Nuk është vend ndryshimesh, Angela Merkel do ta fitojë sërish Gjermaninë

Nuk është vend ndryshimesh, Angela Merkel do ta fitojë sërish Gjermaninë

Nga H. NORPORTH/ T. GSCHWEND - 14/08/2017

Në një moment të historisë kur zgjedhësit në Shtetet e Bashkuara dhe Francë votuan për rishtarë si Donaldo Trump dhe Emmanuel Macron, qytetarët gjermanë do të ruajnë ekuilibrin duke qëndruar me një lidership të provuar e testuar në krye të qeverisë kur t’u drejtohen qendrave të votimit muajin e ardhshëm.

Është e sigurt që Kristian Demokratja Angela Merkel, e cila shërben si kancelare e Gjermanisë që më 2005, do të rizgjidhet për një mandat të katërt. E vetmja rrudhë ndryshimi mund të jetë zgjedhja e një partneri të ri në qeverinë e saj përkrah Kristian Demokratëve. Duhet majtur mend që koalicionet janë standard në politikën gjermane. Por cilido që të jetë përbërja e qeverisë së ardhshme gjermane, ajo do të jetë vepër e Merkelit.

Në katër vitet e fundit, kancelarja ka qeverisur në një koalicion me partinë e dytë më të madhe, Social Demokratët e qendrës së majtë. Nuk do shumë mend që një koalicion i tillë do të përkrahte Merkelin për një tjetër mandat. Por do të ketë opsione të tjera që përfshijnë parti më të vogla, të cilat zakonisht marrin më pak se 10% të votave. Në këtë aspekt, Merkel përballet me një larmi të jashtëzakonshme zgjedhjeje. Partneri më tërheqës duken Demokratët e Lirë të qendrës, me të cilët qeverisi në mandatin e saj të dytë, 2009-2013.

Shanset që partia e Merkelit, bashkë me Demokratët e Lirë, të fitojnë shumicën në zgjedhjet e shtatorit, sipas parashikimeve tona, janë 92 përqind. Në mënyrë të ngjashme, shanset që ajo të fitojë me Të Gjelbrit janë 86 përqind. Këto parashikime vijnë nga një formulë parashikimi të quajtur “Modeli Kancelar” që ne e kemi përdorur me shumë sukses në katër zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani.

Siç e tregon edhe emri, popullariteti i kancelarit është parashikuesi kyç. Merkel iu drejtohet zgjedhjeve të shtatorit me popullaritet gjigant. Politika e saj e pranimit të mbi 1 milion refugjatëve nga Lindja e Mesme e zhuritur nga lufta dhe ISIS, bashkë me sulmet terroriste në Gjermani, nuk e kanë bërë jopopullore. Alternativa për Gjermaninë, partia anti-evropiane dhe anti-emigrante, nuk ka pasur progres. Ndërsa kandidati Social Demokrat Martin Schulz nuk është Donald Trump, ndonëse njëherë tingëlloi si ai, kur premtoi ta bënte Evropën sërish të madhe.

Në garën kokë më kokë, Merkel kryeson karshi Schulz 2-1 në sondazhet aktuale. Teksa Schulz pati një kryesim në fillim të këtij viti, pas zhurmës për nominimin e tij, shkëlqimi u zbeh shpejt. Kryesimi i Merkelit duket i sigurt teksa ajo shkon drejt fazës finale të fushatës. Sigurisht, gjermanët nuk votojnë direkt për kancelarin, por vlerësimet për kandidatët për postin në sondazhet dy muaj para ditës së zgjedhjeve kanë rezultuar si parashikues të saktë për rezultatin e zgjedhjeve legjislative. Partia me kandidat-kancelarin më tepërheqës është favorite për të fituar zgjedhjet.

Përveç popullaritetit të kancelarit, formula jonë mbështetet në partizanizmin afatgjatë si parashikues. Edhe kjo favorizon partinë e Merkelit dhe çfarëdolloj kombinimi partish që ajo mund të zgjedhë. Duke marrë votën e tri zgjedhjeve të fundit kombëtare, Kristian Demokrarët kanë një mesatare 37%, kundrejt 28 përqind të Social Demokratëve. Kjo e bën të arritshme shumicën parlamentare për partinë e Merkelit në koalicion me Demokratët e Lirë apo Të Gjelbrit, që kanë secili mesatare afër 10%. Shtoni edhe kryesimin e madh të Merkelit në popullaritet dhe shanset janë seriozisht në favor të saj që të marrë shumicën me njërin prej këtyre dy partnerëve.

Në të njëjtën kohë, parashikuesi ynë i tretë ngre flamurin e kujdesit. Ai mbulon faktorin e ngopjes. Me Merkelin në post prej tre mandatesh tashmë, mund të parashikohet një rënie e përkrahjes elektorale për partinë e saj. Në zgjedhjet presidenciale amerikane, “koha për ndryshim” duket joshëse pasi një parti e ka pasur Shtëpinë e Bardhë për dy mandate, siç e pamë me fitoren e Trumpit vitin e kaluar. Ndërsa votuesit gjermanë duket se kanë më tepër durim, përkrahja e tyre për partitë në pushtet zbehet sa më gjatë që ato qëndrojnë në pushtet. Gjithsesi, sado e madhe të jetë ngopja me Kristian Demokratët pas tri mandateve në pushtet, popullariteti personal i Merkelit është dukshëm më i madh. Në çdo rast, nuk ka shenja që gjermanët të vuajnë nga “ngopja me Merkelin”.

Formula jonë e parashikimit që kombinon popullaritetin e kancelarit, partizanizmin afatgjatë dhe faktorin e ngopjes është provuar e saktë për 17 zgjedhje në Gjermani, duke shkuar prapa në kohë deri më 1953, kur bëhet fjalë për votimin e partive në qeveri apo kancelarin e ardhshëm. Për katër zgjedhjet e fundit, kemi nxjerrë parashikime disa muaj përpara. Debutimi ynë ishte goditje në shenjë me rizgjedhjen e qeverisë së Social Demokratëve dhe Të Gjelbërve më 2002, kur sondazhet dhe ekspertët parashikuan disfatën tonë. Parashikimi ynë e gjeti votën me saktësi presjeje dhjetore — 47.1 përqind — diçka që asnjë sondazh apo parashikim tjetër nuk ishte në gjendje ta bënte. Sigurisht, kjo është një goditje që ndodh veç një herë në jetë, e pamundur të përsëritet.

Xholi në parashikimin e zgjedhjeve në Gjermani është limiti i pesëpërqindëshit. Një partie i duhet të fitojë aq vota për të fituar vende në Bundestag. Në zgjedhjet e vitit 2013, Demokratët e Lirë nuk e arritën pragun vetëm për dy të dhjetë e një pike përqindjeje. Me moslejimin e rrumbullakosjes së shifrave, partia përfundoi me zero vende dhe Merkel e humbi parternin e saj të ri në qeveri. Një tjetër rezultat si ky në shtator do ta eliminonte perspektivën e këtij koalicioni, duke e lënë Merkelin në dilemë mes formimit të koalicionit me Të Gjelbrit apo qëndrimin me Social Demokratët. Në një mënyrë apo tjetrën, Merkel do të jetë në krye të qeverisë së ardhshme gjermane, me pak ose aspak ndryshime.

The Hill

Helmut Norpoth është profesor i shkencave politike në Stony Brook University. Ai ka krijuar “Primary Model,” një model statistikor që përdor për parashikimin e rezultateve në zgjedhjet presidenciale në SHBA, bazuar mbi të dhënaa që nga viti 1912. Ai parashikoi fitoren e Donald Trump që në mars 2016.

Thomas Gschwend është profesor i shkencave politike në Universitetitn e Mannheimit në Gjermani. Ai është bashkë-autor i “Politika elektorale shumë-nivelëshe”, analiza e parë sistematike e politikës elektorale në tre nivele të ndryshme në shumë vende dhe është botuar gjerësisht për tema mbi zgjedhjet dhe opinionin publik.

    © SYRI.net

    Lexo edhe

    Komentet

    Shto koment

    Denonco