e Ramës me anë të një opozite të fortë, që ngjall shpresë dhe mbledh vota?

Kundërshtarët brenda kësaj force politike, por edhe shumë zëra që vijnë nga media apo opinion publik thonë; jo ai po fle gjumë dhe kështu ka për të bërë edhe katër vite të tjera, nën efektin e marrëveshjes së 18 Majit.

Faktikisht një kryetari partie si Lulzim Basha, që doli nga zgjedhjet e përgjithshme i akuzuar si i paaftë, dështak, pazarxhi, manipulator, apo edhe më tej, i “shitur te Rama”, do ti duhej që të bënte një analizë, jo vetëm “sa për sy e për faqe”.

Pastaj vjen edhe çështja e zgjedhjeve brenda partisë, ku grupi kundër tij çfarë nuk tha dhe vazhdon fushatën më egër, edhe se ndaj vetë Edi Ramës dhe Rilindjes së tij, për të cilën opozita duhet të ekzistojë që ta rrëzojë. E akuzojnë deri për vjedhje të postit që mori edhe për katër vite, ndërkohë që Berisha që qëndron mbi palët të paktën deri më sot, i ka dhënë edhe pse me gjysmë zëri, legjimitet.

Në këtë situatë, Lulzim Basha ka vetëm dy rrugë; të bëjë një analizë të dyfishtë, edhe për periudhën parazgjedhore, edhe për atë post tyre, ose të vazhdojë përpara duke i konsideruar të gjithë ato figura që e kanë sulmuar, si të “vetëpërjashtuar”.

Duke e ditur këtë, AntiBashistët kanë kërkuar këto ditë që në Shtator të bëhet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit Kombëtar. Në këtë këshill ata janë shumë dhe në mos do të mundnin të kryenin një “revolucion”, të paktën do të trembnin Bashën duke e kthyer këtë event të rëndësishëm të PD-së, në një tip “Plenumi i Tiranës”.

Por nga selia zyrtare u ka ardhur përgjigjja e prerë, se KKPD do të mblidhet Shtatorin tjetër, ashtu siç e parashikon statuti i partisë; njëherë në katër vite. Deri atëherë, do të rrjedhin shumë ujra.

 Në Shtator do të ketë vërtet “revolucion” brenda strukturave të Partisë Demokratike, por ai do të kryhet nga “poshtë lartë” dhe jo nga “lartë poshtë”, siç kërkon Astrit Patozi me shokë e shoqe.

Për të ndërmarrë këtë nismë, Shtatori është muaji i duhur për Lulzim Bashën. Tashmë kryetarëve të degëve u është thënë verbalisht, që të bëhen gati për të kryer analizat në bazë. Këto ditë ju mbërrin edhe udhëzimi zyrtar për këtë çështje. Riorganizimi i partisë nën okelion e “analizimit të humbjes”, do të ishte një qetësim e “larje duarsh” për Bashën dhe një flakje përfundimtare e atyre që vazhdojnë ta kenë, një këmbë brenda dhe tjetrën jashtë kësaj force.

Me këtë lëvizje ndryshe nga sa mendojnë shumë, ai kërkon që të unifikojë partinë, ti shpërndajë njëherë e mirë retë e përçarjes dhe madje ta rizgjerojë PD-në duke rikthyer “renegatët”, që janë hedhur gjatë këtyre 8 viteve në prehrin e LSI.

Me këtë rast do të krijohet sërish i famshmi “Data Base” i anëtarësisë, por këtë herë “ i ri fringo”, modern dhe transparent. Është gati edhe grupi, që do të menaxhojë procesin. Kur të përfundojë nuk do të kemi më një Bashë “kryetar të vulës” siç e akuzon “fraksioni i arkivës”, por një Lider të PD-së, që e do e gjithë “partia e re”.

Ndarja nga “e kaluara” që përfaqësohet nga oligarkët që pretendojnë se janë historia, do të jetë lajtmotivi i këtij plani. Ka kohë që disa portale të kontrolluara nga Basha shkruajnë për makinat, vilat dhe pasuritë e Bodes, Patozit, Bregut, Topallit, etj.

Ideja është që të krijohet një opinion dhe me kalimin e kohës një bindje brenda të djathtës, se ka ardhur koha e rikthimit të vlerave të vërteta dhe shpresës për t`u rikthyer në pushtet në mënyrë të sigurt në vitin 2021.

Në gjithë këtë, ka vetëm një problem dhe një mister të madh: Çfarë do të bëjë Basha, me Edi Ramën?

Janë shtuar zërat se ai do të bashkëqeverisë, deri në momentin që parlamenti do të ketë kaluar reformat e rëndësishme, si ajo Zgjedhore. Por edhe nëse nuk ndodh kjo, Basha dhe të tijtë po kujdesen që të përhapin në opinion bindjen se nën kujdestarinë e ndërkombëtarëve, Rama ka rënë dakord, që t`ia dorëzojë vetë pushtetin në vitin 2021. Edhe vetë Rama po ndihmon, që ky perceptim të zërë vend dhe të bëhet i besueshëm.

Kjo do të thotë se në vazhdim situata politike do të jetë si ai deti, kur vlonjatët e quajnë “vaj”.

Shashkat e LSI-së nuk mund të japin shpresë, për një opozitë të fortë. Blushi është kthyer “te kafeneja e preferuar”, kurse Bojaxhiu është i zënë me vëzhgimin e bursës së karburanteve. Partia e Koço Kokëdhimës po ngjall shpresë këto kohë, por gjithsesi është ende në embrion. Shoqëria civile vazhdon gjuetinë e kockave, kurse ato media që ende nuk janë shitur, bërtasin fort: Jam edhe unë në treg…

Kjo është situata dhe prognoza. Kushdo që është kundër kësaj mënyre qeverisjeje dhe pret një rrëzim të Ramës ka vetëm një shpresë, që është plani i Lulzim Bashës:

Rama do të ikë vetë dhe një Parti e re Demokratike vjen në pushtet...në vitin 2021!

Syri.net

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Cimi17/08/2017 00:54

Asnjehere s'te kam lexuar, hera e pare qe te lexova dhe paskam bere mire qe nuk kam harxhuar kohen me ty. Je shume i mire per te masturbuar Cim Peken, por jo se ben ndonje analize. Poli , shiko gjej ndonje gje tjeter, nuk je per kete pune

amatori17/08/2017 00:17

janè ne bashkpunim per te mbrojtur vjedhjet, dhe te gjitha munden .

Shqiptari16/08/2017 11:58

Lulzim Basha pati vetem nje plan: Shkaterrimin e PD-se dhe opozites! Ia doli per bukuri! PD-ja vjen ne pushtet ne 2029!

Shto koment

Denonco