A do ta dekretojë Nishani, Fatmir Xhafajn?

A do ta dekretojë Nishani, Fatmir Xhafajn?

Nga Blendi Fevziu - 19/03/2017

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka njoftuar një konferencë shtypi sot në ora 18:00. Është afër mendsh që konferenca e shtypit më shumë se sa me vizitën në Azerbajxhan të ketë lidhje me ndryshimet në qeveri dhe sidomos me emrat e ministrave të rinj.

Midis tyre më i diskutuari mbetet ai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili pritet të zërë vendin e lënë bosh nga largimi i Saimir Tahirit. Ardhja e Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme duket se është komplikuar nga lajmet dhe akuzat se në vitin 1985 – 1986 ai ka punuar si hetues në rrethin e atëhershëm të Krujës. Në drejtim të Xhafës ka pasur akuza konkrete, nga emra konkretë dhe për çështje konkrete.

Pikërisht në këtë rast, Nishani ndodhet në një moment të vështirë. Dekretimi i një ish hetuesi të komunizmit, është i papranueshëm dhe i pamundur për Nishanin. Dhe për çdo President tjetër që ka qenë në detyrë në këtë vend ose që mund të ishte në vend të tij.

E para, duhet të sqarohet nëse Xhafa ka qenë apo jo hetues politik në vitet e komunizmit. Javën e fundit ai ka pasur një akuzë konkrete nga 3 persona, për një çështje që lidhej me dënimin e një grupi që kishte ngritur dolli në kohën e vdekjes së Enver Hoxhës. Dolli që ju kushtoi atyre vite të tëra burg dhe persekutim familjar.

Çështja është e vërtetë, por implikimi i Xhafës në të duhet të jetë i dokumentuar. Në shtyp janë përhapur akuza ndaj denoncuesve të tij, po edhe kjo s’ka asnjë vlerë. Shteti nuk vepron me deklarime në shtyp, as me analiza mediatike nëse ata që akuzojnë janë njerëz të mirë apo të këqij. Shteti ka instrumente për të vërtetuar, nëse Xhafa ka qenë hetues politik dhe nëse e ka hetuar këtë çështje.

Nëse Xhafa ka qenë hetues politik, rasti është shumë i rëndë. E kam njohur personalisht Xhafën dhe midis deputetëve të parlamentit shqiptar më është dukur gjithnjë korrekt. Nuk e kam ditur që ka qenë hetues dhe besoj se edhe Kryeministri nuk e ka ditur këtë detaj nëse është i vërtetë. Jam i prirur të besoj që edhe Xhafaj nuk e ka vlerësuar këtë moment në jetën e tij.

Pra nëse është e vërtetë, nëse Xhafa ka qenë hetues politik, Presidenti duhet të kontaktojë urgjent Kryeministrin dhe ti kërkojë zëvendësimin e Xhafës me një emër tjetër. Do ishte në vetë dinjitetin e Xhafës të tërhiqej. Nuk e di se si mund ta votojë një ish hetues deputetë të mazhorancës si psh Mesila Doda, Ilir Meta, Pandeli Majko apo Shpëtim Idrizi që kanë fillesat e karrierës së tyre politike në betejë me diktaturën komuniste. Do ishte një njollë që ata vetë nuk e kapërdijnë dot.

Nëse Kryeministri heziton atëherë Nishani nuk mund ta dekretojë. Edhe vende si Rusia që drejtohen nga një ish oficer i KGB – së kanë ligje më të ashpra për hetuesit e diktaturës. 27 vjet pas rrëzimit të saj, është e papranueshme që Shqipëria të kthehet në strukturat dhe instrumentet e diktaturës. Kjo s’ka asnjë diskutim. Ai regjim është dënuar me 3 rezoluta të parlamentit shqiptar; me disa rezoluta të Parlamentit Europian dhe KE ndaj çdo instrument i tij nuk mund të adaptohet në sitemin e ri politik.

Nëse Xhafa nuk ka qenë hetues; nëse Xhafa nuk është përfshirë në hetime politike; nëse të gjitha ato që janë thënë për të janë false apo të motivuara politikisht atëherë ne të gjithë duhet t’i kërkojmë falje Xhafës dhe t’i themi atij mirësevjen në krye të Ministrisë së Brendshme. Por vetë Xhafa kishte detyrimin që prej të mërkurës kur nisën akuzat e para e deri më sot, të paktën të bënte një deklaratë publike, qoftë me shkrim, 2 rreshta sa për të sqaruar të shkuarën e tij. Ai se ka bërë dhe është e drejta e tij.

Tani i mbetet Presidentit të flasë. I mbetet atij të jetë i drejtë dhe i paanshëm. I painfluencuar politikisht. Ai nuk duhet të ndikohet as nga presioni i partisë që e ka zgjedhur dhe as nga ai i partisë që e konteston. Bujar Nishani duhet të sqarojë nëse në dokumentet e shtetit shqiptar figuron që Xhafa të ketë qenë hetues apo jo. Dhe i takon atij të marrë një vendim. Një vendim që më shumë se me një emër, lidhet me një qëndrim ndaj të shkuarës dhe dinjitetin e mbi 150 mijë shqiptarëve të ndëshkuar politikisht dhe mbi 6500 disidentëve shqiptarë që janë ende pa varr.

/Opinion.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp19/03/2017 15:05

Me bene cudi se si per ju qe jeni nje gazetar i kudo gjendur dhe i kudo thirrur delni te jepni konsiderata se z.Xhafa "midis deputeteve te parlamentit shqiptar me eshte dukur gjithnje korrekt".Po tallja me opoziten per 7 ligjet per reformen ne drejtesi korrekte te duket?.Po mbyllja e gjithe dokumentacionit ne Arkiv te Shtetit ne 1998 kohe kur ishte ky zoterija Minister i Drejtesise korrekte te duket?.Po terri informativ per kerkesa te ish pronareve edhe sot e kesaj dite , korrekt te duket?.Po pronat qe tjetersohen ne mes te Tiranes korrekte te duket?.Ku hyni ju ketu, do pyesni?Pyet me mire hipoteken e Tiranes dhe ZRRPP se cfare te takon dhe se si do te duhet ti rregjistrosh?Kjo eshte arsyeja qe i vini ne ndihme z.Xhafa dhe keshilloni Presidentin e Republikes.

dinjiteti19/03/2017 14:17

e gjithe qeveria duhet te largohet se ka te njejten fryme si ne komunizem

Sazan Skuka 19/03/2017 14:11

E kush me shume se ju mund te hedh drite mbi te verteten e ketyre akuzave,ju bete shume mire qe u dhate te drejte te flasin deshmitare te asaj periudhe, por siç thuhet :"e vrave qenin ,hidhe ne prrua".

laduti19/03/2017 13:53

Kete qe ke shkruajtur sot ta kerkuan zoterinjte ne emisionin qe drejtove zotrote dy dite me pare. Kuptohet te djathtet. Nuk I lije te shpreheshin. Tani ceshte nevoja te kopjosh te nderuarin Tan Hoxha apo Mark Markun. Ju te ashtuquajtur opinioniste jeni sahanlepiresa te pushtetit

Hetuesi i Krujes19/03/2017 13:43

Xhafa nuk ka kohë të shpjegohet për të kaluarën e tij si xhelat, sepse ai dhe makineria komonisto-sorosiane po punojnë 24 orë në 24, për të gjetur dosjet që përmbajnë emrin ose firmën e tij dhe për ti asgjesuar (në fillim digjen dhe pastaj hiri hidhet nga ura pranë Piramodës në Lanë :) )

Shto koment

Denonco