Redaksionale/ Artur nuk bëhet fjalë, as për byrekun e Netës dhe as për kekun e Metës!

Redaksionale/ Artur nuk bëhet fjalë, as për byrekun e Netës dhe as për kekun e Metës!

Nga SYRI.net - 20/04/2017

Dy ditë më parë SYRI.net hodhi një shënim redaksional me titull, “Hije në skenën e Krizës” (https://www.syri.net/op-ed/57198/hije-ne-skenen-e-krizes/), nëpërmjet të cilit trajtonte qëndrimin e dyfishtë të disa mediave përgjithësisht kritike ndaj qëndrimit të Ramës, për mënyrën se si ai kërkon të zgjidhë krizën politike që ka kapluar vendin. Mes të tjerave në këtë shkrim përmendej edhe Artur Zheji (por jo vetëm ai) dhe portali që ai drejton, si një shembull i paqëndrueshmërisë së vijës editoriale në funksion të kulisave dhe piruetave që ndodhin në marrëdhëniet Meta-Rama, apo qëndrimeve të faktorit ndërkombëtar në lidhje me thelbin e krizës.

Me pak fjalë ideja dhe shqetësimi që ngrinte editoriali ynë ishte ky; Në mënyrë sistematike dhe të vendosur këto media i japin të drejtë opozitës dhe gjithë faktorëve të tjerë që kërkojnë garanci për zgjedhje të lira; që e shohin Ramën dhe piramidën e kriminalizuar të Rilindjes në pushtet, si një rrezik potent për demokracinë; që zjarri i artilerisë së tyre anti-Ramë është në maksimum kur këtij fronti i bashkohet edhe Ilir Meta me të njëjtat argumente… por që “papritur”, tërhiqen, heshtin menjëherë sapo ndonjë diplomat i huaj sado i rëndësishëm qoftë, i porositur ose jo, i kundërshton ose bën sikur nuk e di që ekzistojnë problemet e drogës dhe kriminalizimit të shtetit dhe politikës.

Pastaj edhe më keq, kur ashtu siç ndodhi këtë javën e fundit kur edhe Ilir Meta njësoi qëndrimin e tij me Ramën duke harruar se është përbetuar se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, qëndrimi i portalit që drejton Zheji (dhe jo vetëm ai) jo vetëm stopon në gjendjen “heshtje”, por edhe bën prapakthehu.

Në këtë situatë që na paraqet vetë Zheji, më e pakta që mund të besojmë është se ai është duke mohuar apo treguar inferioritet ndaj vetë analizës dhe gjykimit të tij, me të cilin deri pak ditë më parë kishe bombarduar opinionin.

Pra shqetësimi i SYRI.net kishte të bënte me mungesën e integritetit, apo thënë më butë të qëndrueshmërisë së atyre pak mediave kritike në Shqipëri, të cilat lëvizin në rezonancë me lavjerësin e Metës apo qoftë edhe të ministrit të Jashtëm Gjerman.

Në replikën e tij me titull “Ku gabon Çim Peka dhe `Hijet` pa hije” (https://www.syri.net/op-ed/57698/ku-gabon-cim-peka-dhe-hijet-pa-hije-hellip/) Artur Zheji merret me dy çështje: qëndrimin për deklaratat dukshëm të njëanshme të ministrit të Jashtëm Gabriel dhe me kafet që pi dhe drekat e darkat që ha Çim Peka, me politikanët shqiptarë (nënkupto Ilir Metën). Le ti marrim me radhë.

Për sa i përket qëndrimit të Artur Zhejit për deklaratat e zotit Gabriel, edhe ne biem dakord me atë, kur thotë që nuk duhet tepruar me kundërvënien ndaj tij, as nga opozita dhe as nga ata faktorë mediatik që mbështesin kauzën e saj. Në fund të fundit ai është përfaqësues i lartë i një vendi mik për shqiptarët dhe opozitën. Edhe ne nuk besojmë që ai është paguar me paratë e drogës së Ramës, për të thënë ato që tha. Por nga ana tjetër Zheji dhe portali që ai drejton (dhe jo vetëm ai) harron papritur faktin, që ky zyrtar i lartë gjerman që njëkohësisht është edhe anëtar i Internacionales Socialiste ku Ramën së fundmi e zgjodhën si një nga zv.presidentët, nuk tha asnjë fjalë për shndërrimin e vendit nën hyqmin e Ramës, në fermën më të madhe në botë të kanabisit dhe furnizuesin numër një të Europës dhe posaçërisht të vendit të tij, Gjermanisë.

Nuk u ndie as për ata dhjetëra përfaqësues të krimit që Rama instaloi në legjislativ, pushtetin lokal dhe administratë. “Harroi” që ishin pikërisht shërbimet sekrete gjermane që një vit më parë paralajmëruan atë që po katranoste Rama me kanabisin, në simbiozë të plotë mes krimit të organizuar dhe krerëve kryesorë të policisë. Meqenëse gazetarët nuk u lejuan që Gabriel të pyetej për të gjitha këto, Zheji edhe mund ti shkruante në portalin e tij, siç ka bërë më herët.

Pasi “lan duart” me gjermanin Gabriel, Zheji hidhet direkt te inventari i drekave dhe kafeve të Çim Pekës. Në qoftë se Fatos Lubonja (edhe ky i përmendur në shkrimin tonë) menjëherë pas botimit të shënimit të mban në telefon plot 40 minuta duke sqaruar, se deklarata e tij që ta lëmë Ramën të ikë vetë është keqkuptuar dhe se ai vazhdon ti qëndrojë bindjes se është jetike për demokracinë të mbështetet kauza e Çadrës dhe gjithë faktorëve të tjerë, Arturi që pretendon në profesionalizëm të lartë, ulet dhe bën listën e gjithë komshinjve të Çim Pekës dhe sa herë shkëmbehet e përshëndetet me ata, në kafen e rezidencës së “Kodrës së Diellit”.

Aktualisht në laraminë gjigante të mediave që gëlojnë në Republikën e Shqipërisë, gishtat e njërës dorë nuk do të mjaftonin për të numëruar ato që i kanë qëndruar përballë Edi Ramës si kryeministër dhe gjithë projektit kriminal të tij. Për hir të së vërtetës një prej tyre është edhe “360Gradë” që drejtohet nga Artur Zheji.

Vija editoriale e këtij portali dhe veçanërisht shkrimet plot nerv të vetë Zhejin janë një pasuri e shtuar në betejën e “frontit” të krijuar për të ndalur turra-vrapin e Ramës. Por ajo që refuzon të kuptojë Zheji nga shkrimi ynë, që ai e quan “lajthitje” është thelbi;  që pavarësisht çfarë thotë Meta e Gabriel, tonelatat e drogës dhe milionat që gjenerojnë janë mes nesh; që Roshi, Prenga etj, vazhdojnë të bëjnë ligjin në zonat e tyre dhe kanë nisur hapur fushatën më mjetet që dinë ata, për të qenë edhe 4 vite të tjera në pushtet me çdo çmim.

Nuk jemi të shqetësuar Tur siç thua, “për arsyen se po `braktisja` Lul Bashën, sepse të njëjtën gjë, `po bënte edhe Ilir Meta”. Edhe nëse do të ndodhte që Basha në orët apo ditët në vazhdim do të harronte ato që thotë në Çadër, thelbin e kauzës, të jesh i bindur që qëndrimi ynë nuk ka për të ndryshuar. Argumenti yt se Çim Peka pi kafe dhe ha dreka me Ilir Metën dhe politikan të tjerë të njohur më shumë se ç`bën ti, edhe nëse është i vërtet, tregon të kundërtën e asaj që kërkon të injektosh; se `miqësia` është tjetër gjë dhe integriteti profesional tjetër; që të kesh mik Metën, të konsumosh darka së bashku, por sërish të mos ndryshosh qëndrim, tregon më së paku integritet.

Nga ana tjetër ti kujtosh Ramës katër vjet rresht, se ke ngrenë byrekun e Netës (nëna e kryeministrit) por ai nuk është më i pari, nuk është ndonjë argument që të bind, pse Rama po qeveris në këtë mënyrë kriminale. Që ta kuptosh më mirë lajthitjen e shkrimit tonë, hidhi një sy portalit që drejton. Duhej të të “ngacmonim” ne, që më në fund që nga dita që Ilir Meta bëri prapaktheu dhe u bë sërish njësh me Ramën, ti të ulesh dhe të shkruash nja dy reshta “ për këtë kryeministër kaq problematik, kaq ambicioz dhe prej ambicies së pa fre, kaq të rrezikshëm”.

Jo për gjë, por po shqetësoheshin lexuesit e tu, që prisnin pas gjithë këtyre zhvillimeve të forta politike, të mbaje ndonjë qëndrim. Ju kishe stamposur në ballinë të faqes, editorialin tënd ku i kujtoje Ramës se si e kishe shpëtuar ditën e vdekjes së Enverit, meqenëse nuk bënte dot të mërziturin, duke e fshehur në oborrin e shtëpisë së gjyshes. Duke u marrë me inventarin e dreka-darkave të Çim Pekës, padyshim ke bërë një hap të madh përpara në qëndrimet e tua ndaj Ramës dhe krizës politike!!

Por gjithsesi Artur, që ta kuptosh më mirë “lajthitjen” tonë duhet të arrish të besosh, se jo të gjithë e shohin median dhe politikën, sipas byrekut të Netës dhe kekut të Metës…

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

edvin21/04/2017 17:43

Zheji nuk eshte gazetar profesionist,jo!Ai po,eshte nje nga qent profesioniste, ne pronesi te Ilir Metes. Tri qener rrace, teper besnike, ka ky i fundit.Te tre kane te drejten e vetos mbi pushtetin te cilin ata perfaqesojne.Pushteti i tyre, orienton sot per sot te gjitha politikat e Kryeparlamentarit,Kryetar te LSI-se.Shtrirja e pushtetit te tyre pershkon tri kolona te pushtetit,ate te drejtesise,ate te medias,ashtu dhe ate te legjislativit.Nepermjet Zhejit te kapur pisk,sot po tentohet dominance e kapje edhe mbi ekzekutivin.Per kete objektiv politik madhor,Zheji eshte i gatshem te sakrifikohet per rreth te keqes se fuqishme pa moral.

Francez21/04/2017 16:56

Bonjour,
Po Zheji eshte poli i qendres more qorra.
Liberalet kane tjeter program dhe Zheji keto interesa mbron.
Pavaresisht se juve ju duket sikur njehere shkon majtas e njehere djathtas.
LSI mbulon edhe qendren ndonjehere, (natyrisht per interesat e saja) ndonese eshte e majte dhe prandaj Zheji e mbron.
Ku eshte Partia Liberal Demokrate; apo me pushime ne Dubai.
Le qe ju boten e keni vetem PS & PD.
Au Revoir

No koment20/04/2017 19:50

Ore sinukpo e shohim me ne lajme kete Lu-ne.Mosekane shkarkuar gje dhe neve nukna kane thene.Dhe keta amerikanet- shkarkojne ambasadorin dhe neve qe jemi te interesuar nuk na thone gje.Jo per gje po eshte si pune guvernatori pra.Prandaj jemi te interesuar.

Mega20/04/2017 16:53

Zheji eshte nje ze i fuqishem kunder Rames dhe ndonese nuk eshte i djathte( per kete me vjen keq) ka bere nje pune te jashtezakonshme per sqarimin e opininit publik lidhur me kete qeverisie kriminale. Per ne qe lexojme syrin, 360grade eshte i vetmi portal tjeter me peshe nga ku mund ti qasemi te vertetes. I lexova te dy shkrimet e para. Personalisht mendoj se ky i treti ishte fare i panevojshem. Nuk i sherben kauzes se perbashket ky debat. Z Peka keni gjithe mirkuptimin tim qe te vertetat jane uluritese dhe ne syte e te gjitheve dhe heshtja nuk e nderon median shqiptare por ky ende nuk eshte rasti i Z Zheji. Ketij te fundit i them ta kepuse ate fije qe e lidh fort dhe jo pa krenari me nje te shkuar te lidhur me luften dhe ti bashkohet mendimit te djatht shqiptar. Nuk ka sesi Zheji i ri te merret me djallezite e Metes, kur algoritmin e shqipes e filozofine e ndaluara prej regjimit pati fatin ti konsultonte direkt me Zhejin e pare.

Konfidenciale20/04/2017 16:50

Tur Zheji eshte analist dhe gazetar dhe intelektual i mirepregatitur! eshte mire qe Ju qe levroni mediat dhe shkrimet ne to, mos te krijoni plasaritje nekomunitetin tuaj, megjithese kete gje jua imponojne interesat qe vareni nga partite respektive; Ju jeni te partive, nuk jeni te popullit nepergjithei, kjo eshte e demshme dhe antikombetare.beni kethese per te mire te moralit tuaj!

roshi20/04/2017 15:47

artikulli i pare mjaftonte dhe nuk mendoj se duhej ky i dyti,sepse zheji ne fund te fundit nuk ka bere kthese ne qendrimin e tij antirama.drekat me meten qe permend ai, nuk ja ulin vleren syrit.net apo cim pekes.ndonje verejtje e dyanshme,nuk duhet ti cojne keto 2 media te tilla, shume te lexuara,,qe ti kundervihen njera tjetres,mjafton e tepron vreri i vazhdueshem i rames duke i quajtur media te kazanit.respekte per te gjithe ato media e analiste ,qe vashdojne te mbajne qendrime kritike objektive,ndaj cdo fenomeni negativ apo individi,qe me qendrimin e tyre i sjelllin dem shoqerise tone dhe demokracise tone akoma te brishte..

Krist20/04/2017 14:44

Autori duhet te shtonte edhe disa fjale,qe Zheji I perdor pa pergjegjesi,jo si gazetar,por si analist,por megjithate kjo pergjigje duhet t'i vleje Zhejit,edhe si experience,qe gazetari e sidomos analisti,duhet te jete me integritet,dhe konsistent ne qendrimet e tij.

Al20/04/2017 14:43

Bravo Cimi...Zheji eshte si ata lavjerresit...Prandaj jemi ketu ku jemi...ndryshoi kurs Likja,me vrap dhe Zheji...pika qe si bie...keta jane hale njerez...gazetar jo dhe jo...Gjithe te mirat

Shto koment

Denonco