Gjykata Kushtetuese riparon ligjin e Vetting

Gjykata Kushtetuese riparon ligjin e Vetting

Nga Artan Hoxha - 18/01/2017

Gjykata Kushtetuese publikoi sot arsyetimin e vendimit të vet numër 2 datë 18.1.2017, lidhur me (jo) kushtetutshmerinë e ligjit të verifikimit të pasurive, figurës morale dhe aftësive profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve e zyrtareve të tjerë të drejtësisë, i njohur si ligji i Vetting. Vendimin e gjeni ne lidhjen: http://www.gjk.gov.al/web/Lista_e_Vendimeve_92_1.php

Opozita dhe Unioni i Gjyqtareve ngritën pretendime për papajtueshmëri të ligjit të Vetting me ndryshimet konsensuale të Kushtetutes të miratuara me 21 dukë u gdhirë 22 korriku 2016. Thelbi i gjithë pretendimeve përmblidhej në atë që i gjithë procesi në vend që të nisë, të kryhet e të përfundojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e vijueshëm të organeve të reja të Vetting - Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Apelimit (KA) - i nxjerr këto jashtë loje që në nisje e përgjatë procesit përveçse në fundin të tij ndërsa i jep rol thuajse shterues e paracaktues organeve ekzistuese ligjzbatuese nën varësinë e mazhorancës si ILDKP, DSIK etj. Sistem i kthyer përmbys, si rëndesa e bishtit më shumë se sqepari. Bazuar në këto pretendime u kërkua rrëzimi në tërësi i ligjit të Vetting.

Gjykata Kushtetuese, bazuar edhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias, e rrëzoi kërkesën për shfuqizimin në total të ligjit të vetting. Por, shikimit të saj nuk mund t'i shpëtonin disa pjesëza problematike të ligjit - disa nene, paragrafe a fjali të veçanta - që, si pika mbështetëse për Levën e Arkimedit, mundësonin ndikimin shproporcional të njëanshëm të të gjithë reformës nga supermazhoranca në pushtet. Askush që ve trurin në punë nuk mund të mos i shihte këto pjesëza dhe rrezikshmërinë e tyre.

Bazuar mbi të njëjtin vlerësim, qoftë të shumicës së gjyqtarëve kushtetues e qoftë të pakicës së tyre, mbi problematikën që krijonin këto pjesëza dhe rrezikshmërinë e tyre, Gjykata Kushtetuese, në një mendje për mosshfuqizimin në tërësi të ligjit, formësoi dy qëndrime të ndryshme vetëm lidhur me mënyrën e riparimit të situatës së krijuar.

Dy gjyqtarët në pakicë propozuan, si metodë riparimi, shfuqizimin e pjesëzave problematike, metodë kjo që do të kërkonte amendim të ligjit nga Kuvendi. Gjashtë gjyqtarët në shumicë, pjesëzat problematike, në arsyetim e sipër, i interpretuan në atë mënyrë që ato të mos ishin më të këtilla, thënë ndryshe, "i rishkruan" vetë ato.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese janë disa paragrafe që përcaktojnë qartësisht se si duhen kuptuar dhe zbatuar edhe pjesezat problematike edhe ligji ne teresi, ne germe dhe/ose fryme. Sa për ilustrim e në mbyllje të këtij shkrimi më poshtë citoj një pjesë nga paragrafi 45 që zgjidh çështjen kryesore e që, njëherazi, zgjidh edhe shumë çështje të tjera të varura prej interpretimit të çështjes kryesore:

..."Gjykata vlerëson se për sa kohë që organet ekzistuese ligjzbatuese kanë vetëm rol ndihmës në procesin e rivlerësimit, përderisa veprimtaria e tyre ushtrohet nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (KPK-ja dhe KA-ja), ato nuk mund të ushtrojnë funksionet e tyre pa u konstituar dhe pa filluar funksionimin këto të fundit......kjo është e vetmja mënyrë e interpretimit të ligjit objekt kontrolli, në mënyrë që ai të mos bjerë ndesh me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve".

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco