Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Unë, çadra dhe Republika e Re

Unë, çadra dhe Republika e Re

Nga Artan Fuga - 20/05/2017

E mësova nga media që, pas mitingut të protestës së parë u ngrit çadra në bulevard. Nuk kisha asnjë dijeni më parë.

E vërteta është se opozita ishte rrudhur dhe nuk kishte më hapësirë të lirë në publik dhe vendim-marrje shtetrore. Opzota e përjashtuar! Mediat pothuajse ishin të mbyllura ndaj saj nën presionin absurd të qeverisë dhe të miqve e servilëve të saj. Anëshmëria e tyre shfaqej sheshit. Në Kuvend cfarëdo të kritikonte dhe të kundërshtonte opozita ishin dhe janë thjesht retorikë sepse me votë gjithçka vendosej në mënyrë krejt autoritare. Pushteti i parasë dhe i kanabizimit mbi nëpunësit ishte i frikshëm. Militantët e partisë në pushtet kanë marrë nëpërkëmbë gjithçka. Në marrëdhëniet e punës me mua, vija re se gënjenin pa pikë turpi, cinikë në kulm, lëre sesi hiqen tani kur lënë postin me një nënkuptim që nuk kanë turp ta deklarojnë, se ja ne do të vimë përsëri, personalisht, të marrim karrigen që kemi lënë sa për ca ditë dhe na e ka caktuar trashëgim stërgjyshi. Administrata mbushur me militantë të paaftë.

Nga kjo pikëpamje, pa asnjë anësi politike, e mbështeta si manifestimin popullor, dhe që ditën e parë thashë se Lulzim Basha ka hapësira përpara tij dhe se e gjitha ajo që po ndodhëte do të kishte një përfundim. Gjithçka që ndihte zgjedhjet e lira më dukej dhe duket shumë e mirë për të gjithë qytetarët, me përjashtim të disa shtresave dhe disa individëve që zgjedhjet e lira u prishin llogaritë e ndërtuara mbi bazën e përjetësimit të pushteteve. Në fakt të lidhesh me një pushtet të ri, pasi e ke pështyrë kur ka qenë në opozitë, ka kosto transaksionale të larta, themi në menaxhim.

Kur në çadër, e mbajtur me sakrificat e miltantëve opozitarë, nisi të artikulohet edhe ideja e një Republike të Re, në vend të rrangallës së vjetër që na ka rënë mbi kokë, mbështetja im u bë edhe më e lidhur me bindjet e mia. Kisha mbi dhjetë vjet që kisha artikuluar se modeli ekonomik dhe politik e kulturor, si edhe social, i vendit tonë, ka degraduar dhe po na mban në vend numuro.

Sulmet e Lulzim Bashës përfshinin të gjithë sistemin e mëparshëm dhe veç anëve që kishin shënuar progres, piKetonin edhe kritika pa i ndarë me partishmëri. Një retorikë e re lindi falë tij në bulevard.

+++

Kur emisari i lartë amerikan kërkoi që të bëhej kompromisi mbi modelin e propozuar nga Mcallister, isha ndoshta i pari që thirra: kapeni trenin! Isha pra për një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës! Pak përpara kisha bërë një analizë - thirrrje duke u munduar të tregoj se nëse vendi shkonte në zgjedhje pa opozitën, jo vetëm cënohej pluralizmi dhe vendi hynte në errësirën e monizmit, por edhe se për vetë dy protagonistët, Basha, Rama, e ardhmja e tyre politike bëhej e pasigurt.

Përse isha për marrëveshje? E para sepse të shkohej në zgjedhje pa opozitën do t’i shkaktonte Shqipërisë andralla të mëdha për muaj e ndofta vite. E drobitur Shqipëria, nuk i mban dot. E dyta sepse të huajt nuk kishin vullnetin ta kuptonin se në Shqipëri nuk kishte kushte për zgjedhje të lira. Në mënyrë formaliste ata ngatërronin disi zgjedhjet e lira me votimin e lirë që janë si dukuri kaq larg njera tjetrës sa Oqeani Atlantik me detin Adriatik. E treta, sepse shihja se shtresa të tëra të popullsisë ishin lodhur dhe donin zgjidhje. E katërta sepse sadoqë populli opozitar vinte në manifestime, energjia e tij ndihej e shterrur. E pesta sepse për Republikën e Re, Basha kishte mbetur disi vetëm edhe në partinë e tij. E gjashta sepse tjetër ishin ndryshimet në qeveri, që duheshin bërë edhe me pjesëmarrjen edhe kontrollin opozitar, tjetër kërkesa për heqjen e Edi Ramës si kryeministër i ardhur me votë që në fakt ishte si të kërkoje rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë.

Nga të dy palët gjendja po degradonte. mendoj edhe sot se lëvizja me qendër çadrën e lirive i kishte arritur qëllimet përpara se ta arrinte objektivat. Pushteti autoritar që po shkonte në zgjedhje me prepotencë kishte rënë disi nga kali.

+++

E vërteta sado ta mohosh e ta mbulosh me thes nuk mund të venitet. Opozita po hyn në zgjedhje duke pasur arritje që askush më parë në vend të saj nuk i ka pasur si garanci lirish në zgjedhje. Sigurisht asgjë nuk është përfundimtare. Cdo gjë pritet në këtë vend e në këtë republikë të degraduar ku normat dhe ligjet i fshijnë vullnetet e të fortëve legalë ose ilegalë. Por, edhe Rama, sado ta shajnë të tijtë, qefmbeturit, ka ruajtur pushtetin e qeverisë së tij, duke u lënë opozitarëve punën. Në një farë mënyre simbolikisht ai u ngrit administrativisht edhe mbi opozitën që e futi brenda sistemit të tij burokratik. Administrativisht e futi çadrën e opozitës nën çadrën e pushtetit të tij si kryeministër.

Cdo arritje nuk është perfekte, ka edhe të metat dhe kufizimet e saj.

Mirëpo brenda disa orësh mënyra sesi po shkonte procedura e marrëveshjesh filloi të bëhej shqetësuese. Këtu qendrojnë rezervat e mija, pse jo pakënaqësitë e mia, dhe jo mërzitë e mia sikurse shkruante dikush me vendqendrim institucional afër Lanës, duke botuar te gazeta e punëdhënësit të tij.

Opozita kishte detyrë morale dhe qytetare që marrëveshjen ta kryente sipas një morali të ri dhe sipas strategjisë për të arritur qëllimet në dobi të qytetarit, dhe jo thjesht për të barazuar forca e pushtete.

E para, mu duk pa vend që marrëveshja u kurorëzua kokë më kokë ndërkohë që takimi ishte mes partive politike. U kthyem te takimet e personalizuara që hedhin tej cdo karakter institucional të jetës publike dhe në radhë të parë transparencën e saj.

E dyta, më erdhi keq nga emfaza opozitare që konsideroi hyrjen në qeveri si fitore. U duk sikur mjeti na u shfaq si qëllim. Kjo nuk ishte qeveri koalicioni që të paraqitej kompromisi me ngjyra rozë dhe me festime. Ishte një modus vivendi që të dy palët do ta pranonin ku secili do të gjente hisen e vet politike, por do të ndiqte edhe synimet e veta. Nuk ishte një arritje, por fillimi i një përballjeje institucionale mes dy palësh, sigurisht brenda kompromisit, taktikave legale, etikës, dhe dëshirës për një Shqipëri më të mirë. 
E treta, çadra u hoq hajdutçe. Sikur të ishte një vend i turpshëm. Aty ishin premtuar se do të dilnin kandidatët e ardhshëm për deputet, aty do të kurorëzoheshin arritjet, dhe mendoja se aty mundej që Lulzim Basha të niste edhe fushatën për zgjedhje bazuar te idetë e Republikës së Re, që në fakt asnjëherë nuk u arritën të shpalosen konkretisht.

Lëvizja politike u institucionalizua te kompromisi partiak. Sikurse ka dhjketra vite që ndodh.

Burokratët e partisë dhe elitat partiake, deputetët e ardhshëm, morën energjinë e lëvizjes dhe u duk se hynë në kompromis mes patricësh, duke u mbyllur te hundët derën plebejve, të konsideruar thjesht si luajtësh shahu ose dame në ditët e ftohta të çadrës.

E katërta, platforma për qeveri të re, me ministra të propozuar nga opozita, ka mbetur ende edhe sot pa platformë politike. Edi Rama para elektoratit të vet po thotë se ata ministra do të jenë thjesht për të parë se mos qeveria bën ndonjë tender. Mirë e ka! Pra i sheh si roje nate, si kujdestarë konviktesh, si vëzhgues teveqela. Kjo ndodhi se nuk u negociua publikisht platforma e qeverisë. As platforma e largët e opozitës për ministrat e saj, as edhe plani dhe axhenda e tyre e punës. Qeveria nuk është grup i amullt individësh, është platformë politike. Në të kundërt është pa asnjë pasojë pozitive. 
E pesta, data 25 qershor ishte fatale. Nuk ka veçse tre ditë kjo qeveri të veprojë para sesa të fillojë fushata. Po dekriminalizimi i administratës? Po heqja e militantëve që nuk meritojnë sipas ligjit vendin e nëpunësit? Po hierarkia militante në bazë? Po ata që kanë grumbulluar parà nga kanabizimi i vendit dhe ndodhen në vende kyce? Pse tani kujton opozita i la qeveria të qarkullojë flukset financiare me tendera legalë?

Unë ndruaj se ministrat do të jenë në rolin e teveqelit! Jo për faj të tyre!

Ndërkohë, e gjashta, nuk ndryshoi ligji elektoral i cili është burimi legal i tjetërsimit të vullnetit elektoral. Vota jonë vidhet sipas ligjit pa pasur nevojë të grabitet nga të tjerë. 
Ndërsa kërkesa për një ndryshim edhe në raportet e administratës, lokale, e shtata, as nuk u mor në konsideratë, kur dihet se presioni mbi elektoratin bëhet në terren dhe jo nga zyrat e ministrave.

+++

Nisur nga këto rrethana, mendoj se ndonëse opozita gjeneroi energji të mëdha e të mundimshme, brenda paktit me qeverinë, ka lënë mangësi që e bëjnë aksionin e saj, të mos ketë impaktin e duhur në fushatën elektorale. Sigurisht, nga pikëpamja partizane kjo nuk është puna ime. As më intereson fare drejtpërdrejt. Madje ende nuk e kam vendosur si qytetar se për kë listë do të votoj. Do të shoh ecurinë e shahut politik! Por si qytetar jam i interesuar që ideja dhe vlera e Republikës së Re të përparojnë edhe në këtë fushatë zgjedhore.

Ndërkaq, cka numurova më lart, më kanë bërë të mendoj se ministrat në qeveri nuk do të kenë impaktin e duhur për një proces elektoral të drejtë e të barabartë. 
Ligji elektoral mbeti njësoj. Hipokrit. 
Për më tepër fushata e opozitës humbi argumentin kryesor, sepse kundërshtari politik tani nuk është më "Noriega", por lideri politik në qeverinë e përbashkët. 
Elektorati nuk beson edhe aq se fushatat zgjedhore janë reale, sepse gjykon se këta ashtu e kanë, shahen e grihen pastaj bashkohen e janë një sa herë ua do interesi. 
Duke marrë edhe kryetarin e komisionit qendror të zgjedhjeve, etj., opozita do të marri mbi vete të gjithë mbarëvajtjen e procesit elektoral. U duk se mori shumë lëshime, por u tregua e uritur për pushtet para kohe. Kujt do t’i ankohet për parregullsitë elektorale ? 
Por këto anë nuk po i zhvilloj më tej sepse janë elektoralizma dhe strategji elektorale që nuk më sjellin asnjë kënaqësi t'i bëj. 
Por, do të kenë pasoja politike. 
Gjithë shqetësimi është se pas zgjedhjeve si vështirë, në mos e pamundur, të krijohet ajo shumicë që do të dëshirojë të ecet drejt Republikës së Re.

+++

Gjithsesi, uroj që qeveria të jetë garante e zgjedhjeve të lira, dhe përllogaritjet e liderëve politikë të shkojnë drejt së mirës qytetare. Por, e dinë ose jo ata, po ua them :

Besimi i qytetarëve te politika, partitë politike, institucionet politike është shumë i ulët. A e dinë vallë? Mos vallë ngatërrojnë qytetarin me militantin?

Të jenë aq naivë vallë sa t’u besojnë këshilltarëve të tyre ?

+++

Si përfundim e ritheksoj : 
Idetë mbesin, individët vijnë dhe ikin !
Unë vazhdoj të mbështes me gëzim dhe haré, krejt i lumtur, cdo të ri ose të re, cdo të lirë ose të burgosur, cdo fajtor, ose mëkatar, apo ëngjëll të virgjër, cdo emigrant ose fermer, cdo këngëtar ose balerin, cdo burrë dhe cdo grua, cdo fëmijë të rritur dhe cdo të rritur fëmijë, çdo të aftë dhe cdo të paaftë, cdo zdrukthtar ose bojaxhi, cdo lopçar ose cdo shitës bananesh, cdo të sinqertë dhe çdo hipokrit, cdo fjalëpakët dhe punë shumë si edhe cdo punëpak dhe fjalëlumë, këdo pra, që angazhohet për një Republikë të Re, me ose pa x, y, z,, me ose pa këdo, me ose pa mua, unë kam 15 vjet që propagandoj, dhe do të vazhdoj ta propagandoj edhe 150 vjet të tjera!
Idetë mbesin, individët nuk janë veçse mjete për t'i cuar përpara ato. Ka që ecin, ka që mbesin!
Shqiptarët kurrë nuk do të gjejnë paqe, begati dhe dinjitet me këtë model qeverisjeje pa ndarje pushtetesh, ku partitë uzuropojnë shtetin, ku nëpunësi është militant, ku studentit i japin dogma për të mësuar dhe një pacavure letre në xhep duke e rrjepur nga lekët, ku teknicieni i aftë shkelet me këmbë në emër të servilit që leh dhe lëpin, punonjës i paguar si skllav pa të drejta në punë, ku kryetari i cdo qeverie në këto tre dekada është shumë më i fortë se çdo diktator i kaluar sepse është edhe emëruesi i Presidentit, edhe kryetar partie, edhe kryetar kuvendi, edhe kryetar territori, edhe drejton politikisht edhe ekonominë edhe shkencën, edhe arsimin, edhe shëndetësinë, si fabrikë vdekjeje, me pensionistë me rroba të palara e pahekurosura, të përdorura, me gra veshur me tuta nga varfëria ku padrejtësisht i kanë zhytur, ku pasuritë kombëtare i kanë vjedhur, tharë zhdukur, i izoluar nga Europa dhe nga Perëndimi, pa libra, drama, kulturë popullore, pa teatro, filma dhe me propagandë 24 orëshe, pa një sistem politik modern, demokratik, sikurse në vendet e përparuara me demokraci të pjekur, që edhe atje po e përpunojnë sërish, përndryshe pas cdo dështimi të madh do të mbesim skllevër, leckamanë dhe e shumta derra me bark të nginjur nga copa buke të thara.
Ajo që mungon do të vijë! 

*Marrë nga Facebook-u i Akademikut Artan Fuga

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp21/05/2017 15:04

I kapen per veshi perendimoret sic e meritonin dhe ju cuan para pika te panegocushme."Mos firmosni po ua mbajti".Ne 1992 populli shqiptar ne shumice dermuse votoji demokracine.Pas 25 vjetesh populli filloji ta perceptonte demokracine si nje sistem te deshtuar pikerisht per shkak te keq qeverisjes.Dy partive te medha nderkombetaret ju kane vene perpara edhe nje liste tjeter te gjate e te hollesishme per cdo hap qe do hedhin dhe reformat qe do duhet te realizojne, per integrimin e vendit ne BE.Do bashkeqeverisin te dy(PS-PD) nen vezhgimin e rrepte te perendimoreve dhe qytetareve.Po ua mbajti, le mos ti bejne detyrat. Cadra eshte ne magazi gati.Ne rast deshtimi cadren nuk e ngrene me partite, por nderkombetaret dhe qytetaret.Ne fund sipas ritmeve te punes dhe ecurise se reformave, do vijne edhe "karamelet"nga nderkombetaret per te gjithe.Reforma ne drejtesi eshte nji "barre" dhe investim i SHBA dhe BE.

Votuesi21/05/2017 09:17

Si shume gjate i ke rene profesor e skemi kohe tu vime pas, marreveshja e fundit me shume se sukses eshte pazar per te mis u demtuar ata vete dhe asgje per kombin, me keq se kaq shqiperia nuk ka se ku shkon, Rama kishte frike se i ikte pushteti shpejt pa opoziten ne zgjedhje, kurse Basha duke genjyer me pica, qofte birra e lojra shahu mbeshtetsit do arrinte dicka,Pra Rama kishte frike nga monizmi pas zgjedhjeve , por cudia do vije pas tyre ku PD dhe PS do qeverisin se bashku si motra te te njejtes parti e punes.

Pranvera21/05/2017 06:54

Respekte, respekte!
Kete qe Ju propagandoni shpresonim dhe ende e shpresojme.

Salvo20/05/2017 23:57

Idealizmi i filozofise politike hegeliane ka kohe qe eshte terratisur edhe nga Evropa, dhe nuk ze vend ne Shqiperine me nje kapitalizem te cartur dhe ende te paformuar mire.

shkodrani20/05/2017 23:47

Shum i sakte prf. dok. Fuga ju pergezoj që jeni kaq i sinqerte ne shkrimet tuaja që përputhen plotesisht me idete dhe mendimet e njerezve te ndershëm pa asnjë lloj interesi përsonal --- nuk ke qi shton komentit tuaj sepse ti je futur nga dera kryesore ballazi ditën dhe shum i vendosur je shum i qarte dhe je si ai ilaqi i mirë që kërkon ta largosh edhe përqindjen e fundit të mikrobit të të keqes nga Republika e sëmur deri tani --- prf. Fuga ju e njifni mirë historin e Turqise besoj dhe rolin e Ataturkut ne krijimin e Republikes së re Turke dhe Shqipëria kërkon sot nji Ataturk po cili i ngjason ndopak Qemalit origjinal me prejardhje shqiptare ?! , po ti kthehemi historis tonë gjejm aty ZOGUN , HOXHEN dhe prf dok BERISHEN të cilet u munduan te marrin rrolin e Ataturkut ( të themelonin Republiken e Re ) nga keto tre burra shteti ZOGU krijoi diçka , HOXHA e bëri 100% Republiken që donte , dhe dok. BERISHA u mundua dhe bëri shum për Republiken e Re ( por nuk bëri ma te miren , perfekten se bani dot ) --- tani kemi Ramen Bashen dhe Meten te tre muskutjer jo me muskuj po me miljarda nga këto të tre Meta me duket më seriozi dhe afër popullit ka sjellje prej burri shteti ka elementa që shqiptaret populli yne i gjene tek Ilir Meta ndersa Rama me Bashen jane pak si lapera mashtruesa përçmuesa ndaj të varferve të thjeshtet nuk i honepsin duan vetem luksin dhe shtresen e larte dhe mbi të gjitha janë hajduta të mëdhenj si njeri si tjetri ( fshati që duket sdon kallauz shifi ku jetojn si jetojn dhe sa harxhojn ) dhe mbi të gjitha shiko si ja dhanen doren njeni tjetrit pas takimit aty kupton shum profesor -------------- (( my opinion is dok Berisha ashte i ndershëm dhe ndershmëria e ka mbajt kaq gjate në politik Topalli gjithashtu dhe Majko padyshim )) --- prandaj i dashur prf Fuga duhet me prit akoma me gjet Ataturkun me kriju Rrepubliken e Re

Shqiptari00120/05/2017 22:47

Profesor jeni perfekt ne ligjeraten tuaj. A kemi ndonje shans ta themelojme ne te dy (dhe kushdo qe e ndjen dhe eshte i gatshem) ate republiken e re?...Ashtu sic Ju e dini ,ashtu dhe une e kuptoj qe mund te mos behet fare per nje republike tjeter ,por per nje sistem te ri politik .Me pak fjale nje forme tjeter sistemi. Ndoshta NE per te kuptuar te ardhmen duhet te njohim me mire te kaluaren! Respekte.

Artan-mavria20/05/2017 22:27

O Artan! Ende nuk e ke te qarte se Cadra eshte ngritur me marreveshjen e fshehte Edi me Lulin qe te arrinin ne kete pike?! A e kupton se me kete marreveshje u bashkua Partia e Punes? Po nuk e ke kuptuar kete, hidhe poshte diplomen e filozofit dhe kerkoi Erion Velise te te caktoi ne skuadren e gjelberimit te bashkise.

Shto koment

Denonco