Maqedonia mes Trumpit dhe Sorosit

Maqedonia mes Trumpit dhe Sorosit

Nga Alqi Koçiko - 22/01/2017

Në mes të një klime të ringrohur Tiranë-Beograd, ku violinë e parë ishte miqësia kryeministrore dypalëshe dhe premtimi i dyanshëm që megjithë mospërputhjet në tema të caktuara, dialogu dhe përpjekjet për t’u afruar me njëri tjetrin të vazhdojnë, ra si “rrufe në të kthjellët” incidenti i një treni tipik agitpropist nacionalist serb. Ishte një tren që u nis, por nuk bitisi deri në Mitrovicë, ndërsa ende mes Tiranës dhe Prishtins nuk ishte shuar jehona e një debati tjetër; a duhej dhe deri në ç’masë e në ç’forma duhej të përfaqësonte Prishtinën përballë Serbisë, kryeministri i Tiranës.

Por nëse deri këtu do ta quanim diçka me të cilën jemi mësuar të vijë nga Serbia (një incident, pastaj “iniciativat” për të ulur gjakrat dhe “meritat” përkatëse për shmangien e një ngjarjeje të pakëndshme), ajo që ra shumë më pak në sy ishte se papritur Beogradi (më saktë, ministri i Jashtëm) e quajti Maqedoninë FYROM dhe sugjeroi të vazhdohej me këtë emërtim. Ç’ne kjo hidhësirë e sllavit ndaj sllavit?

Në fakt, provokacioni në të dyja rastet ka si shënjestër parësore faktorin shqiptar dhe “viktimizimi” maqedonas është vetëm një efekt anësor. Serbia, që mund të akuzohet për shumë gjëra por jo për mungesë informacioni, e di se me hyrjen e presidentit të ri Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, disa momente të lëna pezull do të marrin rrugën e zgjidhjes (edhe) në Ballkan. Edhe pse (tashmë arsyetimi kalon në nivelin makro) qëndrimi i Trumpit për ngrohje marrëdhëniesh me Rusinë dhe shtrim për zgjidhje të disa krizave ndërkombëtare u komentua si blasfemi nga shumë kundërshtarë të kandidatit Trump, ky moment është tejkaluar dhe nga teoritë gjasat janë të kalohet në praktikë shumë shpejt.

Një nga këto rajone delikate e problematike ende mbetet Ballkani, ku Bosnja mbetet në krizë dhe e paqetë, Kosova mbetet e provokuar dhe e panjohur nga Rusia, dhe Maqedonia mbetet e brishtë jo vetëm si demokraci ende e re, por edhe për specifikat e saj si shtet me popullsi heterogjene. “Specialistët” serbë e dinë se vetëm duke provokuar probleme mund të jenë pjesëtarë tryezash ndërkombëtare si pjesë e zgjidhjes.

Kjo pikturë e madhe marrëdhëniesh ndërkombëtare që sapo do fillojë të rivizatohet me ardhjen e presidentit të ri amerikan, në fakt e gjen Maqedoninë në një moment shumë të brishtë. Sapo kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare që megjithë rrudhjen elektorale, nxorën sërish në krye nacionalistin Gruevski nga partitë sllave dhe BDI-në e Ali Ahmetit nga partitë shqiptare. Po bëhet shumëçka që bashkëqeverisja Gruevski-Ahmeti (dhe partitë e tjera shqiptare) të mos realizohet, nën arsyetimin se kjo dyshe është fajtore si për gjendjen aktuale të shqiptarëve, ashtu dhe për pakënaqësinë e maqedonasve ndaj qeverisjes Gruevski. Padyshim që janë fajtorë dhe mund të thuhet se vota i ndëshkoi secilin prej tyre, aq sa i ndëshkoi, e ndoshta i kanë nxjerrë mësimet përkatëse. Ahmeti e di se po i zhgënjeu edhe këtë herë shqiptarët (në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, në përpjekjen për rritje ekonomike, punësim, mirëqenie etj) nuk do ketë shans tjetër. Gruevski erdhi në zgrip të humnerës dhe padyshim i ka kuptuar arsyet, që nuk përmblidhen vetëm tek faktori Soros në Maqedoni. Por ndërkaq ata mbeten ende fitues. Ndërsa i rrituri elektoralisht Zaev i LSDM-së, sërish nuk u rrit aq shumë sa të pretendojë qeverisjen e Maqedonisë, megjithë përkrahjen gjigande të linjës Soros në Shkup dhe zinxhirin e skandaleve që shkaktoi.

Ironikisht, faktori Soros e bën Maqedoninë një miniaturë ballkanike të zhvillimeve amerikane, ku po njësoj përpjekjet e manjatit, filantropit dhe spekulantit (gjithmonë ngjall kuriozitet sesi këto dy epitete të fundit mund të rrinë bashkë) dështuan në triumfin politik të kandidatëve që ai mbështeti. Dhe përderisa politika dhe qeverisja janë llogari konkrete, pragmatiste dhe lypin largpamësi, shqiptarët e Maqedonisë duhet të dinë të zgjedhin.

Njësoj siç do qe një minus i rëndësishëm që në tryezën ruso-amerikane Kosova të vijë jo si një ftesë për njohje nga ana e Rusisë, por si një “problem serb”; do të ishte fatkeqësi që në tryezën ruso-amerikane, Shkupi të prezantohet si një problem sorosian për presidentin Trump. Kjo nuk është në interesin e shqiptarëve.

 

*Alqi Koçiko, Kryeredaktor, Albanian Daily News 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arber25/01/2017 02:43

Me ne fund i vetmi gazetar qe i quan me emrin qe kane ne te vertete Sllave dhe jo si thone disa injorante Maqedonas.

alfa23/01/2017 10:03

i sakte z.Kociko nuk eshte ne interes te shqiptareve ne keteo momente ku shqiptaret u mblodhen ne nje trtyeze por sic e ka treguar historia e keqja jemi vete ne.
Mjafte te zbatohet marre veshja e Ohrit ngado qe te behen pale shqipetaret do te ken perfitim.
Si gjithmone jeni koherent te shikojme si do zhvillohen ngjarjet mos o zot krahu sorosian.

Shto koment

Denonco