Paraardhësit dështuan me Korenë, Trump nuk ka pse të ndjekë rrugën e tyre

Paraardhësit dështuan me Korenë, Trump nuk ka pse të ndjekë rrugën e tyre

Nga Michael Goodwin - 15/08/2017

Nga paralajmërimi për “zjarr e zemërim” te deklaratat se armët e Amerikës janë “të mbushura e gati për zjarr”, Presidenti Trump po merret me krizën e Koresë së Veriut sipas mënyrës së tij. Natyrisht, shumë personave në Washington po u del tym nga koka.

“Nuk mund ta ndryshosh mënyrën e bërjes së gjërave”, thërrasin me histerizëm mosaprovuesit dhe sportelistët! Duhet të ndjekësh rrugën më të rrahur.

Pothuajse shtatë muaj pas marrjes së postit nga Trump, nuk janë vetëm inatçinjtë e pakorrigjueshëm që nuk po arrijnë të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Edhe njerëz më të kthjellët refuzojnë të pranojnë kuptimin e fitores së Trumpit.

Votuesit donin ndryshim, por Washingtoni nuk do. Dhe kjo përplasje dëshirash përcakton luftën pa fund për presidencën e Trumpit.

Tani kjo përplasje rrotullohet rreth mundësisë së një lufte të vërtetë, një lufte bërthamore. Meqënëse rezultatet mund të jenë katastrofike, ia vlen të kujtojmë se si erdhëm në prag të kësaj katastrofe.

Nëse dëgjon kritikët e Trumpit, Kim Jong-un nuk po shqetësonte askënd, deri sa presidenti filloi ta ngacmonte. Përfaqësuesi Demokrat nga Minnesota (në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres) Keith Ellison tha teskstualisht se Kim “po vepron në mënyrë më të përgjegjshme se Trump”, një deklaratë së cilës i bëhet jehonë nga media e krahut të majtë.

Ndoshta Ellisonit, i cili është numri 2 i Komitetit Kombëtar Demokrat, i ka shpëtuar ndonjë nga kërcënimet e Kimit se tani ai ka armë bërthamore dhe raketa balistike interkontinentale, të afta për të arritur pjesën kontinentale të Shteteve të Bashkuara.

“Nëse imperialistët amerikanë na provokojnë sadopak, ne nuk do të ngurrojmë t’i asgjësojmë me armë bërthamore”, tha Kim.

Pas testimit me sukses të raketës balistike interkontinentale më 4 korrik, Kim tha se ajo ishte një “dhuratë” për “bastardët amerikanë”, duke premtuar për dhurata të tjera.

Provokime të tjera përfshijnë një video që tregon raketat bërthamore të Koresë teksa hedhin në erë Washingtonin dhe kërcënojnë Korenë e Jugut dhe Japoninë. Paralajmërimi i fundit ishte sulmi bërthamor mbi Guamin.

Duke parë paralajmërimet dhe arsenalin e Kimit, gjëja e çuditshme nuk është shfaqja e supremacisë ushtarake amerikane nga ana e Trumpit dhe gatishmëria për ta përdorur nëse është e nevojshme. E çuditshme është që paraardhësit e tij nuk e bënë këtë gjë.

Tre presidentët e mëparshëm për një periudhë të përbashkët 24-vjeçare — Bill Clinton, George W. Bush e Barack Obama — ndoqën të gjithë një rrugë thuajse identike dhe nuk ia dolën të ndalonin programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Që të tre përdorën diplomacinë si një eufemizëm për zvarritjen e problemit. Dhe e zvarritën deri mbi tryezën e Trumpit, me Obamën, teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë, që thuhet se i tregonte Trumpit që Kimi ka armë bërthamore.

Faleminderit për asgjë, shoku.

E megjithatë, në vend që t’i njohin këto dekada dështimi për atë që janë vërtet dhe të pranojnë se situata ka ndryshuar, pasi Kimi i tanishëm ka armë të shkatërrimit në masë dhe aftësinë të godasë qytetet amerikane, establishmenti është i tmerruar që Trumpi guxon të ketë një tjetër qasje karshi problemit.

Mes zemërimit të orkestruar ka humbur fakti që Trump pranon të takohet me Kimin dhe që ka nxitur Kinën të frenojë shtetin satelit të saj. Dhe që asistentët vazhdojnë të punojnë mes kanaleve diplomatike në prapaskenë për të kryer negociata për shmangien e luftës.

Pranimi i këtyre fakteve do të përbalte xhihadin e tyre kundër presidentit.

Prapë ka diçka më të keqe se sulmet kundër Trumpit: Pozicioni që marrin në krahun tjetër. Kjo u demonstrua qartë javën e shkuar nga Susan Rice.

“Historia tregon që ne mundemi, nëse duhet, të tolerojmë armët bërthamore të Koresë së Veriut, në të njëjtën mënyrë siç toleruam rrezikun shumë më të madh të mijëra armëve bërthamore sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë”, shkruante Rice, këshilltare e Obamës për sigurinë kombëtare, në New York Times.

Harrojeni barazimin e rremë që ajo vendos midis Bashkimit Sovjetik dhe Koresë së Veriut të tanishme. Bomba e vërtetë është që Rice pranon që një i çmendur të ketë armë bërthamore.

Ndërsa është befausese që ajo do të pranonte një idiotësi të tillë, ideja që ajo e beson atë nuk është tamam shokuese. Në fund të fundit, ajo ishte linja e ndjekur nga administrata e Obamës kundrejt programeve bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit.

Publikisht i kundërshtonte këto programe, por privatisht u përgatit që t’i pranonte ato. Tani Koreja e Veriut e ka prodhuar raketën bërthamore dhe Irani do ta bëjë, falë politikës së Obamës.

Të gjithë sofizmat e botës nuk mund ta errojnë rezultatin: Më qartë, fituesi i Çmimit Nobel për Paqen e la globin një vend shumë më të rrezikshëm për shkak të mosefektivitetit të tij të drejtimit nga prapa.

Një nga trashëgimit e Obamës është që ai nuk rritjen e shpejtë bërthamore të dy vendeve armike që betohen të dyja për ta eliminuar Amerikën.

Dhe tani Rice, e cila i quan fjalët e Trumpit si “të paprecedent dhe veçanërisht të rrezikshme”, thotë se ai duhet të hyjë në rresht e të luajë të njëjtën lojë si shefi i saj.

Kjo të kujton një përkufizim popullor të marrëzisë: Të bësh të njëjtën gjë pa pushim dhe të presësh rezultate të ndryshëm.

I gjithë episodi është një tjetër shembull i krizës së demokracisë sonë, çka çoi në fitoren e Trumpit. A është qeveria jonë e zonja të reformojë veten dhe të përballë problemet urgjente të sigurisë kombëtare dhe ekonomisë?

Apo është e pashpresë në paaftësinë e trashëguar dhe politika jonë është kaq e polarizuar saqë ne s’mund të bëjmë gjë tjetër veç të grihemi me njëri-tjetrin, edhe atëherë kur kundërshtarët tanë betohen ta hedhin Amerikën në koshin e plehrave të historisë?

New York Post

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

d15/08/2017 13:04

Ka mesa duket nje lapsus ne titullin e ketij shkrimi. Nuk behet fjale ne kete shkrim per "pasardhesit" e presidentit Trump, sic eshte shkruajtuar gabim, por per paraardhesit e tij.

Shto koment

Denonco