Çfarë e detyron Metën të jetë kundër Ramës

Çfarë e detyron Metën të jetë kundër Ramës

Nga Enton Abilekaj - 21/04/2017

Një lumë skenaresh kanë vërshshuar tashme në shtratin e gjerë që të krizës. Përrenj versionesh që burojnë nga manovrat politike të maxhorancës, përmblidhen në një lumë që grykëderdhjen e ka në çadër.

Një pjesë e prurjeve janë fiktive, për të krijuar një përmbytje artificiale, ku viktima e parë është çadra. Përtej prurjeve propagandistike, disa përrenj nuk duhet të futen në shtratin e lumit për të shmangur përmbytjen. Kjo fillon duke vënë një filtër tashmë të konfirmuar, LSI nuk do të hyjë në zgjedhje pa PD. Një zgjidhje që disa e shohin si aleancë të fshehtë më PD, disa e shohin si reshtim në anën e publikut. Mund të jetë secila nga këto, por më e sigurt është që nuk i intereson LSI.

Ben Blushi në Parlament, hodhi dy versione për krizën e maxhorancës. E para ishte për nxitjen e një krizë presidenciale, e cila do të shkaktonte zgjedhje të parakohshme të parashikuara në Kushtetutë, jo më vonë se 45 ditë nga dështimi i raundit të pestë dhe të fundit për zgjedhjen e presidentit, pra 1 ose 2 javë përpara datës së dekretuar të 18 Qershorit.

Kjo situatë, “emergjente” do të krijonte një kuadër tjetër ligjor, regjistrimi i koalicioneve do të kishte një tjetër mundësi, PS dhe LSI mund të hynin bashkë përballë partive të Blushin dhe Bojaxhiut në mungesë të opozitës. Po ta ndjekësh këtë variant deri në fund, do të sillte një rezultat tragjik, me një aleancë PS-LSI (ASHE) që do të fitonte rreth 120 deputetë dhe një opozitë me jo më shumë se 20 deputetë dhe të fragmentarizuar në parti pa lidhje me njëra-tjetrën.

Rama, ashtu siç tha Blushi, do ta bënte Metën President. Kjo mund të ndodhë vërtet, por pasi t’i jepte Metës Presidencën, për ta shpërblyer, PS nuk do të kishte nevojë për LSI që të bënte Qeverinë, sepse do të arrinte 71 votat e nevojshme. Ky variant, që LSI të marrë Presidentin dhe të dalë në opozitë, nuk duket i favorshëm, jo vetëm për LSI, por as për PS, që duke patur një opozitë jashtë Paralmentit (PD ) dhe një brenda, nuk do të arrinte të qeveriste në stabilitet. Ky variant bie, në favor të variantit të dytë, për të cilin Blushi u investua edhe në “Opinion”: Meta i druhet zgjedhjeve pa PD se mund të detyrohet te dalë në opozitë.

Kjo është e vërteta që mban peng regjistrimin e koalicioneve. Nga njëra anë është Rama që insiston ta bëjë LSI-në bashkëfajtore në krimin ndaj pluralizmit politik, duke u futur në zgjedhje pa opozitën dhe në anën tjetër është LSI, që nuk kujdeset aq shumë për pluralizmin sesa për fatin e vet pas zgjedhjeve, nëse ato bëhen pa opozitën.

Rama i jep LSI-së Presidentin, si çek të bardhë. Nuk i duhet emri, firmos gjithkënd, mjafton që Meta të bëhet bashkëfajtor. Meta e di, që po të marrë Presidencën, në shkëmbim të destabilitetit dhe të humbjes së aksesit në qeverisje, do të bëjë një vetëvrasje politike pa kthim, do ta marrë lumi i destabilizimit, përpara se të marrë Ramën në kokëkrisjen e pashembullt që vazhdon ta propagadojë edhe sot. LSI, duke mbrojtur veten, është duke mbrojtur vendin nga një projekt destabilizues.

Kjo frikë e LSI-së, ua mbyll rrugën përrenjve psiqikë të Edi Ramës, dhe lejon në lumin e krizës vetëm pak variante, ato që çojnë në zgjedhje vetëm me pjesëmarrjen e opozitës, sado aventurier të jetë inkursioni i Bashës. Për fatin e keq të Ramës, Çadra ka sjellë një situatë të pafavorshme për të, Meta, për të mos u asimiluar si faktor, është i detyruar të presë hyrjen e PD-së në zgjedhje. Asnjë ofertë e Ramës nuk mund ta ndërrojë këtë realitet, sepse realiteti paszgjedhor, i rrëzon të gjitha ofertat. Dy ngjarje ku LSI është përfshirë, mund ta vënë në dyshim qartësinë e këtij pozicionimi. E para është letra për KQZ dhe e dyta përshpejtimi i procedurave për zgjedhjen e Presidentit.

Të dyja këto lëvijze janë të udhëhequra nga PS, që nga njëra anë i jep kohë negociatave të javës tjetër me ndërmjetësinë ndërkombëtare dhe nga ana tjetër rrit presionin ndaj opozitës, me shpejtimin e procedurave për Presidentin, që të krijojë ankthin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dështimit të votimit në Parlament. Nëse LSI do të refuzonte të merrte pjesë në këtë lojë, do të ishte njësoj sikur të futej në çadër. Kështu e shpjegoi me gojën e tij Ilir Meta pas përfundimit të dy raundeve të dështuara për zgjedhjen e Presidentit.

Në fakt të dyja nismat e PS, tregojnë sjelljen e maxhorancës ndaj Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, pasi raundet për zgjedhjen e Presidentit nuk mund të digjen pa patur kandidatë dhe shtyrja e regjistrimit të koalicioneve nuk është kompetencë e KQZ-së. LSI është bashkuar në të dyja iniciativat e paligjshme, për të mos dekonspiruar qëndrimin e saj të prerë, që deri tani është shprehur vetëm si një vullnet pozitiv, jo si një frikë për asimilim nga përplasja PS-PD. Me apo pa frikë, LSI është shndërruar tashmë në forcën e vetme që garanton se aspirata e Ramës për zgjedhje pa opozitë, nuk do të realizohet. Në momentin vendimtar LSI do të detyrohet ta lërë Ramën vetëm dhe situata do t’ja heqë maxhorancën legjitime të 2013-ës. Nëse Rama gjen një maxhorancë të re, jolegjitime, për ta çuar në përplasje më opozitën dhe aleatin e vet, atëherë nuk duhet të shqetësohen vetëm shqiptarët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Opinion por jo si Fevziut!22/04/2017 00:02

Ky gazetar eshte per mendimin tim mjaft profesionist dhe me kembe ne toke.E kam lexuar edhe here te tjera!I pavarur kur nderkohe kam degjuar qe eshte drejtor informacioni tek Tv News 24!Shkurt gazetar i kualifikuar dhe me logjike bindese.A.Topi

shkodrani21/04/2017 13:55

Shkurt dhe sakte. Me pelqen kjo analize.

Shto koment

Denonco