Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Alternativë ndryshimi, forcë zhvillimi

Alternativë ndryshimi, forcë zhvillimi

Nga Dr. Erion Piciri - 10/06/2017

Disa ditë më parë vendosa t'i hyj politikës aktive, si pjesë e listës për deputet të Partisë Demokratike në Tiranë (numri 26). Nuk është një kandidaturë e mirëfilltë për deputet por një hyrje në sistemin tonë politik. Nuk është një garë, se sistemi ynë elektoral nuk e lejon sot garën e personalizuar, as brenda partisë dhe as me kundërshtarët. Një absurditet që paralizon energjitë kombëtare, përqendron pushtetin në pak duar dhe mohon marrjen dhe mbajtjen e përgjegjësive individuale.

Megjithatë, këtu nis një fushatë që do shtrihet në vite, një fushatë e transformimit të mendësisë, lidershipit dhe kthimit të Shqipërisë në vendin e mundësive për të gjithë.

Origjina e përfshirjes politike

Ndryshe nga shumë kandidatë që politika iu ka dalë rastësisht në jetë, që i ka joshur paraja a pushteti, rrugëtimi im në këtë fushë është i hershëm dhe jo rastësor, idealist dhe përmbajtjesor.

Si sot e afro 25 vjet më parë, tek endesha si emigrant rrugëve të botës, vendosa që t'ia dedikoj jetën ndryshimit të vendit tim dhe një ditë të merresha me politikë. Me ishte ndezur një revoltë ndaj atyre që na trajtonin si qytetarë të dorës së tretë dhe atyre që na kishin çuar në atë ditë të zezë. Shqipëria nuk duhej të qeverisej më kurrë nga njerëz të papërgjegjshëm që e kishin çuar popullin e tyre në kufijtë e ekzistencës, t'u hipte anijeve apo të merrte rrugët e mërgimit në këmbë, të flinte urave dhe shesheve të botës, në pragun e varfërisë absolute, i ç’përfytyruar dhe në disa vende i përbuzur dhe i diskriminuar. Tek shikoje të tjerët se si e kishin ndërtuar vendin e tyre mbas Luftës së Dytë Botërore, se si kishin ngritur një shtresë të mesme që jetonte plot mirëqenie dhe dinjitet, kuptoje se si mundi dhe djersa e prindërve tanë, kishte shkuar dëm nga një lidership i rremë që kishte gënjyer, keqtrajtuar dhe izoluar një popull të tërë.

Kur kthehesh pas në kujtimet e fëmijërisë kupton se rrugëtimi politik i çdo njeriu nis ndoshta edhe më herët. Historitë e prindërve dhe paraardhësve, janë ngjarje që të ndikojnë vizionin mbi jetën. Ndodhi të tilla kam pasur fatin t'i kem edhe unë si shumë të tjerë, përgjatë gjithë fëmijërisë time. Ato konturojnë ndër vite një memorie që furnizon pasionin për të luftuar dhe transformuar jetën e grupeve shoqërore të ngjashme me tënden.

Babain e kam pasur një punonjës të kualifikuar që luftonte për një botë më të drejtë, në atë mikrokozmosin e tij të punës, derisa iku nga kjo jetë i pakënaqur se jetoi në një botë të padrejtë, ku ai që punon shumë dhe ndershëm, jo gjithnjë merr atë që meriton, as edhe një shërbim mjekësor dinjitoz kur ka më shumë nevojë për të.

Mamaja më njohu që në fëmijëri me një padrejtësi historike, me një holokaust klasor, se si një regjim barbar dogji, plaçkiti, konfiskoi, vrau, burgosi dhe internoi masivisht banorët e hershëm dhe të pafajshëm të një vendi të fisëm buzë një liqeni të bekuar nga perëndia, vetëm prej të qenit më të shkolluar, më të kamur, më sipërmarrës, njerëz krenare për origjinën e tyre dhe që pasurinë e kishin vënë me punë të lodhshme. Aty kuptova se sa e trishtë është për një vend që nuk orientohet të luftojë varfërinë, por përndjek ata që kanë dalë prej saj, që investojnë dhe punësojnë të tjerët. Edhe mbas afro treçerek shekulli drejtësia nuk është vënë dhe njerëzit nuk mund të kthehen në shtëpitë, tokat dhe pasuritë e tyre.

Pa gjurmë të tilla është e vështirë të gjesh pasionin e politikës, kauzat për të cilat ia vlen të hysh dhe të luftosh në jetë. Aty kupton se indiferenca të fajëson, përulja të ndëshkon dhe lufta për një jetë më të mirë të nderon.

Veçse dëshira për t'u marrë me politikë nuk mjafton. Kjo është një fushë që kërkon njohuri të konsoliduara në disa fusha që lidhen me të, duhet të lëvizësh në këtë botë, të njohësh popuj të tjerë, kultura dhe histori, për t'iu shmangur etnocentrizmit, për të gjykuar në mënyrë racionale, larg çdo forme emocionaliteti populist dhe spekullativ. Një punë që duhet bërë me profesionalizëm se ndryshe mund të kthehet në një patologji të re për popullin tënd.

Formimi akademik

Me këtë qëllim në mendje në këto 25 vjet i jam kushtuar formësimit të këtij personazhi politik brenda meje, i aftë të kuptojë, mobilizojë, të luftojë dhe të drejtojë punët në dobi të komunitetit. Më ndodh që të dëgjoj se është një investim i çuar dëm. Politika në këto anë luhet si ajo muzika me vesh, se notat nuk të bëjnë punë, profesionalizmi është një handikap që të kthehet në bumerang. E thënë me fjalët e një pushtetari, 'ne na duhen djem të mirë, se për të zot jemi vetë'.

Sidoqoftë unë i kam hyrë këtij rrugëtimi edhe po të kthehesha pas do ecja në të njëjtën rrugë, duke i bërë disa gjëra edhe më mirë. Vjen një kohë kur dijet vlejnë, njeriu i duhur do shkojë në vendin e duhur, i gabuari do hidhet tej. Kohët ndryshojnë edhe disa prej nesh mund ta përshpejtojmë një proces të tillë, që politika mos jetë vendi i disa djemve që këtë punë e kanë tregti por i atyre që i kanë hyrë për të ndryshuar vendin për mirë. Se e fundit, profesionalizëm do të thotë ta bësh një punë me nder, ta bësh që të ketë sukses dhe nuk mund të mbushësh parlamentin me njerëz që s'kanë asnjë lidhje me këtë fushë.

Sot mbas 25 vjetësh i hyj politikës aktive jo vetëm me pasionin e rinisë por edhe me pjekurinë e moshës dhe një formim të konsoliduar akademik.

Studiova atje ku u formësuan disa nga personalitetet e patriotizmit dhe kulturës kombëtare si Ibrahim Temo, Lasgush Poradeci, Luan Topçiu e shumë të tjerë, apo atje ku studioi edhe presidenti aktual amerikan, Donald Trump. E nisa në qendrën e demokracisë antike Athinën, e vazhdova në një kryeqendër të Rilindjes Kombëtare si Bukureshti dhe e përfundova në një kryeqendër të botës moderne si New York-u, duke marrë për disa semestra leksionet e ndryshimit të vërtetë që ta injektojnë auditorët e Universitetit të Harvardit.

Ndër vite u mundova shumë të kuptoj politikën, të studioj shkencat politike, shkencat administrative, të drejtën ndërkombëtare dhe europiane, çështjet e sigurisë kombëtare, rajonale dhe kontinentale, politikat arsimore dhe shëndetësorë, menaxhimin dhe lidershipin, komunikimin politik dhe fushatat elektorale, ideologjitë, qeverisjen  dhe ekonominë. Ndonëse plot 16 vjet studime universitare, ku përfshihen dy fakultete, disa mastera, disa pasuniversitare dhe një doktoratë, gjithmonë ndjen se nuk je atje ku duhet për t’u ngritur në lartësinë e detyrave publike. Sa më shumë ecën në rrugën e njohjes dhe pervojes aq më shumë kupton se i vetëm mund të ndërtosh një sistem autoritar, por jo një shtet të suksesshëm modern. Për të na duhet bashkëpunimi me njerëzit me të zot të kohës, çlirimi i energjive kombëtare dhe besimi se sistemi shpërblen punën jo klanin dhe marifetin.

Një vendi si i yni, me nje prapambetje te trasheguar, nuk i duhen politikanë të rëndomtë, figurina të fabrikuara në laboratorët e politikes tradicionale por mbinjërez, politikanë të mirefilltë, luftarakë dhe bashkëpunues që dalin nga garat e ndershme dhe vota në masë. Këtu nis ndryshimi.

Konkurenca e ndershme në politikë hap rrugën e konkurencës së ndershme në cdo fushë, hap rrugën e ripozicionimit të grupeve të qënësishme shoqërore, të komunikimit të interesave, të perfaqsimit te tyre nga njerezit me te afte dhe te besueshem, te promovimit te politikave qe stimulojne reaksione ne varg dhe transformime te qenesishme ne plan social dhe ekonomik. Kjo konkurence e ashper dhe periodike hap rrugen e nje dinamizmi dhe pastrimi permanent, ku aktoret dhe perfituesit kryesore jane qytetaret, sepse energjia qe clirohet kthehet ne produkt konkurues ne plan rajonal dhe europian, sjell para, investime, punesim dhe mireqenie per te gjithe.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

F.12/06/2017 00:21

Pergezime zoteri per gjithe kete bagazh te jashtezakonshem diturish dhe per impenjimin qytetar,por me vjen keq se,me i zoti e me i ditur se ju eshte djali Fahri Balliut,Bardh Plaku,Besnik Fucia e nja pesedhjet te tjere sorollop te ketij lloji qe gelojne ne ate listen ku beni pjese dhe ju. Nuk e di se ku do ti mbillni keto ide te djathta qe keni. Kopshti ku doni te punoni eshte i pjerret dhe majtas lumit. Per fat te keq partite nuk jane vende ku shprehen idete e kujt ti teket.Idete i japin vetem shefat. As mos te te shkoj ne mend se do te gjesh lirine si ne ato vende qe pare. Partia eshte nje vend qe te shtyp personalitetin,por te jep perfitime ne perpjesti te zhdrejte.Sidoqofte te uroj sukses dhe sa me pak zhgenjim.

krasasi tp10/06/2017 15:41

Doktor Erion Piciri i 26 ne listen e PD per Tiranen. Tu thafte dora o z.Rama.Sa shume e paske ngulur lugen.Nga Ky vetem leksione demokracije kemi mare te gjithe.

Daj Jaku10/06/2017 15:27

Ju kam simpatizuar prej kohësh Doktor. Mendimet e tua për rrugën e lirisë së njeriut, për të djathtën e vërtetë kanë qenë mendimet e mia para 40 vitesh, bile edhe më parë, buronin dhe nga e shkuara e herëshme e familjes që pata fatin ti përkas. Shikoj tek Ju veten time në moshë të re dhe në kohën dhe vendin e duhur. Ndërsa unë zgjodha rrugën e emigracionit dhe të babait që sakrifikon zgjedhjet e tij për ti krijuar mundësinë bijve. Dhe koha kalon, nuk fal, nuk përsëritet. Zemra më bëhet mal kur shoh se idetë nuk zbehen, njerëz të përgatitur në mjedise të shëndosha, nëpërmjet sakrificave personale ose investimit të drejtë të familjeve të tyre, rikthehen në Atdhe për tu vënë në shërbim të përparimit, të ngritjes nga moçali shekullor, në shërbim të lirisë së vërtetë të njeriut e për konseguencë edhe të shoqërisë si grupim individësh të lirë. Askush nuk mund të jetë i lirë kur nuk janë të lirë të gjithë. Ju uroj suksese Doktor megjithëse rruga është shumë e vështirë. Kam besim që të paktën një ose disa tulla në ndërtesën Shqipëri e lirë do ti vendosësh të sigurta.

Shto koment

Denonco