Një krizë jo-politike që zgjon (gjithsesi) shpresë

Një krizë jo-politike që zgjon (gjithsesi) shpresë

Nga Sokol Shameti - 23/03/2017

Nëse ka një meritë ngujimi i opozitës nëçadër dhe paralizimi i veprimtarisë institucionale prej saj, kjo meritë ka të bëjë me faktin se më në fund po kemi një situatë që provokon mendim të ri në politikë.

Përkundër statuskuosë së pashpresë ku gjendej i gozhduar vendi këtu e 4 vjet, anomalia e re brenda sistemit të ndërtuar nga po këto forca partiake që sot janë në ngërç mes tyre, paraqet shanse të mira që shoqëria të nisë ta rimendojë marrëdhënien e saj me këtë kastë partiake që po luan me të prej 25 vjetësh.

Kriza hap ndoshta ndër herët e rralla dritaren nga ku shoqëria mund të shtrojë për zgjidhje kërkesat e saj reale, ballë të cilave forcat politike ose do të nënshtrohen, ose do të përshtaten, ose do të zhduken.

Sidokudo, ajo që është bërë e dukshme teksa javët me çadra dhe karshillëk vazhdojnë, është se me destabilizimin që ka krijuar, kjo “krizë politike” nuk do të kalojë pa një ndryshim thelbësor në mënyrën sesi kasta dypartiake tek ne organizon fushatën e madhe të të korrave njerëzore të cilat ata i quajnë “zgjedhje”.

Qëllimisht po përdoren thonjëzat tek termi “krizë politike” në këtë artikull. Arsyeja është se ajo që me ngulm po trajtohet si “krizë politike” në zhargonin e imponuar të partive që sundojnë jetën politike dhe opinionbërjen, në realitet nuk ka ndonjë lidhje të vërtetë me politikën.

Që të bëhet politike, kjo krizë duhet të mbartë brenda vetes jo thjesht përpjekjen për rregullimin e konjukturave sesi organizohet shkëmbimi i pushtetit mes dy forcave politike të së njëjtës ideologji djathtiste si PS dhe PD.Që të bëhet vërtet politike, kjo krizë duhet të mbartë potencialin që në përfundim të saj vullneti “i korrur” prej popullit në formë votash, ta shprehë vërtet thelbin e aspiratave të zgjedhësve.

Nuk është plaçkitja që kriminelët e njërës palë u bëjnë votave të palës tjetër kriza e vërtetë që ka demokracia në këtë vend. Kriza e vërtetë ka të bëjë me faktin se votat e njerëzve në këtë vend mblidhen me premtimin e gënjeshtërt se qeveritë e dala prej tyre do të ofrojnë atë që njerëzit duan kudo në botë: punë, zhvillim dhe mirëqenie.

Kriza politike qëndron në faktin se kur forca politike që ka qenë e parafundit në zhgënjim merr pushtetin, ajo vijon të mbajë në këmbë një sistem ku qeveria e ka të pamundur të ofrojë si punë, si zhvillim e si mirëqenie, pasi puna, zhvillimi dhe mirëqenia nuk varen më fare nga qeveria.

Në këtë sistem ku PS dhe PD thjesht ndërrojnë vendet, punën, zhvillimin dhe mirëqenien, qeveria i ka në dorë vetëm në mënyrë individuale, përjashtimore dhe rastësore.

Qeveritë në sisteme si ky që kanë ndërtuar PS dhe PD, nuk kanë asnjë mjet sistematik, shtetëror, publik sesi mund të ndërhyjnë në punësimin e njerëzve si kategori, si shtresë, apo si njësi, por vetëm si ndërhyrje personale, si nder i veçantë apo si shkëmbim favori. Ato gjithashtu nuk kanë asnjë mjet sesi mund ta zhvillojnë industrinë që sjell punësim dhe sjell rritje të vërtetë ekonomike e mirëqenie.

Gjithçka që qeveritë mund të bëjnë në sisteme si ky ku dinë të qeverisin PS dhe PD, është thjesht të ndërtojnë administrata të vogla e të korruptuara militanteske të cilat kujdesen për të mbajtur të fragmentarizuar shoqërinë dhe për të ruajtur në mënyrë policore rendin përballë organizimeve aksidentale dhe sporadike shoqërore që shprehin frustrimin për shkak të mungesës së pikërisht atyre gjërave që qeveritë kishin premtuar në fushatë.

Kështu pra, ky reduktim i qeverive në një agjenci të vogël që thjesht administron krizën permanente ku ndodhet shoqëria, përbën edhe hendekun që është krijuar mes partive dhe popullit prej reklamimit që partitë u bëjnë premtimeve që ato s’mund dhe nuk duan t’i mbajnë.

Kjo krizë është latente dhe për të nuk flitet kurrë. Ajo vetëm sa rëndohet nga viti në vit duke i larguar njerëzit nga partitë politike dhe duke i detyruar këto të fundit që legjislaturë pas legjislature të brutalizojnë metodat me të cilat kryejnë “korrjen”. Kjo është arsyeja pse vit pas viti politika tek ne është bërë gjithnjë e më pak frymëzuese, gjithnjë e më e huaj e gjithnjë e më e pafytyrë.

Kjo është arsyeja pse për të mbajtur veten në lojë, partitë nga viti në vit janë detyruar që të kryejnë “reforma” zgjedhore të cilat në realitet janëthjesht goditje konstante që ata i bëjnë demokracisë. Që ta kafshojnë Kushtetutën e votuar nga populli duke e shndërruar në një leckë që s’ngjan fare me versionin origjinal. Në fund, kjo është arsyeja pse ato më në fund po degjenerojnë deri në pikën sa të thërrasin në ndihmë paranë, krimin, manipulimin dhe plaçkitjen e njëra-tjetrës.

Kriza politike nuk qëndron në faktin se partitë politike janë shndërruar në kompani biznesi ku CEO emëron dhe shkarkon vartësit pa i dhënë llogari kujt.Kriza politike qëndron në faktin se asnjëra forcë politike nuk reflekton strukturën e vërtetë shoqërore të vendit. Masa të gjera të shpunësuarish, të papunësh dhe të papunësueshmish janë tërësisht të papërfaqësuara e ndoshta tashmë, edhe të papërfaqësueshme prej këtyre forcave politike që thonë se janë në krizë me njëra-tjetrën për arsye që nuk u interesojnë fare këtyre njerëzve.

Kriza e thellë që po i shkatërron në mënyrë këmbëngulëse urat midis përfaqësuesve politikë dhe popullit që ata përfaqësojnë, është hendeku që këta përfaqësues kanë gërmuar midis vetes dhe popullit në përpjekjen e tyre të vitpasvitshme për t’ia lehtësuar vetes procedurën e marrjes dhe mbajtjes së pushtetit.

Sidoqoftë, mosmarrëveshja e mediatizuar partiake mes PD dhe PS e cila me ngulm po trajtohet si të ishte një “krizë politike” mbart brenda vetes dy mundësi që mund të shënjojnë me tërë mend vazhdimësinë e sistemit politik shqiptar, në formën siç e njohim.

Mundësia e parë dhe ajo që duket më realja, është që kjo mosmarrëveshje e lindur nga gara midis dy forcave me ideologji të njëjtë, të rezultojë si çdo “krizë” tjetër artificiale e fabrikuar këto 25 vitet e fundit, në një proces të ri degradimi të demokracisë përfaqësuese.

Kjo është ajo që do të ndodhë nëse PD dhe PS do të arrijnë t’i shesin arsyet e mërisë mes tyre si të ishte kulmi më maksimalist që mund të arrijë demokracia tek ne. Në fund pasi njerëzit të jenë bombarduar sistematikisht me këtë ide kaq të papërfillshme për fatin e tyre, PD dhe PS do të gjejnë një tjetër ujdi si ato me të cilat rregullisht ndreqin radhën e punës mes tyre, të modifikojnë sërish për keq sistemin dhe vendi të bjerë në një tjetër kllapi katërvjeçare vdekjeprurëse.

Mundësia e dytë është që hasmëria e prodhuar nga ambicia e të dy partive për sundim, të shtyjë të paktën njërën prej tyre që në përpjekjen për t’i vështirësuar jetën kundërshtarit, të bëjnë “gabimin” dhe të modifikojë veten duke u shndërruar në përfaqësuese të vullnetit të vërtetë të njerëzve. Të ushtrojë presion që sistemi zgjedhor të çlirohet nga vargonjtë e konjukturave, që listat dhe programi zgjedhor të lexojnë realisht nevojat e elektoratit, që procesi zgjedhor të dalë nga tutela dyshe partiake dhe të departiakëzohet e kështu me radhë.

Kështu, përmes një kaosi të provokuar prej një zënke banale për sundim, mund të lindë me të vërtetë një rend i dobishëm gjërash. Por kjo mbetet ndoshta një utopi. Njëlloj sikur fletët e shpërndara rastësisht nga plasja e një bombe në librari, të formojnë padashje një kryevepër letrare. /SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp23/03/2017 17:36

Nuk te falet z.Shamati.Ashtu si ne filmat me horror e skena te turpshme seksi ju vendoset pulla paralajmeruse per mos ti ndjekur adoleshentet edhe ju ketij shkrimi duhet ti shtonit, i pa pershtatshem te lexohet nga militantet injorante te partive.nje shkrim shume i mire.Te presim mrekulline.Eshte mire per te gjithe.

Mimoza23/03/2017 14:16

Shameti eshte nje nga gazetaret me racional dhe te arsyeshem ne median shqiptare. Sigurisht ai nuk eshte gazetar qe pelqehet nga lexuesi militant i te dyja kraheve. Por nje gje eshte e sigurt. Kjo qeveri vuan me shume kritikat e argumentuara qe i vijne nga e majta sesa sharjet banale dhe personale qe i vijne nga e djathta. Dhe sigurisht ne fjalorin dhe artikujt e Shametit sharje nuk gjen as sbesoj se do gjenden asnjehere. Urime per shkrimin. Opozita ne vend qe te ndjehet e sulmuar duhet ti ver gishtin kokes te degjoje dhe te nxjerr mesime nga kushdo qe kritikon ne menyre konstruktive.

Petraqi23/03/2017 12:11

Sokoli kerkon te na tregoje se Rama dhe Basha jane njesoj. Vertete? O zot mos ja merr mendjen. Gjithashtu Sokoli kerkon te na mbushe mendjen se e djathta ne politike na qenka nje e keqe e madhe. Mos e ka marre ne telefon Fuga i Rames per ti kerkuar te beje nje shkrim te tille?

mitati23/03/2017 09:43

Sokol sot ja me futur pordhes kot. Duket nje shkrim me porosi nga Edvini per te barazuar vlerat e PD me ato te PS. Vetem kjo nuk shkon njelloj te krahasosh diten me naten. Po ke keto mend me mire mos shkruaj me

Shto koment

Denonco