Bashkëbisedim diogjenësh mbi krizën dhe protestën e saj

Bashkëbisedim diogjenësh mbi krizën dhe protestën e saj

Nga Ndriçim Kulla - 24/02/2017

Një përfaqësues cinik i ndonjë krahu të politikës do të mund të shprehej kështu për gjendjen në cilën ndodhet Shqipëria dhe protestën aktuale kundrejt kësaj krize: u mësuam me politikën që vidhte në fillim votat, pastaj u sofistikua e nisi t’i blejë ato për dy grosh: një thes miell, dymijë lek të rinj, një copë rrugë, një gjenerator për fshat etj. Pastaj pazari u rrit dhe shkoi goxha lart, por ne përsëri nuk na skandalizoi diçka e tillë. Jemi mësuar ta kthejmë gjithçka në normalitet. Veçse të luash kartën e drogës për të fituar para e për ta detyruar votën me forcën e saj, këtë nuk duhet të na e kishit bërë kurrë. Gjithçka ja u falëm, por këtë jo. Si nuk gjetët vallë një mënyrë tjetër për të ruajtur pushtetin?. Do t’ua kishim dhënë edhe vetë, por jo në kurriz të të ardhmes të fëmijëve tanë. Jo, këtë nuk do t’ua falim kurrë”.

Do të qe një ligjërim i hidhur, me pathos, që një tjetër cinik i krahut tjetër do t’ia kthente me po të njëjtin pathos: “Dramën më të madhe shoqërisë nuk ia ka sjellë kjo krizë, po vrasjet “shtetërore”, bie fjala  të “21 Janarit...”.

Ndoshta,  mund të përgjigjej tjetri .por edhe 21 Janarin  realisht e bëtë ju me atë protestë që inskenoi  Edi Rama  me ato incidente  super të dhunshme që organizuat , krejtësisht të ndryshme nga protesta paqësore që po drejton sot Lulëzim Basha  në të njëjtin vend dhe në të njëjtin bulevard. Dhe ato vrasje gjithsesi mbetën aty, të izoluara e kësisoj të dënueshme, pa u përhapur në formën e krizës së përgjithshme në të gjithë vendin që nuk po ju dihet fundi siç po ndodh sot. Pa dashur t’i hyjmë luftës së shifrave të kanabisit (që gjithsesi janë të shumëfishuara qoftë për sipërfaqen qoftë për sasinë e transportuar jashtë), problemi qëndron në planin e shtrirjes kapilare që ka pësuar ky fenomen. Nëse Lazarati ishte një “çiban” i keq në trupin shoqëror e moral të Shqipërisë (që dikur zinte pothuajse gjithë hartën e kultivimit të Shqipërisë), sot qelbi i atij çibani ka shpërthyer dhe ndyn për ditë çdo cep të Shqipërisë, çdo pyll, çdo liqen apo gji  deti. Për këtë arsye kjo krizë mbi krizë, që ka pllakuar sot Shqipërinë  është si një “helmim radioaktiv”, i cili shprish gjakun e njeriut dhe dalëngadalë, por me siguri të plotë, do i sjellë vdekjen. E këtu nuk bëhet fjalë as për 4 apo 34, gjë për të cilën duhet te përgjigjen vetëm persona të veçantë, jo një popull i tërë, i cili tani është i dënuar me “helmimin” e sigurt moral, social dhe politik të kanabisit.

Përtej këtij bashkëbisedimi prej Diogjenësh, një i tretë, për t’i qëndruar besnik qëndrimit të tij të përhershëm larg të qenit i skajshëm apo partiak, do të përpiqej ta parafrazonte me këtë  përshkrim një gjendje analoge me të sotmen: “Historia na thotë se rrënimi i popujve shkon krahas me rrënimin e zakoneve dhe karakterit të tyre. Perikliu, kryetari i madh i Athinës, teksa mblidhte një ditë popullin rreth atyre që kishin mbetur nga lufta e Pelopenezit, me një zë të përmballshëm pat britur: “Ky vit e bjerri pranverën e vet...”. Këto fjalë vaji na shkojnë nëpër mend sot, sa herë që në këto ditë, lexojmë në gazetat tona të përditshme apo shohim, mbi gjendjen e mjerueshme të njerëzve tanë. Duke lexuar këto fraza  të lara me lot, do te ofshanim edhe ne kështu: “Shqipëria po e bjerr pranverën e vet”!

Sa aktualisht të dhimbshme tingëllojnë sot ato fjalë, të cilave ne mund t’u shohim se Shqipëria po i “shprish” kështu edhe pritshmërinë e saj, sidomos të gjithçkaje që është investuar në Reformën në drejtësi, si një gur themeli për të ardhmen e saj. Ndaj nuk kemi si të mos i trajtojmë me përgjegjësinë dhe thellësinë më të madhe intelektuale, të gjitha rrugët dhe mënyrat e drejta, për ta mbrojtur demokracinë dhe sistemin-vend shqiptar nga të gjitha këto rreziqe që e kanosin. Ky do të jetë edhe synimi themelor i të gjitha analizave tona mbi këtë protestë paqësore e cila  duhet që në fundin e saj të krijoj domosdoshmërisht një produkt që të hapë rrugën për zgjidhjen e kësaj krize mbi krizë, ku është futur sot e ardhmja shqiptare. Por për ta konsideruar akoma me më shumë seriozitet këtë qëllim le ta nisim nga një paralajmërim tjetër:   “Duhet t’ia vërë mendjes mirë populli kësaj gjendje, se me bjerrë pranverën e fuqive të veta është shuplaka më e rëndë që ai mund t’i bëjë një shteti, duke i sjellë ndërkaq më të rrezikshmin varfërim”. Prandaj, ai duhet të protestojë  fuqishëm sot kudo  me vendosmëri duke bërtitur: “E ju të gjithë që keni për detyrë kujdesin dhe drejtimin e këtij kombi, përmbusheni deri në fund detyrën tuaj, duke e ruajtur këtë popull prej kullotës së keqe të kanabisit”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco