A duhet përkrahur ‘Zharrëza’?

A duhet përkrahur ‘Zharrëza’?

Nga Sokol Shameti - 25/02/2017

Marshimi i grevistëve të Zharrëzës më shumë se të mbështetet qorrazi, meriton të ndihmohet për të mos përfunduar si një negociatë private e disa personave që duan të zgjidhin hallin e tyre personal përballë një padrejtësie që realisht nuk është private, por sistemike. Shtëpitë e tyre u shkatërruan jo sepse kompania private kishte ndonjë problem personal me ta. Shtëpitë e tyre u shkatërruan sepse kompani të tilla me mbështetjen e qeverisë i konsiderojnë njerëz si ata, thjesht si një klasë skllevërish pa përfaqësim, ndikim dhe pushtet politik.

Kompania private nuk i selektoi këta individë për t’i dëmtuar, andaj nëse protesta e tyre trajtohet vetëm si një protestë selektive e ca pakëve që u ra lapsi të dëmtohen, kjo është mënyra më e gabuar sesi sistemi që prodhon të tilla padrejtësi mund të goditet e të detyrohet të mos e përsërisë të njëjtën masakër. Nëse 9 veta që u rastisi të dëmtohen, e shohin fatkeqësinë e tyre jo si fatkeqësi të kujtdo, por si fatkeqësi të kufizuar brenda oborrit të tyre, atëherë kauza e tyre mbetet private dhe do të tërheqë rreth vetes vetëm gjahtarët e zakonshëm të selfieve dhe partiakët e filozofisë “armiku i armikut tim është miku im”. Të tjerët do ta shohin këtë situatë nga televizori, do të tundin kokën lehtë dhe do të vazhdojnë të mos e ndjejnë si të tyren kauzën private të këtyre njerëzve “privatë”. Unë jam i bindur që këta 9 persona që hynë në grevë për shkak se një kompani kliente e qeverisë u shkatërroi pronat, do të “qetësohen”. Qeveria do ta gjejë mënyrën sesi t’i reshtë pakënaqësitë e tyre private, për sa kohë që ato janë të tilla, pra thjesht private.

Qeveria edhe më herët e ka treguar se nëse vetë-perceptohemi përballë saj thjesht si individë, atëherë ajo di si të na “menaxhojë”. Ajo di t’ia gjejë një çmim gjakut dhe t’ua mbyllë gojën me dëmshpërblime familjarëve të 21 janarit që e llogarisin veten vetëm si familje të përzgjedhura dëshmori dhe jo si masë anonime e një shtrese të martirizuar nga çdo qeveri, herë me armë e herë me uri.

Ajo di ta zgjidhë në formë mëshire përjashtimore çdo rast të mediatizuar të sëmuri terminal, por ndërkohë vazhdon në mënyrë të rregullt dhe masive të dërgojë drejt varrit gjithë të ngjashmit e tjerë që nuk u ngritën përpara saj si individualitete por u orvatën ta meritojnë shërbimin shëndetësor si një të drejtë publike, kolektive. Kryeministri di t’i gjejë punë në mënyrë individuale cilitdo që i shkruan në inbox, por ndërkohë sistemi ekonomik që ai ka ngritur e ka shpunësuar dhe shpopulluar këtë vend më keq se një pushtim i huaj. Të kërkosh të trajtohesh individualisht prej kësaj qeverie, i bën asaj nder dhe do të thotë se ti po hyn të luash në fushë me rregullat e saj. Vërtet, kështu ti e zgjidh problemin tënd. Por ti e fut veten në radhën e atyre rasteve përjashtimore të cilat nuk ndihmojnë që ky vend të bëhet më i mirë, më i drejtë e më i jetueshëm.

Ti kështu ndihmon të betonohet bindja e sunduesit se jetën ne e meritojmë vetëm si negociatë, vetëm si rast i jashtëzakonshëm, dhe jo si e drejtë. Ti e ndihmon qeverinë që pas Zharrëzës së zhurmshme, të gjenerojë me mijëra zharrëza të tjera të heshtura, kudo ku kolektivja dhe publikja shkelet e ku privatja e korporativja përkrahet. Duke e trajtuar veten tënde si përjashtim e duke e ndarë fatin tënd prej atij të të tjerëve, ti pranon të vonosh ditën kur askush nuk do të jetë i detyruar të rrijë 20 ditë në grevë urie apo të ecë 120 kilometra më këmbë, vetëm për të gëzuar atë që i takon në mënyrë të natyrshme. Për këtë arsye, protestuesit e Zharrëzës nuk meritojnë të përkrahen. Ata meritojnë të përmenden nga trullosja “depolitizuese” ku i kanë futur partitë të cilat i duan ata të mos mendojnë dhe të mos sillen politikisht - pra si klasë anonime e mijëra të shtypurve të këtij vendi - por vetëm privatisht, si një grusht hallexhinjsh që mund t’u mbyllet goja me lëmoshë. /SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Fieraku nga ferrasi27/02/2017 09:20

Po mi è ke shoqeria civile zharrzen te protestosh
Ka vetem nje qellim
Ta manipuloje.

emigrant26/02/2017 13:32

Pajtohem ne njefare menyre me artikullshkruesin, duke u nisur nga parimi se delen e vecuar e ha ujku. Degjova se keta protestues te Zharrzes, mesa duket votues socialiste, paskan kundershtuar qe ti bashkohen protestes se opozites ne cader, me pretendimin se eshte qeveria Berisha ajo qe ka firmosur mareveshjen me firmen e huaj te naftes.. Mesa dij kjo mareveshje eshte nenshkruar qe ne qeverisjen Nano, pra protestuesit ju kane besuar genjeshtrave te socialisteve. Por edhe nese do te ishte i vertete pretendimi i tyre, c'te keqe do te kishte qe grupe te ndryshme qytetaresh hallexhij te meperkembur nga kjo qeverisje, te grumbulloheshin e solidarizoheshin ne Tirane duke u bere nje force e madhe proteste ndaj nje se keqe qe i ka zene te gjithe ? Ka te drejte autori kur thote se nje grupi 9 vetash, qeveria duke i pare se jane kunder opozites, do ta gjeje menyren qe ti mashtroje me ndonje premtim, por ne fund te fundit, ne gjithe boten kesij protestash me padrejtesi nga kompanite private, zgjidhen me nderhyrjen e sindikatave dhe opozitave politike, e jo me grupe te vecuara.

Shto koment

Denonco