Lajmi i fundit

LIVE/ Bylykbashi, Kaso dhe Çupi, konferencë për media në PD

3 dosjet e para në tavolinën e Trump!

3 dosjet e para në tavolinën e Trump!

Nga Lutfi Dervishi - 17/01/2017

Komentatorë dhe analistë politikë në të gjithë globin po spekullojnë për prioritet e presidentit Trump, që pas 3 ditësh do të nisë zyrtarisht detyrën!

Por burime shumë të besueshme pranë stafit të z Trump bëjnë me dije se presidenti i ri i superfuqisë së vetme të botës e ka shumë të qartë se me cilat çështje nuk do të merret në ditët e para të punës!

1. Politika e SHBA në lidhje me Europën ka qenë një Europë e lirë, e plotë dhe demokratike

 Pavarësisht deklaratave të fundit të zotit Trump, lidhur me BE dhe Brexit, presidenti i ri nuk do të ketë prioritet BE-në.

2. Aleanca politiko - ushtarake më e suksesshme që nga koha e perandorisë Romake u quajt e vjetëruar nga zoti Trump. NATO, pavarësisht se disa vende të reja harxhojnë më shumë për PR sesa për mbrojtjen, nuk do të jetë në tavolinën e presidentit të ri. Ka çështje të tjera më të rëndësishme.

3. Një Kinë, është një politikë që e ka respektuar çdo president amerikan pas Niksonit. Por me shumë gjasë nuk do të jetë kështu me administratën Trump. Disa deklarata lidhur me dobësimin artificial të monedhës kineze, telefonata me presidentin e Tajvanit dhe bilanci import eksport janë shenja të qarta se histori po ndryshon. Por, dosja e Kinës nuk do të jetë në tryezën e presidentit Trump. Jetojmë në kohë të paqarta dhe bota ka probleme të tjera më të mëdha.

4. Pavarësisht akuzave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje dhe simpatisë së treguar ndaj presidentit Putin, dosja ruse nuk do të jetë prioritet për administratën e re. Viti që iku tregoi se bota ka rreziqe dhe telashe të tjera.

5. Terrorizmi ka qenë kryefjala e dy dekadave të fundit. 2017 nisi me sulmin terrorist në Stamboll dhe agjencitë inteligjente kanë paralajmëruar sulme të tjera. Por, me gjithë rëndësinë, terrorizmi nuk do jetë ndër dosjet e para në tryezën e presidentit Trump

 Ka rreziqe edhe më të mëdha, ka çështje më të mprehta!

6. Një nga çështjet e mprehta që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e SHBA është Koreja e Veriut. Lideri saj i çmendur më se një herë ka kërcënuar me përdorimin e armëve bërthamore. Por nuk do të jetë dosja e Koresë së veriut në tavolinën e presidentit Trump. Bota ka probleme më të mprehta dhe rreziqe më të mëdha.

7. Presidenti Trump ka paralajmëruar se do të zhbëj marrëveshjen e arritur nga administrata Obama me Iranin. Irani po zhvillon një program bërthamor, por siç nënvizon me qetësi Teherani e ka vetëm me qëllime paqësore. Gjithsesi edhe dosja Iranit nuk do të jetë si prioritet në tryezën e presidentit Trump. Bota që ne po njohim çdo ditë ka probleme ekzistenciale.

8. Ngrohja globale. Shkencëtarët kanë vënë alarmin se ne, homo sapiens, i ngjajmë gjithnjë e më shumë majmunit që sharron degën e pemës ku është ulur

 Por z. TRUMP e ka bërë të qartë në fushatën e tij ekektorale që SHBA do të tërhiqet nga marrëveshja e Kiotos dhe ajo e Parisit kështu që pavarësisht ulërimave të shkencëtarëve dhe ambientalistëve të paguar nga Soros, dosja e ngrohjes globale nuk ka asnjë shans të mbërrijë në tavolinën e Presidentit të 45 të SHBA-se. Për nga urgjenca dhe rëndësia ka probleme të tjera.

9. Pavarësisht zhgënjimit në SHBA dhe mbarë globin për presidentin e zgjedhur, nuk duhet harruar që të njëjtët votues që zgjodhën Obamën president, të njëjtët votues kanë zgjedhur zotin Trump të mbrojë interesat e tyre. Kështu që është e natyrshme që presidenti ri të ketë prioritet votuesit e tij, emigracioni paligjshëm, ndërtimi murit me Meksikën, hapja e vendeve të punës për amerikanët janë prioritete të administratës Trump, por nuk do të jenë dosjet e para që do të shqyrtojë presidenti ri. Bota ka probleme të vjetra dhe halle të mëdha.

10. Dosjet që do të shqyrtojë fill pas betimit Presidenti Trump, do të jenë 3 çështje që janë në të njëjtën kohë urgjente dhe të rëndësishme, janë vitale për interesat e SHBA - 1. Treni që desh të futej në Mitrovicë. 2

 Krijimi qeverisë në Shkup. 3. Reforma drejtësisë në Tiranë.

Bota vërtet është e paqartë dhe e pasigurtë, por pas 20 janarit nis ndryshimi madh nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi.

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

ha haa haaa17/01/2017 14:18

ha haa haaa

Shto koment

Denonco