Lajmi i fundit

LIVE/ Bylykbashi, Kaso dhe Çupi, konferencë për media në PD

Opozita që duhet të përkufizojmë

Opozita që duhet të përkufizojmë

Nga Fatbardh Kadilli - 06/08/2017

Ka një debat të çelur në politikën e këtij sezoni, i cili duket se do të qëndrojë i tillë dhe do ta shenjojë të gjithë legjislaturën që prodhuan zgjedhjet e 25 qershorit. Cila është opozita? Si do të përkufizohet dhe si do të grupohet ajo?

Në kërkim të një roli në spektrin e ri polititik dhe nga nevoja për tu faktorizuar LSI lëshon ftesa dhe sfida drejt PD-së. Ky debat më shumë se i nxehtë është i ftohtë dhe më shumë se racional tenton të jetë emocional dhe cingëritës për nervat dhe etikën e faktorëve të përfshirë në të. Nëse rezultati i zgjedhjeve qe i qartë për fituesin, ai mbeti si një litar jashtë nëpër këmbët e opozitës.

PS kapi pushtetin që synonte dhe qendron e sigurt në pushtet me 74 mandatet e veta, të cilave, sipas nevojës, pritet t’i bashkohen votat e deputetëve të partive të vogla. Pjesa tjetër e parlamentit është e ndarë mes PD-së, LSI-së dhe atyre deputetëve volativ, të cilët janë në Kuvend jo prej siglës që kanë zgjedhur po prej forcës së tyre individuale për të mbledhur vota. Që të katërt janë biznesmenë që kanë hyrë në politikë dukshëm jo për bindje apo ndonjë besim politik. Ndaj sjellja e tyre do t’i përshtatet biznesit të tyre dhe s’ka të bëjë me opozitën.

Kjo është panorama e numrave, por a është edhe panorama reale e opozitës?

Dy forcat që sot janë praktikisht në opozitë janë për arsye krejt të ndryshme. Nëse PD ishte dhe mbeti në opozitë si vendim i shqiptarëve për të mos ia besuar asaj drejtimin e vendit, kjo nuk është e njëjtë për LSI. Ajo është sot në opozite, jo se zgjodhi të dilte në opozitë, por se u përjashtua nga pushteti. LSI mbeti në opozitë si një tekë e lojës brenda pallati të pushtetit.

Nëse ‘pazari i ri’ do të ishte kalkuluar më mire nga Meta, ata sot do të ishin përsëri duke ndarë ‘tepsinë’ së bashku me PS-në. Ky fat i ‘keq’ i LSI-së është një nga shembujt e shumtë që dëshmon se në kulturën politike të shoqërisë shqiptare dalja në opozitë më shumë se vendim është përjashtim nga pushteti. Shqiptarët, edhe pse, përtej votës së kapur, dukshëm ia mohuan mbështetjen alternativës së PD-së, përsëri patën mençurinë dhe vendosmërinë për të mos e tregtuar opozitën. Për votuesin shqiptar opozita ishte dhe mbeti PD. 450 mijë votat flasin qartë se shqiptarët zgjodhën PD-në për opozitë.

Për katër vjet me rradhë, sa do e dobët dhe joefektive të ketë qenë opozita e PD, ajo ishte opozitë. Dhe opozita është përsëri mission I PD-së se kështu vendosën shqiptarët. Për katër vjet, sa do tekanjoze, sa do si e veshtirë të ketë bërë LSI në marrëdhenjet e pushtetit, ajo ishte në pushtet. Ajo ka pjesën e saj në çdo mbrapshti të pushtetit të këtyre katër vjetëve. Ka pjesë në prishjen e konsensusit për administratën publike, në ndarjen arbitrare administrative, siç kapjesën e vet në konçensionet e shëndetësisë, të cilat japin edhe sot përfitime klientëve të saj. LSI ka pjesën e saj në kriminalizimin e administratës dhe politikës, siç ka pjesën e vet në blerjen e zgjedhjeve.

LSI ka sot Presidentin si produkt të aleancës me PS-në. Që të jemi më të vërtetë, LSI ka pjesën e vet edhe në deformimet e pushtetit të PD-së, mdje modeli i saj ishte tharmi i shumë mbrapshtive të administratës tonë. LSI është sot në opozit si aksident dhe jo si mision. Ajo është në opozitë jo se ashtu vendosën shqiptarët, por se ashtu vendosi Rama. Kjo është një ndarje që nuk mund të neglizhohet. Nga këtu nis edhe përkufizimi i opozitës. Sa do të thella e të mëdha të jenë problemet e brendshme të PD-së, sa do energji dhe mundim t’i duhet për tu ringritur, qënja alternativë përball pushtetit është jo vetëm misioni por edhe përkufizimi i PD-së, që e dallon atë qartësisht nga LSI.

Edhe pse si një force politike qe ka lindur nga një lëvizje PD vuan fragmentimin dhe shpesh edhe konfuzionin e mbeshtetjes së saj në elektorat, përsëri në 27 vjetët e ekzistencës së saj PD mbetet një force politike me orientim të qartë ideologjik të djathë – konservatore në etikën politike dhe liberale në ofertën ekonomike. Dhe kjo nuk është një fjalë goje. Kjo dallushmëri ka brenda kujtesën politike, ka filozofinë dhe etikën tërësisht të ndryshme nga e majta, qoftë edhe ajo shqiptare e ndarë sot në PS dhe LSI. Përtej asaj që artikulohet, sidomos nga ata që kanë frikë të pozicionohen, se gjoja në Shqipëri nuk ka dallim mes palëve politike, ndarja mes të majtës dhe të djathës është e qartë dhe e fortë. Kjo ndarje është konfirmuar në gati 20 palë zgjedhje, përfshi edhe këto të fundit.

Mbi këtë ideologji PD është përkufizuar qartë dhe vetëm mbi këtë dallushmëri ajo mund të ndërtojë një propozim të vlefshëm për shqiptarët. Kjo fizionomi ideologjike e dallon atë qartësisht nga LSI. PD është mbartëse e vlerave të identitetit të djathtë dhe vetëm ajo ka mundësinë reale të jetë një alternativë e pushtetit.

Sado e vështirë të duket, PD dhe lidershipi i saj ka misionin të gjenerojnë çdo energji që vjen nga e djathta liberale për tu propozuar shqiptarëve një model qeverisje jo vetëm të ndryshëm nga ai i socialistëve, por një model të ri, të çliruar edhe nga hijet e deformimeve dhe sëmundjeve të rritura në vet trupin e PD-së.

Që nga viti 2002, kur për here të pare u shfaqën ato që u quajtën ‘aleancat fluide’ PD ka lëvizur shpesh nga qëndrimi i vet misionar e strategjik drejt takticizmit. Në vite ky qëndrim takticist i PD-së nxiti, ose përshpejtojë ndarjen e të majtës, siguroi me raste avantazhe elektorale, mundësoi mbajtjen e një mandate të dytë, por i ka kushtuar jo pak PD-së. Sidomos pas vitit 2011 ky takticizëm u kthye në një fatalitet dhe i kushtoi PD-së fillimisht humbjen e avantazhit moral në mandatin e dytë qeverisës, e më pas rrjedhje të elektoratit oportunist në drejtim të LSI-së dhe të atij parimor në drejtim të pa ditur. Eshtë ky takticizëm që e çbalancoi aksionin e PD-së nga misioni i saj dhe e tkurri aq sa shpesh në teatrin politik u perceptua si e pafuqishme për të luajtur e vetme.

Çdo flirt apo qëndrim që përcillte mesazhin e kalkulimit politik me LSI nuk ishte gjë tjetër veç dënim me vdekje i moralit të opozitës, ishte vetshuarje e frymës që i sjell opozitës mbështetjen. Nga ana e saj LSI prej takticizmit lindi dhe si e tillë gjallon. Si parti pa asnjë element përkufizimi politik dhe e dominuar nga modeli arrivist i shefit të saj, LSI do të notojë përsëri mes takticizmit për të siguruar votë oportuniste. Ky takticizëm është prapavija e çdo ftese apo sfide që vjen prej saj.

Opozita nuk është dhe nuk mund të ndërtohet mbi takticizëm. Ky është një tjetër përbërës thelbësor që e shton dallushmërinë e PD-së në opozitë me LSI-në. Sa do e vështirë të duket sot, kur numrat në opozitë janë edhe më të pakët, PD dhe lidershipi i saj, sidomos në aksionin parlamentar duhet të jenë të përqëndruar tek misioni i opozitës, tek morali i saj.

Përfundimisht, opozita është mision që vjen si vendim i zgjedhësve dhe nuk mund të jetë mbetje jashtë nga pushteti. Opozia është kundërshtare e parimtë e veseve dhe ceneve të pushtetit dhe jo adhuruse e pafat e tyre. Opozita është mision dhe jo takticizëm. Opozita mbi ideologjinë që e ndan nga pushteti ndërton projektin e saj qeverisës si alternative për qytetarët. Këto e përkufizojnë opozitën dhe opozita është PD. Sa do e vështirë të duket sot, ringritja e PD-së vjen vetëm nga morali, nga qëndrushmëria, nga parimësia, nga vërtetësia dhe nga ballafaqimi i alternativës që do të sjellë shpresën tek shqiptarët për një qeverisje të mirë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

d07/08/2017 13:39

Fjala "llom" , llom do te ngelet edhe nese e zbukuron me mbaresen ne anglishte me germen Y , "Lomy". Kush ka formimin qofte mesatar intelektual e demokratik, e kupton se politikanit te ri me formim te plote profesional e intelektual perendimor, Lulzim Basha, nuk i afrohet asnje politikan tjeter i te gjitha partive e partickave shqiptare. PD nen drejtimin e Bashes, jo vetem qe do te mbijetoje, por per hire te kauzes demokratike me te cilen u shfaq ne politike ne fillim vitet 90, ajo do te fuqizohet per aq kohe sa do te ekzistoje demokracia perendimore. Ah po, mund te kthehet perseri Shqiperi ne sistem socialist, vetem nese e gjithe BE i rikkthehet ketij sistemi. Nese "u trimeruan" disi gjithe socialistet e Europes e me pertej, kjo erdhi si pasoje e krizes financiare boterore. Kjo kroze tashme po tejkalohet e demokracia perendimore do te kthehet ne normallitet, e ish partia e punes e diktatorit Enver, nuk do te mund te mbijetoje me edhe me emrin e ndryshuar si parti socialiste, qofte edhe me krabat e Patozeve..

EC07/08/2017 12:03

Me gjithë respektin për seriozitetin e artikullit dhe përçmimin për karagjozllëkun e komenteve, dëshiroj të kundërshtoj po me respekt artikullshkruesin në çështje më thelbësore të shkrimit:

1. Pavarësisht se arsyet e opozicionit të PD-se mund të jenë të ndryshme nga arsyet e opozicionit të LSI-së, sovrani (në mos, hajvani) popull i ka dhënë LSI-së votat e nevojshme për të qenë në opozitë. Dhe nuk është pushteti ai që e ka përjashtuar LSI-në, por sërish sovrani (apo hajvani) popull, që i ka dhënë Partisë-Shtet më shumë se 70 mandate. Pra, duam apo s'duam ne, LSI është në opozitë dhe do të ushtrojë aksion opozitar. PD nuk duhet të garojë me LSI-në për të zënë vendin e parë në opozitë, por duhet të vijojë betejën epike tashmë 27 vjeçare kundër Partisë-Shtet.

2. Nga kjo fjali e fundit lind reflektimi edhe për misionin historik të PD-së. Është (relativisht) e vërtetë se PD është konfiguruar tashmë si një parti me etikë politike (relativisht) konservatore e me ofertë politike (relativisht) liberale, por më e rëndësishmja është se në gjenezën e vet, PD lindi pa vetëdijen e këtyre paradigmave ideologjike, thjesht si parti e antikomunistëve, e vendosur kundër Partisë-Shtet, me misionin historik të betejës për jetë a vdekje me të. Të majtë e të djathtë, ish-komunistë e ish-të përndjekur antikomunistë (madje edhe ish-të përndjekur komunistë) u grupuan rreth saj me këtë qëllim. Deri edhe i Gramozi i Josif Pashkos dhe PSD-ja e Skënderit të Ethem Gjinushit ishin në atë kohë pranë PD-së apo në koalicion me të, por kjo nuk pati ndonjë kosto për PD-në. Elektorati e mbështeti si të tillë në 22 Marsin historik dhe ajo ka qenë dita e zenitit të forcës së PD-së. Më vonë, çarjet e brendshme, ndarjet ideologjike, tensioni mes prirjes për të shkuar djathtas dhe trysnisë për ta tërhequr majtas, kompromiset në emër të interesave kombëtare e më the të thashë, çuan në rrudhjen e PD-së dhe në riforcimin e Partisë-Shtet. Ndaj PD duhet ta gjejë kartën e vet morale jo thjesht në kufinjtë e së djathtës konservatore e të ofertës liberale ekonomike, por në hapësirën e pakufishme të antikomunizmit e të betejës së dikurshme për pluralizëm. Përndryshe, nëse PD-ja do të gjykojë se është thjesht një opozitë në një vend demokratik dhe do të vijojë thjesht të bëjë oferta alternativash ideologjike e parimore sikur të jetonim në Britaninë e Madhe, ajo rrezikon të asgjësohet e të shndërrohet gradualisht në hiç përballë veprimit agresiv të Partisë-Shtet që është në vetëdijen e asaj që përmenda më herët: luftës për jetë a vdekje me PD-në dhe me çdo formë të pluralizmit.

3. Goditja që i dha Partia-Shtet LSI-së duke e nxjerrë (me ndihmën e sovranit/hajvanit popull) jashtë qeverisjes ishte vetëm vijimi i këtij skenari luftës së çdo forme të pluralizmit tashmë përmes luftës kundër "armikut të brendshëm". Me këtë rast, u provua naiviteti i LSI-së, që kishte besuar se mund të bashkëqeveriste me Partinë-Shtet edhe duke e ditur se kjo e fundit synon të thellojë unitetin e brendshëm si në kohë të Ver Hoxhës duke spastruar përgjithmonë çdo qelizë pushteti që nuk e ka nën kontroll.

Këto rrethana imponojnë sërish vetëdijen e përbashkët të 22 Marsit historik: të majtë e të djathtë, pavarësisht nëse së bashku apo më vete, duhet të ndërtojnë mbi të gjitha vetëdijen e nevojës për t'i mbijetuar luftës për jetë a vdekje të Partisë-Shtet kundër pluralizmit dhe më pas të shohin mundësitë e bashkëqeverisjes për të çuar drejt asgjësimit Partinë Shtet përpara se ajo të asgjësojë PD-në, LSI-në dhe krejt pluralizmin dhe të realizojë instalimin e kapitalizmit shtetëror kinez në Shqipëri. LSI-ja duket se është e qartë tashmë për këtë, ndërsa PD-ja nuk duhet të shqetësohet aspak për rrjedhjen e votave të elektoratit oportunist drejt LSI-së, pasi votues oportunist që e ka nxjerrë veten në shitje nuk do të kthehet ndonjëherë në PD nëse LSI-ja asgjësohet, por do të shkojë të shitet thjesht dhe bukur te Partia-Shtet.

Genci06/08/2017 18:44

O Kadill, me tane mend e ke se Luli yt dhe ti do te jini opozite?! Harroje. Luli ka brere marreveshje pazari me Ramen qe te mos zbatohet vetingu per ate dhe Berishen, prandaj hesht e mos u ndiej dhe ty, qe me sa dukesh je pjes e atij pazari.

Shqupisti06/08/2017 13:24

Bardhi o derezi.....nuk ke me parti dhe shprese ...prandaj rropatesh te perkufizosh opozitat. LSI -ja eshte bere tmerri juaj dhe shume shpejt do te jeni shtojce e saj.

Lomy06/08/2017 12:37

A thua s'e kan mar vesh ata te lsi qe keni bere pazar me ramen?! Thjesht vene lulin ne pozite te veshtire e tipat si kadilli qe te dalin ta mbrojne po ne fund do kene pretendime morale me te forta se pd per te qene opozite. Sidomos kur te preket kushtetuta e kodi zgjedhor...
Prandaj or ti "shikoji" mire se ndoshta s'jane ftesa por provokime dhe mos na shkruaj perralla ketu me teorine e "takticizmt qe s'duhet. Te ishit kaq parimore mbi vendimin e popullit me vote, lulin do e kishit hedhur nga penxherja...

Shto koment

Denonco