Shkërmoqet Policia e Kanabisit, themelohet ajo që do mbrojë Ramën nga protestat

Shkërmoqet Policia e Kanabisit, themelohet ajo që do mbrojë Ramën nga protestat

Nga Syri.net - 27/04/2017

Asnjëherë në historinë e policisë shqiptare, nuk ka pasur një furtunë kaq të madhe shkarkimesh në gjithë piramidën e saj, si ajo që ndodhi sot. Plot 29-të drejtues të lartë në qendër dhe rrethe, me një firmë të vetme janë larguar nga detyrat e tyre. Çfarë ka ndodhur, kush është motivacioni?

Kryeministri Rama vetëm pak ditë më parë, me rastin e protestës së opozitës që bllokoi vetëm për 1 orë rrugët kombëtare do të deklaronte: “Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, që me përkushtimin dhe profesionalizimin e saj apo të tij, ka bërë të mundur kthimin e besimit të qytetarëve tek uniformat blu. Shumë është bërë. Ende më shumë mbetet për t’u bërë. Por, edhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot”.

“Mirënjohje..shumë është bërë”. Mirënjohje për çfarë? Për shndërrimin e Shqipërisë në fermën më të madhe të kanabisit në botë? Për mos zbardhjen e asnjë vrasje të rëndë, përfshi edhe atë të bankierit Artan Santo apo ekzekutimit mafioz të komisar Artan Cukut së fundmi? Nëse u është mirënjohës, atëherë përse i shkarkon? Çfarë ka ndodhur, kush ja kërkon?

Në kulmin e fushatës së mbjelljes së gjithë territorit të vendit me kanabis në vitin 2016, në media rrodhi një raport i shërbimeve sekrete të huaja (veçanërisht ai i atyre gjermane) i cili përcaktonte saktësisht jo vetëm zonat që u vërtetuan më pas si të mbjella me hashash, por jepte edhe detaje për bashkëpunimin e krimit me policinë deri në nivele të larta në këto zona dhe qendër. Atëherë, Rama i pari, i quajti këto informacione si “pallavra të kazanit mediatik”. Të njëjtën gjë bëri me stoicizëm, edhe kur jeshilllëku i drogës shqiptare mbuloi ballinat e medieve më të mëdha në botë.

Për katër vite rresht, nuk rreshti së ngrituri në qiell ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ushtarët e tij sot i ka flakur, por nuk thotë se përse. Ish ministri i Drejtësisë Manjani pati deklaruar, se ndërkombëtarët i kanë kërkuar sistematikisht me këmbëngulje Ramës, që të largonte Tahirin dhe gjithë zinxhirin drejtues të policisë të implikuar në atë që ndodhi me drogën, veçanërisht gjatë vitit të shkuar. Rezistoi deri në fund. Edhe kur e largoi, deklaroi se e bëri për “merita të veçanta”. Nuk e shkarkova tha, por e emërova...

Më 21 Shkurt të këtij viti gjatë një aktiviteti me Policinë e shtetit kryeministri do të mbante një fjalim “drithërues”, plot elozhe për këtë polici, që sot e “flaku”, ose më saktë e detyruan pasi era e zullumit të tyre, ka kaluar edhe oqeanin Atlantik.   

“Në 26 vjet (policia) kurrë nuk është sulmuar më shumë se këto 3 vjet dhe kurrë më shumë s’ka qenë në krye të punës dhe respektit të njerëzve.

Një institucion që është sot në majë të besimit të jetë edhe institucioni më i sulmuar, ka një arsye! Se bën pikërisht punën e vet dhe se puna e vet është të godasë aty ku deri dje mblidhej i gjithë qelbi i pisllëkut që prodhonte bota e krimit në bashkëpunimin me politikën. Ka goditur dhe do vazhdojë të godasë edhe më fort policia e shtetit, se po ripërtërihet në moshë, mendje dhe moral në të gjitha ato shqisa që deri dje ishin paralizuar dhe mpirë me qëllim”.

Ky është Rama i 2 muajve më parë. Jemi të sigurt se i njëjti është edhe sot, që u detyrua të sharrojë gjithë piramidën e “policisë që duam”. Organizata që drejtonte direkt Saimir Tahiri, e cila dha viston dhe mbrojti ndërmarrjen kriminale më gjigante që ka parë ndonjëherë Europa, në pamje të parë duket sikur sot u shkri. Por nuk është e vërtetë. Vetëm u shkërmoq, për tu transformuar për një mision të ri, këtë herë i udhëhequr nga Fatmir Xhafaj. Shkrirja e saj do të ndodh, vetëm atëherë kur të mos futen në burg për atë që ndodhi me drogën ca kryepleq fshatrash ditëzinj, por i gjithë ky zinxhir përgjegjës. Përgjegjës për lejimin, por më shumë për bashkëpunimin e hapur me mafien e narko-trafikut.

 Misioni i drogës u mbyll. Tani Edi Rama ka një hall të madh; të zhbëjë opozitën dhe të mbrohet nga revolta popullore, që po afron me shpejtësi. Shkërmoqi “policinë që duam” të kanabisit, për të themeluar atë që kujton se do mundet që ta mbrojë, në rrugën e çmendur ku po ecën me shpejtësi...

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco