Në mesjetën e Berishës dhe në rilindjen e Ramës!

Në mesjetën e Berishës dhe në rilindjen e Ramës!

Nga Hysni Gurra - 19/01/2017

Po vjen pranvera, dhe kjo pranverë përkon me prag fushatën elektorale. Pranvera është rilindja e bimësisë, por këtë vit nuk ka për ta lënë të qetë "rilindja" artificiale atë natyralen. Në vitin 2013 Rama pati identifikuar gjendjen e bujqësisë shqiptare si mesjetare. Premtoi se do ta nxirrte nga kjo gjendje.

Dhe siç bëri me çdo sektor tjetër të ekonomisë premtoi pesëfishim të buxhetit për bujqësinë. Vitin e parë e shtyu duke thënë- na la Saliu gropë, sa të mbushim gropat do të investojmë. Vitin e dytë e shtyu duke thënë- nuk na le LSI të punojmë, na griu, janë të papërmbajtshëm, etj. Vitin e tretë e shtyu duke thënë- ja do të na vijnë shumë euro nga Europa pasi të hapim negociatat dhe do investojmë. Vitin e katërt e nisi duke bërë batuta katund më katund, duke u tall me fermerët rreth hashashit. Pati premtuar infrastrukturë ujitje dhe kullimi. Katër vite në qeverisje tokat bujqësore u përmbytën në kohë me reshje dhe u thanë në periudhën e verës.

Në kohën "mesjetare" të Berishës përmbytej vetëm Lezha dhe Shkodra, gjatë "rilindjes" së zotit Edi përmbytet e tërë Shqipëria. Në kohën "mesjetare" të Berishës jepeshin rreth 35-40mijë projekte financim i drejtpërdrejtë për fermerët, gjatë rilindjes përfituan vetëm të ashtuquajturat qendra grumbullimi, të cilat sot rezultojnë në pjesën më të madhe projekte fantazmë dhe në ato pak raste kur diçka e ngritur më parë përfitoi fonde, nuk rimbursuan asnjë kacidhe për fermerët siç ishte parashikuar.

Këto fonde i përfituan biznese klienteliste të cilat në shumë raste nuk kishin lidhje me bujqësinë, u futën, morën fondet, ikën. Në kohën mesjetare të Berishës fahatrat e Korçës, Lushnjës, Lezhës, Shkodrës u lidhën me rrugë të asfaltuara me qendrat e qyteteve apo me rrugët nacionale. Gjatë periudhës së rilindjes janë shtruar pak ose aspak rrugë fshatrash. Në kohën mesjetare të Berishës u mbollën dhjetra hektarë tokë bujqësore me ullinj, agrume, vreshta dhe drufrutorë të tjera, gjatë rilindjes këto projekte degjeneruan në financime të tipit "jo më pak se x hektarë, jo më shumë se x hektarë". Finalja, rilindje me fjalë, me vepra zero.

Një sqarim për militantët, edhe sikur mos të prodhojnë asnjë kokërr ato që u mbollën gjatë periudhës së mesjetës, të paktën si pyllëzim shërbejnë, paçka se fermerët mund ta dëshmojnë më mirë këtë. Shihni kodrat përgjatë Luginës së Shkumbinit, nga Rrogozhina deri në Papër si provë të asaj që ka ndodhur gjatë mesjetës. A ka patur abuzime dhe vend për përmirësim para rilindjes? Sigurisht që ka patur, por duhej provuar rilindja për të kuptuar se fermerët ishin më mirë kur ishin "më keq".

E cilësoi kohën përpara tij si mesjetare edhe në aspektin e burimeve njerëzore, si të prapambetur, të trashë, pijanecë, të cilët nuk dinin të bënin projekte për të përthithur fondet nga BE. Gjatë periudhës së rilindjes edhe në këtë drejtim bëmë hapa mbrapa nga paaftësia dhe punësimet politike. Premtoi rritje të eksporteve "Made in Albania", produkti më i eksportuar "Made in Albania" në fund të katërvjeçarit rezulton hashashi. Bashkë me pranverën po vjen edhe rilindja e bimësisë, por rilindja që premtoi qeveria nuk erdhi kurrë. /SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

miri23/01/2017 14:03

Perpara Edi Rama dhe Rilindje !
Populli kerkon Shtet Ligjor,llafet jane te teperta.
Vertet qe ne kohen e Saliut ishte rrumpalle dhe njerzit benin ç'fare te donin.
Harrojeni "Mushke"Valarene se Ali Pashen e prene.(Popullore)

petrit ago21/01/2017 17:49

z. Gurra je i pabesueshem, kemi qene bashke ne debat me te ashtequajturin minister i bujqesise dhe i ke bere fresk prandaj ta them hapur je i pabesueshem

popi20/01/2017 12:26

Po nuk ka shans te krahasosh kohen e Berishes me Rilindjen. Keto 4 vite te Rilindjes jane me mire veten se viti 90-92 , dhe viti 97 . Pastaj jane pothuajse afer zeros. Mireqenia ka rene kudo . Thjesh njerezit kane harxhur dhjamin e vene po ne kohe te Berishes . Po fitoi Rilindja pra , njerezit do e shikojne sketeren edhe me te madhe.

Shto koment

Denonco