Fati i zgjedhjeve pas ‘kurrëve’ te Edi Ramës

Fati i zgjedhjeve pas ‘kurrëve’ te Edi Ramës

Nga Enton Abilekaj - 20/03/2017

Kur regjimi komunist ishte tashmë i falimentuar dhe vetë drejtuesit e tij e kishin kuptuar, Ramiz Alia thirri plenumin e PPSH. Me një fjalim të ashpër, qe mundohej të bindte bashkëpunëtorët e tij dhe veten se nuk do të kishte përmbysje, ai përmendi 7 herë fjalën "kurrë".

Ai u quajt plenumi i 7 "kurrëve", por për disa intelektualë, prej të cilëve funksionarë rebelë ishte "plenumi i 7 kurvave". Jo vetëm ata e kishin kuptuar qe "kurrët" apo "kurvat" do të binin njëra pas tjetrës dhe procesi ishte i pakthyeshëm. Dy monologjet e Edi Ramës, të dielën ne Facebook dhe të hënën në PS, ngjanin shumë mëe plenumin. Me një fjalim të ashpër dhe qëndrim refraktar, i nisi drejtuesit e partisë nëpër Shqipëri që të shpjegojnë që zgjedhjet mund të bëhen edhe pa opozitën, se kurrë nuk do të pranojë qeveri teknike, se kurrë nuk do të tjetërsojë vullnetin e popullit me 1 milion vota në 2013 e disa kurrë të tjera. I gatshëm për të plotësuar kërkesat e opozitës, por nuk tha asnjë fjalë për blerjen e votës, për rolin e qeverisë në këtë skemë, për çfarë ndodhi në zgjedhjet lokale me blerjen masive të votës.

Çdo kërkesë e opozitës mund të reflektohet neë kodin zgjedhor, përveç blerjes së votës, që në fakt është kërkesa kryesore. Nuk është kërkesë e re, sepse denoncimi u bë pas zgjedhjeve lokale. Kjo strategji e paracaktimit të rezultatit, pa prekur kutitë apo procesverbalet, është bërë sëmundja e pashërueshme e zgjedhjeve. Organizimi nis nga Tirana, ku mblidhen biznesmenët për të derdhur financimet e padeklaruara, ku thirren kandidatë që të vetmin kontribut kanë derdhjen e shumave të mëdha e të pajustifikuara.

Të padeklaruara, dmth jo nëpërmjet transfertave bankare, por me valixhe, me çanta dhe me thasë, sepse ashtu udhëtojnë paligjshmërisht derisa shpërndahen në 100 euro, 50, 10 mije lekë, për të garantuar votën para se të shkojë në kuti. Për këtë duhen sekserët, duhet edhe të fortët. Këta garantojnë votat e blera me shifra të sakta. Ata që nuk marrin paratë, kërcënohen që të mos dalin të votojnë. Që dita e votimit të bëhet kështu, që të fortët dhe sekserët të blejnë dhe të kërcënojnë të qetë qytetarët, garanton qeveria. I takon Kryeministrit që, përpara se të rendisë "kurrët", të pranojë atë që ndodhi në 2015 që u përsërit në Dibër dhe më pas në Kolonjë dhe më pas t' u tregojë shëiptarëve se si, e njëjta qeveri që bleu zgjedhjet në 2015-ën kur nuk ishte fati i saj në lojë, do të ndalojë blerjen në 2017 kur është fati i saj në lojë.

Nga ana tjetër, opozita mund të ishte bërë më e besueshme në kërkesën e saj të vetme, nëse do të shpjegonte se si Qeveria Teknike do ta ndalojë shit-blerjen e votës, si do t' i ndalojë sekserët të hyjnë nëpër shtëpitë e shqiptarëe si hajdutë, për t' jua grabitur me konsensus të ardhmen në shkëmbim te 2 mijë lekëve, që diku në Shëipëri janë 1 muaj bukë. Opozita ka për detyrë të bindë, pse kjo qeveri nuk do t ' i ndalojë të fortët të bëjnë presion dhe si do t'ja arrijë qeveria teknike, kush do t'i zbulojë rastet e shitblerjes së votës, deri në ç’masë do të zbulohen, deri në ç’ masë qeveria teknike do të garantojë rezultatin besnik të zgjedhjeve dhe si do t'ja arrijë. A do të propozojë kriminalizimin e shitësve të votës, apo do të mjaftohet me thirrjen bajate "merruni lekët po mos u jepni votën".

Thirrje jo vetëm bajate, por edhe e rrezikshme, sepse nuk e lufton fenomenin, por ia përshtat interesit të vet, nuk e përçmon votuesin që shet zgjedhjet në kurrizin e të gjithë shqiptarëve, por e inkurajon atë që ta përdorë për vete. I takon opozitës nga bulevardi që të bindë pse duhet të bëhet hapi i madh i zëvendësimit të një qeverie të votuar edhe për zgjedhjet, me një qeveri vetëm për zgjedhjet, por deri tani vetëm Blushi ka bërë një propozim konkret. Ulja drastike e financimit të partive, mund ta shmangte në një masë sado të vogël blerjen e votës, por nuk mjafton, sepse paratë që blejnë votat vijnë nga burime te paligjshme. Një zgjidhje e plotë, me apo pa këtë qeveri, do ta kthente më në fund besimin tek zgjedhjet. Rama mund t' i fitojë përsëri ato, edhe nëse "kurrët" e tij bien një nga një gjatë ditëve në vazhdim, por përvoja ka treguar se vlen më shumë për vendin një humbje me zgjedhje te lira dhe te ndershme, se fitorja e një mandati të zhytur në kaos.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

bolja20/03/2017 21:39

Entoni ka shume te drejte kur thote se kush eshte detyra e qeverise teknike per garantimin e mosblerjes se votes. Vertete ky eshte moment I me delikat parate e droges jane ne duart e krimineleve te lidhur me pushtetin. Te pakten ajo qe duhet eshte kjo qe bimen narkotike e kane kultivuar vetem anetare dhe simpatizante te majte me bekimin e qeverise. Per pasoje shumat maramendese prej miliarda eurosh jane ne duart e tyre athere opozita si mund ta ndaloje kete fenomen. Kjo pyetje e artikullshkruesit do patjeter pergjigje.

Qytetar20/03/2017 19:11

Do ja leme kohes se sa do to besh zgjedhjet pa opoziten or shpifarak dhe se sa trim po tregohesh me popullin .Oooooo Edvin Rama .

Shto koment

Denonco