Big Mac

Big Mac

Nga Artan Hoxha - 21/05/2017

Marrëveshja Basha-Rama përmbylli ditën e tretë nga nënshkrimi. Sot Presidenti dekretoi datën 25 qershor si ditë zgjedhore. Nesër marrëveshja fillon të zbatohet përmes një serie vendimesh të seancës së jashtëzakonshme plenare të Kuvendit. Në vijim do të zbatohen pikat e tjera për të cilat mjafton firma e Kryeministrit.

Për synimin afatshkurtër, atë për krijimin e kushteve për zgjedhje normale, marrëveshja krijon një qeveri kuazi teknike me gjashtë ministra, një zv/kryeministër si dhe pesë drejtorë agjencish shtetërore me peshë, të propozuar nga Basha e të pranuar nga Rama. Krahas këtyre, e gjithë qeveria, administrata, policia, ushtria, sipas marrëveshjes, do të sillen si teknike gjatë gjithë fushatës.

Kryetari i KQZ-së dhe Avokati i Popullit i kalojnë opozitës. Sipas marrëveshjes, do të ashpërsohen dënimet ligjore për manipuluesit e zgjedhjeve dhe do të ngushtohen mundësitë e financimit të partive dhe fushatave. Marrëveshja parashikon ashpërsimin e luftës kundër drogës dhe pjesëmarrjen e opozitës në Task Forcën Kombëtare për këtë qëllim.

Marrëveshja parashikon bashkëpunim me synime afatgjata, mazhorancë e nesërme opozite e nesërme, për një reformë të plotë kushtetuese, reformë zgjedhore përfshirë mjetet elektronike në votim e numërim, si dhe reformë të prokurimeve dhe auditimit të shpenzimeve publike.

Marrëveshja tejkalon edhe propozimin McAllister edhe atë McAllister+ dhe, për nga volumi, e meriton emërtimin BigMac që i dha asaj Edi Rama. Por pyetja thelbesore është nëse marrëveshja është e shëndetshme. BigMac dihet që nuk është i shëndetshëm, përkundrazi. Aq me keq nëse, për hile, bëhet me mish dhie.

Kuazi teknike nuk është teknike. Ndaj, ndërsa marrëveshja ka shumë potencial për t’i zgjidhur çështjet ajo ka edhe virusin brenda – të njëjtin Kryeministër. Edi Rama është edhe shkaktari i gjendjes që solli krizën e besimit, edhe ofertuesi e nënshkruesi i marrëveshjes, edhe zbatuesi i marrëveshjes, edhe shkatërruesi i mundshëm i saj.

Që marrëveshja të funksionojë shëndetshëm për zgjedhjet e afërta e, pas tyre për demokracinë, shtetin ligjor, ekonominë dhe shoqërinë, ajo duhet zbatuar jo vetëm në gërmë, por më së pari në frymë. Për këtë del e mjafton që Edi Rama, të vijojë të veprojë në përputhje me ç’ka ka ofruar e nënshkruar, në germë e frymë. E, për të vijuar kështu, mjafton që Edi Rama të mos harrojë se ishin shembujt e forcës opozitare që e detyruan të vinte në këtë pikë. Me këtë në mendje i duhet të udhëhiqet, tash e tutje, nga forca e shembullit. Përndryshe, shembujt e forcës rikthehen aty-për-aty edhe me furishëm. /Syri.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Adnani25/05/2017 21:42

Dakord deri tek perfundimi, pra nese kryeministri e shkel marreveshjen, dyshoj shume se shembujt e forces mund te rikthehen aty per aty, e lere pastaj me furishem. Qofsha i gabuar.

dikush25/05/2017 19:14

Analize e sakte. realiste deri ne perpikmeri matematike e shkencore bazuar ne fakte te ndodhura e jo ne fantazira e paragjykime. Ne asnje nga "analizat" apo "opinionet" mediatike, nuk kam lexuar te thuhen gjerat kaq kjarte e sakte. Qe mareveshja te zbatohet me sukses, - thote me te drerjte z.Artan Hoxha, ajo duhet te zbatohet ne fryme e jo ne germa, me shqip, me vepra e jo me llafe. A thua eshte ndergjegjesuar Rama me se fundi se ai eshte problemi ?
Do ta shohim ne kete muaj te fushates elektorale, se cfare qendrimi do te mbaje ne zbatimin e kesaj mareveshje. e pranoi se nuk kishte nga t'ja mbante, apo e pranoi me bindje

emigranti22/05/2017 00:10

po ka nje zhgjidhje zoti hoxha qe kete te keqe populli me zgjuarsi ta largoje nga vetja duke e ndeshkuar me vote,te behemi te zgjuar nje here ta haje dreqi se gjithmone na kane konsideruar si dele keta qe na kane qeverisur per 27 vjet edhe sa do presim qe te na vine mrekullite nga qielli.

Shto koment

Denonco