Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Rama & Basha pas marrëveshjes dhe një rresht për Ilir Metën

Rama & Basha pas marrëveshjes dhe një rresht për Ilir Metën

Nga Poli Hoxha - 19/05/2017

Edhe pse politikanët shqiptarë jetojnë në një territor mesdhetar me shume diell dhe ditë të gjata, duket se “vendimet e mëdha” parapëlqejnë ti marrin gjithmonë natën. Kështu ndodhi edhe në 18 Maj 2017, duke gdhirë 19-ta. Edi Rama dhe Lulzim Basha u mbyllën për orë të tëra në sallat e Kuvendit të Ilir Metës i cili morri pjesë në këtë marrëveshje që do të lërë shenjë të fortë në tranzicionin e gjatë shqiptarë, vetëm me shoferin dhe makinën e tij që bënte xhiro në oborr.

Tashmë dihet struktura momentale dhe afatgjatë e këtij pakti të bërë në kushtet e “Omertës”, duke kapur në befasi shumicën e opinionit dhe veçanërisht lojtarët që vërtiten në politikën shqiptare. Gjithashtu është herët për të thënë, se çfarë do të prodhojë kjo marrëveshje, pas 25 Qershorit, por sot mund të analizojmë qoftë edhe përciptas pozicionet momentale të Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës. Jemi në ditët e bilancit mediatik, por veçanërisht atij që bëjnë palët protagoniste.

 LSI e Ilir Metës në fakt u la egër, (për këtë ndihmoi fort edhe vetë), jashtë kësaj ngjarje madhore politike, por pikërisht për këtë, pozicion i ri i saj në fakt tani është vetëm një “punë e brendshme” e saj. Nëse deri pasditen e 18 Majit Ilir Meta po flinte mbi dafina, sot e gjen veten jashtë autostradës që inauguroi Rama & Basha, në një rrugë plot ferra.

Edi Rama

Ai po shfaqet i relaksuar dhe i qetë. Shpëtoi karrigen e tij, opozitën e futi në zgjedhje, ndërkombëtarëve ju tha që është si ata, tolerant dhe burrë shteti, Metës i uli kokën dhe jo vetëm atë... Tani po përpiqet që të shpëtojë blofin, investimin 3 mujor që synonte ta paraqiste atë si triumfator i vetëm, që i solli popullit drejtësinë e ëndërruar. Karta e Vettingut ju dogj, por atij nuk i mungon guximi dhe pacipësia që edhe kur kapet me presh në dorë, ta paraqesë veten si roja i bahçes.

 I dështoi gjithashtu ajo pikë e planit, për të përçarë dhe çuar drejt asgjësimit Partinë Demokratike, por ka shansin që të realizojë ëndrrën e tij për të asgjësuar LSI-në dhe ta shpallë tashmë hapur, si “Arsyeja e madhe”, e dështimeve. Pas atyre që ndodhën gjatë 3 muajve të vështirë të Çadrës, rolit prej ‘Jagoje’ të Metës, Lulzim Basha është në të drejtën e tij që të rrijë e vështrojë, sesi Rama do të realizojë operacionin për shkërmoqjen fillimisht dhe pastaj thithjen e anëtarësisë së LSI-së, në gjirin e Rilindjes.

Tani që marrëveshja është një fakt i kryer, Edi Rama po nxiton ta paraqesë realitetin sikur po hyn në zgjedhje pa një qeveri të tijën. Në fakt ky është një mirazh. Një truk, që edhe Lulzim Basha e di që është i tillë. Ministrat teknik të opozitës, mund të shërbejnë vetëm si dordolecët e fushave me drithë për të trembur galat. Vetëm atë fuqi kanë për zgjedhjet e radhës; “frika ruan vreshtin”. Gjithsesi e gjitha kjo ka një vlerë historike, nëse dy politikanët absolutisht më të fuqishëm të vendit do ti qëndrojnë në të ardhmen e afërt atyre pikave të marrëveshjes, që hedhin farën e të ashtuquajture “Republika e Re”. Kjo qeveri gjithëpërfshirëse mund të përdoret si një model i asaj, që do të realizojë Reformën Zgjedhore, Kushtetutën e Re dhe të hapë negociatat për anëtarësimin në BE.

Por le të kthehemi në aktualitet.

Edi Rama ka më shumë se një vit, që ka nisur fushatën elektorale duke shfrytëzuar me mjeshtëri kartën që di të përdorë më së miri; populizmin. Tashmë ka mbaruar punë me legalizimet, amnistitë për taksat, këstet për të përndjekurit, kompesimin e ish-pronarëve. Deri në 25 Qershor është koha për të mbledhur të vjelat.

Nga ana tjetër pas marrëveshjes së arritur, kanabisi nuk mund të bëhet kërp. Njerëzit që organizuan dhe përfituan nga operacioni gjigant i kanabizimit gjatë vitit të shkuar, mund të jenë ca të mërzitur dhe pak të frikësuar, por janë po këtu mes nesh, me miliardat e përfituara. Borxhi dhe detyrimi që kanë ndaj Ramës për këtë fushatë elektorale, është po i njëjti. Edhe koncesionarët, oligarkët, pronarët e medieve që kanë përfituar sheshe ndërtimi, kioska e kushedi se çfarë tjetër, nuk janë tretur pas 19 Majit. Do të sofistikohen gjatë këtij muaji fushate në qëndrimet ndaj Bashës dhe opozitës, por ustai i tyre ngelet po ai.

Edi Rama nga një shpirtkazmë, që deri pak ditë më parë “për hir të Vettingut” kërkonte hapur eliminimin e PD-së dhe themelimin e një opozite të re, tani shfaqet si një “gjysh krishtlindjesh” që shpërndan plot zemërgjerësi dhurata pushteti, për Çadrën. Në fakt, duke shfrytëzuar zhvillimet gjeopolitike në rajon (SHBA ju përgjigj Rusisë me një goditje të vetme në Ballkan, duke zgjidhur krizat brenda 24 orëve në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri) dhe situatën “detyrim-përcaktimi” ku u ndodh Basha nën presionin e ndërkombëtarëve, ai ka shpëtuar momentalisht përgjegjësinë direkte të tij, për drogën dhe korrupsionin galopant ku është zhytur vendi. Por gjithsesi mund të themi se është treguar lojtar i klasit të parë. Nëse do të jetë e vërtetë se këtë skemë bashkëqeverisje, do ta vazhdojë edhe pas zgjedhjeve për të mbyllur reformat e fundit dhe çuar vendin drejt BE-së, atëherë do ta meritojë shprehjen e Viktor Hygo te “Viti 93”, e cila pak a shumë është;

“Dekorohesh me urdhrin më të lartë se shpëtove anijen...pushkatohesh, sepse si kapiten rrezikove ta mbytësh anijen”.

Lulëzim Basha

Edhe ai është sot, më i qetë dhe i relaksuar. Pa diskutim që është jo vetëm fituesi i madh i betejës 90 ditore më të pabarabartë dhe të paprecedentë gjatë pluralizmit shqiptarë, por edhe themelues i një modeli të ri në politikën e atrofizuar shqiptare. Një konfigurim i idealizmit me pragmatizmin, i vendimeve të momentit dhe piketimit të së ardhmes; i vendosmërisë dhe elasticitetit. Përveç disa mizave (Pse nuk hyn në zgjedhje-pse hyre në zgjedhje?!) që do të vazhdojnë ta bezdisin edhe pak kohë, Lulzim Basha përfundimisht ka siguruar protagonismin e padiskutueshëm në fatet e vendit, edhe për disa dekada. Do të vazhdojë të dëgjojë edhe hungërimat e atyre që kërkonin “Republikë të Re”, mbi gërmadhat e së vjetrës. Por do të qetësohen edhe ata një ditë, kur të kuptojnë se strategjia e Bashës për të vënë “Republikën e vjetër” tashmë të gjunjëzuar, në shërbim të themeleve të së resë, tani në shekullin e 21-të është e vetmja mënyrë edhe pse e shtrirë më gjatë në kohë, që ky vend të bjerë erë perëndim.

Nëse sot të gjithë ëndërrojnë të jenë në pozicionin që ka ai ka, shumica vetëm pak ditë më parë kishin kamat gati për ta masakruar, nëse Rama dhe ndërkombëtarët, nuk do të tërhiqeshin përball “kokëfortësisë” së tij. Në fakt ditët e fundit, ai ngeli vetëm me një grusht “çadristësh” dhe pak zëra mediatik. Nga kundërshtarët, deri te të vetët bëhej fakt i kryer se biletat e avionit dhe valixhet e familjes Basha për në Asterdam ishin gati.

Kështu thanë edhe përpara 21 Korrikut të vitit të shkuar, kur as më të çarturit nuk do të donin të ishin në vend të tij. Sot si atëherë në përplasjen e madhe për Reformën në Drejtësi, Basha nuk fitoi një betejë, por një luftë të egër, të pabarabartë, me shumë beteja brenda që zhvilloheshin njëkohësisht.

Beteja e parë, thellë-thellë ishte personale dhe brenda llojit. Në fund të katër viteve si kryetar i Partisë Demokratike, perceptimi se ai ishte “i dobët si lider”, “i pavendosur” që nuk i çonte dot deri në fund kauzat e nisura etj etj, ra përfundimisht.

Kryemjeshtër i përpunimit të opinionit, se ai “është i marrë fund”, “I iku edhe shpresa Ilir Meta” pasi mori Pallatin e Brigadave, deri pasditen e datës 18 Maj ishte Rama, me mediet e veta. Por nuk ishin të pakët që ju bashkuan këtij kori, edhe zërat brenda opozitës dhe vetë Partisë Demokratike.

Fitorja e Bashës në betejën historike për dekriminalizimin, Reformën në Drejtësi, kur bëri që edhe Nuland, Merkel dhe Hann të kthjelloheshin, nuk u mjaftoj. As ndërkombëtarizimi i çështjes së drogës, së fundmi. Atëherë e kryqëzuan, se përse nuk nxirrte popullin në demonstrata. Gjatë epokës së Çadrës e akuzonin se përse nuk thyente xhama, digjte goma dhe pushtonte zyrën e Ramës.

Por strategjia e tij, “asnjë lule e këputur”, doli “plumb ballit” për Edi Ramën që nxiste të kundërtën. Në ditët e fundit të Çadrës pasi i rezistoi edhe McAllister dhe gjithë kancelarive të Brukselit dhe kur menduan se “Rilindja” përkrahej pa kushte prej tyre dhe nuk lëvizte, u rreshtuan në tribunën e spektatorëve, për të kundruar ca me keqardhje e ca me gëzim të shprehur hapur, Bashën të vetëm në arenë. Jo vetëm kundër Edi Ramës, por edhe si jua kishte përpunuar mendjen kryeministri, përballë dy superfuqive të botës, SHBA dhe BE.

Në gjithë këtë situatë, kur edhe aleatët po lëkundeshin orë pas ore, Basha vërtet u duk i vetëm mes një “grushti anonimësh” në Çadër. Por nuk ishte ashtu. Vlerësuesit e kauzës së tij dhe dashamirësit perëndimorë jashtë arenës së Tiranës, ishin pesha më të rënda se ato që do të donte të kishte përkrah këtu.

E vërteta është se Basha dështoi momentalisht të detyronte largimin nga karrigia e kryeministrit, Edi Ramën. Nuk arriti që ta fusë vendin në zgjedhje me një Reformë të thellë Zgjedhore dhe Kushtetutë të Re. Ai e di mirë gjithashtu që narko-shteti, nuk çmontohet dot me qeverinë gjithëpërfshirëse që ka firmosur.

Por ashtu si me dekriminalizimin, betejën për Reformën në Drejtësi, ai provoi se nuk ka asgjë të pamundur. Se Edi Rama dhe “Rilindja e tij janë “kështjella” me themele të shkërmoqura, e arkitrarë të krimbur. “Mali që nuk bëzan” ashtu si gjithçka tjetër e Ramës ishte mirazh, fasadë, një truk.

Shumëkush e quan marrëveshjen që bëri me Edi Ramën, si një pazar momental, zbythje, tradhti të kauzës. Mund të jetë edhe kështu, nëse Lulzim Basha është një naiv apo fajdexhi që merr fitimin në errësirë dhe shkon e feston në mejhanen e radhës. Por gjatë betejave të forta që ka udhëhequr këto katër vite, nuk na rezulton i tillë. Duket sikur më shumë, ai e ka hedhur vështrimin përtej këtyre pak mujve dhe kësaj fushate zgjedhore.

Të gjithë po shohin te marrëveshja Rama-Basha e 18 Majit, ministrat dhe drejtoritë që ka marrë opozita. Ca të tjerë “lehtësinë” e dhënies së Vettingun, apo si dhe sa ja futën LSI-së dhe partive të tjera më të vogla. Unë shoh që më shumë se çdo gjë kërcasin plot shpresë, ato pikat ku flitet për dakortësinë se integrimi në BE është emergjencë; Kushtetutën e Re dhe Kodin e Ri Zgjedhor me gjithë votim-numërimin elektronik.

Janë kurthe për të justifikuar pazarin? Ndoshta, por le tu japim kohë deri në Shtator, kur të mblidhet parlamenti i ri. Është hera e parë në 27 vite, që më në fund janë në axhendë në mënyrë të tillë dhe përfundimtare.

Si përfundim pas gjithë kësaj kemi një Lulzim Bashë në sytë e opinionit dhe brenda Partisë Demokratike, që është blinduar si një lider i provuar me integritet dhe largpamës. Por edhe në raport me Edi Ramën apo Ilir Metën dhe faktorë të tjerë, kemi një Bashë krejtësisht tjetër: I denjë pa diskutim si politikan apo aleat dhe po aq “i frikshëm”, si kundërshtar. Për ndërkombëtarët...”Ylli në ngjitje” që paralajmëroi Arvizu, tashmë është në qiell duke shkëlqyer fort.

Ilir Meta

Tani për tani, se edhe shkrimi u zgjat shumë me Ramën dhe Bashën, deri në kohën që do të shohim “surprizat” që paralajmëroi sot, përveç atyre dy-tre gjërave që thamë më lartë dhe këtij rreshti, nuk kemi se çfarë të shkruajmë për Ilir Metën...

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

agur badeci21/05/2017 11:36

Une shpresoj shume te Z.Basha dhe te demokracia.Une besoj se Shqiperia do behet nje dite.Besoj ne fjalet e Naimit "....lum kush te rroje,ta shohe zonje" dhe,gjithashtu fjalet e Ali Asllanit " koha eshte e maskarenjve,por Shqiperia e shqipetareve"i kam parasysh.Shpresoj qe "Republika e re t*u tregoje vendin horave uzurpatore.

kRIST19/05/2017 20:52

Zoti Hoxha,disa portale,kur i ben me shume se nje koment,te nxjerrin nje shenim:"Ule pak ritmin,e ke marre nxituar"Kam pershtypjen se nje shenim i tille,do ju interesonte,juve,duke i pare me qetesisht,te gjitha rrethanat qe paraqitni mesiper,e vecanerisht -fetishizimin.Me gjithate marr kurajon,te pergezoj optimizmin, me cak,gjithsesi.

krasasi tp19/05/2017 20:18

Po Pse, o Pse do ta haji Likja cfare ka bere?.Nuk e ha asnje o tu befsha.Qe mos ta haji asnji o tu befsha, u sulmuan ambasadoret si te korruptuar, andaj u versulen te gjithe nga gjithe bota, qe te shperndahej protesta e cadra dhe te gjithave tu vihej kapaku i pusetes, se mori ere gjithe dynjaja.Ta hame te gjithe, apo te shpetojme te gjithe, kjo ishte ceshtja.Ndaj u vu kapaku i pusetes 449 cm katror nga parlamenti.

Medlind19/05/2017 19:34

E ke qare ore Poli Hoxha, Nje bravo te madhe.

hasan19/05/2017 19:27

basha eshte burre shteti qe do ta shpetoje Shqiperine

ilir19/05/2017 19:22

nje emer tjeter per web-in tuaj eshte syri. i verber apo i censuruar

ilir19/05/2017 19:20

mesa shoh ju botoni batuta idioteske si kjo e mesipermja

ilir19/05/2017 19:11

Ka nje gje themelore nga e cila varen pothuaj te gjitha te tjerat qe nuk permendet ne kete marreveshje; REFORMIMI I PARTIVE POLITIKE qe ato te mos jene prone e kryetareve per ti perdorur sipas interesave, te zgjedhin deputetet qe duan e te vendosin per gjithcka nepotizem, klientelizem korrupsion. Ai qe desheron te zgjidhet deputet se pari duhet te konkuroje brenda partise se tij te dale para popullit e ti binde anetaret e partise se tij se eshte i afte e me pas te konkuroje me deputetin e partise tjeter ne fushate elektorale. Kjo eshte menyra per te mos futur kriminele karrociere e njerez me 40 emra ne parlament. Duhen vendosur ligje per funksionimin e partive me zgjedhje primare perndryshe parlamenti do mbushet perseri me njerez te cilet rama e basha i kane nen thunder e i perdorin si kukulla.

Artion19/05/2017 19:02

Shkrim shume i bukur dhe realist. Lulken e ka nxjerre nje cike si shume Hero, por ne fakt u tregua bashke me Ramen lojtare kalibri. Kurse Likja fix Jago. Tani vertet ske cfare te shkruash dhe te thuash, vecse te qeshesh me te madhe.

jale19/05/2017 18:46

po pse mor kurva ca deshet ju me e cu vendin ne lufte cilvile

Pse19/05/2017 17:08

Likja e pëson si Ali Pasha që doli në ishull për të kqyr kalanë nga larg .

Shto koment

Denonco