Hileja e Ramës në rastin Rroshi

Hileja e Ramës në rastin Rroshi

Nga SYRI.net - 23/03/2017

Me një vendim të beftë qeverie të 29 dhjetorit Kryerilindësi Edi Rama, "si një shtetar që zbaton ligjin" shkarkoi Kryerilindësin kavajas Rroshi. Ky iu kundërvu vendimit të Ramës me ankim në Gjykatën Kushtetuese. Rama kundër Rroshit, Rroshi kundër Ramës. Paradoks.

Siç deklaroi ish-ministri i Drejtesisë, Ylli Manjani ditën e shkarkimit të tij, vendimi ishte marrë pa mbledhur qeverinë, pa dijeninë e ministrave, të paktën ai vetë ishte gjendur para faktit të kryer.

Disa ekspertë ligjorë si dhe komentues politike apo mediatike u shprehen se vendimi i shkarkimit nga Qeveria ishte jashtë kompetencës së Kryeministrit pasi nuk ishte rasti i zbatimit të nenit 115 të Kushtetues për shkelje të ligjit nga Kryebashkiaku në detyrë, siç ishte rasti i Shukriut brekëshpuar në Dibër, por ishte rasti i humbjes se mandatit, me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shkak të ndalimeve prej ligjit të dekriminalizimit bazuar në verifikimet e Prokurorisë.

Ndaj, ne mos nga injoranca totale juridike, ky vendim u nxor prej Kryerilindësit për t'i mundësuar Rroshit ankimin në Gjykatën Kushtetuese, jo vetëm kundër shkarkimit, por edhe kundër ligjit të dekriminalizimit, pa të cilin vendim, Rroshi as që mund të ankohej që në fillim në këtë gjykatë.

Ky konkluzion u vërtetua i saktë nga Gjykata Kushtetuese e cila botoi sot arsyetimin e vendimit të saj të rrëzimit të të gjitha kërkesave të Rroshit: kundër vendimit të qeverisë; kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; kundër ligjit të dekriminalizimit.

Gjykata e konsideron vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Rroshit tërësisht të pakuptimtë pasi mandati i Rroshit ka përfunduar për shkak të vendimit të mëhershëm të KQZ-së bazuar në verifikimet e Prokurorisë në raport me përcaktimet e ligjit të dekriminalizimit dhe jo për shkak të vendimit të mëpasshëm të Këshillit të Ministrave. Shkurt, Gjykata Kushtetuese tha sot se Këshilli i Ministrave s'kishte fare pune me këtë rast.

Lidhur me vendimin e KQZ dhe verifikimet e Prokurorisë, Gjykata Kushtetuese u shpreh se Rroshi nuk mund t'i drejtohet më së pari Gjykatës Kushtetuese, por duhet të kalojë më parë të gjitha hallkat e sistemit të zakonshëm gjyqësor e po kështu lidhur me kërkesën e tij për papajtueshmërinë e ligjit të dekriminalizimit.

Këto dy përfundimet e fundit dihen nga çdo jurist qoftë edhe fillestar. Vetëm për këto dy të fundit rasti Rroshi as që do të ishte pranuar për shqyrtim nga kjo gjykate. I vetmi mjet që i dha mundësi Rroshit për t'u trajtuar si rast nga Gjykata Kushtetuese ishte vendimi i Qeverisë për shkarkimin e tij, pikërisht ky vendim që u shpall i pakuptimtë, nxjerrë pa asnjë lidhje me nenin 115 të Kushtetutës.

Rama nuk e shkarkoi Rroshin muaj më parë kur ky u akuza nga Prokuroria dhe u arrestua, me vendim gjykate, për falsifikim dokumentesh. Rama e shkarkoi Rroshin, me vendim të pakuptimtë juridik të qeverisë, vetëm dhe vetëm pasi mandati i tij u shpall i përfunduar para kohe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Vendimi i pakuptimtë i Ramës solli në skenë "dramën rrëqethëse të ndeshjes epike" mes Rroshit të Vogël dhe Ramës së Madh. Sot, Gjykata Kushtetuese rrëzoi tri herë Rroshin e tri herë Ramën. I nxori siç ata janë, të lidhur të pazgjidhshëm në krim e hile. Drama e ndeshjes epike përfundoi siç edhe ishte në të vërtetë - estradë e trupës amatore të kooperativës së bashkuar të Luzit të Vogël dhe Luzit të Madh.

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

roshi24/03/2017 12:47

mjaftonte vetem te zbatonte ligjin per dekriminalizimin,qe te besonim se e do reformen ne drejtesi,dhe kjo histori vazhdon me kqz qe nuk i heq mandatin dy kryebashkiakeve,qe do vertetonte akoma me shume ,qe tashme eshte vertetuar,se pushtetin e mban me kriminele!
kete pushtet sot e duan vetem ata qe kane perfituar ne menyra te padrejte qe nga ministrat deri te trafikantet dhe kultivuesit e hashashit

Shto koment

Denonco