Hipokrizia me OSBE-në!

Hipokrizia me OSBE-në!

Nga Lutfi Dervishi - 18/01/2017

Kërkesa e opozitës për votimin elektronik ka marrë në përgjigje pozitive në parim nga shumica, ose më saktë nga dy pjesët e shumicës (PS dhe LSI), me një POR…nga mbrapa. Jemi dakord, nuk kemi asgjë kundër thonë përfaqësuesit e qeverisë, me kusht që të jetë dakord OSBE (nënkupto OSBE- ODHIR). Domethënë nëse “ndërkombëtarët” janë dakord, atëherë të gjithë jemi dakord dhe Eureka: nuk ka asnjë problem për zgjedhjet. Ky qëndrim është hipokrizi e pastër. Dihet qëndrimi që ka ODHIR ndaj votimit elektronik.

Përveç 1001 e arsyeve mund të edhe të thuhet shkurt: nuk ka kohë! Por, nëse e dëgjojmë OSBE-ODHIR për këtë çështje (sado i diskutueshëm) të jetë qëndrimi tyre, atëherë duhet ta dëgjojmë për të gjitha qëndrimet/kërkesat që ka për përmirësimin e zgjedhjeve. Lista e kërkesave të OSBE-së për zgjedhjet shqiptare është shumë e gjatë, por ja vlen të ndalesh shkurtimisht për 3 kërkesa. • Gjuha vete ku dhemb dhëmbi, dhe po e nisim nga qëndrimi që ka për median. Është bërë anekdodë fakti se zgjedhjet nuk raportohen nga gazetarët, por nga partitë politike. Këtu, heshtin të gjithë partitë. U pëlqen të raportojnë për veten.

Ka një kërkesë të komunitetit të medias, por edhe të OSBE-së për t’i dhënë fund praktikës së “kasetave”. Por në këtë rast nuk na pëlqen të dëgjojmë OSBE-në. Na pëlqen që lajmet t’i bëjmë vetë pa praninë e gazetarëve. • Zgjedhjet shqiptare duke shumë të varfëra në letër, por shumë të pasura kur sheh sheshet dhe ekranet. Kërkesa për transparencë dhe forcimi të kontrollit financiar për shpenzimet në fushatë elektorale dhe mes fushatave elektorale është kërkesë konstante e ndërkombëtarëve, por këtu kemi një dakordësi qëndrimesh: bëjmë sikur amendojmë diçka. • Tregu i votës është një realitet që nuk mund të mohohet dhe forcimi i sanksioneve për ata që shesin/blejnë votën do të ishte i mirëpritur. OSBE- ODHIR nuk është kundër praktikës së votimit dhe numërimit elektronik. Një nga 29 rekomandimet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, rekomandimi 14 për teknologjitë e reja në votim kërkonte që "çdo zbatimi projekteve pilot të nisë kohë më parë se zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë përgatitje të domosdoshme të tilla si miratimi i akteve nënligjore të detajuara che testimi i sistemeve”

Në këtë kuptim OSBE - ODHIR nuk ka asgjë kundër votimit elektronik. Por lepuri fle gjetiu... 29 rekomandimeve të zgjedhjeve parlamentare të 2013, i janë shtuar edhe 23 të tjera të zgjedhjeve lokale të 2015! Pra 52 rekomandime! Sa kanë mbetur pa plotësuar? 52! Kërkesa për votim dhe numërim elektronik vjen nga mungesa totale e besimit se vota nuk blihet, se vota numërohet korrektësisht dhe rezultati përfundimtar pasqyron vullnetin e votuesve. Sa i përket votimit/numërimit elektronik ja vlen të ndalemi te tentativa për numërimin elektronik në qarkun e Fierit në zgjedhjet e shkuara parlamentare. Projekti dështoi me sukses të plotë. “Argumenti” më i dëgjuar ishte fleta e votimit me 60 parti për t’u “lexuar”. Një shpjegim i thjeshtë për dështimin e numërimit elektronik në qarkun e Fierit më 2013 dhe për dëmin prej qindra mijëra eurosh, - do të ndihmonte debatin e sotëm për votimin/numërimin elektronik. Le të imagjinojmë një situatë hipotetike: çfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishin plotësuar 52 rekomandimet e OSBE/ODHIR? Me shumë gjasë askush nuk do të kërkonte votim elektronik. Zgjedhjet janë ngjarja më e rëndësishme në jetën e një vendi.

Përvoja ka treguar se kur zgjedhjet shkojnë mirë, çdo gjë shkon mirë. Vendi ka stabilitet politik, institucional dhe rritje ekonomike. Kur zgjedhjet kanë shkuar keq, pothuaj çdo gjë ka shkuar keq. Klima e mosbesimit për zgjedhjet nuk mund të mbushet duke thënë: unë jam dakord me këtë që thua ti, nëse është dakord OSBE! Kjo është të heqësh përgjegjësinë nga loja dhe t’ia ngecësh topin arbitrit. Në Shkodër kësaj i thonë: m’ka çu nana me la gojën! /SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shaba18/01/2017 19:24

O Luti! Ne Fier nuk u be votim elektronik por u be vetem numerim elektronik. Votimi elektronik eshte njesoj sikur terheq leket nga bankomati dhe bilanci (numerimi) del automatikisht dhe menjehere pas mbylljes zyrtare te votimit apo sistemit. E kuptove tani z. Gazetar i nderuar?? Kaq e thjeshte eshte dhe nuk ka nevoje te na e thoje OSBE dhe gjermani Bochardt. Kohe ka sa te duash po te duash! Por ky vend ka marre fund, perderisa arriti u korruptua edhe nje personalitet gjerman.

Shto koment

Denonco