Lajmi i fundit

Ilir Meta deklaratë për mediat

Edi Rama, mes shpatës dhe gjilpërës

Edi Rama, mes shpatës dhe gjilpërës

Nga Poli Hoxha - 21/03/2017

Vendi prej të paktën një muaji gjendet në një situatë politike ngërçi, duke zeruar shqetësimet për zhvillimin ekonomik dhe problematikat e përditshme të qytetarëve. Duket sikur koha e Shqipërisë ka ngecur mes Çadrës së opozitës, zyrës përball të Edi Ramës dhe strehës anash, të Ilir Metës. Fijet janë përzier në mënyrë të tillë, sa që duket sikur një zgjidhje e shpejtë është e pamundur. Kushdo që është sadopak i lëçitur, do ta quante këtë situatë politike; një “Nyje Gordiane”.

Le të konsumojmë pak hapësirë dhe të rikujtojmë historinë apo legjendën e kësaj shprehje, që është përvetësuar gjithmonë nga fjalori politik, sa herë që zgjidhjet duken krejtësisht të pamundura.

Kronisti i lashtësisë Arrian, etimologjinë e “Nyja Gordiane”, e lidh me periudhën e pushtimeve të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Sipas legjendës, popullsia Phrygiane, që jetonte në Turqinë qendrore të sotme, ishte këshilluar nga orakulli që të bënte mbret njeriun e parë, që do të shkonte në qytet me një qerre. Fati e solli që ky burrë të ishte Gordius, një fshatar i varfër.

Menjëherë pas kurorëzimit, puna e parë që Gordiusi bëri ishte dedikimi i qerres që e bëri mbret, Zeusit. Ai e lidhi atë në një shtyllë jashtë tempullit të kryezotit me lëvore thane, të cilat kanë karakteristikë që forcohen me kalimin e kohës. Pas kësaj orakulli u deklaroi një fatthënie tjetër; Njeriu që që zgjidhte “Nyjen Gordiane”, do të pushtonte gjithë Azinë.

Shekuj më vonë, në vitin 333 p.e.s, ushtria maqedonase me në krye Aleksandrin hyri në kryeqytetin Phrygian të Gordium, që siç e thamë më lart gjendet në Turqinë e ditëve të sotme. Me të arritur aty, gjëja e parë që i treguan ishte qerrja e lashtë e pleksur me disa nyje, që sipas historianit romak ishin të lidhura aq fort dhe në mënyrë të ngatërruar, sa që me një logjikë normale dukej e pamundur që të zgjidheshin.

Pasi mësoi edhe fatthënien për atë që do jepte një zgjidhje, Aleksandri që pas pushtimeve të shpejta, kishin filluar ta thërrisnin “I Madhi”, vendosi që ta zgjidh “Nyjen Gordiane”. Donte që të tregonte më së pari, se ishte ai i përzgjedhur për të sunduar ata popuj, por edhe për të ngjallur frikë te vendasit dhe admirim te ushtarët e tij.

Pasi u mundua për një kohë pa sukses, duke u kthyer nga turma tha: “Nuk ka asnjë ndryshim, mënyra se si duhet të zgjidhet”. Dhe menjëherë nxori shpatën duke e bërë copash atë lëmsh, me një goditje të vetme. Të tijtë brohoritën të trimëruar; njësoj bëri edhe populli i pushtuar nga frika e vringëllimës së shpatës.

Ekziston edhe një version tjetër, po kaq i besueshëm, por shumë pak popullor për historitë madhështore të Aleksandrit, sipas të cilit ai thjesht dhe vetëm nëpërmjet një gjilpëre, arriti të çlironte karrocën e famshme...

Zgjidhja me “shpatë” tani në kohët moderne të çon në atë mënyrë qeverisjeje, që quhet Autokraci. Me pak fjalë do të thotë; një qeveri e kontrolluar prej pushtetit absolut, dhe në duart e një personi të vetëm, me kufizime minimale në vendime si dhe një mungesë mekanizmash kontrolli popullor. Zakonisht kjo rrugë është e ndërlidhur, edhe me Plutokracinë; pra një qeveri e drejtuar nga të pasurit apo pushtet i siguruar prej pasurisë. Janë oligarkët prapa skene, që kontrollojnë de fakto qeverinë.

Vendi ynë në fakt është një Republikë Parlamentare. Ja si përcaktohet në të gjitha enciklopeditë kjo formë qeverisjeje; Një qeveri, autoriteti i të cilës varet nga votat e qytetarëve, të cilët përfaqësohen përmes zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar, përmes zgjedhjeve të lira.

“Një qeveri…përmes zgjedhjeve të lira”

Pikërisht kjo është “Nyja”, që ashtu si ajo që kishte kapërthyer karrocën e Gordiusit ka bllokuar demokracinë, aktualisht në Shqipëri. Opozita e ka ndarë mendjen se ato janë në rrezik dhe nëse zhvillohen me Edi Ramën kryeministër, sundimi i Autokracisë të martuar me Plutokracinë, na pret.

Duket qartë që në këtë situatë, rruga që ka zgjedhur Edi Rama për ti dhënë përgjigje shqetësimeve të opozitës, por edhe të ndërkombëtarëve nuk është ajo “e gjilpërës”. Pas dilemave të gjata dhe dështimeve në pazaret me Ilir Metën, tashmë kreu i Rilindjes ka zgjedhur që të rreshtohet së bashku me oligarkët dhe mafien narko-politike, përball dhe kundër të gjithëve. Ai po i trimëron të tijtë, duke ju thënë se e ka ndarë mendjen, që Partia Socialiste të hyjë në zgjedhje edhe e vetme, duke mos llogaritur jo vetëm opozitën zyrtare në vend, por as aleatët e tij në koalicionin që po i vjen fundi.

“ Sikur askush të mos dojë të hyjë në zgjedhje, PS do hyjë në zgjedhje dhe do të marrë të 140 deputetët e Kuvendit e me votat e saj do kalojë Vettingun dhe çdo ligj tjetër të Reformës në Drejtësi”, mësohet të ketë injektuar Rama deputetët e tij.

Vini re çfarë thotë dhe çfarë plani, bën sikur ka; PS do hyjë në zgjedhje dhe do të marrë të 140 deputetët e Kuvendit. Për çfarë i do Edi Rama 140 deputetët e Kuvendit? Vetëm Autokracitë ose qeveritë monokratike, funksionojnë kështu. Përrallat se i duhen 140 deputetë për të kaluar Vettingun dhe ligjet e tjera të Reformës në Drejtësi, nuk i kapërdijnë më as kalamajtë. Edi Rama edhe me kaq fuqi parlamentare sa pati këto 4 viteve dhe duke kujtuar, që ja ka tërhequr frerët herë pas here Ilir Meta me ato 20 vota, nuk mbahej nga arroganca dhe sjellja autokratike. Imagjinojeni një Shqipëri, me një parlament dhe qeveri, të komanduar krejtësisht nga Edi Rama. Për sa i përket ndërkombëtarëve në një rast të tillë hipotetik, Rama duket se i ka bërë hesapet, sipas teorisë se ata për interesa gjeopolitike, për pak kohë edhe mund të mbyllin sytë. Por ajo që nuk kupton ai dhe këshilltarët e tij është, se pikërisht kjo “rrugë e shpatës” brenda vendit, përbën edhe rrezik gjeopolitik. Shumë shpejt do t`ja thonë, por për atë vetë si individ politik ka për të qenë vonë.

Që kjo situatë (`Sikur askush të mos hyjë në zgjedhje PS do të marrë 140 deputetët`) nuk ka gjasa të ndodhë, edhe vetë Edi Rama e di  shumë mirë. Por atëherë përse i mëshon këtij opsioni; përse vringëllin shpatën mbi “Nyjen Gordiane” që ka kokolepsur vetë me shpejtësi këto katër vite; me drogën, koncesionet, kriminelët në parlament e gjithë administratën, zgjedhjet në Dibër etj, etj, kur mund të përdorë “gjilpërën” për zgjidhjen e saj?!

Arsyeja më kryesore ka të bëjë me strategjinë, që ka vendosur të zgjedhë duke i bërë presion opozitës dhe aleatit të tij njëkohësisht. Shfaqja në këtë opsion ekstrem ditët e fundit prej Ramës nuk tregon tjetër gjë, përveçse kalimit të tij nga pozitat pasive, në kundërsulmuese të egra me shpresën që në mos opozita, një nga lëvoret kryesore të thanës që mban nyjen, Ilir Meta, të vetëzgjidhet në favor të tij.

Por…“Njoftoheni të gjithë, se pluralizmi ka ardhur që në 12 dhjetor të 1990-ës në Shqipëri dhe ne duhet të gjithë të punojmë që këto të jenë zgjedhje të shkëlqyera, larg qëndrimeve kategorike që mund të na sillnin pasoja katastrofike, të padëshiruara për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Kjo deklaratë, më e freskëta e Ilir Metës, pas vendosmërisë së opozitës dhe zërave që shtohen të mes ndërkombëtarëve është një ftesë, që Rama ta ulë shpatën dhe të kthejë sytë nga “gjilpëra”. Pra shqyrtimi i mundësive të shumta, si përshembull (një nga opsionet e Koço Kokëdhimës), që zgjedhjet le të shtyhen deri në vjeshtën e vonë; një qeveri gjithëpërfshirëse (kërkesë e opozitës) të marrë në dorë situatën kriminale ku është vendi, parlamenti të nxjerrë urgjentisht nga sirtarët e kyçur Reformën Zgjedhore dhe ta përfundojë atë; të bëhen ndryshime drastike në Kodin Penal për përdorimin e parave të jashtëligjshme gjatë zgjedhjeve, shit-blerjen e votës, etj etj.

Pastaj në fund të muajit Shtator apo në fillim të Tetorit, le të hyjë vendi në zgjedhje dhe Edi Rama le të marrë jo 140 deputetë, por edhe 280 po të dojë, ti ketë rezervë për 4-vjeçarin e tretë.

Fatkeqësisht, aktualisht ai nuk dëgjon fare nga ky vesh; ka ngritur shpatën dhe po e vringëllin kundër të gjithëve. Një “nyje Gordiane” zgjidhet edhe kështu siç po kërcënon Rama, nëse i është mbushur mendja se është Aleksandri i Madh. Por edhe për këtë të fundit që i thoshin “I Madh” jo se ishte i gjatë si kryeministri ynë, por sepse udhëhoqi fitore të padëgjuara më parë dhe ndërtoi qytete madhështore, kronikani i lashtësisë Arrian, shkruan se një nga opsionet po aq të besueshme është edhe se ai, përdori gjilpërën dhe jo shpatën.

Por pavarësisht deklaratave prej të forti, askush nuk e beson që Rama, të jetë katandisur deri në atë pikë, të dalë nga thelbi i karakterit të tij që nuk ka lidhje me guximin e çartur, sa që të ngatërrojë “Aleksandrin e Madh” me “Edin e Gjatë”. “Gjilpërën” si mënyrë zgjidhjeje aty e ka.

Kurse “lojërat” me shpata si në kohën e Aleksandrit dhe aq më keq me kallashnikov si ato në vitin 1997, kollaj është ti nisësh dhe vështirë ti bitisësh, vetëm se je “I Gjatë”!!

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp21/03/2017 19:34

Pse mos ti beje zgjedhjet pa opoziten?.Po Enver Hoxha nuk i bente pa opozite zgjedhjet, a nuk i fitonte i vetem PPSH me 99,99% te votave?.A nuk ndenji 45 vjet ne pushtet?. A nuk e mirekuptuan nderkombetaret?.A nuk e donte populli?.A nuk e qau populli me oji kur vdiq?.Edi Rama nuk eshte me mend para "Nyjes Gordiane".Edi Rama eshte para pasqyres.Shikon veten ,trimerohet dhe shperthen ne delir, po une mund tja dal.Ne mos nje Aleksander a Skenderbe me shpate, une me 100 hile e nji trimeri mund te beje me shume se te gjithe.Ky djal qe po kruhet me te gjithe edhe mund tja dale.

Shto koment

Denonco