E ke ende në dorë të shpëtosh zgjedhjet

E ke ende në dorë të shpëtosh zgjedhjet

Nga Astrit Patozi - 18/01/2017

Një interpelancë e munguar me Edi Ramën

Të hënën u mata të kërkoja fjalën në parlament, por në castin e fundit u tërhoqa se nuk doja të prishja solemnitetin e seancës së parë. Zakonisht, kur hapen sesionet shprehen vetëm udhëheqësit. Padyshim, që do të flisja për zgjedhjet, jo vetëm se nuk mund të ketë temë më të rëndësishme për opozitën, por edhe se unë kam gati një vit që e ngre në cdo seancë këtë cështje.

Në fund mendova që të të flisja të enjten dhe po mëdyshesha, ta trajtoja si diskutim të zakonshëm, apo të kërkoja një interpelancë urgjente me Edi Ramën. Por "hallin" ma zgjidhën të tjerët, pasi sot në mëngjes mësova se seancë nuk do të ketë fare. Një vendim ky, sa absurd, por aq edhe kuptimplotë për të kuptuar se parlamenti ynë është në krizë të thellë.

Ndaj duke e konsideruar cështjen e zgjedhjeve si emergjencë kombëtare, për të cilën koha nuk pret, vendosa që ta publikoj sot qëndrimin tim si një interpelancë e munguar me kryeministrin. Gjithmonë, duke pasur drojën, që pas 10 ditësh, kur të mblidhet parlamenti, nëse nuk shtyhet sërish, ndoshta nuk do të ketë më asnjë vlerë.

Zoti kryeministër,

E kam kërkuar këtë interpelancë sepse mendoj se ti je përgjegjësi kryesor për fatin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, por edhe ngaqë mendoj se ka ende kohë, ndonëse jo shumë, për t'i shpëtuar ato. Gjatë muajve të fundit je përpjekur të mos flasësh vetë për këtë cështje, duke bërë sikur nuk ta ndjen shumë. Por e ke bërë gjithësesi përmes të tjerëve dhe nuk është e vështirë të kuptohet që nuk ti ke as më të voglën dëshirë ta trazosh mocalin e fëlliqur të ambjentit elektoral në Shqipëri, pasi vetëm kështu mendon se fiton sërish. Ti nuk ke asnjë detyrim ta marrësh në konsideratë mendimin tim, por unë ndjehem i detyruar që ta them se e ke keqkuptim të madh këtë.

Edhe nëse do të kishe pasur një bilanc të suksesshëm qeverisës, ti sot sërish nuk do të ishe komod të mos përfillje një kërkesë legjitime të opozitës së bashkuar për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Aq më tepër kur po rezulton se nuk është thjesht dhe vetëm e saj, por gati po përqafohet edhe nga aleatët e tu në koalicion. Ndërkohë, që qeveria jote po shkon duke u zvarrritur dhe calë calë drejt përfudnimit të mandatit, e kërrusur nga pesha e skandaleve dhe e dështimeve, dhe ti nuk ngjan fare të jesh në pozitën e të fortit, që e con karvanin i vetëm përpara.  

E pra, një kryeministër normal i një vendi demokratik do të bënte gjithcka kishte në dorë për t'i plotësuar opozitës edhe ndonjë tekë, në rast se do të kishte, e jo më detyrimet e veta normale. Më poshtë do të përpiqem të shpjegoj se përse nuk është tekë e PD, por domosdoshmëri akute votimi elektronik në Shqipëri.

Të hënën dëgjova me vëmendje përfaqësuesit më të lartë të PS në parlament, ndonëse nuk prisja ndonjë gjë të re prej tyre. Fillimisht, dua t'i jap të drejtë Taulantit, ndonëse nuk e kam harruar ndonjëherë që është ndër kundërshtarët më agresivë të PD. Ai nuk gënjen kur thotë se Oerd Bylykbashi para 5 vjetësh ka thënë se nuk ka kohë për aplikimin e votimit elektronik. Edhe vetë Oerdi nuk e ka mohuar këtë fakt, por ka shtuar se kohët e fundit teknologjia ka avancuar shumë dhe nuk jemi më në të njëjtat kushte si në 2008-ën.
Taulanti sigurisht që nuk u ndal vetëm tek "kapja në flagrancë" e Oerdit me ekstraktin e qëndrimit të 2008-ës, por na vringëlloi para syve edhe një herë letrën e OSBE-së, që fliste për pamundësi kohore në aplikimin e votimit elektronik në Shqipëri.

Më pas dëgjova Gramozin që na tha se po kërkojmë një gjë që e ka pasur Gjermania dhe Franca, por e kanë hequr më vonë me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Edhe zoti Ruci nuk tha ndonjë të pavërtetë, kur përmendi vende demokratike, që nuk e kanë fare apo kanë hequr dorë me dëshirë nga votimi elektronik. Pastaj na kërkoi që të thërrisnim OSBE/ODIHR-in dhe nëse ata merrnin përgjegjësinë e ndryshimit të mënyrës së votimit, edhe PS do të binte dakord, ndërkohë që disa minuta para tij Taulanti na e kishte bërë të qartë se cili ishte qëndrimi i organizatës për këtë temë.

Duke i dëgjuar të dy, mendoj se fillimisht Taulanti me Gramozin duhet ta zgjidhin me njëri-tjetrin një herë se përse është e pamundur që të zbatohet kërkesa e bllokut opozitar. Se nuk ka më kohë, sic pretendon i pari, i mbështetur edhe nga letra e OSBE-së, apo se nuk duhet fare, sic thotë i dyti?
Por le ta lëmë mënjanë këtë mungesë sintonie të krerëve të grupit tënd parlamentar dhe le të kthehemi tek thelbi i cështjes.

Edhe unë po të isha përfaqësues i OSBE apo ekspert i saj të njëjtën gjë do të shkruaja dhe të njëjtën gjë do të thoja po të më kërkohej. Pse? Sepse ata janë strikt në standartet dhe kriteret e tyre, bazuar në një eksperiencë e gjatë në shumë vende të botës. Dhe nuk mund të fajësohen, që duan të jenë perfeksionistë në punën e tyre. Puna është se ata nuk ndryshojnë regjistër nga emri i vendit, sepse e trajtojnë njësoj si Francën, ashtu edhe Shqipërinë, si Gjermaninë, ashtu edhe Rusinë. Ata nuk kanë pse ta dinë tamam dhe nuk është përgjegjësi e tyre të marrin vendime të rëndësishme për ne, edhe pse gjenden në rolin kyc të arbitrit të zgjedhjeve tona.

Mendoj se arsyeja kryesore që i rrëzon të gjitha argumentet e letrës së OSBE-së, por edhe të Gramozit dhe të Taulantit, të cilat padyshim që janë qëndrimet tuaja, është se për fat të keq Shqipëria nuk është vend normal. Unë nuk them dot që gjithcka e ke bërë ti në këto 3 vjet e gjysëm, por jam shumë i sigurt se shumicën e problemit e ka krijuar pikërisht qeveria jote. Nuk ndjehem mirë kur e bëj këtë pohim, sepse nuk ka dy Shqipëri, një kur je në pushtet, dhe tjetra kur je në opozitë, por kjo është e vërteta, të cilën jam i detyruar ta them.

Po të jap ca prova të hidhura për këtë. Vetë ligji i dekriminalizimit, që miratuam bashkarisht në Kuvend, cfarë ishte në finale? Pa asnjë mëdyshje, pranimi kolektiv dhe publik i faktit që ne nuk jemi vend si gjithë të tjerët. Nuk ka asnjë shtet tjetër që ta ketë dhe e kemi shkelur me koshiencë të plotë kushtetutën, duke marrë përsipër një përgjegjësi, që vlen vetëm për gjendje të jashtëzakonshme. Dhe e tillë është në fakt Shqipëria, po të kesh parasysh ngjitjen e frikshme të krimit në majat më të larta të politikës, kanabizimin e gjithë territorit të vendit, nivelin tmerrues të korrupsionit e plagë të tjera si këto.

Po dhe vetë reforma në drejtësi, me të cilën ke kaq shumë qejf të mburresh, sa ke tre vjet që e përdor si hajmali, cfarë ishte në fakt? Sëmundja e rëndë e sistemit tonë politik ishte, për të mos thënë kapitullimi i tij. Unë kam folur prej kohësh për rënien e Republikës dhe i qëndroj fort pikëpamjes sime. Por ti mund të mos jesh dakord natyrisht, se e sheh Shqipërinë me ngjyra të ndezura, ngaqë je majë kalit.

Duke votuar reformën në drejtësi ne pranuam në një mënyrë të tërthortë që nuk jemi vend normal, sepse pacientit të sëmurë nuk i bënin më efekt ilacet, por duhej cuar në sallën e operacionit. Uroj pa shumë shpresë që bisturia e kësaj reforme të shkojë sa më thellë dhe të përdoret sa më mirë për të prekur rrënjët e sëmundjes, të cilat kam bindjen absolute se gjendet kryesisht në majat e piramidës politike.

Natyrisht, që ka edhe plot argumente të tjera, që provojnë katërcipërisht faktin e hidhur se Shqipëria po rrokulliset me shpejtësi në honet e anormalitetit, ndaj mendoj se ti ke detyrimin dhe përgjegjësinë të mos e rëndosh më shumë këtë gjendje të pashpresë.

Të takon ty vendimi për fatin e zgjedhjeve e Shqipëri, ndaj nuk ka nevojë të fshihesh pas letrës së OSBE-së dhe shpjegoja atyre, se edhe për shkakun tënd, ky vendi ynë i bukur dhe i dashur nuk mund të konsiderohet, as si Franca, as si Kroacia, madje as si Maqedonia, kur vjen puna për zgjedhjet. Sepse të tillë e kemi bërë veten. Mësoje edhe Gramozin që përgjegjësinë për zgjedhjet tona e marrim vetë dhe nuk e ka OSBE-ja, megjithë respektin e palëkundur për të. 

Edhe po na e quajtën gabim në raportin final të pas zgjedhjeve, do të jetë gabim i përbashkët, ndaj nuk ke pse i trembesh. Ata janë në të drejtën e vet, kur thonë se nuk ka kohë, por ne jemi në të drejtën tonë, kur themi se ka gjithmonë kohë për vepra të mira. Por puna është se deri më sot nuk shoh ndonjë shenjë të mirë që ti mund të reagosh.

Tani dy fjalë pse votimi elektronik është e vetmja zgjidhje dhe një përgjigje për ata që na përmendin shembujt e Francës apo Gjermanisë. E di ku është ndryshimi ynë me ato vende të respektuara? Fare "i vogël" është, në fakt. Se tek ata njeriu është zgjidhja, ndaj makina shikohet si problem, sepse ajo edhe mund të gabojë. Ndërsa tek ne njeriu është problemi, ndaj edhe makina është e vetmja, që shikohet si zgjidhje. Kaq e thjeshtë është.

Shpjegojua edhe ekspertëve të OSBE-së, që keqbesimi mes palëve po vjen duke u rënduar nga zgjedhja në zgjedhje dhe se ai mund të ndryshojë vetëm nga thirrja në skenë e teknologjisë. Në fakt, po ta marrësh hollë-hollë është një kërkesë dëshpëruese e opozitës. Meqë qeverinë nuk e detyroj dot të mos vjedhë, të paktën ta kufizoj atë. Kështu përkthehet. Por ti as këtë mundësi nuk do t'ia japësh.

Edhe ne e dimë që makina mund të gabojë, bllokohet, prishet, por jemi të përgatitur ta marrim këtë rrisk, sepse gjykojmë se është e keqja më e vogël. Tek e fundit, ajo do të gabojë pa dashje dhe mbase masa e dëmit do të jetë njësoj për të gjithë. Ndërsa po ta lemë në dorë të njerëzve të qeverisë ka vetëm një rezultat, masakër të votës.

Bëjmë edhe një gjë tjetër të mirë me këtë rast. Shpëtojmë nga ajo lukuni komisionerësh dhe numëruesish, që nga fushata në fushatë po kthehen në një strukturë kancerogjene edhe për vetë partitë, që i propozojnë, e jo më për kundërshtarët politikë. Por edhe një gjë tjetër. Makinat edhe po gabuan nuk do t'i fusim në burg, por do të përsërisim votimin në ndonjë cep të vendit, por kjo nuk i cënon zgjedhjet. Se nuk mund të kete makina të PD dhe makina të PS.

Me votimin elektronik ne do t'i japim fund edhe epopesë së gjatë të numurimit, që është një nga gropat e zeza të zgjedhjeve tona, ku ndodhin edhe thagmat më të mëdha, për shkak të demotivimit të atyre që e kuptojnë se kanë humbur. Në Maqedoninë fqinje me shumë halle, rezultati doli për 7 orë, ndërsa tek ne nuk mjaftojnë as 7 ditë. Kam bindje të plotë, që tek kjo pikë bazohet fort shpresa jote dhe guximi yt për t'i vjedhur zgjedhjet.

Kemi edhe një arsye tjetër shumë të fortë për të shkuar tek votimi elektronik. Se duhet t'i japim fund privilegjit të pajustifikuar të dinosaurëve të politikës për të bërë pazar me votat e partive të tjera. Të jemi të siqertë. Në disa palë zgjedhje ka ndodhur që votat e të vegjëlve janë ndarë nga përfaqësuesit e partive të mëdha në tavolinën e numërimit. Askush nuk e di me siguri se në c'masë ka ndikuar kjo tek rezultati i zgjedhjeve, por të gjithë e dinë se ky deformim i rëndë ka ndodhur periodikisht.

Tani, Partia Demokratike, është njëra nga dy përfitueset më të mëdha të këtij bonusi absurd që vjen për shkak të Kodit. Pse ne jemi gati të heqim dorë nga ky privilegj, megjithëse jemi në opozitë, kurse ti jo? Pse edhe partitë e tjera më të vogla, që kanë përfaqësues aty, janë gati ta pranojnë votimin eletronik, kurse ti jo? Përse ke ngelur edhe i vetëm trim në luftë zoti kryeministër? Unë e kam një përgjigje, sepse tek ruajtja e statukuosë ke varur të gjitha shpresat për një sukses elektoral, që nuk do të vijë nga vullneti i zgjedhësve, por nga deformimi i votës.

Duke thënë këto, unë nuk hyj tek njerëzit që besojnë se mrekullia do të vijë për Shqipërinë nga votimi elektronik. Po e shpjegoj me pak fjalë se ajo është kërkesa më minimaliste, që mund të ketë opozita për zgjedhjet. Sepse edhe po u vendos të bëhet, ai nuk e zgjidh dot marrëdhënien qeveri-votues, përpara se të vijmë tek kutia e votimit. Kaq e thjeshtë është. Ne e dimë se vota nuk blihet kur qytetari mbyllet në dhomën e fshehtë, por përpara se ai të shkojë atje. është e stërnjohur gjithashtu që shumë zgjedhës paguhen thjesht për të mos votuar, pasi presupozohen si përkrahës së opozitës.

Votimi elektronik nuk ka c'i bën fare këtyre fenomeneve. Janë me dhjetëra problematikat e tjera shqiptare që ia lejojnë një qeverie të vendosur për t'i manipuluar zgjedhjet, që të ruajë avantazhet e veta. Dhe ne megjithatë, po kërkojmë thjesht dhe vetëm votimin elektronik, sepse aty reduktohet memorandumi i opozitës, po ta lexosh me kujdes. Dhe ti me siguri që e ke bërë këtë mundim.

Zoti kryeministër,

Duke mos dashur të zgjatem pafundësisht, të ftoj ta marrësh seriozisht këtë kërkesë, që trajtohet edhe nga kjo interpelancë. Nuk është thjesht pikëpamja e një opozitari, madje as thjesht qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike, por më shumë nevoja e fortë e shoqërisë shqiptare për të nisur një kapitull të ri të komunikimit politik në vend. Të gjitha të këqijat, që trashëgojmë sot dhe që i kemi pranuar bashkarisht edhe përmes akteve të forta, i kanë rrënjët tek zgjedhjet e këqija.

Ne nuk të besojmë, por ndoshta as ti nuk ke pikën e besimit tek ne. Kemi mbërritur gradualisht në këtë pikë dhe nuk kthehemi dot pas. Ndaj le t'ia lemë gjykimin për verdiktin e shqiptarëve, jo njëri-tjetrit, por teknologjisë.

Kjo nuk mund të jetë më as cështje kohe, as financash, as cështje tenderi dhe as cështje procedurash burokratike, sic po na thuhet. Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, që po kalon vendi, duhet të marrim vendime të jashtëzakonshme, njësoj sic bëmë me reformat e shumëpërmendura. E vetmja gjë për të cilën nuk kemi më kohë, është që të bëjmë zgjedhje të këqija. jam i bindur se po t'ua shpjegosh këtë edhe ndërkombëtarëve, do të mirëkuptojnë.

Jam shumë i bindur që votimi elektronik është i pashmangshëm për të evituar kriza më të forta politike në Shqipëri. Dhe nëse ti nuk bindesh këtë herë, thjesht do ta vonosh shumë pak aplikimin e kësaj mënyre të re të votimit dhe leximit të rezultatit të zgjedhjeve. 

Por të jesh i sigurt se do të mbash të gjithë faturën e vrasjes së zgjedhjeve. Madje po të paralajmëroj se, nëse nuk arrihet kjo, do ta kesh të vështirë që të ndash edhe votat brenda koalicionit tënd. Votimi elektronik është më e pakta që mund të bëjmë. E ke vetëm ti në dorë që t'i shpëtosh zgjedhjet. Sepse jo rastësisht ke mbetur vetëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

vezhguesi20/01/2017 13:20

Eshte plotesisht e drejte qe mos te votohet me menyren tradicionale me tej me cdo kusht.
Sepse prej saj ka perfituar njelloj si ajo parti qe eshte sot por edhe ajo qe ka qene ne pushtet.
I perdornin keto zgjedhje kur te bjerrur nga pushteti deformonin ate dhe fitonin prap padrejtesisht.
Dhe korrupsioni ka qene dhe ikjet jashte kane qene dhe ryshfeti ka qene dhe lidhja me krimin ka qene etj
Sot situata eshte tej e tej ndyshe sot te gjitha fenomenet negative jane ne fuqi te katert. Korrupsioni x4, Arratisja jashte x4 , Kanabisi x4, konesionet x4, shperdorimi fondeve publike x4, varferia x4 etj etj bile dhe esensa e diskurit te te vete ps qe sdu ta ndyshoj sistemin edhte ne x4. Si rrejdhim te besh zgjedhje te vjedhura x4 nuk ka me kuptim per zgjedhje te lira. Eshte fare e kote te behen me sistemin e vjeter. Aq me teper kur ato i ka ne dore ajo force poltike qe ka x4 genjeshtren, arrogancen, lidhjen me krimin, pafytyresine, abuzimin. As mos te hyje opozita ne zgjedhje te stilit te vjeter se do dale ne situate tallje. O te mbaroje mandatin qeveria e nje qeveri teknike te zgjedhe keto ndyshime ne votime o te meret nje kompani nga jashte e ti organizoje ato ne kohe rekord. Seshte fare veshtire as ne zonat e thella. Sot ka internet e data service direkt nga sateliti dhe ska nevoje te perdoren internetet tona te mbaruara.

Shto koment

Denonco