Rruga drejt pushtetit

Rruga drejt pushtetit

Nga Erion Piciri - 23/02/2017

Si fitohet dhe mbahet me nder pushteti? Disa konkluzione përgjithësuese mund të nxirren duke parë ecurinë e atyre që janë ngjitur dhe kanë rënë nga pushteti, e atyre që kanë lënë gjurmë në historinë e lidershipit politik dhe atyre që e kanë shpërdoruar forcën e tij. Ngjitja fillon kur kauza, njerëzit dhe lideri gjejnë njëri-tjetrin dhe së bashku nisin luftën drejt ndryshimit. Bashkimi i njerëzve rreth një çështje që i mundon, besueshmëria e atyre që e drejtojnë, artikulimi koherent dhe guximi për ta çuar çështjen drejt realizimit, janë vendimtare. Ideali, prestigji dhe aksioni janë forca që kanë bërë ndryshime në histori. Kur këto përbërës të lidershipit janë pjekur mjaftueshëm, lëvizje të vogla janë bërë të mëdha dhe njerëzit i kanë ngjitur në pushtet sikurse degradimi i këtyre komponentëve ka sjellë erozion, humbje të mbështetjes popullore dhe rënie prej pushteti. Më poshtë po trajtoj disa shembuj lëvizjesh politike në demokracitë e vjetra dhe të reja, që ndërthurin njerëz, kauza, liderë dhe veprime që të japin dhe të heqin pushtetin.

Pushteti buron nga njerëzit e thjeshtë

Në 10 shkurt 2007, senatori nga Illinois-i në Senatin Amerikan, Barack Hussein Obama II, shpalli kandidaturën për president të Shteteve të Bashkuara. Kështu nisi një ndër rrugëtimet më të pamundura politike në historinë moderne. Një njeri me ngjyrë kërkonte të drejtonte vendin ku ndarjet raciale kishin qenë të thella prej shekujsh. Një dëshirë që tejkalonte edhe ëndrrën e Luther King-ut për të ulur në tavolinën e vëllazërisë bijtë e ish-skllevërve me bijtë e ish-skllavopronarëve. As Luther King-u kur luftonte për të drejtat politike, nuk e kishte menduar se vetëm mbas 45 vjetësh, Amerika do t'i gjykonte njerëzit jo nga ngjyra e lëkurës por nga forca e karakterit, ashtu siç ai kishte predikuar.

Në këtë rrugëtim thuajse të pamundur, Obama ndalet në ato fillime në një bisedë me një përfaqësuese afro-Amerikanë të Karolinës së Jugut. Ç’mund të bëj të fitoj mbështetjen tënde, e pyet ai? Përgjigja ishte e shkurtër - të vish në Greenwood. Kjo ishte një qytezë me më pak se 30 mijë banorë, që nuk dihet se sa kandidatë presidencialë do e kishin marrë në konsideratë. Dhe jo më kot. Në rrugën për t'u bërë president i Shteteve të Bashkuara, një kandidati i duhen mbi 60 milion vota. Vetë Obama mori afro 69.5 milion vota ne 2008-ën dhe është e sigurtë që nuk arriti të shkonte në çdo qytezë të Amerikës 300 milionëshe. Por nga përvoja si community organizer, ai kishte kuptuar se respekti i njerëzve buron nga vëmendja ndaj tyre, se pushteti buron nga njerëzit e thjeshtë dhe për të pasur mbështetjen e tyre duhet të kesh një kauzë në qendër të së cilës janë ata, t'ju shërbesh me përkushtim t'iu fitosh zemrën dhe mendjen. Me këtë përkushtim, në një prej ditëve, diku pas mesnate, ai arrin në Karolinën e Jugut. Me pak orë gjumë zgjohet që herët në mëngjes, bëhet gati dhe i lagur nga një shi i rrëmbyer momenti niset për në Greenwood. Mbas afro një ore e gjysme rrugë arrin në qytezë. E priste një grup i vogël njerëzish të varfër në një atmosferë aspak entuziaste. Mes tyre, përballë tij qëndronte një grua e shkurtër tek të 60-at, me kapele dhe syze të mëdha që i buzëqeshte. Nuk kaluan pak sekonda dhe ajo thirri Fired up! Të tjerët ia kthyen, Fired up! Ready to go, u dëgjua sërish gruaja. Ready to go, ia kthyen të tjerët. Fired up, ready to go!, ishte refreni i saj që u përcoll nga të tjerët dhe ndezi atmosferën e solli entuziazmin. Këtë histori Barack Obama do ta kujtonte gjatë gjithë presidencialeve, do ta kthente në një ndër motot e fushatës së tij, do ta shkruante në bluzat e mbështetësve në mbarë Amerikën, dhe do ta kujtonte edhe në fund të dy mandateve presidenciale, në fjalimin e fundit mbështetës të Hillary Clinton-it në nëntor 2016.

Ika nga ai takim ne Greenwood kujton Obama, dhe ndjeva se mora me vete një energji të fortë për të ecur përpara. Fushata shkonte nga një vend në tjetrin, nga Jugu në Veri, por ajo thirrje nuk harrohej. Zjarri brenda vetes mbahej ndezur dhe dëshira për të ecur nuk ndalej. Konkluzioni ishte i qartë. "Nëse një njeri mund të ndryshoje një dhomë, mund të ndryshojë edhe një qytet, nëse ndryshon një qytet mund të ndryshojë edhe një komb, nëse ndryshon një komb mund të ndryshojë  të gjithë botën", besonte Obama mbas atij takimi.

Në fakt ajo çfarë ndodhi në atë mëngjes në Greenwood, ishte prova se ky kandidat ishte gati për të qenë një lider. Përkushtimi edhe ndaj një njeriu të vetëm është thelbi i pushtetit. Jo rastësisht gruaja tek të 60-at reagon në një formë të tillë. Kandidati, lideri në ngjitje komunikon me pamjen, prezencën, sinqeritetin dhe ngrohtësinë e tij. Obama mbajti premtimin, i vlerësoi dhe ata e ndjenë se ky njeri meritonte gjithë besimin e tyre. Energjia që mori nga ai takim tregonte se ai sinqerisht i çmonte ata njerëz. Çmonte mirësisë e tyre më shumë se statusi a paraja dhe ata e ndjenin diçka të tillë.

Rasti tipik kur lideri dhe mbështetësit gjejnë dhe frymëzojnë njëri-tjetrin, shkrihen për t’u bërë një, në rrugëtimin historik të ndryshimit të kombit. Njerëzit besonin tek ai njeri, besonin se kauza e tij se ishte kauza e tyre, kauza e njerëzve të thjeshtë që dëshirojnë një botë më të drejtë. Ata i dhanë frymëzimin për të përshkruar një ndër rrugët më të pamundura, të papërshkuara nga askush tjetër më parë, që një njeri me ngjyrë të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, të drejtojë Shtetet e Bashkuara dhe të behet lideri i të gjithë Botës së Lirë. Kur një lider potencial krijon një marrëdhënie besimi të ndërsjelltë me njerëzit, krijon sinergjinë e transformimit, me kohë kthehet në një lëvizje të madhe ndryshimi.

Ajo çfarë e bënte të veçantë fushatën e Obamës, e gjejmë në një prej fjalimeve të tij, mbajtur në New Hampshire, më 10 janar 2008. "Të gjithë kandidatët në garë i ndajnë këto qëllime. Të gjithë kanë ide të mira. Të gjithë janë patriotë që i shërbejnë këtij vendi me nder. Por arsyeja se pse fushata jonë ka qenë gjithnjë ndryshe është se ajo nuk ka të bëjë vetëm me atë çfarë do të bëj unë si president, por edhe se çfarë ju, njerëzit që e duan këtë vend, mund të bëni për ta ndryshuar atë".

Një fushatë që i përfshinte njerëzit, i bënte pjese aktive me kontribute dhe përgjegjësi në rrugën drejt ndryshimit. Kjo shpjegon atë se pse njerëzit rrinin në radhë për ta votuar. Ata mendonin për kauzën, për realizimin e saj përmes këtij njeriu që kishte në mendje interesat e tyre më të mira. Puna e liderit është të mendojë për njerëzit, puna e njerëzve është të dërgojnë drejt pushtetit njeriun që mbron kauzën e tyre. Obama kishte kuptuar thelbin e pushtetit ose më mirë me thënë jeta i kishte dhënë pozicionimin e duhur. Ai mendonte për njerëzit, kjo ishte kauza e origjinës së tij, e historisë së jetës se tij dhe të ngjashmëve të tij në Amerikë.

Mbrojtja e një kauze të rëndësishme sjell fuqizimin

Rreth 20 vjet më parë, në Rumani, një vend kandidat atëherë dhe anëtar i sotëm i BE-së, u krijua një koalicion qeverisës paszgjedhor midis një grupimi të madh edhe një grupimi të vogël politik. Ata erdhën në pushtet me nje valë popullore ndryshimi, mbas një revolucioni të tjetërsuar nga një e majtë që kishte pasuar në pushtet Ceausescu-n. Një vit mbas bashkëqeverisjes aleatët fillojnë kontradiktat. Ministri i transportit nga grupimi i vogël jep një intervistë televizive ku shfaq pakënaqësinë mbi performancën e ekzekutivit. Sipas tij "Kjo qeveri ka dy mundësi, ose të hyjë në librat e historisë ose të përfundojë në koshin e plehrave të historisë. (...) Deri tani nuk jam i sigurt se do hyjë në librat e historisë". Kaq u desh të fillonte një konflikt midis dy partnerëve të koalicionit. Ministri kërkonte të ruheshin parimet edhe eficienca qeverisëse, ndërsa kryeministri dorëheqjen e ministrit. Në këtë konfrontim, figurat markante të partisë së vogël, me gjithë kryetarin, u bënë bashkë dhe nuk e lanë kolegun e tyre të vetëm në betejën e tij. Një muaj nga ky konflikt, partia e vogël kërkoi  dorëheqjen e kryeministrit dhe pak kohë më vonë tërhoqi ministrat e saj nga qeveria.

Vendosmëria e tyre bëri diferencën jo vetëm për atë moment politik, por edhe për raportin e forcave në 15 vitet e ardhshme në arenën politike të atij vendi. Grupi më i madh për hir të qeverisjes dhe koalicionit i tërhoqi mbështetjen politike kryeministrit dhe e zëvendësoi me dikë tjetër. Puna çalonte si tek kauza edhe njerëzit që kishin zgjedhur t'i drejtonin. Mbas këtij momenti kjo forcë nuk pa më ngjitje, në dy vite nga parti kryesore e skenës politike, nuk hyri dot më as në parlament. Nga parti historike mbi njëqind vjeçare, që i mbijetoi  në burgje edhe komunizmit, u shua në një dekadë tranzicion se nuk kaloi testin e unitetit rreth vlerave që e kishin rikrijuar. Në katër vite pushtet u tret kauza e saj, krijimi i një demokracie ligjore, unitet rreth moralit, eficiencës qeverisëse dhe c'komunistizimit të vendit. Ata thërrmuan bërthamën e vlerave dhe mbështetjes së tyre elektorale.

Ndërsa partia e vogël, që i dha mbështetje totale ministrit të saj për një çështje të drejtë, fitoi një lider potencial, u asociua me dëshirën për performancë qeverisëse dhe disa kohë më vonë filloi ngjitjen. Me këtë ministër si kandidat fitoi bashkinë e kryeqytetit, fitoi dy herë presidencën me votë popullore dhe krijoi si parti kryesore qeverinë e vendit. Me moton 'Drejtësi dhe Vërtetësi' njerëzit u mobilizuan për t'i dhënë një energji të re pushtetit. Lideri nuk kishte zhgënjyer me funksionet publike dhe opozitarizmin e tij. Mori një parti të vogël, e reformoi, e rinovoi, e pastroi dhe filloi një luftë pa kompromis ndaj sistemit kleptokratik të vëndit. Kur një herë i doli një eksponent lokal partie që kishte marrë disa vota të pandershme, e përjashtuan nga rradhët e tyre. Sipas tij, një njeri që nuk dinte të respektonte votën, nuk dinte c’është demokracia, nuk mund ishte i denjë për të bërë pjesë në partinë e tyre politike. Në cdo detyrë publike si ministër transportesh dhe kryebashkiak ai solli ndryshimin. U përball me sistemin dhe doli fitues. Ndezi shpirtin e revoltës së miliona njerëzve dhe u kthye në një uragan elektoral. ‘Nuk mund të na vjedhin ata sa mund të votojmë ne’, ishte thirrja e tij në raundin e dytë të presidencialeve të  2004-ës dhe njerëzit e dëgjuan. Nga 31% të raundit të parë, rikuperoi afro 20% në dy javë dhe doli fitues. Të rinj dhe të reja votonin në masë, që një ish-komandant anijeje, t’i udhëhiqte në ujrat e trazuar të tranzicionit, për të vënë drejtësi ndaj korrupsionit dhe autoritarizmit, për të hapur një hapur një faqe të re në historinë e tyre kombëtare. Ai e cliroi prokurorinë speciale nga ndikimi politik, u dha  forcën prokurorve për të cuar drejt dënimit mbi dy mijë personazhe publike, ndër të cilët edhe vëllain e tij.     

Kjo është historia e ngjitjes drejt majave të pushtetit të ish-presidentit rumun Traian Basescu dhe e partisë së tij, një histori që ilustron konkluzionet e studiueses gjermane të shkencave politike Elisabeth Noelle-Neumann me teorinë e saj mbi spiralen e heshtjes. Sipas saj, grupi që ka disponibilitetin më të madh të luftojë për pikëvështrimet e tij, me kohë do bëhet dominues, ndërsa një grupim, qoftë ky edhe mazhoritar, që nuk ka besim tek mbrojtja e qëndrimit të tyre, me kohë do pësojë tkurrje (Elisabeth Noelle-Neumann, The Spiral of Silence: Public Opinion – Our Social Skin, Comunicare.ro, Bukuresht, 2004). Por nuk duhet të harrojmë se besimi dhe vendosmëria buron nga forca e idealit që ndan grupi, nga garancia që afron lideri. Devotshmëria ndaj kauzës, sjell devotshmërinë e njerëzve dhe  hap rrugën drejt pushtetit.

Abandonimi i njeriut të kauzës së drejtë cenon besimin

Një situatë afërsisht e ngjashme, me fillimet e Basescu-t, përsëritet plot mbas 20 vjetësh në Shqipëri, edhe ky një vend kandidat për në BE, po dy parti të koalicionit qeverisës, një e madhe dhe një e vogël, me një ministër drejtësie i partisë së vogël që hyn në konflikt me ministrin e brendshëm dhe kryeministrin e vendit për luftën ndaj drogës dhe kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni.

Paralelizmi edhe mund të çalojë se ende nuk dimë me saktësi profilin moral të ministrit dhe partisë së tij, por ama jemi të qartë mbi vërtetësinë e akuzave të tij, mbi vendosmërinë e kryeministrit dhe të tijve për të mos luftuar kursin e kriminalizimit të vendit dhe zellin për të goditur çdo kënd që thotë disa të vërteta, sikurse kemi një lojë të partisë së vogël të ministrit, për të abandonuar këtë të fundit, për të lënë luftën e së vërtetës në këmbim të jetëgjatësisë së pushtetit.

Partitë dhe liderët që hedhin kauzat dhe promovuesit zor se bëhen të mëdha dhe nëse janë të tilla do treten me kohën. Nuk duhet të shitet për pushtet mbrojtësi i një kauze. Kur shet një luftëtar ke shitur shpirtin dhe pjesën më të mirë të vetes dhe të kombit. Në një pjesë të kulturës politike të Lindjes ish-komuniste, ky mund të jetë një normalitet, por në kohë abandonimi i njerëzve me ideale dhe kauzave të drejta, ka minim të besueshmërisë.

Stalini, Hoxha & Co shquheshin si tinzarë dhe të pabesë jo vetëm me kundërshtarët por edhe me bashkëpunëtorët. Ambiciet karrieriste të këtyre të fundit keqpërdoreshin, i dërgonin t'ju bënin gropën të tjerëve dhe mbasi i kishin përdorur deri në zvetënim, i sakrifikonin duke iu ndërsyer ujqërit e tjerë të kopesë. Kjo kulturë e organizimeve tona politike duket se nuk ndalet. E. Hoxha ishte mastershefi i kësaj filozofie, por edhe pionierët e tij nuk mbeten pas. Njëherë e një kohë përdoreshin dhe sakrifikoheshin me radhë shefa shtabi dhe shërbimesh sekrete, ministra të brendshëm, të mbrojtjes dhe kryeministra. Sot vazhdon e njëjta traditë, por eliminimet fizike nuk janë në rend të ditës. Kështu nuk ecet më. Kjo zhbën besimin e njerëzve tek pushteti, qeverisja dhe lidershipi.

Ka një rregull të artë në politikë - kurrë mos e lër vetëm njeriun tënd kur ai lufton për një kauzë të drejtë. Kur njeriu yt lufton për një çështje parimore mos e hidh, mos e shit, por mbështete me çdo çmim sepse lufta për vlera dhe ideale të lartëson, të shton mbështetjen dhe të kthen në forcë të madhe lëvizëse dhe transformuese në shoqëri. Të shkosh me të deri në fund tregon forcë karakteri. Se edhe politika ka ca parime. Nuk dërgohen njerëzit në luftë, u jepet siguri se do mbështeten dhe më pas në betejën e parë të humbur i sakrifikojmë, për pushtet dhe para kalojmë nga një anë e barrikadës në tjetrën. Kjo kulturë bie ndesh me kodet morale të lidershipit bashkëkohor, me frymën e luftës në ekip.

Përgjegjësia e lidershipit thonë Galford dhe Maruca, është jo vetëm të krijojë një model, një trashëgimi, por të ndërtojë edhe një komunitet liderash që do t'a transmetojnë këtë grup vlerash dhe parimesh më tej (Robert M. Galford, Regina Fazio Maruca, Your Leadership Legacy, Harvard Business School Press, 2006). Në rastin e fundit në Shqipëri, lënien pa mbështetje të ministrit të drejtësisë nga të tijët, kemi jo një krijues por një rrënues të këtij komuniteti, një ekzekutues të kurajës dhe luftës për të mbrojtur një kauzë të drejtë siç është ç'kriminalizimi i ekonomisë, qeverisë dhe shoqërisë. Nuk është ky lidershipi i vërtetë, nuk është kjo mënyra se si duhet të ndërtohet klima e bashkëpunimit në organizata - lufta krah njëri-tjetrit, në të mirë dhe në të keq, për të ndërtuar një komb vlerash. Në historinë e njerëzimit, ç’është ngritur mbi dredhinë ka sjellë rrënim dhe ç’është ngritur mbi nderin ka sjellë pushtetin dhe zhvillimin.

Fjala, nderi dhe ideali i mban njerëzit bashkë. Njerëzit kanë nevojë për modele që shquhen në kohë furtunash. Kjo shpjegon se pse fraksione politike krijojnë parti të vogla dhe të mesme, por që nuk rriten mjaftueshëm për të ardhur të vetme në pushtet. Janë liderë dhe parti që tranzaksiojnë interesa por nuk krijojnë frymë. Besimi që njerëzit të akordojnë është gjithçka për një njëri. Nuk duhet arritur i pari me çdo çmim. Fitorja duhët të vijë në kohën e duhur pa thyer kollonën e vlerave të tua. Kjo të kthen në një model të parë për të gjithë. Nëse shoqërohet edhe me vendin e parë kjo është një fitore e dyfishtë.

Kultura e 'ujkut oriental', për të cilën shkruante në periudhën interbelike Krist Maloki (akademik shqiptar që jetoi e punoi në Austri), duhet abandonuar. Orientalizma shqiptare, thoshte ai, ka rrënjë të vjetra që me ndarjen e Perandorisë Romake, në Lindje dhe Perëndim. Në 13 shekuj ne ia kemi shteruar lëngun helmues kësaj bime dhe nuk njohim kauzë, shok e mik, por si një kope ujqërish shkojmë bashkë për të shqyer prenë dhe kur ndonjëri plagoset rrugës e copëtojmë midis nesh. Sado e vjetër të jetë si traditë duhet harruar. Duhet një qasje e re - bashkë me të mirin dhe ndarë me të ligun deri në fund të kësaj bote. Kjo e forcon besimin e njerëzve duke i hapur rrugën çdo iniciative të suksesshme.

Mbrojtja e të inkriminuarve ndan fajësinë, sjell kompromentimin

Përkrahja direkte apo indirekte e njerëzve të inkriminuar sjell bashkëfajësinë. Kjo mund të jetë rrënuese kur profilin publik e ke ndërtuar mbi ndershmërinë. Paqartësia dëmton besueshmërinë, stimulon goditjet e kundërshtarëve dhe ç’orienton mbështetësit. Një shembull mund ta japim sërish nga politika shqiptare. Në vitin 2005 në Shqipëri vjen në pushtet një mazhorancë e re, një koalicion politik dhe civil që moto kishte qeverisjen 'me duar të pastra'.

Për sa kohë iu përmbajtën kësaj filozofie ndenjën në pushtet, kur nuk dhanë prova se e kishin seriozisht, ranë prej tij. Ushtrimi i pushtetit është i vështirë dhe shpesh duhet të bësh zgjedhje ku testohen nën presion parimet dhe vlerat për të cilat njerëzit të kanë besuar. Kështu ndodhi edhe me ta. Viti 2011  ishte momenti kur sakrifikimi i kauzës për ruajtje pushteti u bë më i dukshëm. Në vitin 2011, dy ministra qeverie, nga një parti e vogël kishin filmuar njëri-tjetrin duke negociuar afera korruptive. Ky ishte momenti kur partneret më të mëdhenj, ata të duarve të pastra, duhet të mbanin një qëndrim të prerë. Duhet të aplikonin parimin e Lincoln-it, qëndrojmë bashkë për sa kohë ndajmë të njëjtat vlera, ndahemi kur ndonjëri shkon në drejtimin e gabuar. Hezituan, menduan për mbajtjen e pushtetit por harruan se po dëmtonin fibrën morale të partisë së tyre, vlerat që i mbajnë njerëzit bashkë dhe frymën që i motivon për të dalë në luftërat politike dhe elektorale. Njëherë tranzaksioni i pushtetit i instaluar, infeksioni përhapet në çdo nivel dhe kjo shpjegon jo vetëm daljen e tyre të mëvonshme në opozitë, por edhe kalimin me lehtësi të elektoratit nga një parti në tjetrën. Ashtu si dy vite më parë lidershipi la vlerat për pushtetin, dy vite më pas një pjesë e aktivistëve dhe elektoratit të partisë së madhe e braktisi këtë të fundit për të ndenjur në pushtet me partinë e vogël. U krijua modeli i ri, tranzaksioni në funksion të pushtetit, jo politikë parimore në funksion të kauzës. Kriza e atëhershme e besimit vazhdon edhe sot, ende ky formacion politik nuk krijon frymë mbarëkombëtare si një herë dhe një kohë, nuk ngjall shpresën për të cilën kanë nevojë qytetarët. Ndonëse shoqëria ka hyrë në një krizë mbijetese ku alternativë e vetme qeverisëse është kriminalizimi i politikës dhe ekonomisë, ende një projekt që kthen besimin mbetet një dëshirë e papërmbushur. Ka nevojë për një korrektim të së shkuarës dhe një vendosmëri për një moral të ri drejt së ardhmes. Ngjitja drejt pushtetit vjen mbas pastrimit të pjesëve të infektuara, me një lidership që përfshin njerëz me autoritet të lartë moral, të vendosur për të luftuar për një sistem të konsoliduar vlerash. Në kohë krizash kërkohen lëvizje të forta transformuese. Në këtë formë politika i kthehet idealit dhe njerëzit e ndjejnë se duhet t’i bashkohen. Kur mbetet një lojë statusi dhe pushteti, politika humbet frymën dhe kthehet në një proces mekanik frike dhe interesash. Nga ky moment rënia është çështje kohe dhe ngjitja e vështirë, me raste e pamundur.

Kauza, besimi dhe vendosmëria (ri)sjellin fitimin e pushtetit

Lënia e pushtetit për kauzën të rikthen më fuqishëm se më parë. Njerëzit janë të etur për luftëtarët e paepur, për njerëzit që jetojnë për triumfin e kauzës së tyre, që zotërojnë forcën e fjalës, frymëzimit dhe mobilizimit për një transformim që ua bën jetën më të mirë bashkëqytetarëve të tyre. Rasti i Mikheil Saakashvili-it është domethënës në këtë drejtim. Në vitin 1995 ai kthehet në vendlindje mbas një masteri në Columbia University. Hyn në politikë, në parlament dhe shquhet për dashuri ndaj vendit, profesionalizëm dhe idealizëm, që lë në hije çdo frymë klanore. Pak kohë në politikë e kishin kthyer atë në një ndër njerëzit më me popullaritet të vendit të tij.

Në vitin 2000, bëhet pjesë e ekzekutivit dhe shërben si Ministër Drejtësie i Gjeorgjisë në presidencën e Eduard Shevardnadze-s. Një natyrë reformatore, ai hyri shpejt në konflikt me Ministrin e Brendshëm dhe krerët e policisë për aferat e tyre korruptive. I pambështetur në përpjekjet e tij nga partia, në shtator të 2001 jep dorëheqjen si ministër duke refuzuar të ishte pjesë e një regjimi që kishte përhapur metastazat e korrupsionit në çdo qelizë të tij dhe duke akuzuar vetë Shevardnadze-n se po administronte dhe po kriminalizonte vendin. Saakashvili kishte arritur shumë gjatë atyre viteve, por kuptoi se kauza dhe vendi ishin më të rëndësishme se pushteti. Rasti tipik i një lideri që nuk rend mbas qetësisë, por mbas përballjes dhe ndryshimit, nuk rend mbas karrierës si shpërblim ndaj bindjes dhe konformimit, por mbas monopatit të rrezikshëm të konfrontimit me njerëzit më të pushtetshëm, të krimit politik dhe ekonomik. Një kthim tek forca reale e një vendi, tek mobilizimi i njerëzve. Kështu nisi rrugëtimi  i tij për të ndryshuar Gjeorgjinë.

Energjik dhe i pandalur ai themelon Lëvizjen e Bashkimit Kombëtar në 2001 dhe mbas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2003, udhëheq në nëntor të atij viti Revolucionin e Trëndafiltë, që e detyron Shevardnadze-n të japë dorëheqjen. E nisur nga zero, partia e tij fiton 67% të votave në zgjedhjet e 2004-ës dhe ai fiton zgjedhjet presidenciale duke i dhënë Gjeorgjisë një qasje të qartë properëndimore dhe proatlantike.

 Si e arriti ky njeri diçka të tillë? Forca buron nga kauza, prestigji dhe guximi. Forca buron nga vendosmëria për të realizuar atë çfarë është e nevojshme për kombin në një moment të vështirë për të. Dhe çfarë është më e rëndësishmja të kuptohet se këto cilësi nuk vlerësohen nga establishmenti, por nga njerëzit e thjeshtë, kështu që lënia e pushtetit dhe kthimi tek ai qytetari që tregton prodhimet në cep të rrugës, tek intelektuali që po e nëpërkëmb tarafi i partisë, tek fermeri që prodhon me vështirësi kulturat tradicionale, tek sipërmarrësi prodhues që lufton me konkurrencën e pandershme, tek profesionistët e rinj që administrojnë me sukses kompani vendase dhe të huaja, është burimi i forcës, energjia që zëvendëson të vjetrën me të renë.

Veçse ka diçka, njerëzit e thjeshtë nuk vihen pas një njeriu të dobët, nuk japin maksimumin mbas një njeriu me faqe të nxirë, mbas një njeriu që rend mbas pushtetit, por mbas një njeriu që pushtetin do ta kthejë në një mundësi mirëqenieje për të gjithë. Ata çmojnë kurajën, pastërtinë e njerëzve që kërkojnë t'i udhëheqin, sinqeritetin e qëllimeve, energjinë dhe dashurinë ndaj tyre. Sakashvilli deri në atë moment i kishte të gjitha, kredibilitetin, figurën publike me reputacionin më të lartë në vend, kishte provën se për kauzën lë pushtetin, se për të shpëtuar vendin e rrezikonte, qetësinë, karrierën por edhe vetë jetën.

Ka shumë për të folur mbi arritjet dhe mosarritjet e tij të mëpasshme gjatë dy mandateve presidenciale, por këtu u ndalëm tek pjesa e parë e jetës së tij politike, tek forca që nuk buron nga mbajtja e pushtetit me çdo çmim, por nga lënia e diçkaje të inkriminuar, tek ngjitja mbi prestigjin, kredibilitetin dhe vendosmërinë për kauzën.

Qëndrueshmeria e përkushtimit ndaj njerëzve të jep infulencën, pushtetin dhe historinë

Në të tre rastet e mësipërme, në demokracitë e reja Lindore, ata që zgjodhën qëndrimin në pushtet duke sakrifikuar kauzat për të cilat ishin investuar, në tre vitet që pasuan humbën përfundimisht pushtetin. Kështu ndodhi me Konventën Demokratike të Rumanisë dhe partinë kryesore PNTCD (partine historike të rezistencës anti-komuniste), me regjimin e Shevardnadze-s në Gjeorgji dhe me qeverisjen e Partisë Demokratike në Shqipëri.

Këtu është rasti të nënvizojmë edhe trajektoren e atyre që u ngjitën në pushtet përmes kauzës, prestigjit dhe vendosmërisë. Si Traian Basescu ashtu edhe Mikheil Saakashvili erdhën në një valë popullore shprese dhe besimi, por në fund të dy mandateve presidenciale kuotat e mbështetjes së tyre ranë ndjeshëm. Nga heronj u kthyen në të dyshuar për shpërdorim pushteti. Traian Basescu  u rikthye në politikë, në krye të një partie të re (Lëvizja Popullore) dhe mezi hyri në parlament me 5% të votave. Partia e tij hershme u nda, u përça dhe u shkri me një parti tjetër.

Saakashvili, humbi zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale me partinë e tij, u largua nga vendi dhe sot vazhdon karrierën politike në vendin e studimeve të hershme universitare, Ukrainën. Partia që krijoi është në një proces ndarjeje mes fraksioneve të shumta të saj. Rasti tipik i personazhesh politike në Evropën Lindore që ngjiten dhe bien në sajë të kauzave, kredibilitetit dhe vendosmërisë, por nuk arrijnë dot të krijojnë një model, të lënë një trashëgimi për të cilën të vlerësohen gjatë. Duket se bien viktima të një kulture të munguar të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit pa kompromentuar vlerat që i ngritën në krye të punëve të vendit. Historia post-komuniste e Europës Lindore është e mbushur me raste te tilla.

Nuk ndodhi kështu me Barack Obamën. Trajektorja e ngjitjes së tij në pushtet ishte në kufijtë e të pamundurës, ushtrimi i pushtetit me arritje dhe pa skandale, një histori suksesi. Kauza, besueshmëria dhe vendosmëria jo vetëm gjatë ngjitjes drejt pushtetit por edhe ushtrimit të tij, garanton përjetësinë, rrit prestigjin, ndërton trashëgiminë e lidershipit.

Në një anketim të vitit 2017, të kryer midis 91 historianëve, biografëve dhe studiuesve të lidershipit presidencial amerikan, në universitetet më të mira të Shteteve të Bashkuara, bazuar në karakteristikat udhëheqëse Barack Obama zë vendin e 12, duke u përfshirë në 1/3 e presidentëve më efektive Amerikanë në histori. Në këtë klasifikim ai renditet pranë Reagan-it dhe Wilson-it, përpara Kennedy-t, Clinton-t, Bush-ve dhe shumë të tjerëve. Një lider që frymëzon, ngjitet në pushtet përmes një kauze të fortë, për një vend të mundësive për të gjithë, merr mbështetjen dhe e përdor pushtetin me integritet për të shumtët. Tek autoriteti moral ai radhitet i shtati, tek menaxhimi ekonomik i teti dhe tek drejtësia e barabartë për të gjithë i treti mbas Lincoln-it dhe Lyndon Johnson-it. (https://www.c-span.org/presidentsurvey2017/?përsonid=34702) Asnjë skandal gjatë gjithë jetës së tij, si para ashtu dhe gjatë ekzekutimit të pushtetit. Një ndër presidentët që e mbyll mandatin me një miratim prej 55% të punës së tij, i dëshiruar nga një mazhoritet amerikanësh për një mandat tjetër. Kështu mund të krijosh një model dhe mbahesh mend gjatë. Kështu fiton dhe ushtron një pushtet të përjetshëm që kalon çdo hapësirë dhe kohë.

Në vend të përfundimit...

Ngjitja drejt pushtetit i dedikohet vendosmërisë të një lideri dhe të një grupi njerëzish, që të pafrikësuar nga humbjet ecin përpara drejt një rruge të re, të panjohur por të dobishme për ruajtjen e moralit dhe kohezionit social rreth vlerave që ata besojnë. Këtu dallohen liderët e vërtetë. Ata janë mbartës vlerash, modelesh, rigjenerues virtyti dhe integriteti në organizata dhe vendin në tërësi. Ruajtja e vlerave në opozitë dhe pushtet, në ngjitje dhe përgjatë ushtrimit në majat e lidershipit të jep pushtetin real, influencën përtej çdo autoriteti formal, krijimin e një modeli me rezonancë në kohë.

Një kauzë e drejtë në dorën e njerëzve të gabuar nuk do të ketë asnjë efekt. Nuk mund të frymëzosh për lirinë kur ke qenë cënues i saj, nuk mund të frymëzosh për ndershmërinë kur ke qenë i pandershëm në ushtrimin e pushtetit dhe me popullin tënd, nuk mund të frymëzosh për drejtësinë kur ke qenë shantazhues i saj, nuk mund të frymëzosh për votën e lirë kur ke qenë manipulues i saj. Kur tjetër thua dhe tjetër bën, askush se di se ku qëndron. Kriza e besimit kompromenton edhe vetë kauzën.

Nëse ke qenë largpamës dhe simbol i më të mirës njerëzore do mbështetesh dhe kujtohesh gjatë, nëse nuk i ke këto cilësi mundohesh më kot. Njerëzit janë të vëmendshëm jo vetëm ndaj çështjes por edhe ndaj promovuesve të saj. Bindja se diçka do realizohet sipas asaj që premtohet i jep lideri një mbështetje të gjerë, nga njerëz dhe grupe të pamenduara më parë.

Mos rend mbas pushtetit por mbas kauzës së përbashkët, mos iu gëzo influencës që buron nga statusi por fito besimin e sinqertë të njerëzve të tjerë, mos i detyro të të ndjekin por ndërmerr veprime për të mirën e të gjithëve që njerëzit të kenë nder të të bashkohen, ta kthejnë kontributin në misionin e jetës së tyre. Respekti fitohet dhe nuk kërkohet apo imponohet. Qëndrueshmëria e kauzës dhe besimit janë burim i pashtershëm pushteti...

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Llaqi02/03/2017 11:27

Në Shqipëri pihet/konsumohet kafja POR nuk kultivohet bima.

A ka ndonjë sere për ta rritur bimën e më pas të japi kafen shqiptare për ta shijuar...?!

ai23/02/2017 19:37

kemi pare picir me sy por jo kaq sa thua ti

Shto koment

Denonco