Timonieri po shkruan librin e tij të kuq

Timonieri po shkruan librin e tij të kuq

Nga Andi Bushati - 02/08/2017

Pasi ia arriti të marrë në dorë i vetëm timonin, Edi Rama, po përpiqet t’a kalojë mungesën e shpresës, zhgënjimin dhe revoltën e qytetarëve tek një luzmë drejtorësh lokalë që kanë qenë pjesë e administratës së tij për katër vite.

Në pamje të parë lëvizja është përfide dhe me impakt të madh.

Kush nga ne nuk është larguar qoftë edhe njëherë të vetme i zemëruar nga një pavion spitali? Kush nga ne që ka pasur punë nuk ka qenë i gatshëm ta thyejë me shkelma një dere hipoteke? Kush nga ne nuk ka mallkuar veten nëse ka pasur punë me tatimet?

Turi lëvizës i Ramës ka dy qëllime: në radhë të parë t’i tregojë njerëzve se ai është një kryeministër që e di se ku i pikon çatia dhe së dyti t’a ushqejë me viktima oreksin e një turme të cfilitur nga pushteti abuziv i rilindjes.

Po të shikosh në rrjetet sociale duket sikur kjo manovër ia ka arritur qëllimit. Komentuesit e shohin me gëzim rënien e hirerkëve lokalë, që ishin fryrë me pushtetin që i kishte deleguar PS-ja. Ata ngushëllohen me hakmarrjen e tyre të vogël, ndaj zyrtarëve kokëbosh që i kanë sorrollatur, apo ndaj pazarxhijve që i kanë zhvatur. Ata duken të kënaqur të lëpinë gishtat me sorrat, në pamundësi që t’i presin kryet pulës së madhe. 

Por, përtej këtij show propagandistik lëvizja e re e Ramës nuk ka asgjë të re.

Ajo duket e kopjuar fjalë për fjalë nga mësimet e një timonieri tjetër, njërit prej dy luanëve që ka pasur bota, Mao Ce Dunit. Po t’i kthehesh sot ndonjerës prej atyre pak kopjeve të mbetura të librit të kuq, të shpërndarë me shumicë në Shqipëri kur Edi Rama ishte ende fëmijë, nuk e ke të vështirë të kuptosh se, për herë të dytë, historia përsëritet në mënyrë qesharake. Po të shfletosh në të dhe të gërmosh mes 22 citimeve të kapitullit 11 që mban titulln: “Vija e masave” surpriza përfundon. “Masat janë heronjtë e vërtetë”, “Të nisesh nga masat për t’u rikthyer tek ato” janë fjalët e timonierit original, që shpjegon se partia duhet të zbulojë faktet dhe mendësitë që qarkullojnë mes masave, t’i përmbledhë, t’i gjeneralizojë për t’i kthyer më pas në shërbim të tyre. 

A nuk ngjan ky citat i librit të kuq të Maos me dëgjesat e tanishme publike? A nuk është historia e asaj gjyshes nga Berati apo e atij burrit nga Shkodra një ilustrim perfekt i dëgjimit të masave, për të zbatuar më pas në qeverisje vijën e tyre?

Besoj se këtu askush nuk ka dilemë. 

Por, askush nuk duhet të ketë as iluzionin se nga gjithë ky show do të lindë diçka e re. Pas pak kohësh zhurma do të mbarojë. Ashtu sikurse ka ndoshur ndërkohë edhe ndonjë drejtor tjetër do të linçohet në publik. Gjithnjë do të gjenden gardistë të kuq mes turmave që do t’i varin në qafë fletërrufe, zyrtarëve të telendisur.

Por pyetja është: çfarë do të ndryshojë?

Deri më tani Edi Rama na ka thënë se si nuk duhet të jenë drejtorët e tij, por ai nuk ka përmendur asnjë fjalë për identikitin e një modeli të ndryshëm. Dhe problemi është se të rinjtë do ta kenë tejet të vështirë të jenë e kundërta e atyre që u shkarkuan. Fjala vjen, ç’mund të bëjë më mirë një drejtor i ri spitali, kur gjysmën e hapsirave publike i’a ka zënë një koncesion i dhënë nga kryeministri, kur sterilizimin e paisjeve e ka tenderuar po kryeministri, kur pacienti që vjen tek stafi mjeksor e ka bërë check-up-in aty ku burrin e kanë bërë shtatzën dhe kur analizat laboratorike do t’ia bëjë koncesionari privat jashtë hierarkisë së tij?

Vetëm ky shembull tregon se sado të aftë, të zotët, qoftë dhe të përzgjedhur me partimet stritke të meritokracisë, të jenë drejtorët e ardhshëm të Ramës, ata nuk kanë asnjë shanc për të qenë më të mirë sesa paraardhësit. Sepse njësoj si të parët edhe ata do të jenë pengje të çarkut korruptiv të ngritur nga lart. Sepse bota deri më tani nuk ka asnjë shembull të një administrate që ta ketë të pastër bazën e piramidës ndërkohë që është e molepsur në majë të saj.

Prandaj nga i gjithë show i kësaj vere të nxehtë, rrezikon të mos mbetet asgjë. Ne do të shërbehemi nga të njëjtat hipoteka, do të shtrohemi në të njëjtat pavione dhe do të gjobitemi nga të njëjtat tatime.

Ndërsa Edi Rama do të fitojë dy gjëra. Së pari do të riblejë kohë duke e bërë shumëkënd të besojë se fajin e paskëshin pasur drejtorët e vegjël. Dhe së dyti do të mbahet mend në histori, se ktheu dacibaot e reja, ato të librit të dytë të kuq të shkruar prej tij. /Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

lesh arapi03/08/2017 16:31

Ky sharlatani i gjate duket si Don Kishoti qe bente lufte me mullinjte e eres...
ky eshte pjelle e komunizmit dhe si pasoje di te beje ato me te cilat eshte rritur..
kush lind nga macja, minj do gjuaj!

d03/08/2017 11:48

Rrofsh o Bushat se e dermove politiken e Maos qe po ndjek Rama. Po pse ke shkuar aq larg deri tek Maoja i Kines o shoku ? Pse nuk e ilustron stilin e tij me takimet "gju me gju " me popullin qe bente Enveri ? Apo se ky ishti miku i gjyshit tend ?

Shto koment

Denonco