Edhe Administrata Trump në dijeni të katalogut ‘Rama’ të manipulimit të zgjedhjeve …

Edhe Administrata Trump në dijeni të katalogut ‘Rama’ të manipulimit të zgjedhjeve …

Nga Kastriot Islami - 29/03/2017

Lista/katalogu i manipulimeve që “rregjimi i oligarkisë, krimit dhe korrupsionit” të drejtuar nga Rama, ka testuar në zgjedhjet e fundit në bashkinë e Dibrës dhe synon të kryejë në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri nuk gjëndet në asnjë nga arshivat e institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet. Kjo është një listë që përmban një bashkësi veprimesh të panjohura më parë, me synim tjetërsimin e votës së qytetarëve, lejon njëkohësisht pamundësinë e vëzhguesve vëndas e ndërkombëtarë për ti evidentuar e faktuar ato. Kjo “cilësi” e dyfishtë i jep këtyre manipulimeve mundësinë e ndryshimit të rezultatit në përmasa të konsiderueshme.

Kjo listë manipulimesh bazohet në tri mekanizmat e tjetërsimit të votës përmes

i) blerjes së votave me paratë e korrupsionit dhe kultivimit të kanabisit,

ii) kërcënimit të votuesve përmes individëve me rekorde të tmerrshme kriminale dhe

iii) nënshtrimit të qytetarëve përmes varfërimit të tyre të skajshëm dhe mashtrimit me median e “fake news”. Kjo listë ka mahnitur të gjithë interlokutorët perëndimorë sa herë janë bërë me dijeni dhe ka sensibilizuar ata amerikanë për tu bindur për drejtësinë e kauzës së qytetarëve shqiptarë në protestë dhe të qëndrimit të opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike, pa Edi Ramën kryeministër, si e vetmja mundësi për të nxjerrë vendin nga ky impas në mënyrë të “butë”…

Kjo listë duhet të jetë në themel të Programit Antimanipulim të Qeverisë “Teknike” që duhet të miratojnë të gjithë forcat politike si mbështetje për Qeverinë Kujdestare të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Mbi këtë bazë duhet të përcaktohen detyrat e përgjegjësitë konkrete, natyrisht sipas një kalendari të mirëpërcaktuar, për cdo dikaster për garantuar neutralizimin e cdo tentative për tjetërsim të votës. Më konkretisht disa nga elementët kryesorë të kësaj liste/katalogu të manipulimit të zgjedhjeve, në vëmëndje të Qeverisë “teknike” do të ishin:

1.     Blerja e votës përmes kultivimit të kanabisit.

Masivizimi i kultivimit të kanabisit është mekanizmi kryesor i strategjisë politike-elektorale të Ramës, jo vetëm në betejën kundër opozitës por edhe për ti treguar aleatëve, se mund të fitojë i vetëm kundër të gjithëve. Më konkretisht Rama ka për synim garantimin e fitores elektorale edhe nëse aleati kryesor, LSI s’do të pranonte të qëndronte në koalicionin aktual. Blerja e votave përmes përdorimit të kanabisit kryhet përmes një bashkëpunimi të ngushtë të i) rrjetit të policisë me mirëkuptimin apo nën drejtimin e Ministrit përgjegjës apo të një përsoni tjetër të caktuar nga Rama dhe ii) rrjeti i individëve me rekorde kriminale, nën kontrollin e Ramës, të drejtuar në terren nga një “personazh politik” i besuar i klientelës së Ramës dhe një “individ” me rekorde të tmerrshme kriminale, nga Rilindja apo një përfaqsues aleat që ofron pjesëmarrje aktive/agresive. Tre janë teknologjitë e blerjes së votës përmes kanabisit.

 A) Joshja e kultivuesve të kanabisit. Drejtorëve e policisë në qarqe dhe/ose shefave të komisariateve në rrethe, u jepet orientim të zbulojnë/evidentojnë të gjithë terrenet e përshtatshme për kultivimin e kanabisit, pronarët dhe përkatësinë e tyre politike. Atyre u premtohet pagesa e qirasë së tokës, pagë për punën e kryer për kultivimin e kanabisit dhe eventualisht një pjesë e fitimit, por e gjithë kjo në shkëmbim të një sasie votash kryesisht nga opozita. 

B) Kërcënimi i kultivuesve të kanabisit. Përvec joshjes, individët me rekorde kriminale, në lidhje të ngushtë me policët e zonës, do të instruktohen të përdorin edhe “kërcënimin”. Sa herë një individ, i majtë apo i djathtë, evenidentohet se ka mbjellë kanabis atij i kërkohet të sigurojë një sasi votash opozitare, përndryshe parcela shkatërrohet dhe/ose personi përfundon në pranga. 

C) Sigurimi i parave për blerjen e votave përmes shit-blerjes së kanabisit. Një pjesë e konsiderueshme e parave për fitime personale por edhe për blerje të votave sigurohet nga policia dhe individët me rekorde kriminale nga kultivuesit e kanabisit të cilëve ju sigurohet i gjithë procesi i kultivimit, që nga mbjellja deri në grumbullimin e “fruteve” nga agjentët e qeverisë. Kjo shumë e grumbulluar në 4 vjet dhe e mbetur për tu shpërndarë në Shqipëri, në masën  20 përqind të shumsë që shitet me pakicë në tregjet europiane mund të shkojë deri në 3-4 miliard euro.

2.     Blerja e votës me para në dorë.

Kjo është në dukuri e aplikuar nga Rama në 2013, në zgjedhjet e pjesshme në Korcë, në zgjedhjet vendore në 2015 dhe në zgjedhjet e pjesshme në Dibër, madje e evidentuar në raportet e OSBE-ODHIR dhe/ose nga media investigative. Shumat e përdorura lëvizin një kufijtë 2000 lekë, 50 euro e deri në 200 euro. Paratë sigurohen ose nga kultivimi i kanabisit së fundmi, ose nga nga biznesmenët e klientelës që detyrohen të derdhin një pjesë nga fitimi i tenderave apo koncensioneve të fituara në mënyrë klienteliste nga qeveria Rama, ose nga  paratë e trafiqeve, veprimeve kriminale, gjobat ndaj bizneseve, ose nga politikanët e korruptuar që detyrohen të derdhin “kuotën e tyre”. Cmimi për blerjen e votës është në përpjestim të zhdrejtë me varfërinë e individëve, pra më të varfërit i blihet vota më lirë. Për suksesin e këtij “mekanizmi” përdoren edhe “ndërmjetës” lokalë të cilët jetojnë në zonë, sidomos për zonat rurale, të cilët në shkëmbim të shërbimit të “blerjes së votës” përfitojnë një “pagë mujore” në ditët e fundit të fushatës elektorale, madje netët apo natën e fundit.

3.     Blerja e votës përmes blerjes së librit të veresijeve apo faturave të papaguara të dritave…

Varfëria është thelluar gjatë këtyre tre viteve; për shkak të thellimit të krizës, të keqqeverisjes dhe të një sistemi taksash tipik klientelist, numri i varfërve eshte rritur, një numër i konsiderueshëm individësh dikur pranë nivelit të varfërisë kanë rrëshqitur në grupin e të varfërve dhe mbi të gjitha të varfërit jetojnë me shumë më pak para në ditë. Kjo ka bërë që shumë individë apo familje, pa të ardhura apo edhe me asistencë sa për të mbijetuar, por edhe ato me paga të ulta (pagat dhe pensionet s’janë rritur gjatë tre viteve të fundit) të mos jenë në gjëndje të paguajnë faturat e dritave apo të detyrohen të marrin ushqime me pagesë të vonuar(veresije).

Agjentët e OSHE, nën instruktimin e ministrit që e mbulon këtë sektor dhe/ose të drejtuesit politik të zonës, evidentojnë të gjithë ata që kanë fatura të papaguara dhe ju anulohet fatura apo paguhet nga një biznesmen vetëm nëse janë të gatshëm të votojnë pro tyre. “Kandidati” së bashku me “biznesmenin sponsorizues” kalojnë dyqan më dyqan duke paguar “veresijet” e të gjithë atyre të varfërve që kanë pranuar të japin votën në shkëmbim të bukës së gojës; madje në javët e fundit të fushatës, për disa individë që kanë dhënë garanci për votën në favor të rilindjes, ata paguajnë një avancë deri në tre muaj për një listë minimale ushqimesh.

4.     Kërcënimi i votuesve përmes terrorit e përplasjeve kriminale…

Kupola e korruptuar dhe kriminale, e emëruar dhe instruktuar nga Rama për të drejtuar fushatën e manipulimeve elektorale, instalohet me zhurmën dhe mjetet e një “bande kiminalo-elektorale”.  Synimi është të përhapet përmes terrorit psikologjik objektivi i fitores së padiskutueshme. Konkretisht përhaqet lajmi se të fortët, të inkriminuarit dhe zotëruesit e parave për blerjen e votave janë në zonë të gatshëm të veprojnë dhe kanë mandatin për veprim nga Rama.

Të fortët ushtrojnë terror psikologjik në rrugët e qytetit me makina të shtrenjta deri të blinduara apo ndonjëherë mjafton edhe lajmi se “krye i forti” është i gatshëm për veprim në hotelin më të të madh të qytetit kurse natën lëvizin hajdutët e kusarët e fshatit që me telefona celularë të huazuar për tre katër jave, komunikojnë me shefat e tyre apo që herë pas herë takohen e mbrohen edhe nga shefat e policisë. Kjo klimë terrori psikologjik përhapet për të instaluar te kundërshtari idenë e humbjes së sigurtë sepse ata “kanë vendosur të bëjnë gjithcka, madje deri edhe përplasje fizike” për të cuar në vend porosinë e kryetarit të madh apo për të realizuar objektivin e një “fitoreje historike”.

Ata janë të gatshëm të bëjnë cdo manipulim apo goditje fizike ndaj kujtdo nëse ndjejnë se kundërshtari i tyre jep shënja se po fiton. Madje përhapin edhe lajme të rrema se do të ndërrojnë kutivë e votimit apo blejnë komisionerët, thjesht për ti krijuar idenë te votuesit e opozitës se “kot e keni që mundoheni se e kemi ndarë mendjen për fitore të thellë”... Në përdorim kanë të gjithë mjetet e administratës publike si dhe të gjithë burimet njerzore e administratës publike që kanë lidhje gjaku, interesash apo lidhjes të tjera influence me votuesit e zonës; të gjithë veprimet e tyre “ushqehen” nga buxheti i shtetit.

5.     Maskimi i manipulimit të zgjedhjeve përmes medias klienteliste…

Rama kontrollon duke e ushqyer me paratë e pista të trafiqeve, të aferave korruptive, të individëve me rekorde kriminale, të biznesmenvë klientelistë që fitojnë në mënyrë selektive tendera e koncensione, mbi 80 përqind të medias. Media mjerane e Ramës ka për detyrë kryesore

i) të mos nxjerrë asnjë qëndrim të opozitës dhe mundësisht ta vendosë atë në terr të plotë informativ;

ii) të mos japë asnjë nga skandalet e pushtetit dhe të

iii) sulmojë, denigrojë, shajë cdo kundërshtar të Ramës. Një nga orientimet që ka marrë dhe aplikon media mjerane është relativizimi i skandaleve të Ramës dhe krijimi i idesë se të gjithë janë njëlloj. Në fushatë kjo lloj media ka një angazhim ekstrem deri duke vënë në përdorim personazhe të sajuar, trafikantë, individë të sëmurë mendërisht, dhe sharrës me pagesë që përdorin një fjalor banal rruge kundër kundështarëve politikë.

Thjesht për të demotivuar opozitën dhe kundërshtarët politikë apo paraqitur cdo lloj alternative të dështuar. Së fundmi kanë aktivizuar me pagesë nga taksa paguesit shqiptarë një armatë personash, të maskuar me poste në administratën publike, që kanë për detyrë të jenë aktivë në median sociale dhe portalet on line, madje duke hakeruar të gjithë llogaritë që i cilësojnë kundërshtare të rilindjes.

/Syri.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Lazarat Mavria30/03/2017 10:19

Jam i qarte qe zgjedhjet do te blihen apo shiten dhe disa mund te blihen nga PS, disa LSI, disa PD etj. dhe disa te tjera mund te shiten nga PD ne PS, apo nga PD ne LSI apo disa nga LSI ne PD. PR, etj. deri ketu une nuk shoh ndonje "termet" sepse keto "termete" i kemi pare dhe i kemi bashkeshoqeruese gjate 26 viteve duke fuilluar ne vitet 1996 nga manipulimet e para qe i instaloi PD-ja. Nuk jam i qarte tek kembengulja qe Kryeministri duhet te largohet qe te kemi zgjedhje te lira, te rregullta, te pasterta etj. etj. Nese pretendohet dhe flitet me force se zgjedhjet do te blihen nga parate e droges, atehere pyetja eshte se kush i ka parate e droges, vetem kryeministri?, valle ku i mban parate ky kryeminister, qe te shkojme ti "vjedhim" dhe te mos i shperndajme per blerje shitje-votash. Jam i sigurte se nese qendron kjo, atehere Kaçi dhe akuzuesit e dine se ku mbahen parate, ata do ti "vjedhin" parate dhe votat do te shpetojne dhe do shkkojne, jo tek parate e droges por tek forca politike qe ben reforma dhe kerkon te formoje shtet. Ah sikur te ishte keshtu!!!
Lazarat Mavria

Gjergji30/03/2017 09:53

Si gjithmone i sakte ne konkluzione dhe parashikime.

ALFONS30/03/2017 08:53

JAM DAKORT ME PARASHKRUESIN

laduti29/03/2017 23:27

Profesori si gjithmone percent. Mendoj dhe sugjeroj qe Prof. Islami me konsensus te te gjitha forcave politike te drejtoje qeverine teknike kujdestare. Vetem ky burre I mencur por dhe trim mund te jete garant I zgjedhjeve te lira dhe te ndershme

Shto koment

Denonco