Zgjedhjet pa ‘Vaterlo’

Zgjedhjet pa ‘Vaterlo’

Nga Ndriçim Kulla - 19/05/2017

18 qershori është dita e Betejës së Vaterlosë. Fjala “Vaterlo” është bërë tanimë një figurë letrare që tregon një humbje totale. Këtë vit dita e dekretuar e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri koincidoi me ditën e Betejës së Vaterlosë. Sigurisht që nuk ishte ky qëllimi i Presidentit të Republikës kur dekretoi ditën e zgjedhjeve. Për shkak të afateve që impononte ligji zgjedhor, Presidenti kishte mundësi të zgjidhte vetëm mes dy të dielave në gjysmën e dytë të qershorit dhe ai zgjodhi më të afërtën. Koincidoi që kjo të ishte dita e Vaterlosë.

 Edi Rama, i nxitur dhe nga ideja e gabuar për veten si lider me përmasa globale, e shikonte veten në zgjedhjet e ardhshme si Napoleonin në Vaterlo, por si Napoleonin fitimtar, jo si atë të vërtetin që humbi në Vaterlo. Ai mendonte se do ta mundte opozitën me ushtrinë elektorale të hashashit dhe se ndërkombëtarët do t’ ia njihnin zgjedhjet.

Kur opozita e pa se donin ta futnin në një “Vaterlo” në 18 qershor, duke e detyruar të hynte në zgjedhje ku nuk kishte asnjë garanci për mbrojtjen e votës nga regjimi i hashashit, lideri i opozitës, Lulzim Basha, me kurajë të madhe nisi atë që mund ta quajmë fushatë proteste të pandërprerë. Opozita e bëri të qartë me një qëndresë tremujore se nuk do të pranonte që të bëhej fasadë që zgjedhjet të dukeshin si pluraliste. Basha, i vënë para perspektivës së “Vaterlosë” mori rolin e drejtuesit të rezistencës për të përballuar ofensivën e ashashit e cila do tu jepte përfundimisht fund zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Kryeministri Rama e akuzoi opozitën se kërkonte pushtetin në tavolinë. Por opozita kërkonte vetëm garanci se pushteti nuk do të përtërihej me një mandat të dytë në tavolinë. Pra opozita nuk kërkonte që qeveria të nënshkruante “Vaterlonë” që para zgjedhjeve, por të nënshkruante paketën e garancive se do të kishte një betejë të ndershme elektorale.

Erdhën dhe ikën negociatorë ndërkombëtarë nga Europa dhe për një çast u duk se kryeministri Rama i provuar si mjeshtëri spetakolar i trukeve dhe manipulimeve u duk se ia arriti qëllimit të tij që të bënte zgjedhje pa opozitën që do t’ i njiheshin si të ligjshme dhe legjitime nga ndërkombëtarët. Disa përfaqësues të vendeve të rëndësishme partnere madje bënë deklarata në këtë frymë. Për një çast u duk se në “Vaterlonë” shqiptare do të fitonte “Napoleoni”. Por lideri i opozitës Basha me durim i sqaroi të gjitha këto dyshime të ndërkombëtarëve. Nuk ishte një betejë e lehtë. Ashtu si në Vaterlonë reale ku Napoleoni hodhi Gardën e tij në një sulm të fundit, Rama hodhi mediat pranë tij në një sulm me lajme të rreme. Udhëheqësi me delir napoleonik e humbi edhe këtë betejë.

Njeriu që shiti moral politik për muaj të tërë, pësoi një “Vaterlo” morale, kur pasi kishte thënë për muaj të tërë se mjafton që opozita të pranonte të votonte Vetingun dhe ai do t’ i jepte çfarëdo që ajo kërkonte, mjaft që atë ta miratonin ndërkombëtarët. Në fund e harroi Vetingun dhe refuzoi për shumë orë projektin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës.

Në fund, Rama, pasi e pa se nuk e çonte dot opozitën në “Vaterlo” u detyrua të pranonte zgjedhjet pa “Vaterlo”, pra zgjedhjet me garanci për opozitën. Me këtë ra edhe 18 qershori që u shndërrua në ditën e planeve për “Vaterlonë” zgjedhore. Kështu nuk do të ketë “Vaterlo” as për Ramën, as për Bashën.

Nëse ka “Vaterlo” në këtë histori ajo është e tillë për ndonjë lider që bënte lojë të dyfishtë, duke iu paraqitur “Napoleonit” në pushtet si “Grushi”, gjenerali i forcave të rezervës që pritej të vinte në ndihmë, dhe “Uellingtonit” opozitar si “Blyheri”, komandanti i ushtrisë aleate që pritej t’ u vinte në ndihmë anglezëve. Kështu do t’ i gënjente të dy palët. Ky lider dështoi sepse në skenën shqiptare të “Vaterlosë”, “Napoleoni” dhe “Uellingtoni” u morën vesh mes tyre se lufta nuk i shërben asnjërit.

Basha dhe Rama hynë së bashku në historinë e politikës shqiptare, dhe tani kanë shansin që në të ardhmen ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre, duke mos lejuar që ai të dështojë shpejt si Marrëveshja Nano-Berisha e vitit 2002, që nuk pati jetë të gjatë. Marrëveshja e tanishme rrezikohet më shumë nga ata që duan ta prishin nga jashtë, se nga brenda. Që tani kanë nisur zërat kundër marrëveshjes Rama-Basha, që duan ta prishin atë që e shohin si një “Mukje” të re. Marrëveshja Rama-Basha ka edhe kundërshtarë të huaj, dhe kjo nuk është një teori konspiracioni. Tani iu del detyre atyre që ishin faktori kryesor në arritjen e marrëveshjes, aleatëve tanë strategjikë amerikanë, që ta mbrojnë marrëveshjen nga rreziqet që vijnë nga jashtë vendit, se nga rreziqet e brendshme janë në gjendje ta mbrojnë të dy liderët nëse e kanë këtë dëshirë.

Basha e provoi tanimë se e ka këtë të dëshirë. I mbetet Ramës që të provojë këtë gjë, pasi ai duhet që ta menaxhojë marrëveshjen në kontekstin e aleancave të tij politike me partnerë që janë shumë të pakënaqur me marrëveshjen. Ata mund t’ i kërkojnë të zgjedhë mes Bashës dhe atyre. Sepse marrëveshja Rama-Basha për aleatët e Ramës hap perspektivën e “Vaterlosë”, pasi ata mendonin që ishin të domosdoshëm për Ramën. Por kjo është nga ato “Vaterlo” konstruktive për të cilat ka nevojë politika shqiptare që të pastrohet një herë e mirë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Jurgen20/05/2017 13:12

Si mbas Kokes dhe qeleshen kti Populli Truthare. Basha arrit me shume sec mund te mendohet te arrije nje Oposite.
Me perkrahes -Judas- dhe nje popull qe nuk proteston nuk mund te arrihet me shume. Po te kishte vazhduar Basha me kerkesat e tije do i mbylleshin 100% dyert. wendimi kishte ardhur Oposita e re u krijua edhe LSI po pregatitej per Oposite. Populli truthare do sgjidhte njerin apo tjetrin. Keshtu qe, nuk behet fjale vetem per oferten ‘McAllister’ duhet te merrej me shume dhe u moren 3/4 e asaj qe duhet te merrej. Apo se kuptoni? Basha beri te pamunduren po ta kishin mbeshtetur forte e mos kishte te cara dhe Thika pas shpine do arrihej me teper. Me sahan lepieres dhe bukshkale kjo ichte e vetmja alternative e mbetur. presim te vije MESIA te na shpetoje pa levisur askush By...... dhe kur nuk del sie e kemi menduar lehim. Prandaj dy duar per nje koke. Bashes nuk i ngeli gje tjeter vec te forcoje positat ne Parti dhe te marri pak pushtet per te realisuar programin vetem. por ju harroni qe qeveria u detyrua 2 here te ndrohet prej cadres se Bashes, ku e keni pare kete gje?? Qe nuk ben shum njeres te lumtur eshte me se normale, sidomos Partite e vogla, sie kerpudha pas shiut, te oposites artificiale sajuar nga Edi.

krasasi tp19/05/2017 19:42

Z.Rama do ti permbahet marreveshjeve kok me kok ne mes te nates?.Une nuk e besoji.Kur te ndodh, do ti them asaj kryedoganistes qe e quajti z.Rama Skenderbe,hallall i pac te gjitha .

Shto koment

Denonco