Efektet e marrëveshjes nga LSI e poshtë

Efektet e marrëveshjes nga LSI e poshtë

Nga Enton Abilekaj - 23/05/2017

Ilir Meta u detyrua ta zhveshë kostumin e Presidentit menjëherë pas marrëveshjes Rama - Basha. Gjithmonë ishte shqetësuar për takimet e fshehta të tyre. Që nga dreka misterioze e Vjenës, të cilën e mohojnë të dy liderët e partive të mëdha, ky ishte takimi I parë I tyre kokë më kokë, në mes të Tiranës, 1 kat sipër zyrës së Kryetarit të Kuvendit.

Orët e gjata kokë më kokë, do ta nxirrnin në dritë paranojën në mendjen e Ilir Metës, edhe sikur ajo të mos kishte ekzistuar. Rezultati që doli, e konfirmoi frikën. Rama dhe Basha vendosën që të mos kishte koalicione duke goditur kështu të gjtiha partitë e tjera. LSI do të ishte përfituesja më e madhe nga aleanca me PS, ashtu si në 2013. Partia e parë dhe e dytë favorizohen nga sistemi zgjedhor të përfitojnë votat e të vegjëlve që nuk e arrijnë pragun natyral kur janë në një koalicion. Kur nuk janë në koalicion, votat e të vegjëlve që nuk e arrijnë pragun e një deputeti, ndahen mes gjithë partive që e kalojnë pragun. Këtu nis një llogari e re, që lë të pakënaqur të gjitha partitë që marrin vota sa LSi edhe më pak. Me 250 mijë vota, që ka rezultatin më të mirë deri tani, LSI mund të marrë teorikisht deri në 15 deputetë, duke qenë jashtë aleancës. Një rezultat pak më I keq se I 2013, kur arriti 16 vende në Kuvend, por shumë I varur nga rezultati I dy partive të mëdha.

Në hambarin e votave pa zot, të partive të vogla që nuk kanë arritur pragun, ndarja bëhet sipas përqindjeve në cdo qark. Me një llogari të thjeshtë në rang vendi, duke iu referuar 2013, PS do të merrte rreth 41 për qind, PDrreth 30 për qind, LSI rreth 10 për qind. PDIU në disa qarqe dhe ndonjë forcë tjetër mund të prishin këtë rregull në ndonjë qark, por në tërësi rezultati është I tillë. 19 për qind e votave pa zot do të ndahen pas 25 qershorit në tre pjesë, ku përfituesja më e madhe do të jetë forca e parë. Nga kjo llogari buron kënaqësia e Ramës nga marrëveshja dhe besimi I tij se mund të arrijë 71 vendet që I duhen pa ndihmën e askujt. Nëse PS do të arrinte 71, roli 8 – vjecar I LSI merr fund. I mbetur jashtë marrëvëshjes Rama-Basha dhe jashtë qeverisë, Meta do të duhej të shndërrohej në një politikan honorifik, si President pa asnjë kompetencë.

Kjo e ka detyruar Ilir Metën ta zhveshë kostumin e Presidentit, që iu duk komod në kushtet e krizës. Tani ai duhet të prishë një plan që ka pak gjasa të realizohet, por nëse realizohet I jep një goditje të rëndë LSI-së. Kundër planit të Ramës, ka një strategji të paprecedentë edhe Partia Demokratike, që I ka ftuar aleatët të konkurojnë nën siglën e saj. Për t’I shpëtuar fundit politik, aleatët e vegjël të PD-së, jo vetëm duhet të gëlltisin hidhërimin e tradhëtisë që ndjenë nga marrëveshja, por duhet të heqin dorë edhe nga siglat e partive të tyre në 25 qershor. Ndryshe nuk mund të jenë deputetë. Kjo skemë, në teori I rrit votat e PD si subject.

Nëse I referohemi rezultateve të 2013, përqindja e PD si subjekt rritet me 5 për qind. Po të llogaritet edhe konsumi partisë në pushtet dhe rritja e opozitës, PS dhe PD mund të arrijnë një rezultat thuajse të barabartë dhe të përfitojnë njësoj nga votat e partive të tjera që nuk e arrijnë pragun nëpër qarqe. Ky është një rezultat që I intereson shumë edhe LSI që, ashtu si në 2009, do të bëjë një fushatë të vështirë, por do të jetë e lirë të vendosë kë do të bëjë Kryeministër. Në teori, pritet të përsëritet viti 2009, por me kushte të ndryshuara, sic tha Ilir Meta. Këtë herë, LSI do të ketë komisionerë dhe numërues, do të ketë hapësirë mediatike të mjaftueshme dhe ndihmën e disa bashkive të mëdha që ka marrë në 2015. Në praktikë, skema e PD mund të mos e japë besnikërisht këtë rezultat. Aleatët si Agron Duka dhe Fatmir Mediu, nuk e pëlqejnë këtë skemë që I barazon me aleatët e tjerë me rezultate më të dobëta elektorale.

Agron Duka e mori guximit të shpallë daljen vetëm në zgjedhje, ndërsa Mediu do të vazhdojë besnikërisht në aleancën e PD. E vështirë për t’u përcaktuar është a do të jenë të motivuar votuesit e aleatëve të PD për të shkuar masivisht në votime, a do të luftojnë këto parti sic do të luftonin për siglën e tyre dhe a do të pranojë elektorati I këtyre partive të votojë siglën e Partisë Demokratike. Sidoqoftë Ben Blushi me LIBRA-n dhe Gjergj Bojaxhiu me Sfida për Shqipërinë u quajtën dy të humburit më të mëdhenj të kësaj skeme, por në fakt për ta nuk ka ndryshuar asgjë për keq, ndoshta për mirë. Ata kanë hyrë pa asnjë armë konvencionale në betejë, pa komisionerë dhe numërues, kjo nuk ka ndryshuar. Ndryshuan vetëm kundërshtarët, nuk janë më dy koalicione por 20 parti.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp23/05/2017 20:43

Kjo "Zgjidhja" e Kocos si i vajti puna, do garoji e vetme, apo ju reformua partija me pazarin.

Shto koment

Denonco