Fushatë e çuditshme!

Fushatë e çuditshme!

Nga Hysni Gurra - 22/06/2017

Fushata elektorale po mbyllet, ekziston një perceptim se kjo ishte fushata më çuditshme që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri.

Nëse me e "çuditshme" nënkuptohet gjuha jo shumë e ashpër me të cilën filloi kjo fushatë, kryesisht nga dy partitë kryesore të vendit, apo edhe shmangia e shpenzimeve të tepërta, flamuj, banderola etj, siç jemi mësuar të shohim rëndom, kjo nuk më duket e çuditshme, është krejtësisht normale. Por, duke qenë se jemi mësuar me anormalitetin, normaliteti na duket anormal.

Në aspektin e programeve të partive kjo po, është një nga fushatat më të çuditshme që janë bërë ndonjëherë.

Të gjithë pohojnë se kanë program, por kushdo që ka njohuri në një fushë të caktuar e ka të thjeshtë të kuptojë se program të mirfilltë nuk ka asnjëra nga partitë kryesore.

Po cek vetëm aspektin e bujqësisë, të cilin pretendoj modestisht se e njoh. Të gjitha partitë premtojnë të njëjtat gjëra që janë premtuar këto 20 e kusurë vite. Në thelb asnjëra nuk ka një plan-program të mirfilltë dhe të detajuar që të mund t'i përgjigjet çdo "PSE-je dhe SI-je" për çdo premtim që bën.

Kjo është më e dukshme po të shihet edhe komunikimi publik i partive në tubime, asnjëra nuk duket se i drejtohet "elektoratit gri", elektorat për të cilin realisht bëhet një fushatë, dhe elektorat i cili ngre edhe pyetjet e mësipërme për çdo premtim që bëhet.

Shohim sulme midis aleatësh dhe ish aleatësh për vende pune në administratën publike, pra kush të mund të shkitë ndonjë votë nga partia tjetër. Kjo është ajo që të çudit në këtë fushatë.

Për ta thjeshtëzuar edhe më shumë, në vitin 2005 opozita e kohës (PD) hyri në fushatë me një program të mirfilltë ekonomik dhe politik, po ashtu edhe opozita e viti 2013, mazhoranca e sotme, kishte një program, gjë të cilën nuk e pati në vitin 2009 që ishte edhe një ndër shkaqet e humbjes së atëhershme.

Mirëpo rrethanat se si u futën partitë në këtë fushatë ishin gjithashtu të çuditshme, të cilat u kurorëzuan me një marrëveshje të mistershme midis Ramës dhe Bashës. Dhjetë ditëshi i parë i fushatës la të kuptohej se marrëveshja kishte si synim kryesorë një bashkë-qeverisje PD-PS pas 25 qershorit. Dhjetë ditëshi i dytë, mesa duket u pa se në publik kjo bashkëqeverisje nuk gëzon mbështetje të gjerë nga elektorati i të dyja partive, filloi të drejtojë bateritë e sulmit ndaj të "vegjëlve".

Dhjetë ditëshi i fundit, pasi partitë e mëdha duhet ta kenë kuptuar se asgjesimi i të vegjëlve nuk do të mund të bëhet dot me një goditje të vetme, nuk po i mohojnë më aleancat paszgjedhore duke llogaritur si force edhe LSI-në.Unë mendoj se partitë e ashtuquajtura të vogla janë vërtet shushunja në këtë vend. Dyshoj edhe në sinqeritetin e dy partive të mëdha se kanë hallin t'i heqin administratës së vendit shushunjat nga trupi, sesa kanë hallin për më shumë pushtet për vete.

Të gjitha pikëpyetjet, dyshimet dhe çuditë e kësaj fushate fshihen në marrëveshjen e mistershme Rama-Basha.

A kanë rë dakord vërtet që të zhdukin partitë e vogla nga skena politike? E besoj se të dy e duan një gjë të tillë, por kjo nuk do të ndodhë as këtë radhë, me shumë gjasë. Që të arrihej kjo gjë që në këto zgjedhje, marrëveshja Rama-Basha do duhej të ishte bërë të paktën gjashtë muaj më parë. Kjo do të ishte kohë e mjaftueshme që mbështetësit pa asnjë lloj ideologjie të shkëpusnin interesat ekonomike me partitë shushunja. Gjashtë muaj pa punë asnjë anëtarë i këtyre partive nuk do të ndiqte më nga pas partinë përkatëse. Atëherë si janë gjasat të ndodhë kjo?Me një bashkëqeverisje PS-PD? JO! Një koalicion i tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë, Rama kryeministër Basha bashkëkryeministër apo e anasjellta! Lënia në opozitë e shushunjave i forcon ato në vend që t'i asgjesojë, dhe këtë më mirë se kushdo e di Rama dhe Basha.

Atëherë si mund të ndodhë një bashkë qeverisje PS-PD dhe cili mundë të jetë hapi tjetër i marveshjes së mistershme? Të dy partitë e mëdha të sulmojnë dhë të përpiqen sa të munden deri në 25 qershor të minimizojnë peshën elektorale të partive shushunja. Më 26 qershor nuk ka gjasë që as PS as PD të arrijë të bëjë 71 mandate, por njëra nga këto do të ketë epërsi të lehtë ndaj tjetrës dhe do të thërrasë aleancë për formimin e qeverisë. Këtu është pjesa që do t’i ndajë publikisht dhe do t'i ashpërsojë mardhëniet PS-PD. Si do të ndodhë?

Për.shembull, nëse PD del forcë e parë, ky shembull mund të jetë edhe e anasjellta, atëherë nga grupi parlamentarë i PS mund të shkëputen aq deputetë sa i duhen PD për të qeverisur, këta shpallen "tradhëtarë" nga partia e tyre, por pozicionojnë palët dhe forcojnë rrugën për eleminimin e partive të vogla, të cilat në qeveri nuk i thërret askush, në opozitë do të jenë nën hijen e partisë së madhe, dhe praktikisht bëhen të padobishëm. Dhe, ajo që është thelbi i vërtetë i marrëveshjes së mistershme janë ndryshimet kushtetuese dhe reforma zgjedhore, pika për të cilat të dy liderët janë shprehur qartë se do të ndodhin në vjeshtë, dhe këto dy pika mund të mbyllin njëherë e përgjithmonë historinë e partive shushunja në vend, kjo është goditja fatale që mund t'u bëhet.

Një "bashkëqeverisje" e tillë PS-PD mendoj se bën sens. A e dëmton kjo marërveshje demokracinë nëse ndodh kështu? Mendoj se nuk e dëmton aspak. Nëse shqiptarët janë vërtet të mërzitur me dy partitë tradicionale, mund të ndjekin shembullin e grekëve të cilët nxorrën nga skena politike partitë tradicionale dhe ngjitën një parti të re në pushtet SYRIZA. Apo shembullin më të fundit të popullit francez, partia Macron brenda një viti arriti të rrëzojë nga skena politike partitë tradicionale në Francë. Pra, uroj që misteri i marrëveshjes të jetë në këtë llogjikë.

Por, nuk do të surprizohesha që pas 25 qershorit të rifillojnë sërish pazaret dy partitë e mëdha dhe jo vetëm që shushunjat të mos zhduken, por rrezik të shtohen më shumë.

25 qershori erdhi, të shohim ç'do të ndodhë!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco