Qeveria teknike si zgjidhje e vetme për qeverisjen tektonike

Qeveria teknike si zgjidhje e vetme për qeverisjen tektonike

Nga Ndriçim Kulla - 22/02/2017

Përplasjet politike shpesh i kanë krahasuar me përplasjet e pllakave tektonike nëntokësore që sjellin tërmete të forta. Në politikë, ka disa lloje përplasjesh të tilla politike që mund të quhen tektonike:

1) Midis qeverisë (shumicës parlamentare) dhe opozitës.

2) Midis partive aleate brenda një shumice parlamentare që mbështet qeverinë.

3 Përplasjet brenda një partie të madhe.

Sipas rregullave të politikës, që të ketë një tërmet politik që bën të lindë nevoja për krijimin e një qeverie teknike, duhet që të ketë një krizë parlamentare, domethënë duhet që të prishet shumica parlamentare dhe që asnjëra palë të mos jetë në gjendje për të krijuar një shumicë parlamentare. Në këto kushte vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe në përiudhën e ndërmjetme qeveris qeveria teknike. Në teori opozitës i lind e drejta që të kërkojë qeveri teknike dhe të protestojë në rrugë për këtë kërkesë, kur Kryeministri vazhdon të qeverisë edhe atëherë kur nuk e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për të mbështetur qeverinë e tij.

Në Shqipëri shumica parlamentare e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 nuk është prishur. Mund të prishet në çdo çast, por deri tani nuk është prishur. Kështu që në pamje të parë duket se, sado e fortë të jetë përplasja e palëve të politikës, qeverisë dhe opozitës, nuk mund të krijohet një qeveri teknike, sa kohë që kryeministri e ka numrin e nevojshëm te deputetëve për të mbështetur qeverinë e tij.

Por sot në politikën shqiptare ka një përplasje të fortë të pllakave tektonike brenda koalicionit në pushtet, mes PS-së dhe LSI-së, gjë që e ka bërë qeverisjen tektonike. Dhe kjo përplasje nuk është një debat idesh por një përplasje shumë konkrete me akuza për afera krimi dhe korrupsioni që shpesh kanë qenë më të rënda edhe se ato të opozitës. Akuza të tilla kanë ardhur edhe nga brenda vetë qeverisë, nga ministra të rëndësishëm si ai i Drejtësisë, që ka akuzuar kolegët e PS-së, duke nisur që nga ministri i Brendshëm, si dhe vetë kryeministrin. Por përplasja e pllakave tektonike politike ka qenë e fortë edhe brenda vetë PS-së, ku jo pak deputetë kanë hedhur akuza të rënda ndaj ministrave të caktuar dhe vetë kryeministrit. Qeverisja është bërë kështu tektonike.

Por qeverisja tektonike është më e rëndë se kriza parlamentare për një shumicë parlamentare dhe qeverinë e saj. Asnjë opozitë në botë nuk e toleron qeverisjen tektonike. Nuk është çështja se qeveria është e ligjshme, por i është cënuar legjitimiteti, siç thonë disa analistë që mbrojnë qeverinë, duke dashur të paraqiten si të pavarur. Qeveria ka vetëshkatërruar, me anë të gjymtyrëve të saj që përleshen midis tyre ligjshmërinë dhe legjitimitetin e saj. Në këtë rast, opozita, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike, nuk bën gjë tjetër veçse shfrytëzon një proces të cilin nuk e ka nisur ajo, por ka nisur brenda vetë shumicës parlamentare dhe qeverisë.

Cila opozitë në botë nuk do të protestonte ndaj një qeverie ku ministri i Drejtësisë proteston ndaj kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, ku ministri i Mjedisit proteston ndaj kryeministrit dhe thotë se ai e ka kërcënuar se do ta largojë nga qeveria nëse vazhdon të denoncojë kryetarin e bashkisë të dytë më të madhe të vendit, për lidhje me mafien. E kështu me radhë. Kjo listë mund të bëhet më e gjatë, por nuk është rasti në këtë shkrim që ka temë tjetër. Një opozitë që nuk proteston përballë një qeverisjeje tektonike rrezikon që të humbë gjithë besueshmërinë e saj. Sepse elektorati do të thotë: Kur brenda në qeveri kanë plasur protestat e partive aleate dhe ministrave midis tyre, çfarë bën opozita, fle gjumë?

Një shumicë parlamentare që prodhon qeverisje tektonike nuk mund të pretendojë ta çojë vendin në zgjedhje me qeverinë e saj. Një opozitë që ka përballë një qeveri nga ku dalin akuza plotësisht të arsyetuara se të ardhurat e paligjshme të kanabisit do të përdoren për të blerë vota, nuk mund të pranojë të shkojë në zgjedhje me këtë qeveri, nëse do që elektorati të ketë besim te ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

turp23/02/2017 09:24

Qeveria teknike duhet edhe per nje gje . A e dine njerezit , qe ne gjithe administraten shtetrore , po u merren te gjitha te dhenat punonjesve te saj , kudo ne cdo rreth , ne cdo institucion , ne cdo drejtori , ne cdo dikaster . Njesoj si furmolari i Gardes se u publikas nga z. Berisha . U kerkohet te jene te gatshem te shkojne ne qendrat e e ps kudo gjate fushates , sa vete do kene ne ngarkim per te votuar per ps , numrat e cel , qaendrat e banimit e plot idiotsira per keto. Imagjinoni nje armate administrative me 100 mije njerez plus qe duhet re gjejne secili nga 5-10 veta pre ps . Ky eshte njeriz si kanabisi , edhe me i madh.

Shto koment

Denonco