Marijuana e shkatërroi Coloradon, mos e legalizoni në shkallë kombëtare

Marijuana e shkatërroi Coloradon, mos e legalizoni në shkallë kombëtare

Nga Jeff Hunt - 07/08/2017

Javën e kaluar, Senatori Cory Booker prezantoi Marijuana Justice Act në përpjekje për legalizimin e marijuanës në të gjithë vendin dhe për penalizimin e komuniteteve lokale që nuk duan të kenë të bëjnë me këtë drogë të rrezikshme. Kjo është sforcoja më e madhe deri tani për legalizimin e marijuanës dhe shënon një tjetër moment të trishtueshëm në përqafimin e drogës nga ana e vendit tonë, çka do të ketë pasoja në breza.

Vendi ynë përballet me një epidemi droge. Legalizimi i marijuanës jo-mjekësore nuk do të sjellë asgjë nga ato që shpreson Senatori Booker. I kemi dëgjuar shumë nga këto premtime më 2012, kur Colorado legalizoi marijuanën jo-mjekësore.

Që atëherë, Colorado ka parë një rritje të numrit të vdekjeve nga aksidentet të lidhura me marijuanën, telefonata për helmime dhe vizita në urgjencë. Tregu i zi i marijuanës është rritur në Colorado, nuk është zvogëluar. Dhe, shumë rregullatorë të marijuanës janë akuzuar për korrupsion.

Më 2012 na u premtua se nga fondet e ardhura nga taksat mbi marijuanën do të përfitonin komunitetet, sidomos shkollat. Dr. Harry Bull, Superintendenti i Cherry Creek Schools, një nga distriktet shkollore më të mëdha të shtetit, thotë: “Deri tani, e vetmja gjë që legalizimi i marijuanës ka sjellë në shkolla është marijuana”.

Në vitin fiskal 2016, të ardhurat nga taksa mbi marijuanën rezultuan në 156.7 milionë dollarë. Të ardhurat totale nga taksat në shtetin e Colorados ishin 13,327,123,798 dollarë, duke i bërë të ardhurat nga marijuana vetëm 1.18% të të ardhurave totale të shtetit nga taksat. Kostoja e legalizimit të marijuanës në fushata ndërgjegjësimi të publikut, zbatim ligji, trajtim shëndetësor, kurim varësie dhe punë parandaluse është ende e panjohur deri më sot.

Senatori Booker deklaroi se arsyeja e tij për legalizimin e marijuanës është reduktimi i “arrestimeve për marijuanën që ndodhin kaq shumë në vendin tonë, duke pasur si shënjestër komunitete të caktuar – të varfër, minoritete”. Ulja e numrit të burgosjeve në radhët e këtyre komuniteteve është një kauzë fisnike, por legalizimi i marijuanës ka pasur efekt të kundërt.

Sipas Departamentit të Sigurisë Publike në Colorado, arrestimet e të rinjve të zinj dhe hispanikë për zotërim marijuane janë rritur respektivisht me 58% dhe 29% pas legalizimit. Kjo do të thotë se të zinjtë dhe latinot janë arrestuar më shumë për zotërim marijuane pasi ajo u bë e ligjshme.

Për më tepër, një shumicë dërrmuese e bizneseve të marijuanës në Colorado janë përqendruar në lagjet me ngjyrë. Liderë të këtyre komuniteteve, shumë prej të cilëve fillimisht votuan për legalizimin, flasin shpesh për ndikimin negativ të këtyre bizneseve.

Senatori Booker e prezantoi projekt-ligjin e tij pak ditë pasi Washington Post raportoi mbi një studim të Review of Economic Studies që zbulonte se “studentë kolegjesh me akses në marijuanën jo-mjekësore kanë nota mesatare më të ulëta dhe shkallë më të lartë ngeljesh”. Lënia e marijuanës ndihmoi studentë me performancë shumë të ulët që t’i shpëtonin rrezikut të braktisjes së studimeve. Që nga legalizimi, shkalla e përdorimit të saj nga të rinjtë në Colorda është më e lartë në SHBA, 74% më e lartë se mesatarja në shkallë vendi, sipas raportit mbi trafikimin me intensitet të lartë të drogave në zonën e Rocky Mountain. Kjo ka efekte të tmerrshëm në edukimin e të rinjve.

Nëse Senatori Booker është i interesuar për t’u shërbyer të varfërve dhe pakicave, legalizimi i marijuanës është ndër më vendimet më të këqija. Ka shumë punë për t’u bërë për të ulur burgimet dhe përsëritjen e krimeve nga të dënuarit, por mbytja e komuniteteve me drogë nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do t’i përkeqësojë gjërat.

Sapo kemi nisur ta mësojmë impaktin e vërtetë të marijuanës mbi komunitete. Pasojat negative të legalizimit të marijuanës jo-mjekësore do të ndihen në breza të tërë. E inkurajoj Senatorin Booker të kalojë kohë me prindër, edukatorë, ligjzbatues, këshilltarë, liderë komunitetesh, pastorë dhe ligjvënës para se të nxitojë për legalizimin e marijuanës në shkallë vendi. I kemi parë pasojat në lagjet tona në Colorado dhe nuk është ajo çfarë do t’i uronim vendit.

USA Today

    © SYRI.net

    Lexo edhe

    Komentet

    Shto koment