Rilindje e Drejtësisë përmes Vetting-ut Rilindës

Rilindje e Drejtësisë përmes Vetting-ut Rilindës

Nga Artan Hoxha - 06/10/2016

Ligji për rivlerësimin e zyrtarëve të drejtësisë: Gjyqtarë; prokurorë; këshilltarë e ndihmës ligjore; ndërsa po hyn në fuqi, miratuar njëanshmërisht nga supermazhoranca, e ringjitur në vjeshtë pas çarjes verore, u sfidua për antikushtetutshmeri nga demokratët.

Analiza e ekipit të ekspertëve ligjore të opozitës nxjerr në pah problemet e rënda e me pasoja të rrezikshme të këtij ligji për demokracinë, shtetin ligjor, interesin publik dhe atë individual për çdo shqiptar.

Më poshtë jepet e plotë kjo analizë me sugjerimin për t'u lexuar.

Përmbledhtazi, analiza tregon se organet e reja të vetting: dy komisioneret publike, katër komisionet e rivlerësimit me tre anëtare secili dhe Kolegji i Apelimit me shtatë anëtarë, nuk janë gjë tjetër veçse "noterët" në fundin e procesit verifikues. Ngritja e balancuar e tyre, arritje e mundimshme në natën e 21-22 korrikut, zhvleftësohet totalisht.

Sipas ligjit, rivlerësimi kryhet thuajse tërësisht nga institucionet në varësi direkte të Qeverisë apo supermaxhorancës parlamentare: Inspektorati për Deklarimin e Pasurive të zyrtareve në varësinë e Kuvendit; Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave në varesinë e Ministrisë së Financave; Drejtoria e Kontrollit të Figurës në varësinë e Kryeministrit; Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë në varësinë e Ministrit të Brendshem; apo Shkolla e Magjitraturës nën kontrollin e Qeverisë.

Gjithashtu, sipas ligjit, gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtaret e tjerë të drejtësisë do të dorëzojnë deklaratat për pasurinë, figurën, performancën në pak ditë dhe, me gjasa, një pjesë e deklarimeve do të vlerësohen nga këto institucione të politizuara edhe më herët se sa të ngrihen organet e reja të vetting.

Kushtetuta e Re përcakton se organet e vetting janë jo vetëm vendimarrësit finale, por edhe drejtuesit e gjithë procesit rivlerësues, në çdo hap të tij, ngritur si një mini-sistem më vete dhe i kompletuar i drejtësisë administrative ekskluzivisht për rivlerësimin, përbërë nga trupa hetimi administrativ dhe gjykimi administrativ, mbështetur nga një administratë e plotë në varësi të drejtpërdrejtë, pajisur edhe me të drejtën për të kërkuar e marre çdo informacion të nevojshëm nga institucionet e tjera të shtetit, përfshirë ato të sipërpërmendura, që janë të detyruara të bashkëpunojnë kur ju kërkohet.

Konflikti mes ligjit të vetting dhe Kushtetutës së Re është evident, kapet vetëm me një lexim minimalisht të vëmendshëm. Ligji servir një proces rivlerësues të ngjashëm me drejtësinë e diktaturës komuniste në të cilën, organet e Sigurimit, Hetuesisë, Policisë Popullore, fabrikonin faktet e përpilonin akuzën, Prokuroria e lexonte para Gjykatës, i akuzuari kishte de facto barrën e provës pa ndihmën e avokatit, Gjykata vinte vulën mbi ç'i servirej.

Është fakt që shqiptaret kanë një opinion mjaft negativ mbi organet dhe zyrtarët e drejtësisë. Kjo nuk justifikon që mbi këta zyrtarë të përdoren metoda inkuizitore, me gjyqe të paracaktuara: ndëshkuese me apo pa të drejtë për disa; certifikuese me apo pa të drejtë për disa të tjerë; sipas interesit politik të supermaxhorances aktuale apo asaj të radhës.

Në demokraci, qoftë edhe si e jona çalamane, kjo lloj drejtësie nuk i rezervohet as kriminelëve më të sprovuar të cilëve iu kemi dhënë, e s'ka si të jetë ndryshe, të gjitha garancitë procedurale për një proces të drejtë ligjor. Aq më pak kjo lloj drejtësie nuk mund t'iu rezervohet zyrtarëve të drejtësise, sado kritika a pakënaqësi paçim, e kur, tek e fundit, po këta gjyqtarë e prokurorë i kanë mbushur burgjet kapicë, tej kapacitetit mbajtës, me vrasës, hajdutë, kriminele gjithfarësoj, shumë syresh të rrezikshëm.

Ligji i vetting duhet risjellë në binarët e Kushtetutës së Re ekstremizimi i së cilës del e tepron për të kryer një proces rivlerësimi efektiv pa kaluar kufijtë me ekstreme të vetë asaj, tej të cilëve çdo vendim rivlerësimi do të ishte shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, pra i prapësueshëm në institucionet e drejtësisë europiane e me faturë të rëndë nga pas dhe, për më tepër, do të përbënte një rrezik të qenësishëm edhe për paralizën e drejtësisë për çdo shqiptar edhe për marrjen e kontrollit të plotë të drejtesisë nga vetëm njëri krah i politikës, me pasoja për çdo shqiptar.

Nga sot, çështjen do ta ketë në dorë Gjykata Kushtetuese, e me gjasa, Komisioni i Venecias. Fatmirësisht në demokraci ka gjithnjë një rrugë a shteg për drejtësi.

Shkruar për SYRI.net 

Shkarko dokumentin këtu

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco