Kulisat për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ose përplasja e madhe e Ramës me Metën, për kontrollin e Vettingut

Kulisat për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ose përplasja e madhe e Ramës me Metën, për kontrollin e Vettingut

Nga SYRI.net - 18/01/2017

Sot Kuvendi ka zbuluar emrat e kandidatëve që pretendojnë postin e Avokatit të Popullit, për 5 vitet e ardhshme. Pas këmbënguljes së Partisë Socialiste për rihapjen garës nga Kuvendi, numri i kandidatëve është rritur ndjeshëm, ndërsa data e fundit e aplikimit është dita e nesërme 19 janari. Mësohet se në garë, veç emrave që kishin aplikuar brenda aftit të parë të përcaktuar nga Kuvendi, në listë janë shtuar me shpejtësi edhe disa emra të tjerë të dalë direkt nga kuzhina e Ramës dhe Metës, secili për hesap të vetë.

“Papritur” Igli Totozani shfaqet në raundin e dytë si një ndër emrave që kërkon të mbajë edhe për 5 vitet e ardhshme postin e Avokatit të Popullit edhe pse marrëdhëniet e tij me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste që e zgjodhën 5 vite më parë janë krejtësisht të ngrira. Ky mësohet se ka jo vetëm mbështetjen e kreut të Kuvendit por edhe të ambasadorit Lu. Por përveç Totozanit në listën e re bien në sy edhe emra të tjerë, që kanë qenë pjesëtarë të institucioneve të rëndësishme më herët. Kështu mes personave që kanë shprehur interes dhe është futur në listë, po “papritur” edhe ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi të cilën Partia Demokratike e s`kualifikoi nga kandidimi, për të drejtuar sërish KQZ-në.

Luzi e cila deri pak javë më parë ishte drejtuesja e KQZ dhe dështoj për një rikandidim, aktualisht mban një pozicion drejtoreshe të rëndësishëm, pranë Ilir Metës në Kuvend. Ajo tani kërkon të emërohet sërish në një post tjetër Kushtetues, të cilit i janë rritur shumë kompetencat. Po nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përveç ish-kryetares vjen si kandidaturë edhe një emër tjetër, ai i Genc Gjonçaj, ish-përfaqësuesi i Partisë Socialiste. Gjonçaj njihet si një figurë e futur direkt në lojë nga Edi Rama dhe i pozicionuar hapur shumë  pranë Partisë Socialiste.

Gjithashtu kandidojnë edhe emra të tjerë si, Jordan Daci, Erinda Ndroqi, Gëzim Gjana dhe Denar Veshi. Këta janë prurjet e reja pas rihapjes së procesit, kurse më herët kishin aplikuar edhe 3 emra të tjerë që po ashtu janë kandidat për Avokatin e Popullit si, Anton Lleshaj, Altin Goxhaj dhe Adrian Licaj. Por mesa duket të gjithë këta do të jenë garnitura e tavës ku pritet një betejë e ashpër mes dy kryetarëve të maxhorancës.

Tashmë është e qartë se do të ketë një luftë të vërtetë politike për Avokatit e Popullit, sepse pas Reformës në Drejtësi ky institucion do të ketë kompetenca shtesë, veçanërisht në përzgjedhjen e kandidatëve që do të përbëjnë dy strukturat e Vetingut; Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dhe Kolegji i Apelimit.

Përveç pretendimeve të Partisë Demokratike, se sipas një marrëveshje të bërë 5 vjet më parë Avokati i Popullit i takon opozitës, duket se ka një rivalitet të hapur edhe mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta mbështet hapur Igli Totozanin dhe Lefterie Luzin, ndërkohë që edhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka deklaruar pak ditë më parë se mbështet një rizgjedhje avokatin aktual. Duket LSI po luan me gur rezervë. Por Edi Rama me futjen në lojë të Genci Gjonçajt, i ka lënë për të kuptuar aleatit të tij se Avokatin e Popullit e do për vete dhe vetëm për vete. Edhe ky luan me gur rezervë, sepse në listë është edhe një familjar i një prej ministreve të tij. Në fakt ajo që e bën Ramën të hapë këtë lloj lufte të re ndaj aleatit të tij janë kompetencat e reja kushtetuese, që merr ky institucion pas Reformës në Drejtësi. Kjo përplasje nuk bëhet për emra, se nuk “ju hap barku” as Ramës për Gjonçajn, e as Metës për Totozanin e Luzin, por për të pasur njerëzit e tyre dhe kontroll në procesin e Vettingut.

Prandaj duket se Rama e ka ndarë mendjen, që ta shkelë marrëveshjen e kërkuar vetë 5 vite më parë kur ishte në opozitë që Avokati i Popullit të propozohet gjithmonë nga opozita. Dhe kjo u duk që kur këmbënguli në rihapjen e garës me pretendimin, se të interesuarit nuk ishin njoftuar siç duhet, duke shkelur hapur ligjin. Pavarësisht kundërshtimeve edhe votave kundër të aleatit të saj LSI-së e cila e kishte nuhatur qëllimin e vërtetë të kryeministrit, me shumicë votash u vendos shtrirja e afatit për aplikimet me 20 ditë. Dhe kështu ndodhi, shtyrja u bë vetëm për një emër. Pavarësisht se ishte kundër këtë hapësirë kohore e shfrytëzoi edhe Ilir Meta.

Aplikimet do të mbyllen nesër dhe më pas do të zhvillohet seanca e dëgjesave në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Në këtë seancë mund të skualifikohen disa kandidatët që deputetët do të gjykojnë se nuk përmbushin kriteret dhe kandidaturat e mbetura kalojnë për votim në parlament. Ajo që e bën edhe më interesant këtë proces është “lufta e votave” që pritet të plasë kur të zyrtarizohen kandidatët. Avokati i Popullit zgjidhet me 84 vota dhe do të duhet me patjetër një konsensus mes PS-së dhe LS-së nëse vazhdojnë në rrugën e pështyrjes së marrëveshjes, pa llogaritur këmbënguljen PD-së se kandidati për Avokat të Popullit i takon opozitës.

Pra siç shihet një front i ri kulisash, llogarish për vota dhe përplasjesh është hapur me rastin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Nuk është ndonjë habi e madhe shkelja e marrëveshjes nga Rama, por interesante do të jetë edhe lufta brenda maxhorancës tani që duket hapur që pas zbardhjes së emrave të kandidatëve, edhe Meta edhe kryeministri kanë kandidatët e tyre të preferuar. Vettingu është hall i madh për të dy...të shohim deri ku do shkojë kjo përplasje e radhës mes dy aleatëve-armiq. Ilir Meta e di mirë që Rama nuk e grisur dosjen që çonte në zyrën e Merkel dhe nëpër kancelaritë e tjera nëpër Europë. Edhe Rama që bën sikur nuk di të numërojë është i ndërgjegjshëm, se “mëkatet” e Rilindjes në këto 4 vite peshojnë ndoshta më shumë se ato të bashkë-qeverisësit të tij.

SYRI.net 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco